back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

At Zef Ndoc Mesi 2 janar 1869 – 15 dhjetor 1945 (76 vjeç) Frat Famullitar, qi hapi shkollën në 1903, në Iballë

Gazeta

At Zef Ndoc Mesi (2 janar 1869 -15 dhjetor 1945)
At Zef Ndoc Mesi (2 janar 1869 -15 dhjetor 1945)

At Zef Ndoc Mesi 2 janar 1869 – 15 dhjetor 1945 (76 vjeç)

Frat Famullitar, qi hapi shkollën në 1903, në Iballë

nga Bep Martin Pjetri

Jeta dhe  Arsimimi

Zef Mesi leu më 2 janar1869 në Blinisht të Zadrimës nën dioqezën e Sapës. I biri i Ndocit dhe i Luçije Mazrrekut.
-Shkollën Fillore dhe Gjimnazin i kreu në Kolegjen Françeskane në katundin Troshan të Zadrimës.
-Këndimet liçeale, filozofike e teologjike i kreu në Provincën Françeskane të Bosnjes.
-Më 1893 kreu studimet teologjike e u kthye në Shqypni.
-At Zef Mesi pat për kolegë, si studentë At Gjergj Fishta, At Severin Lushaj, At Lorenc Mazrrekun Mitroviç, At Ëngjëllin Paliq e At Pjetër Gjadrin.” Fq. 356, A. P. Bardhi, “Hylli Dritës”, Nr. 5-10, 1942.

Shërbimi meshtarak (b.m.p.)

-Më 28 gusht 1886, veshi petkun françeskan në Kuvendin e Guçjagorës afër Travnikut në Bosnje.
-Më 21 qershuer 1892, kje ba meshtar.
-Në 1893 caktohet me shkue n’Iballë bashkë me At Severin Lushaj.
Vendet ku do të meshonin brenda 5 famullive të tyne dy meshtarët si në fshatrat; Iballë, Berishë, Dardhë, Fierzë, Kryezi, ku në 1942 shërbenin pesë meshtarë. At Zefi ishte meshtar që i kryente të gjitha shërbimet, ndërsa At Severini ishte diakon kishte të drejtë vetëm të predikonte dhe pagëzonte.
“Kur shkuen kta dy françeskâj n’Iballë i gjetën ata popuj si gjind të egjër, pse për shumë vjet kishin kenë pa meshtar.
At Severini ka ndejë me At Zef Mesin shtatë vjet e At Zefi ka vijue veprimin e vet n’Iballë edhe pesë vjet tjera, ndër të cillat ka i herë ka pasë ndihmë prej ndonji meshtari, por ma të shumën e shërbimit e ka ba vetëm.
Në nji verë ra nji lëngatë e rrebët n’Iballë e rrethe të saja, prej së cillës diqën 120 vetë. Ndër këta, 70 vetë të rritshëm, ku prej At Zefit muerën sakramendet e mbrame e kjenë vorrue prej tij. N’atë kohë të tana qelat e atyne vendeve kishin kenë rrënue e ra mbrendë. At Zefi e At Severini për katër vjet kërkuen derë në derë tuj ndejë nëpër shpija të malsorve herë në nji vend, herë në nji tjetër, pa shtroje, pa mbloje e tuj u ushqyue si ndihm o Zot. Veç mbas katër vjetsh mujtën me ndërtue nji qelë të vogël n’Iballë.” fq. 357, At Pashk Bardhi, “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.
“Në lagjen Koprat At Zefi ndërtoi kishën e re dhe qelën në Famullinë e “Shën Gjergjit” nën varsinë e Ipeshkvisë së Sapës me vendim e miratim të Koncilit të III të Arbnit në vjetin 1895.”
P. Aleksandër Tanushi OFM. https://www.dioqezaesapes.com/famullia-shen-gjergji-iballe-puke/
“Prej vjetit 1893-1907 ishte Padër Zef Mesi famullitari i parë nga Blinishti i ardhun në Iballë. Ai ka kontribue në ndërtimin e kishës së parë në Iballë. Bje në sy për kontributin e madh në ndërtimin e Kishave e qelave. Ajo që konsiderohet e dyta asht kisha e “Shën Gjergjit Martir”, n’Iballë. Thohet se e para i përket vjetit 1875, pa dijtë se kush e ndërtoi dhe u zhdukë pa lanë asnjë gjurmë, ndërsa e treta kishë asht ajo e sotmja e inaugurueme në vjetin 2000. At Zefi ndërtoi edhe qelat e fratit.
-Në vjetin 1902 me pëlqimin dhe ndihmën e Ipeshkvit Imzot Lazër Mjedja, ndihmon edhe për hapjen e Shkollës Shqipe n’Iballë, tue sigurue nga Ipeshkvi edhe mësuesin Kol Zeza, prej Zezëve të Pukës. Kjo përmendet edhe prej Don Gaspër Gurakuqit në librin e Tij “Dioqeza e Sapës, 1291-1941”.

