back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Shkodra, drejt 29 nëntorit 1944 – nga Prof. Romeo Gurakuqi

Gazeta

Historiani Romeo Gurakuqi
Historiani Romeo Gurakuqi

Shkodra, drejt 29 nëntorit 1944

nga Prof. Romeo Gurakuqi

Shkodra, drejt 29 nëntorit 1944 dhe në javët pas largimit gradual të trupave gjermane drejt Podgoricës dhe Bosnjës (një përpjekje për rindërtim të ngjarjeve, disa konkluzione dhe fotot e para të Shkodrës së pas 29 nëntorit 1944, të realizuara nga oficerët britanike të SOE)

Pamje e qytetit te Shkodrës nga misioni englez
Pamje e qytetit te Shkodrës nga misioni englez

Pas çlirimit të Tiranës me 17 nëntor 1944, teatri i operacioneve ushtarake u drejtua nga qyteti më i madh i Shqipërisë, Shkodra dhe rrugëve të komunikimit me Malin e Zi. Reparti i parë i mbërritur në Shkodër nga Tirana me datën 18 nëntor nën drejtimin e Divisionpharrer Dott. Beck, solli me vete edhe vlerat monetare të Selisë Qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me pretekstin për t’i dorëzuar në degën e Shkodrës të së njëjtës bankë, por në fakt për t’i grabitur me vetëdije. Një kontigjent i madh i trupave gjermane gjithashtu nga Kavaja përmes Vorës u drejtua për në Shkodër ku mbërritën me datën 23 nëntor. Prapavijat e këtyre reparteve hodhën në erë urat, ndërkohë që asnjë ushtri e madhe nuk po i ndiqte ato ditë. Maska e respektit ndaj popullit shqiptar, pavarësisë e neutralitetit të shtetit të tyre, tanimë kishte rënë plotësisht përballë dëshpërimit dhe frikës për ditët e panjohura që i prisnin përpara repartet e degraduara të Rajhut. Edhe kolona që vinte nga Prizreni në drejtim të Shkodrës bëri të njëjtin veprim damtuer me datën 20 nëntor. Me 21 nëntor ato hodhën në erë edhe Urën e Vaut të Dejës. Me datën 24 nëntor, delegati
Apostolik Nigris i drejtoi Gjeneralit gjerman von Leyser lutjen që 3 urat që qarkonin Shkodrën mbi lumejtë Kir, Drinasë dhe Bunë të mos prekeshin.
E njëjta lutje iu drejtua nga Nigris, Arqipeshkvi i Shkodrës dhe një përfaqësi e qytetit me datën 27 nëntor, Komandantit Vendor, Kolonelit Schuster. U premtua që urat nuk do të prekeshin me kusht që komunistët të mos sulmonin gjermanët në nisje.
U ra dakord edhe me partizanët që gjermanët të mos sulmoheshin dhe pakti u respektua edhe nga ata. Mirëpo gjermanët nuk embajtën fjalën e dhënë. Me gjakftohtësinë më të madhe, dy orë para largimit të tyre nga Shkodra, saktësisht në orën 02.10 të natës duke gdhirë 29 nëntori 1944, gjermanët hodhën në erë 3 urat që lidhin Shkodrën me pjesën tjetër të vendit.

Kalaja e Shkodrës - foto misioni englez
Kalaja e Shkodrës – foto misioni englez

Shumë nga qytetarët e Shkodrës i kishin larguar familjet jashtë qytetit. Familjet e Shkodrës të strehuara në Shirokë, lagjen piktoreske rrëzë Taraboshit, kanë përcjellur në kujtesë rrëfimin mbi gjëmimin e tmerrshëm asaj nate, kur bota përreth Malit të Taraboshit u duk se u përmbys në pak sekonda. Nuk kanë kuptuar asgjë derisa të nesërmen, një kortezh me lundra kishte mbërritur në Shirokë për të përcjellur viktimën e fundit të pafajshme (nga nje familje e Shirokës me banim ne Shkoder, vrarë nga gjermanët në ikje prej qytetit) të një luftë që nuk kishte të bënte me shkodranët dhe shqiptarët.
Të gjithë këto ngjarje zhvilloheshin në Shkodër, ndërkohë që pak kilometra nga qyteti partizanët prisnin evakuimin e trupave gjermane. Përreth Shkodrës operonin Brigada VII e UNÇSH, e cila e kishte të vendosur shtabin e vet, pas evakuimit të shtabit gjerman, në Laç të Vaut të Dejës, ndërsa në zonën verilindore të Shkodrës, në Drisht, ishte vendosur shtabi i Brigadës XXII.

