back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Dashuria ky shpend i humbur hapësirave Jozef Radi (2000)

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Dashuria ky shpend i humbur hapësirave… Jozef Radi (2000)

Mbi librin e Ferdinand Lahollit

“Urrejtja, nuk është dashuria ime!”

Ky shkrim asht i 13 viteve ma parë, i botuem te RD e 23 marsit 2000.
Meqë në sit, fus herë mbas here krejt shkrimet e mia (edhe ato të kahershmet, qoftë edhe për efekt leximi, për efekt dëshmie, qoftë edhe si analizë kritike) pse të mos jetë edhe ky shkrim mjaft i ndjemë. Asht fjala për përcjelljen përmes këtij shkrimi të librit “Urrejta, nuk është dashuria ime” të poetit dhe shokut tim të viteve të Savrës, Ferdinand Lahollit, i cili bani nji punë mjaft të vyeme në njoftjen dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Gjermani dhe anasjelltas…
Leximi i këtij shkrimi, mbetet gjithsesi nji kënaqsi, për të gjithë ata miq të mi që jetojnë të shpërndamë nëpër botë, dhe që me gjithë energjitë e tyne përpiqem me ba diçka pozitive… jo veç për veten po dhe për vendin e tyne… j.r.

Ferdinand Laholli (1960)
Ferdinand Laholli (1960)

Libri i pestë poetik i Ferdinand Lahollit

Të dënohesh për idetë dhe bindjet e tua në një farë mënyre përgatitesh të vuash krenarisht, çdo ndëshkim qoftë edhe të padrejtë, por të lindësh i dënuar, të rritesh i dënuar, apo të ndjehesh gjithë jetën fajtor, pa mbrritur kurrë tek faji, dhe të mos e kuptosh asnjëherë psenë e kësaj dhune shtetërore që ushtrohet mbi ty, kjo përbën krimin më të përbindshëm të gjithë ideollogjive,  (në mënyrë të veçantë të asaj komuniste shqiptare), prej së cilës e merr spunto edhe libri më i fundit poetik i Ferdinand Lahollit: “Urrejtja, nuk është dashuria ime!” botuar prej Shtëpisë botuese “Rilindja”.
Të lindësh i urrejtur, të rritesh i urrejtur, të jeshë ndjerë nji zezak i bardhë i vendit tënd, kjo kërkon të gjesh forcë që të ngrihesh mbi kët predikim të tmerrshëm urrejtjeje, pra diçka jo fort e lehtë… Nuk është e lehtë, sepse në këmbim të urrejtjes klasore të predikuar për nji gjysëm shekulli, ti duhet të shpërndash mesazhe dashurie dhe paqeje, sepse dhimbja e asaj çka ti ke provuar të ka mbetur jo vetëm në lëkurë po thellë thellë shpirtit. Ky akt dashurie dhe paqeje, s’përbën aspak dobësi (siç interpretohet shpesh sot) po nji ndjenjë të lartë qytetarie dhe fisnikërie, nji akt emancipues që sheh përpara në kohë, e që për fat të keq, sot e kësaj dite vazhdon të jehojë ndër veshë të shurdhët… Këtij misioni i prin edhe ky libër i pestë poetik i Ferdinand Lahollit (pa përfshirë këtu tre libra me vjersha për fëmijë). Nji rrugë e gjatë ngjitëse dhe premtuese, jo vetëm për autorin, po edhe për ndjeksit e pasionuar të letërsisë e në veçanti të poezisë…
Autori, që jeton prej më shumë se dhjetë vitesh në Gjermani, është angazhuar seriozisht edhe në fushën e përkthimeve si në shqip edhe në gjermanisht dhe së shpejti pritet të dalë nji antologji poetike me 27 poetë shqiptarë, të përkthyer prej Lahollit, e cila si duket e ka ndihmuar mjaft në artikulimin e verbit poetik, pasurimin e mjeteve shprehëse dhe afrimin e poezisë shqipe me poezinë e sotme europiane…