At Zef Mesi midis malsoreve
At Zef Mesi midis malsoreve
Rrezikimi i jetës nga fanatikët musliman të Iballës (b.m.p.)

“Emzot Lazer Miedja, qi at herë ishte Ipeshkëv i Sapës me të cillin dioqez shkon Iballja, pat caktue me çilë nji shkollë n’Iballë, qi asht qandra e gjith atyne rretheve. Në këtë punë At Zef Mesi, kje dora e djathtë e t’Emzot Mjedjes: por shi për kët punë disa asish qi ishin kundërshtarë të shkollës, kjenë gati tuj i shkurtue jetën At Zefit.” fq. 357, “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.
“Në kët ndërkohë, dy iballas; Haxhi Brahimi e Lim Sokoli, i kishin dhanë zjarrin ndërtesës natën. Mbas do kohe kur ata të dy u zbuluen, morën dënimin e kanunit; djegie shtëpije e iu konfiskue bagëtia. Ata deklaruen se kishin djegë shkollën pse ajo, do të sillte “kaurrin”. Nuk u çel shkollë ma aty deri në 1917.” (fq. 157-158, kapitulli i XI, libri “Vetvrasja e Kombit”, autor – Kol Bib Mirakaj, botim 2015.).
-Në vjretin 1905, kje hekë At Zefi prej Iballje, e i kje dhanë dy famullija ma të mira; Bazi e mbasandej Pëshkashi në kryeipeshkvi të Durrsit e në nahije të Matit. Por ndër këto famullija nuk ndej veç tri vjet, pse në vjetin1908, kje dërgue në Lurë edhe kjo e vendueme në të njajtin kryeipeshkvi e në të njajtin nahije. Lurja at herë kishte 282 shpi, ndër të cillat veç 25 ishin katolikë, tjerat të gjitha muslimane.”

Ernest Koliqi e Kol Bib Mirakaj në Iballë
Ernest Koliqi e Kol Bib Mirakaj në Iballë
At Zefi – veprimtar në mbrojtje të popullit pa dallim feje (b.m.p.)