Misioni englez mes qytetarëve shkodranë
Misioni englez mes qytetarëve shkodranë

Krahas trupave partizane, në krahinë vepronin edhe patrullat britanike të LRDG.
Ishte parashikuar që me datë 17 nëntor 1944, në zonën ndërmjet Lezhës dhe Shkodrës, të dërgohej Kapiteni Dickinson. Misioni i tij do të ishte shqyrtimi i mundësisë së dorëzimit të gjermanëve në krahinën e fundit të Shqipërisë, e cila kishte mbetur nën kontrollin ushtarak të fuqisë së Boshtit të dërrmuar fashist.
Raporti i Dickinson është i rëndësishëm, mbasi na jep disa informacione të vlefshme rreth situatës në Shkodër dhe zonave rreth saj:
Së pari, nga raporti i tij kuptohet, se trupat gjermane të Regjimentit 522 ishin të gatshme të dorëzoheshin pranë trupave britanike të LRDG, por ato refuzonin kategorikisht të dorëzoheshin pranë partizanëve shqiptarë, për shkak se deri tani, përvoja kishte treguar se, UNÇSH kishte thyer ligjet e luftës dhe kishte ekzekutuar robërit, duke kryer në këtë mënyrë një krim të paramenduar lufte.

Urë e shkatërruar mbi Bunë
Urë e shkatërruar mbi Bunë

Së dyti, Dickinson raportonte, se brigadat partizane rreth qytetit të Shkodrës qëndronin në pritje të fillimit të evakuimit të gjermanëve, pa zhvilluar me këtë rast ndonjë betejë;
së treti, partizanët e konsideronin në total, a priori, popullsinë e Shkodrës një popullsi kolaboracioniste dhe kjo ishte përgatitja psikologjike armiqësore, që ata kanë pasur kur kanë hyrë më vonë në qytet, gjë që shpjegon edhe sjelljen tipike pushtuese të partizanëve ndaj popullsisë qytetare dhe krahinore shkodrane. Raprezaljet e filluara, që nga dita e parë e çlirimit nga pushtuesi, që për popullin duhej të ishte dita e lirisë, u shoqëruan me një pushtim bolshevik dhe vendosjen e një diktature të ushtrisë së kuqe shqiptare, nëpërmjet hyrjes armiqësore të partizanëve në kryeqendren kulturore të Gegnisë.
Së katërti, partizanët u përpoqën të izolojnë ushtarakët britanikë që orvateshin të merrnin informacion nga robërit gjermanë të luftës. Po ashtu, partizanët e ndaluan Dickinson-in, për marrjen e drejtpërdrejt të informacioneve në qytetin e Shkodrës, tashmë i evakuar nga gjermanët dhe i uzurpuar pa luftë, me invadim nga kodrat drejt pjesës qendrore, prej UNÇSH.