Kur gjen pjesë të thyera të vetvetes…
Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtëdhjetë vjet nga krimet e nazizmit, intensivisht prodhohen filma, shkruhen libra, shfaqen dokumentarë dhe botohen kujtime të atyre që e vuajtën holokaustin. Ende gërmohet arkivave për ta mbajtur gjallë kujtesën historike përballë asaaj së vërtete monstruoze. E kundërta ndodh sot me krimet e diktaturave të Lindjes (në mënyrë të veçantë me diktaturën e nji vendi të vogël si Shqipëria), për të cilat flitet pak, aq pak sa i ngjan nji shurdhërie kolektive. Shlyerja e kujtesës historike po krijon mundësinë e ripërtëritjes së tragjedive! Ky fakt përbën edhe pjesën më të dhimbshme të kësaj së vërtete, prej së cilës s’po nxirren asnjiherë mësimet e domosdoshme historike.
Sepse kështu bëhet përditë e më e vështirë që t’u shpjegohet gjeneratave të reja se diktatura, dhuna sistematike, burgjet, kampet, kolektivizmi, ndëshkimi kolektiv, zhdukja e fesë dhe e pronës, braktisja e traditës, rrënimi i individit, zboret dhe aksionet, krijimi i njeriut të ri, kjo mostër eksperimentale e trushpërlarjes, e survejimt, frikës dhe terrorit… pra i gjithë ky hendek po bëhet përditë e më i thellë, po të kihen parasysh ritmet dhe dinamika e Botës së Lirë dhe botës së mbetur te Drapër e Çekani!!! Si mund t’u shpjegohet atyre që vijnë pas nesh se diktatura si një frantojë gjigante shtypte dhe shtrydhte çdo ide, se s’të linte as të mendoje e as të veproje, duke prodhuar me shumicë terror individual dhe kolektiv, frikë dhe heshtje të përgjithshme, prej së cilës askush s’qe i imunizuar… pse ajo e dhunonte bashkësinë me absurdin e ideollogjisë komuniste, edukonte rininë përmes formave të propagandës dhe poshtërimit,  hermetizonite njiherësh: kohra, ide dhe njerëz; kolektivizonte jashtë vullnetit energjitë, individët, pronën, gjithçka… Si mund të shpjegohet nji gjë e tillë sot, dhe të thuhet pse mendimi intelektual ka jetuar nën trusni për nji gjysëm shekulli pa pasur mundësi të shpërthejë energjitë e veta!!!
Në librin “Urrejtja, nuk është dashuria ime!” shumëkush mund të gjejë poetikisht pjesë të thyera të vetvetes; plagë që ende pikojnë gjak e dhimbje; terror që ende vazhdon t’i torturojë shpirtërat; frikë e përjetur qysh në djep… me pak fjalë krejt nji jetë prej së cilës veç thërrime gëzimi mund të kesh marrë dhe asgjë tjetër, e megjithatë shpirti i poetit gjen forcë të ngrihet mbi kët dhunë dhe të vendosë në piedestal ndjeshmërinë dhe humanizmin. Kjo është fryma e librit në fjalë dhe ky është shtegu nëpër të cilin ka ecur autori qysh prej botimeve të para, por tashmë ai ngjitet në një rrafsh më të lartë ku individualiteti, verbi poetik, ndjeshmëria artistike, mjetet shprehëse bëhen gjithnji e më të mprehta, më të prekshme dhe më të plota…
Ndodh që gjatë rrugës së vet një poet të kalojë peripeci të pafundme, eksperienca të dhimbshme, një jetë gri, e cila shpesh fsheh reflekset dhe trajtat e së zezës, labirinthe rrethanash, të cilat pakkush mund të ketë lakmi t’i provojë. Pikërisht kësaj fëminie të trishtë, adoleshence të dhimbshme dhe rinie të vrarë shpresash kënetave dhe kampeve shqiptare, i kthehet dhe i rikthehet Laholli, për të gjetur truallin dhe lëndën poetike të librit të vet. Edhe pse ai shtyhet larg në kohë dhe hapësirë prej kësaj së vërtete, gjurmët e saj shfaqen vrazhda si ndër dhimbjet e thella edhe në çastet e gëzimeve të përkohshme, si një film bardhezi që xhiron ngadalsisht së prapthi, ai arrin ta na e bëjë të prekshme të djeshmen, frymën e asaj kohe tragjike, për të cilën po flitet gjithnji e më rrallë, dhe po ndjehen gjithë përpjekjet për ta kapërcyer atë, pa nxjerrë mësimet e nevojshme prej saj. Në kët fokusim realist të së djeshmes, me gjithë ngjyrat e trishta të së sotmes, ai filtron edhe dritën e së nesërmes, duke i përthyer në spektrin e vuajtjeve të veta, gjë e cila e bën librin mjaft komunikues, dhe tejet njerzore e të ndjera vargjet e tija…

"Urrejtja, nuk ështe dashuria ime"
“Urrejtja, nuk ështe dashuria ime”