“Por At Zefin e deshtën të gjith pa ndryshim besimi. Po të kishte shkue në Lurë n’at kohë ndonji i huej e të kishte pa përpjekjet e atij populli me At Zefin, kishte kujtue se gjithë aj asht katolik. Kush e din sa i ambël e i shkueshëm asht A. Zefi me gjithkënd, e sidomos për popull, nuk çuditet për kët punë. Musliman e katolik në çdo nevojë krejt uzdajen e veç e vejshin n’At Zefin: atij i besojshin pa farë dyshimi, pse e dijshin sa fort i dojte e u mundojte për ta. Shi n’at vjet qi A. Zefi shkoi së pari famullitar në Lurë, – në muej të korrikut (1909, b.m.p.) hyni Mehmet Liva Pasha me ushtri të Turqve të Rij. Lurasit u tutën, lanë shpijat e veta e duelën në mal. At. Zefi i dhimbti në shpirt, tuj pa gjith at popull në mjerim. Shkoj e u muer vesht me Mehmet Liva Pashën, e i bani të tanë me u dorzue pa farë trazimi.
-Edhe në kohën e Luftës Ballkanike (1912-1913, b.m.p.), At Zefi kje ai qi pështoi Lurën prej rrezikut të Serbve. Edhe at herë, kur Serbët erdhën në Lurë, Lurasit deshtën me ikë, por At Zefi au mbushi menden mos me luejtë prej shpijash së veta, tuj u thanë se mjaft, qi të rrijshin urtë e mos të bajshin ndonji marri, kurrgja s’kishte për t’i gjetë. Serbët u lypën armët, por me ndërmjetsi t’At Zefit, nuk dorzuen veç shtatë pushkë, ka nji për mëhallë.
Mbandej Serbët i dhanë urdhën At Zef Mesit me shkue në Mat për me jau mbushë menden Matjanvet me ra në dorë. At Zefi shkoj në Mat e u muer vesht me Matjanë. Kur kthej në Lurë, u tha Serbve se Matja ishte gati me ra në dorë veç at herë, kur të gjitha viset me jau pru Serbve të fortë punën e Matës.
-N’ato dit, gjeneral Jankoviqi çoi e thirri At Zef Mesin në Prizrend për me u marrë vesht me të për punë të Matës. At Zefi, mbasi u muer vesht me matjanë, u nis për Prizrend. Jankoviqi u mundue me e tutë At Zefin me fjalë të mëdhaja, por, kur pau se At Zefit s’i tutej syni, u mundue me e sjellë me pare, por ai nuk i pranoi.
Për kët punë, Serbët patën gjithherë dyshim në të, e kur kthej në Lurë, i vunë rojen tu dera e shpis e kur duelen prej Lurje, i dhanë zjarmin kishës.
Nji vjetë ma vonë pa pritë pa kujtue Serbët ja behën prap në Lurë kah Kumbona e Lurës e Macukulli. Por e panë se kishin gabue rrugë e i çuen fjalë At Zef Mesit, tue e urdhnue tue gjetë do njerz me e përcjellë. At’herë, për me i hutue ai i shkroi komandantit se rruga qi do të merrshin ishte kah Qafa e Murrës. Ndërkaq At Zefi lajmoj Matjanët, të cillët patën kohë me u shtërngue e kështu Serbve iu desht me hi në marrveshtje me ta e mbas kësaj marrveshtje hinë në Mat vetëm 20 ushtarë serb. Kështu nëpërmjet At Zef Mesit pështoj, edhe nji herë Matjanët tue levdue At Zefin e tuj thanë se Zoti e aj i kishte pështue prej Serbve.
At Zef Mesi i pështoi Lurasit edhe kohën e Austrijakve. Dikush kishte pas vra do ushtarë austrijakë e ndonji anmik i Lurës, për me shfrye mënin qi kishte kundra sish, i paditi Lurasit, kinse këta i kishin vra ushtarët. Lurasit prej tutet duelën në mal. Ishte At Zefi që ndërmjetsoj e i bani të tanë me ra në dorë pa farë dami.
Shi në kët kohë, Ai au mbushi menden Lurasve ta blejshin ata të dhetën e Lurës. Por në kët punë u trazuen fort disa kapadai t’atij vendi, të cillët ishin mësue me ja pi gjakun fukarase. Këta kishin dashtë me e ble vetë të dhetën e Lurës për me la masandej tesh në popull. E tuj pa se për shkak të At Zefit, s’mujtën me ja dalë qëllimit, u idhnuem keqas kundra tij, edhe e paditen në Komandë, tue ju shpifë se ky çojte peshë popullin kundra Austrije. Kje thirrë në Pukë, ku ishte komandant i nezirk-ut nji çek. Iu desh m’u nisë prej Lurje e me e ba tri dit udhë në kambë nepër borë. Në Pukë kje deklarue i pafaj. ” fq. 357-359, “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.

