back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Shkodra do të vijojë të jetë ndër qendrat kryesore të kulturës kombëtare

Gazeta

Imzot Frano Illia (1918-1997) Arqipeshkv Metropolitan i Shkodres
Imzot Frano Illia (1918-1997)
Arqipeshkv Metropolitan i Shkodres

Shkodra do të vijojë të mbetet 

ndër qendrat kryesore të kulturës kombëtare…

Frano Illia: (Arbëria, 11, 1993)

Intervistë me Imzot Frano Illia, Arqipeshkv i Shkodrës

dhe autor i veprës madhore “Kanuni i Skënderbeut”

Në historinë e kulturës dhe të letrave shqipe, shkodra asht nji nga qendrat kulturore ma kryesore të trojeve shqiptare. Kjo ka ndodhë kryesisht në saje të kontributit në këtë fushë të klerit katolik. Gjatë viteve të dikataturës Shkodra dhe kleri katolik pësuen goditje të tmerrshme. Ju vetë dhatë shembullin ma të mirë, sapo dolët prej ferrit komunist, botuet veprën madhore etnokulturore “Kanuni i Skënderbeut! Ç’mund t’u thoni lexuesve të revistës “Arbëria!” Imzot Frano Illia – Së pari, ju falemnderit që ‘Arbëria’ po më njeh me lexuesit e saj të nderuem. Unë kam jetue dhe punue nji jetë të tanë në zemër të Arbrit, në Kurbin. Ndonse jam i lodhun, dy dekada burg komunist randojnë mbi shpatullat e mia dhe tashma i moshuem, e megjithatë do të baj c’asht e mundun, do të punoj pa u kursye që Shkodra të vijojë të jetë nji ndër qendrat kryesore të kulturës kombtare shqiptare dhe të letrave shqipe. Do të bahen të gjitha përpjekjet që gjithçka në fushën e kulturës të jetë ashtu si ma para.
Në Shkodër qysh më parë kleri katolik ka pasë shtypshkronja dhe ka pasë ba shumë botime me vlerë në gjuhën shqipe. Ç’synime ka Arqipeshkëvia për rihapjen e këtyne shtypshkronjave? – Imzot Frano Illia – Natyrisht si çdo gja tjetër shtypshkronjat e vjetra sistemi i çmontoi, i shkatërroi dhe i zhduku. Kto ditë kam folë me nji përfaqsues të Komunitetit Europian dhe i parashtrova kërkesën që  për ta çue përpara kulturën na duhet nji shtypshkronjë. Ai u zotue se do të bante çmos për me na e sjellë një shtypshkronjë moderne. Le të shohim… Na jemi në pritje…
Gjithë shqiptarët kudo që janë, presin të kenë ndër duer veprat e kolosit të letrave shqipe: At Gjergj Fishtës. Ç’po bahet e ç’do të bahet për kët gja? – Imzot Frano Illia – Sadoqë me shumë vështërsi, puna ka fillue. Do të botohen jo vetëm veprat e Fishtës. Nikajt, Mjedës, Prennushit, Gjeçovit, Palajt e të tjerëve me krijimtari të gjanë, por edhe të Zarishtit, Doçit, Marlaskajt, e të tjerëve me krijimtari ma të pakët…
Në të kaluemen arqipeshkëvia e Shkodrës kishte të drejtën e lejes së bekimit ose si i thonë ndryshe të “Imprimatur-it”. Si do të veprohet në të arthmen? – Imzot Frano Illia – Arqipeshkëvia e Shkodrës si Kryearqipeshkëvi e Shqipnisë do të drejtojë veprimtarinë e klerit katolik shqiptar në fushën e kulturës dhe të letërsis kombëtare shqiptare.

Frano Illia - Kanuni i Skenderbeut
Frano Illia – Kanuni i Skenderbeut

ç’synime ka arqipeshkëvia lidhun me  bashkpunimin  në fushën e  kulturës me të parët e  feve të tjera të vendit? – Imzot Frano Illia – Ne do të jemi gjithnji të gatshëm, do të bashkpunojmë në fushën e kulturës me të parët e feve të tjera duke dhanë vetë shëmbullin i parë dhe duke pri në këto bashkpunime, duke u mbështetë në drejtësi, në vllaznim dhe bashkim kombëtar.
Forcat e vet klerit katolik janë të pakta, si do t’i zgjidhni përkohësisht detyrat e pakta në fushën e kulturës? -Imzot Frano Illia –Arqipeshkëvia u ban thirrje gjithë intelektualëve që të bashkpunojnë me ne për t’i vù në pah dhe për t’u dhanë vendin e merituem krejt personaliteteve të kulturës që në të kaluemen janë lanë në hije ose janë luftue duke u vù edhe damka që s’i kishin!
Për të hulumtue dokumente për shumë personalitete të kulturës si Zorishti, Doçi, Marlaskaj, Suli, Koleci deri tash pak e aspak të njohur… A do të ketë mundësi shfrytëzimi të tyne në arkivat e biblotekat e Romës: -Imzot Frano Illia – Besoj dhe shpresoj se së shpejti do të vihet për hulli edhe një punë e tillë.
Edhe njëherë ju falenderit që më kujtuat.
Ju uroj punë të mbar në detyrën tuaj fisnike në shërbim të kombit e të atdheut.
Intervistoi eskluzivisht për “Arbërinë” Pal Doçi.
(Marrë, nga “Arbëria” 11, 1993)

Papa Gjon Pali II Imzot Frano Illia Imzot Rrok Mirdita
Papa Gjon Pali II Imzot Frano Illia e Imzot Rrok Mirdita

Imzot Frano Illia, për gjuhën shqipe

“Diktatori për të luftue katoliçizmin e njikohsisht gegnishten si e kryqit, trilloi nji mënyrë tjetër per ta zëvendësue gjuhën, të folmen gege me toskënisht. Me nji të shtime me vra dy zogj: gegnishten dhe katoliçizmin e kulturën e tij. Kjo gjuhë e unjisueme, bà me urdhna të premë e të nxituna, nuk ka themel shkencuer, madje ka gabime të randa kundra natyrës së gjuhës shqipe. Dhe gega i shkretë i kje dorëzue verbtas diktatorit. Damin e vërtete e bajnë kosovarët që lanë gjuhën e nanës se vet, e kanë përqafue njerkën gjirokastrite, dhe vazhdojnë me kambëngulje, pa marrëveshjet me krahina tjera, pa përfillë askend. Me urdhna e diktat nuk bahet gjuha, sidomos në kët kohë kur kemi lirinë. Ajo don mirëkuptim, bashkim mendimesh të njerëzve mà të shquem shqiptarë e sidomos gjuhtarë.(…) Kryesorja àsht se me humbjen e gjuhës nuk fitojmë asgja veç humbim të kaluemen e kulturën tonë. Unë u kam thanë kosovarëve se na jemi nji popullsi me të njajten të folme me ju dhe se në këtë mënyrë po e thelloni dasinë që e kanë imponue rrethanat historike. Unë mendoj se edhe gjuha e ka randësinë e vet. Dhe këtë randësi na e çmojmë me plot arsye e kambëngulje. E ardhmja do të gjykojë me lavd a përçmim”.
Imzot Frano Illia, Shkodër, 1997.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.