back to top
26.5 C
Tirana
E hënë, 15 Prill, 2024

Prap për moralin komunist nga “Ushtima e Sharrit” (pseudonim i Dr. Lazër Radi – 24 gusht 1944)

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

Prap për moralin komunist

nga “Ushtima e Sharrit” pseudonim i Dr. Lazër Radi

(“Bashkimi i Kombit”, e enjte 24 gusht 1944)

Komunizmi i ka kushtue nji kujdes të veçantë moralit seksual.
Kjo etikë e re asht në kundërshtim të plotë me parimet morale të të gjithë njerëzimit, asht nji përmbysje e botëkuptimit të qytetnimit njerëzor. Edhe nga pikëpamja e moralit seksual komunizmi i ka marrë bazat e veta nga themeluesi i saj, Lenini. Ky drejtim mund të shifet ma së miri ndër kujtimet e komunistes së njoftun gjermane, ish-pjestares së Raishtagut, Klara Cetkin, e në mënyrë të veçantë në kapitullin “Lenini mbi moralin dhe mbi problemet seksuale”. Gjithashtu direktivat e etikës së re komuniste, Lenini i ka dhanë në fjalimin e tij të mbajtun në Kongresin e tretë nën titullin “Morali komunist dhe borgjez”.
Po nxjerrim tashti kuptimin e moralit komunist nga vepra e zonjës Cetkin: “Lenini dëshpërohet pse rinia punëtore ruse i kushton kujdes të veçantë problemeve seksuale. Ai ka frikë që ky interesim i madh dhe i pashëndetshëm ka për të ngacmue dejt, ka për të fuqizue instiktet shtazore e në kët mënyrë ka për të dëmtue përgatitjen e rinisë. Lenini nuk e pranon në asnji mënyrë moralin borgjez, por nuk i pëlqen as “Don Zhuanët” as filistinët gjermanë, as kallugjerat asketë, por dëshiron që edhe në kët pikë të krijonte nji (moral seksual komunist…) Mirëpo edhe ky moral i ri, si shumë parime të tjera komuniste, mbetet i errët, i pakuptueshëm. Ky trajtim i përgjithshëm i Leninit u përsërit prej shkrimtarëve të tjerë të bolshevizmit, të cilët ngulin kambë që marrëdhaniet e jashtme nuk duhet të dëmtojnë kryengritjen”.
Në mënyrë të veçantë Lenini (duke biseduar me zonjën Cetkin) u ndal në teorinë e famëshme të gotës së ujit; sipas kësaj teorie të kënaqësh instiktin e jashtëm asht njisoj si të pish nji gotë ujë. Në kët rast Lenini i jep zonjës Cetkin kët shpjegim: “Jeta e re seksuale e rinisë e shpesh edhe e të rritunve, i ngjason ma së shumti nji shtëpie publike të mirë borgjeze. Të gjitha këto nuk kanë asnji lidhje me lirinë e dashurisë, siç e kuptojmë ne komunistët. Ju sigurisht e njihni teorinë e famshme që në shoqninë komuniste të kënaqësh instiktet e jashtme dhe nevojën e dashunisë, asht nji punë e vogël dhe e parandësishme, si të pish nji gotë ujë… Prej teorisë së “gotës së ujit” rinia jonë e ka humbun mendjen, ka luejtun mendsh. Kjo asht ba nji gja e tmerrshme për shumë të rinj e të reja”.
Ish teoricieni komunist, Buharin, nji prej ideologëve ma të randësishëm komunistë, autor i veprës së njohur “Abetarja e komunizmit” dhe i veprës së madhe mbi kuptimin materialist të historisë, mbron moralin e dyfishtë: “Përpara ishte nji punë e mirë të pije duhan jashtë mase, sepse kjo ishte nji protestë, për shembull, kundra disiplinës shkollore, “shkollës së carëve” ose kundra disiplinës së “ofiçinës borgjeze”; të mos punoje, ishte nji gja e mirë. Në kët mënyrë damtoheshin interesat e punëdhanësve. Të gjitha këto ishin nji farë “trimnie” si mjet për të shkatërrue rregullin e vjetër. Tani, përkundrazi, duhet të mos pihet duhan, sepse ky i dëmton mushkritë dhe përgjithësisht, shëndetin edhe pse shkakton shpenzime të panevojshme edhe pse nuk asht kurrfarë trimënie e burrënie të pish duhan; tani duhet të jemi të kujdeshsëm në punë, të disiplinuem në ofiçinë sepse punon në dobi të shtetit proletar, se toka jonë, tashma, nuk asht tokë e zotërinjve”. Po kështu ngjet edhe me moralin seksual, ku Burhani thotë: “Disa të rinj e të reja ruse kanë ndigjue se ishte nji veprim kryengritës të pështysh në të gjitha pengesat e sferës së marrëdhanieve seksuale. Atëherë kjo ishte nji protestë e fortë kundër paragjykimeve të vërteta të shoqënisë, kundër zakoneve të neveritshme të ashtuquejtunit “moral familjar” kundra poshtënimit të grues megjithëse këto zakone ishin shembë me kohë. Por njerzit nuk dinë ta kuptojnë këtë: si atëherë, vazhdojnë edhe tani të kujtojnë se çrregullimi ma i madh asht ligji ma i shejtë. Nuk ka randësi nëqoftëse se për shumë sende nuk kemi arsye materiale. Nuk ka randësi në qoftëse shumë nana shkatërrohen dhe në qoftëse vajzat do sakatohen sistematikisht”.
Me këto ide kryengritëse asht ushqye rinia bolshevike, me këto parime morale(!) asht shembun etika njerëzore.
Anarkizmi moral në Rusinë Sovjetike asht përhapun gjithkund dhe pasojat e tij po shfaqen seriozisht edhe në veprimet e imta të përditshme. Me kalimin e kohës shtypi dhe propaganda bolshevike u mundue të pengojë hovin e këtij drejtimi amoral. Por ndjenja e korrupsionit kishte prekun masat e rinisë në mënyrë të pashërueshme. Lidhun me kët, ish kryeredaktori i “Pravdës”, Sosmovski, shkruen me nji stil energjik në favor të disiplinës, të rregullit, të pastërtisë së zakoneve e të sjelljeve.
Mendimet e këtij të fundit i përkrah edhe nji shkrimtar ma pak i njofun, Kostrov. Sido që të jetë, përpjekja për ta kthye rininë bolshevike në rrugën e moralit të vërtetë, asht nji mundim i kotë, sepse kjo rini, tashma me parimet shkatërruese të etikës komuniste të predikueme prej Leninit ka gjetun vetveten dhe kënaqësinë e plotë të epsheve të veta shtazore.
Rinia shqiptare nuk ka patun rast ta njohë nga afër moralin komunist. Nuk ka patun rast të ndigjojë mjerimin e familjeve të shkatërrueme, mjerimin e aborteve të vajzave të pafajshme. Aty-këtu, ndër përpjekjet e fundit të rinisë së gabueme shqiptare, kemi ndigjue se edhe rinia jonë ka fillue të vejë në zbatim moralin komunist. Për ne, kjo asht nji përpjekje kundra natyrës, asht nji tentativë rrënuese që do të shkaktojë revoltën e popullit shqiptar. Reaksioni që do të shkaktohet do të jetë i tmerrshëm sepse nuk mund të preket nji popull në besimin e tij, në ndjenjin e tij, në moralin e tij, në botëkuptimin e tij.
.
Ushtima e Sharrit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.