back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Demokracia shqiptare e partitë Ushtima e Sharrit (1944)

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

Demokracia shqiptare dhe partitë (1944)

Ushtima e Sharrit – Lazër Radi

Shqipnia ka nji mënyrë qeverimi demokratike. Historikisht kjo asht nji mënyrë politike që ma shumë i përshtatet frymës sonë kombtare. Mjafton t’i hedhësh nji sy pjesës së statutit të Kanunit të Maleve që të bindeni se ne demokracinë e kemi si formë qeverisjeje tradicionale. Natyrisht, demokracia e maleve tona asht nji demokraci primitive, por asht trajta ma origjinale e saj. Në shtetet moderne demokracia ka ardhë duke u përhapë por, baza e saj themelore ka ngelë gjithmonë ajo e vjetra, qysh prej Herodotit e këndej.
Demokraci do të thotë ajo formë qeverisje në të cilën sovraniteti i shtetit jepet jo njenës, as disa klasave të veçanta, por të gjitha përmasave të komunitetit ose pjesës ma të madhe të tij. Kjo do të thotë se ndër shoqnitë që veprojnë më vete, sovraniteti i takon pjesës ma të madhe të popullsisë.
Te grekët e vjetër demokracia, si sundim i shumicës, kishte kuptimin e kundërt të monarkisë, që do të thotë sundim i nji njeriu të vetëm; gjithashtu kishte kuptimin e kundërt të oligarkisë, që do të thotë sundim i nji klase të vetme, të privilegjueme si nga ana e të lemit ashtu edhe nga pasunia.
Ma vonë, kur demokracia mori përpjestime ma të gjana, kuptimi i saj krahasohej me formën e qeverisë ku sundonte klasa ma e varfën, klasa ma e ulët sepse ajo përbënte shumicën e popullsisë. Mirëpo, kuptimi i vërtetë i demokracisë mbetet gjithnjë ai i vjetri, që do të thotë: “Qeveria e shumsisë”, duke i bashkue në gjinin e vet të gjitha klasat dhe të gjitha shtresat e popullsisë që përbajnë nji shoqni të caktueme.
Në demokraci, siç dihet, liria dhe siguria individit, liria e mendimit dhe e të shprehunit, liria e shoqnive ma të vogla si p.sh. ajo e partive, janë elemente themelore të saj. “Liria asht nji qëllim më vete, asht ma i nalti i të gjitha qëllimeve politike; liria nuk asht nji mjet i thjeshtë për qëllime të tjera!”.
Lind pyetja: Si do ta përdorë populli shqiptar këtë liri të vetën? Në liri, shqiptari a ka për t’u përmbajtë apo do ta teprojë atë?
E dinë se pa liri s’mund të zhvillohet as kultura dhe as përgatitja e vërtetë politike e popullit shqiptar. Duke pasë nji kritikë të lirë, nji kritikë objektive, kritikë pa paragjykime, duke pasë liri mendimi e shprehjeje, ne do të mundohemi të zgjedhim elementët ma të mirë, ma të aftë e ma të përshtatshëm për të drejtue jetën tonë politike dhe që ta përfaqësojnë denjësisht pjesën ma të madhe të popullit shqiptar. Nëqoftëse ne e përdorim këtë liri si fre për mbarëvajtjen shoqnore, liria ka për të qenë e dobishme dhe ne kemi për ta meritue plotësisht atë, përkundrazi, nëse do ta përdorim si mjet për interesa vetiake, për abuzime, për demagogjina, atëherë asht ma mirë që mos ta kemi kët liri!
Tash lind pyetja tjetër: A do të mund të krijohen parti të ndryshme në Shqipëri dhe cili do të jetë funksionimi i tyne? E dimë se këtu tek ne partitë mund të damtojnë ashtu siç mund të sjellin dobi. Mund të na damtojnë sepse nuk e kemi arritë ende (këtu nënkuptojmë krejt shoqninë shqiptare dhe jo individët e izoluem), pjekuninë e vërtetë politike dhe prandaj përbamja politike – ideologjike mund të na sjellë plagë të reja, mund të na damtojë sepse ne jemi nji popull i vogël, me mjete ekonomike të kufizueme, prandaj politika e shteteve ma të mëdha mund të ndikojë edhe në çeshtjen tonë të mbrendshme, të cilat janë dhe duhet të mbesin çeshtje shqiptare; mund të na damtojnë, ma në fund, për arsye të indisiplinimit të instikteve që i kemi në gjak e që mund të na shkaktojnë trazime e turbullime të tilla sa me rrezikue qenësinë tonë si komb e si shtet.