Vuejtjet ndër male (b.m.p.)

Kur erdhën në fshatrat e Pukës dy meshtarët në fjalë nuk kishin strehë, nuk kishin vend ku të venin kryetin në darkë, nuk kishin qelë, ku të kryenin shërbimet fetare etj.
“N’atë kohë të tana qelat e atyne vendeve kishin kenë rrënue e ra mbrendë. At Zefi e At Severini për kater vjet kërkuen derë në derë tuj ndejë nëpër shpija të malsorve herë në nji vend e herë në nji tjetër, pa shtroje pa mbloje e tuj u ushqye si ndim o Zot. Veç mbas katër vjetsh (1897, b.m.p.) mujtën me ndërtue nji qelë të vogël n’Iballë.”
“Por pse kishte hjekë keq rrugës, e zunë ethet e mbasandej i ra zhutra (tifus) e kje gadi tuj dekë. Veç nji mjek maxharr (hungarez – b.m.p.) e pështoi qi e mjekoj e i shërbej si ta kishte babë. Në Lurë At Zefi ndej 10 vjet.
Në vjetin 1918, kje çue për pushim në kuvend të Troshanit.
-Në vjetin 1919, kje çue famullitar në Prekal, ku ndej deri në vjetin 1925
-Në vjetin 1925, e çuen të parët famullitar në Katund të Kastratit e mbas dy vjetësh, në 1927 kje bajtë e çue meshtar në Rapshë (Brigje të Hotit).
Në vjetin 1937, At Anton Harapi kje emnue famullitar në Bajzë e i luti të Parët të ja nepshin At Zef Mesin për ndihmtar. Të Parët ja çuen dishirin në vende At Antoni, sa ndej në Bajzë, e mbajti me vedi At Zefin edhe e desht me dashni bijnore. Por vjetin mbrapa,
-Në 1938 At Anton Harapi kje hjekë prej Bajze, e At Zefi kje çue në Kuvend të Troshanit.
-Në vjetin 1939 të Parët e shenjuen me ndejë në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër, ku u diftue i palodhshëm në rrëfime e tue u çue sakramende të smundve.
At Zef Mesi kje gjithmonë i ndigjueshëm ndaj të Parët e vet. Gjithherë kje çue ndër famullija ma të vështira e ma të pa pasuna, e kurrë nuk kundërshtoi as kurr s’u ndje nji ankim prej gojës së tij.” fq. 357-359, “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.

Sa i ambël me popull aq i ashpër me bakeqasit! (b.m.p.)

“Me popull ka kenë i ambël e i butë e gjithkund e kan dashtë e asnji famulli kurr se ka ba ankim nji kundra tij. Por, kur e ka lypë nevoja, ka dijtë me kenë edhe i rrebët, sidomos në të dalun zot të drejtave kishtare. Kështu, kur ishte famullitar në Rapshë, nji beg, qi ishte nëpunës n’at krahinë, n’e dielë shkojte në kishë e trazojte popullin. At Zefi disa herë e qortoj. Por aj, kah e shifte të butë, s’e çau kryet për të e vijojte gjithnji me trazue popullin në kishë. At’herë At Zefi lajmoj prefekturën e çashtja shkoj në Tiranë. I hinë miq për me e falë begun, por At Zefi qindroj i fortë e s’u muer vesht lutja të kuja. N’e mbram begu kje hjekë prej asi vendi.” fq. 359-360, “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.
“Ma vonë At Zefi sherben dhe ndërton edhe në Pishkash, Lurë, Prekal, Kastrat, Rrapshë, Troshan. Ku gjithkund la gjurmë…
Së fundi asht kenë Kapelan në burgun e Shkodres. U diftue i palodhshëm me rrfimet e tue çue sakramende të smundve.”

Kisha e Iballës
Kisha e Iballës
Iballa, vjeti 1942 (b.m.p.)