Mes Ankthit, Vetmisë dhe Shpresës…
Fatkeqsia si pjesë e jetës së autorit ndjehet në gjithë mesazhin poetik të autorit. Prej katakombeve të vuajtjes, ai lufton me gjithë fuqitë e veta t’i ikë fatit të vet.. Pikërisht në kët përplasje të mbrendshme, ai shfaqet me gjithë problemet e veta ekzistenciale si dyshimi, ankthi, vetmia, heshtja, ndërdyshja, përgjimi, ndarja, dëshpërimi, kampi, humbja e së dashurës, nëna e mbetur larg, elemente që përbëjnë krejt spektrin tragjik të individit të kllaposur diktature, dhe ëndrra e ikjes prej saj (Laholli u largua me Ambasadat e 2 korrikut), kthetrat e së cilës si duket vazhdojnë të ndjekin ngado si hije jo vetëm fate indivitësh, po mjaft më gjerë.
Në kët det ekzistencial jetohet në teh midis “të qenit dhe të mosqenit”; të trupave pa shpirt dhe të shpritrave pa trup; të ikjes prej askushit drejt asgjësë; apo të shuarjes si pa u ndjerë nga heshtja në vdekje; e ku për të vrarë vetminë gjendet sëmundja, kolla e thatë, hija e vdekjes, imazhi i së dashurës dhe ku dashuria shfaqet larg… shumë larg ashtu si një shpend i humbur hapsirave…
Urrejtja edhe pse është fjala e parë e titullit të këtij libri, as mund të matet me forcën e dashurisë as me hapsirën e saj. Libri është i ngjeshur në dashuri, që buron nga thellësia e ndjenjës së autorit… ai shpërndan dritë dhe shpresë, edhe pse rikthehet vazhdimisht te ai muzg i ngrysur i jetës së tij… Nji dashuri që s’i është drejtuar thjesht anës sentimentale, përkundrazi është një dashuri e gjerë dhe e thellë, ku nuk mungojnë, as kujtimet, as shokët, as ndjenjat, as figura të kulturës… po mbi të gjitha ai ngre kultin e nënës, (edhe kur ajo fshihet ndër objekte), pa lënë mbas dore edhe kultin e së dashurës, dy objekte thelbësore mbi të cilat qëndron libri. E ndërsa nëna është gjithkund në stacionet pafund të vuajtjes… po edhe të dashurisë, herë konkrete e herë eterike, mbasi ajo jeton diku në hapsirë si ankth dhe si shpëtim nga vetmia; si pritje dhe si ëndërr e turbullt, si pamundësi po edhe si nji lule dehëse e nji stine që do të vijë, duke thyer kështu ekuilibret midis vetmisë, dëshpërimit, dashurisë dhe shpresës…
Libri “Urrejtja, nuk është dashuria ime!”, edhe pse tashmë larg në kohë dhe hapësirë prej atij realiteti makabër nga e ka marrë spunton, e sjell të gjallë e të dhimbshme atmosferën asaj kohe helmuese… vargu shpërthen prej ankthit të mbledhur shuk në shpirt dhe shfaqet si nji lule që mban mbi vete krejt koloritin e dhimbjes dhe shpresës.
Poezia në mjaft raste bëhet konkrete me ngjarje dhe njerëz (duke rënë paksa artistikisht), duke u kthyer kështu në nji aktakuzë të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që gjenin shpëtim dhe gëzim në vuajtje njerzish të pafajshëm.
“Urrejtja, nuk është dashuria ime!” hyn si nji refleks i thellë dhimbjesh, duke mbajtur lart nji mesazh të fuqishëm, për nji shoqëri më të drejtë e më të emancipuar… Ai i ngjan nji klithme, jehona e së cilës ende s’e ka gjetur hapsirën e duhur… Libri mbetet nji arritje e rëndësishme e autorit Laholli, megjithatë nji shmangie pak më e kujdesshme e tendencave shpjeguese në favor të muzikalitetit te vargut, teprimi me fjalëformimet, proliksiteti i lidhzave, i foljeve, parafjalëve, që hera herës ia zbehin forcën vargjeve, po edhe ndonji kapitull i librit ndjehet paksa i futur me sforco… kështu që pak ngjeshje do ta bënte poezinë e Lahollit më solide, më të rrjedhshme duke e ngjitur kështu drejt arritjesh gjithnji e më serioze…

(Botuar te RD, 23 mars 2000)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.