Mirëpo kemi edhe anën pozitive të partive. Nga rrahja dhe shoshitja e parimeve dhe të tendencave të ndryshme mund të krijohet nji lëvizje intelektuale e vërtetë si dhe nji interesim për çeshtjet e brendshme dhe të jashtme ma i gjallë, ma krijues; mund të krijohet nji opinion ma i shëndoshë dhe ma i arsyeshëm sa ta zgjedhë vetë rrugën e arsyes dhe së mirës; nga vëzhgimi dhe mbikqyrja e partive, organet përmbaruese, janë të detyrueme të ndjekin nji rrugë të drejtë dhe për të mirën e përgjithshme.
Këto janë shkurtimisht damet dhe të mirat që mund të na vijnë nga krijimi i partive të ndryshme. Tashti duhet me i peshue damet dhe të mirat dhe nëpërmjet tyne duhet të gjejmë rrugën ma të mirë, po në kët rrugë duhet të mbikqyrim në mënyrë të veçantë të mos damtojmë interesin e përgjithshëm shqiptar, interesin kombëtar.
Vetëm në kët frymë e me kët shpirt partitë shqiptare mund të jenë krijuese dhe pjesë pozitive e tanësisë shqiptare. Kohët e fundit formimi i disa partive shqiptare ka dhanë përfundime negative. Kemi vù re se çdo parti që asht formue nuk ka pasë nji bazë ideologjike të shëndoshë dhe as nji program të përcaktuem në interes të masave e të shoqnisë. Mund të themi se janë krijue parti për nji sistem politiko-ideologjik dhe me nji frymë kombtare të gjymtë.
Dami ma i madh për ne ka qenë se këto parti të rastit u krijuen dhe u drejtuen prej të huejve e ne mund ta marrim me mend se sa mund të na dojë nji i huej që s’ka asnji lidhje shpirtnore me ne.
Këto parti u krijuen në luftën e përgjithshme të popullit për rifitimin e pavarësisë. Mirëpo Partia Nacional-çlirimtare po e vazhdon luftën… Ata po luftojnë gjithnjë. Kundra kujt po luftojnë? Cilin po vrasin? Vëllanë. Çfarë po djegin e po shkatërrojnë? Tokën shqiptare, fshatrat shqiptare. Nacional-çlirimtarët janë duke u bà Kainat e jetës shqiptare. A nuk do të ishte ma e mirë dhe ma e dobishme që në vend që të luftojnë ndër male kundër vllazënve të tyne, të zbresin në fushë, të organizohen në nji parti të rregullt dhe të marrin pjesë si kolektivitet i organizuem në jetën politike shqiptare?
Ne nuk i trembemi asnji lufte ideologjike; ne i kemi ftue dhe vazhdojmë t’i ftojmë që të marrin pjesë në jetën tonë politike. Ne do t’i luftojmë, edhe ata le të na luftojnë me armën e idesë, me armën e arsyes. Violenca brutale, pushka dhe thika janë armiqtë e idesë dhe të arsyes, prandaj nuk mund të rrihen me ide dhe me arsye por po me ato mjete, domethënë me forcën brutale, me pushkë dhe me thikë.
Të përdorësh pushkën në vend të idesë do me thanë t’ia heqësh tjetrit lirinë vetiake, lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit dhe të zgjidhjes së vullnetshme. Nëqoftëse doni t’i kurseni popullit shqiptar gjakderdhjen, mjerimin dhe shkretimin ejani dhe merrni pjesë në jetën tonë politike, ejani të ndërtojmë aty ku armiku na shkatërroi, ejani të bashkohemi për të mbrojtë atë çka armiku i ri mund të na e shkatërrojë nesër. Kjo do të ishte lufta ma e bukur – lufta ideale – lufta me të cilën parimet dhe tendencat rrihen e shoshiten me dritën e arsyes dhe të lirisë, lufta ku liria vetjake dhe shoqnore respektohet, por asht lufta me të cilën edhe ndërtohet jeta ekonomike dhe politike. Mbrenda këtyne kufijve përcaktohen edhe parimet demokratike.
(P.s. Shkrimi asht i kopjuem me dorë, pa datë, po sigurisht asht botue te gazeta “Bashkimi i Kombit” 1944)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.