“Sot (vjeti 1942 – b.m.p.) Iballja âsht nji nder vendet mâ të qytetnuem e malsive tona. Kanë shkollën e vet, e nuk asht shpi n’Iballë, ku ndonjeni mos të dijë me këndue e me shkrue. Për këtë punë meritimin mâ të parin e mâ të madhin e kane At Zef Mesi e At Severin Lushaj, pse kta kjenë mâ të parët qi, me mësime e predikime të veta, u munduene me e zgjue at popull.” fq. 360, At Pashko Bardhi o.f.m., “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.

50 vjetorin e meshtarisë At Zef Mesi o.f.m (1892 – 29 qershuer 1942 – b.m.p.)

“Me 29 Qershuer të 1942, në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër ka kremtue 50 vjetorin e meshtarisë At Zef Mesi o.f.m, të cillin pak janë ata qi e kanë njoftë, por me gjith kta nuk janë të paka shërbimet qi ky frat i përvujtë i ka ba fesë dhe atdheut.” fq. 360, A. Pashk Bardhi o.f.m., “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.

Vdeka në 1945 (b.m.p.)

Kisha dhe Famullia e “Zojës Ruzare” Arra e Madhe Shkodër para dhe mbas 1992
“Na të gjithë kemi dishrue qi At Zefi ta pritte ket ditë me shëndet të plotë. Por Zoti i ka pëlqye ndryshej.
Në dhetuer të vjeçëm e preku nji rrem i let pike. Ju deshë me ndejtë rate deri në prendverë të sivjeçme, tuj e bajtë smundjen me duresë shembullore. Në prendverë filloi pak m’u çue e tash mundet me u ulë poshtë e me ecë me shkop. Veç ka mbetë mangut, e syte e kan lanë e nuk shef me lexue. Na i dishrojmë nji shëndet të plotë e, kur të jete vullndesa e të Lumit, kunorën e lumnis hyjnore.” fq. 360, At Pashko Bardhi, “Hylli i Dritës”, Nr. 5-10, 1942.
At Zefi ka dekë me 14 Dhjetor 1945, në Shkodër, tek Kuvendi i Arrës së Madhe, në moshën 76 vjeçare dhe asht përcjellë me nderime nga populli i Shkodrës. Edhe njiherë me kët rast u ndriçue gjithë kontributi i tij si meshtar e luftëtar për dritë, kulturë e patriotizëm nga kolegët e tij.

Kronika e meshtarisë së At Zef Mesit (b.m.p.)

Vjeti Vendi
1893 – 1905 famulli; Qendër n’Iballë
1897 – Ndërtoi Qelën n’Iballë
1902 – Çili Shkollën e I-rë n’Iballë
1905 – 2 famulli; Bazi e Pëshkash
1908 – Lurë
1918 – Kuvend Torshanit
1919-1925 – N’Prekal
1927 – Rapsh – N’Brigjet e Hotit
1937 – Bajzë
1938 – Kuvend të Troshanit
1939 – Kuvend të Gjuhadolit
1942 – 50 vjetori i meshtarisë
Shkodër, 27 Qershuer 1926

At Gjergj Fishta dhe At Zef Mesi
At Gjergj Fishta dhe At Zef Mesi
Fort i Ndritshmi Zotni Professor,

Shi ndër kto dit, tue mendue un si me vërtetue, shqyptimin e kuptimin e fjalës birov, për të cillat sende Zotnija e Juej m’pvetshi me letër të 7 të k. m. për fat të bardhë ia mbrrini në Shkodër një franciskan shqyptar, Pader Zef Mesi, i cilli para do vjetsh ká pasë shërbye për shum kohë si famullitar në Lurë: bajrak i Dibërs, nja 5 orë në Nord-Est t’Oroshit.
Mbas dishmis s’ktij Padër Zefit, pra, fjala birov vërtë ekziston në gojë të popullit të Lurës, edhë merret në kuptim të caktuem në fjaluer të “Bashkimit”, por jo vetëm per të shenjuem një capovilla, principale d’un paese, veç edhë çdo tjetër kryetar vepre a axjende: njashtû si përdorohet n’anglishte fjala chairman. Për kahë shqyptimi kjo fjalë asht oksitone.
Kshtû oksitone asht fjala Ungrej e fjala pedim. Për fjalën pedim sod me sod nuk mundem me u thanë, se në të cillen krahina të Shqypnis përdorohet. Edhë kshtû sugurisht mund të dihet, se fjala birov përdorohet në Lurë e në Mirditë; pra, posë qi Lurja, asht per kufi me Orosh, Don Dodë Koleci, qi ká pasë pregatitë fjalorin e “Bashkimit” për botim, sado qi lé në Zadrimë jetën e vet e ká kalue krejt në Mirditë tue marrë djalektin e shqyptimin e ksajë krahine.
Ktû po marr lirinë, me hie në bisedë me Zotnin t’Uej, mbi një çashtje e cilla, kujtoj, jo veç se asht n’interese të Shqypnis, por edhë t’historis s’kulturës e të gjytetnis s’Europës.
Kam pasë marrë vesht, se në Akademi të Wien-s gjinden në dorshkrim dy blêj t’volumes e mbramë t’“Acta et Diplomata etr.” të Thalloczit, Jireçek, Scuflay, e se ajo Akademi nuk i boton vetëm për mungesë të mjeteve.
Tashti, tuj u gjetë un në Romë, kû kam ndêjë prej 1 Nanduer 1924, e dér me 11 Máj 1926, Qeverija Shqyptare m’proponoj, qi un të rrijshe në Romë edhë mbas të mbyllunit t’Ekspozicjonit Vatikan, pranë të cillit un kam kênë si atachë për repart të Shqypnis etr. për me shqyrtue nëpër arkive të Vatikanit dokumentat, qi mund t’interesojshin Shqypnin e historin e sajë; e sikurë për tjerë shqërtuesa dokumentash qi ajo kishte ndër mend me dërgue në Wien, Cosple1), Belgrad, etr. m’lajmote, se për kët shërbim do të m’kishte caktue një rrogë. Un nuk e pranova kët përlim, për arsye qi tuj mos me pasë kurrnjë kompetencë të veçantë në histori, me at vepër un nuk do të kishe kalue caqet e një periferisë s’kopistit.
Veç shka se nëpër një mik t’êmin tërhoqa vrejtjen e Qeveris Shqyptare mbi fakt, qi ato shpenzime për dokumenta do të dilshin të kota: mbasi askush ndër Shqyptarë të sodshëm nuk mund do ta kishte krye at vepër me një kompetencë sado elementare. Prandej do të kishte dalë punë fort ma e dobishme, qi Qeverija at credit për të mbledhun dokumentash ta epte për botim t’atyne dy blêjve t’“Acta e Diplomata etr.” qi Akademija e Ëien-s nuk mundte me i botue për mungesë mjetesh. Ky mendim i êmi duket se u ká hie në krye do njerzve të Qeveris s’Tiranës, edhe Ministri i Punve të Mbrendshme, m’ká lypë zhvillime en dettaille2) mbi ket çashtje.
A ká mndyren Zotnija e Juej si me m’ba me dije: a përnjëmend ekzistojnë kto dy dorshkrime të A. A. n’Akademi të Wien-s?
Sa të holla në Frcs.3) ár kishin me u lypë të botuem të parin blê? mbas cillash konditash a shartesh Akademija kishte me pranue konkursin e Qeveris Shqyptare per botim t’asaj vepre? Po pat mirsine Zotnija e Juej m’e vijue korispondencën me mue mbi kët çashtje, un kam me ua diejtë fort për nderë ket punë… Un nuk mund U tham, se dér kû ka giasë me u realizue ky proponim i jemi; por me gjith kta asht punë e lëvdueshme, qi un për interese t’historise s’kombit t’êm e Zotnija e Juej n’interese, mostjetër, të dijenis të mundohemi për botim t’asaj vepre përnjimend kolosale qi janë “Acta et Diplomata etr.”
Në shpnesë se Zotnija e Juej ká me u marrë edhë tash e mbrapa me vepra kulturale, qi kan të përpjekun me përparim të Shqypnis.
U shtërngoj dorën e kam nderin me u dishmue i Juej
P. Gjergj Fishta ofm

1.Constantinople.
2.Détail.
3.Francs.

Kol Bib Mirakaj - Vetvrasja e njii Kombi
Kol Bib Mirakaj – Vetvrasja e njii Kombi
Kujtimet e Kolë Bibë Mirakaj si arsimtar i ksaj shkollet në 1917

“Iballja asht katundi – vendlindja e ime dhe e të Parëve të mij…
Ishe mësues në Iballe të Pukës, katundi ku kam lé. Nuk kishe tjetër lakmi përveçse, me vazhdue deri në pleqni atë misjon. E ndjejshëm misjonin e mësuesit si misjon të shenjtë dhe i kishe kushtue të tanë ngrohtësinë e zemrës e fuqinë e mendjes, tue pasë parasysh dita-ditës frytin e bimës që po kultivojshe. Tue pa ata fëmijë gjysëlakuriqa (gjysmë të çveshun) që endë nuk njihshin gjà të botës përtej kunorës së mrekullueshme të maleve të pyllzueme e virgjina, që e rrethojnë në mënyrë simetrike atë rrafshnaltë që quhet Fusha e Iballës.
Ishe i bindun që ata kalamajë se as nga prindët e tyne të pashkollë, nuk do të kishin pasë mundësi me njohë Atdheun pertej caqeve deri ku, i shtyjshin nevojat e jetesës, do të brumoseshin djelmoça të fortë në shpirt’e në trup, të dobishem për vetën e tyne, për Kombin dhe për shoqninë njerzore. Tharmi nuk mungonte në ta, të squet e të zhdervjellët prej natyre, dhe një gja që me ndihmonte në përpjekjen time ishte edhe edukata që u trashigohej në ndjesinat e tyne nga zakonet e mira të familjes.
Kishe fillue punën arsimtar me 1917, e frytet e kënaqëshme i kishe parasyshë dita e ditës, fryte që u rritëshin vit për vit. Kishe provën e përditëshme se ishe tue shartue shpirtin tim në zemrat e tyne, siç e kishte shartue At Gjergj Fishta, At Ambroz Marlaskaj, Mati Logoreci, Ndue Paluca, Gaspër Mikeli e të tjerë veteranë t’arsimit Shqiptar… Në kët ndërkohë, dy iballas; Haxhi Brahimi e Lim Sokoli, i kishin dhanë zjarrin ndërtesës natën. Mbas do kohe kur ata dy u zbuluen moren dënimin e kanunit; djegëje shtëpijet e u konfiskuen bagëtia. Ata deklaruen se kishin djegë shkollen pse ajo, do të sillte “kaurrin2. Nuk u çel shkollë ma aty deri në 1917. (Fq. 157-158, kapitulli i XI, libri “Vetvrasja e Kombit”, autor – Kol B. Mirakaj, bot. 2015.).

Iballa mbas 1992

Mbas vjetit 1992, u rrezue sistemi sllavo-komunist në Shqipni duke u zavendsue me demokracinë me rilegalizimin e besimeve fetare në Shqipni. Brezi i ri studentve shqiptarë mbasi bahen meshtarë, gëzojnë mirëqenie në aspektin e shërbesave fetare, në kisha me qelë moderne të ndërtueme kudo në qytete e në fshatra edhe të thella, vetura shumë të shtrejta për vende malore, me rrugë të asfaltueme përpos rrugve të krahinës së Shllakut, Dushman-Temalit, disa Zona në Malsi të Madhe, në Dukagjin dhe Nikaj-Mërtur. Deri në vjetin 1967, Iballa kishte 17 famullitarë

Kisha e Arrës së Madhe
Kisha e Arrës së Madhe
Mirënjohje zotnijve: Jozef Lazër Radit dhe Fritz Kolë Radovanit!

Mirënjohje e pafund nga ana jem për bujarinë, fisnikrinë e zotni Jozef Radit, qi ma dhuroi kët Letër të At Fishtës drejtue të përvujtunit frat At Zef Mesit i molisun nëpër malet e Pukës përmes vorfnise e pastrehës në shërbim të Atdheut dhe fesë! Kjo letër e rrallë dhe tej e randsishme e plotson kuadrin e telajos së shkrimit modest mbi portretin e nji fratit të harruem!
Njikohsisht kam rastin të falenderoj edhe zotni Fritz Radovanit për fisnikri, për gadishmëni për saktsinë e disa datave kryesore, me vleftë të pasunimit të portretit dhe veprimtarisë së At Zef Mesit, qi asht bazue te libri “Tragjedia dhe Lavdia e Klerit Katolik në Shqipni”, Volumi I nga Dr. Pjetër Pepa: fq. 429-430-431. Tiranë 2007.

At Pashko Bardhi O.F.M. (1870-1947)
At Pashko Bardhi O.F.M. (1870-1947)

Shënim:
At  Pashko Bardhi O.F.M. (4 maj 1870 – 10 maj 1947)
-Shkrimin e At Pashko Bardhi O.F.M. – “A. Zef Mesi o.f.m.” e nxorra prej arkivit hyjnor të “Hylli i Dritës”, e 1942, faqeve 356 – 360, Nr. 5-10 dhe e hjedha në letër në trajtë empirike larg të imtave. Me synim e vetëm; me dhanë konstruktin e fizionomisë së meshtarit At Zef Mesit qi i dha shpirtin Atdheut dhe Fesë kudo ku i kërkoi Atdheu. Në trojet ma të vshtira.
-Fjalitë të kufizueme me thonjzat “” janë citime të sakta nga shkrimi i At Pashko Bardhi O.F.M. – “At Zef Mesi o.f.m.” si dhe Kol B. Mirakaj si dhe Letra e At Fishtës drejtue At Zef Mesit.
-Kujtimet e mësuesit Kolë Bib Mirakaj i mora te libri i “Vetvrasja e kombit, me redaktor dhe korrektorë Fritz Kolë Radovani dhe Bep Martin Pjetri, qi asht nji Traktat filozofik-politik dhe e bashkangjita me autorin e hapjes së shkollës në Iballë meshtarët; At Zef Mesi dhe At Severin Lushaj qi me përkrahjen dhe ndihmën e ipeshkvit Emzot Lazër Mjeda çilën të parën shkollë dhe kishën “Shën Gjergjin” në Iballë të Pukës.
-b.m.p. – asht shkurtimi i emnit tem; Bep Martin Pjetri.

Motivi
Arsyeja qi u nxita të rradhis disa rreshta në letër të bardhë dhe në xhamin e ekranit të internetit asht frymzimi ndaj Kolonel Kol Bibë Mirakaj, lisit të Iballës të rrahun nga humnera e historisë, për kontributin e dhanun si arsimtar, si akademik, si ministër qi pshtoi mbi 2000 frymë hebrejsh nga krematoriumet e gjermanve, si dijetar, si patriot me prova, si i plagosun ndër dy kambë nga sllavët për kombin, si parimor i palëkundun, e besnik i rrallë në dashninë ndaj familjes, vendlindjes, kombit dhe Zotit.
Ma, zi vazhdon heshtja edhe sot, mosvenia në vendin e tij në histori nga vetë iballsit dhe pukjanët. Vetë fisi i tij nuk para e përmend nga friga e inercisë së paragjkimeve ndaj tij prej periudhës 1944-1992.
Tjetër indicie frymzimi asht At Zef Ndoc Mesi, zadrimor, meshtari i braktisun nga stuhia e indiferencës së klerit katolik mbas 1992 dhe nga të tjerë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.