Urë e shkatërruar mbi Bunë
Urë e shkatërruar mbi Bunë

Në mëngjesin e datës 27 nëntor 1944, ditën e hënë, Dickinson kërkoi të kontaktonte me shtabin e Brigadës VII në Laç të Vaut të Dejës, me objektiv pyetjen e robërve gjermanë të luftës. Mirëpo ndërkohë, që ai shkoi t’i kontaktonte, i gjeti ata duke lëvizur drejt qytetit. Urat, njëra mbi Lumin Drin dhe tjetra mbi Lumin Buna, që mundësonin kalimin brenda qytetit, ishin hedhur në erë nga gjermanët dhe kështu ishte e pamundur për të kaluar lumin me mushka dhe me pajisjet që kishin në dispozicion. Për këtë arsye, Dickinson la patrullën e LRDG në Laç dhe shkoi tek partizanët në vendin e quajtur Ndërfushtë. Aty ai u takua me një përfaqësues të shtabit të Brigadës XXII partizane, i cili i shpjegoi për ndeshjen me gjermanët një natë më parë dhe për kapjen e katër robërve gjermanë. Ditën e martë, me datë, 28 nëntor 1944, Dickinson lëvizi drejt Drishtit, por ushtaraku britanik nuk arriti të vihej në kontakt me robërit gjermanë, të cilët donte t’i pyeste rreth situatës ushtarake të forcave të Regjimentit 522, Korpusit 21 Malor dhe fatit të pilotit britanik të rrëzuar në atë zonë. Ishte e qartë, se partizanët shqiptarë ndiqnin politikën e vrasjes së robërve gjermanë të luftës. Po ashtu, në shtabin e Brigadës XXII iu tha, se nuk kishte asnjë plan për 24 orët e ardhshme në lidhje me Shkodrën.
Qartazi, partizanët prisnin largimin e gjermanëve nga qyteti, që dukej se do të ndodhte nga ora në orë, por saktësisht partizanët nuk e kishin informacionin kur do të kryhej. Për këtë arsye, Dickinson u kthye në Laç të Vaut të Dejës dhe u bë gati për të sjellë trupat e patrullës së LRDG dhe stacionin e radios së komunikimit me shtabin, stacion që ndodhej në Drisht. Në këtë situatë, me datë, 29 nëntor 1944, Dickinson informoi qendrën e tij në Bari, në lidhje me pikëpamjet e partizanëve dhe ngurrimin e tyre për të lejuar ushtarakun britanik të mblidhte informacionin, që ai kërkonte. Pak orë më vonë, mbërritën lajmet se Shkodra ishte evakuar prej armikut. Kështu pra, edhe Dickinson raporton,se gjermanët e evakuan qytetin e Shkodrës me datë, 29 nëntor 1944. Në darkën e datës 29 nëntor 1944, Dickinson u përpoq të shkonte të merrte informacionin e duhur dhe takoi njerëz në rrugën që vinte nga Shkodra, për ta konfirmuar lajmin. Ai vendosi, që të nesërmen me datë, 30 nëntor 1944, të shkonte në Shkodër për të bërë njohjen e gjendjes atje, për të shqyrtuar aerodromin dhe për të lokalizuar pilotin e RAF, gjurmët e të cilit ishin gjetur tre ditë më parë. Bisedat me banorët e Shkodrës tregonin, se para evakuimit kishte ndodhur një dezertim masiv i gjermanëve. Gjermanët tashmë ishin larguar nga Shqipëria dhe operacioni Aleat i nxjerrjes së gjermanëve jashtë vendit, i quajtur Operation
“Frontier”, dukej se kishte përfunduar.
Sipas ushtarakëve britanikë në terren, partizanët hynë në Shkodër me datë, 29 nëntor 1944, kur forcat gjermane u tërhoqën në Mal të Zi.
Në Shkodër mbahet mend prej asaj kohe, një ngjarje, që ka ndodhur natën në kapërcyell të datës 28 nëntor duke gdhirë dita e re, 29 nëntor 1944, që lidhet me minimin e qytetit nga ana e forcave gjermane në ikje. Tetë ushtarë xhenierë italianë, ndërhynë në kohë duke ndaluar zjarrin të merrte përmasa të mëdha dhe shmangën kështu një shpërthim shkatërrimtar, që do të kishte qenë një fatkeqësi e madhe për Shkodrën dhe popullsinë civile të saj. Nga rrëfimet e qytetarëve shkodranë, mbahet mend se gjermanët arritën të kapin dy nga xhenierët italianë dhe i groposën ata për së gjalli. Edhe pse një nga depot shpërtheu, qyteti gjithsesi shpëtoi i paprekur dhe evakuimi i forcave gjermane u bë pa luftë. Partizanët hynë në Shkodrën e evakuar nga gjermanët, në qytetin që përherë kishte qenë qendra e një opozitë të brendshme të fuqishme kundër diktaturave dhe do mbetej përherë e tillë. Siç duket, tërheqja e fundit e madhe gjermane nga Shkodra ka ndodhur me datë, 28 nëntor 1944. Kjo datë gjendet e shënuar në një dokument tjetër te SOE britanike dhe mendohet të ketë zgjatur deri në orën 02.00 a.m. të agimit të datës, 29 nëntor 1944. Ndërsa hyrja e partizanëve saktësisht ka ndodhur me datë, 29 nëntor 1944, gjatë paraditës, kur tashmë ishte siguruar që këmbë gjermani nuk ndodhej më në qytet. Nigris e shtyn edhe dy orë më tepër qendrimin e gjermanëve në Shkodër. Ai shkruan se gjermanët, pas shkatërrimeve që sollën në natën e fundit në qytet, e mbyllën në mënyrë të turpshme qëndrimin e tyre në orën 04.00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 1944. Ikja e tyre u shoqërua me një lloj keqardhjeje prej vendasve, për sjelljen e tyre fundore prej armiqsh prepotentë dhe të pabesë.
Largimi nga qyteti nuk do të thotë, se në pjesën e rrugës që nga Shkodra në drejtim të Podgoricës, në pikat e vrojtimit dhe kontrollit, nuk ka pasur njësi të ushtrisë gjermane. Evakuimi i mëtejshëm nga Shqipëria tërësisht është zhvilluar pa luftime të mëdha, derisa trupat e fundit gjermane u larguan nga ky vend me datë, 4 dhjetor 1944.
Edhe Nigris tregon se repartet e fundit gjermane që u larguan nga Shkodra, bënë disa ditë për të kapërcyer kufirin, ndoshta në pritje që të arrinte në Podgoricë dhe të merrte rrugën për në Berane e gjithë kolona e projektuar, që më kot ishte orvatur për të hapur rrugën në linjën nga Nikshiqi në Trebinje. Kështu që trupat nga Shkodra mbetën mbrapa për të formuar një kolonë të vetme në ndjekje të trupave tashmë në marshim drejt Sarajevës, duke kaluar nga Plevnja.
Versionin britanik i ngjarjeve, që lidhen me evakuimin e Shkodrës nga gjermanët dhe hyrjen e partizanëve në qytet, në ditën e zymtë dhe të ftohtë të 29 nëntorit 1944, e konfirmon edhe At Zef Pllumi, dëshmitar i kohës së fillimit të këtij salvimi mizor ndaj popullit shqiptar.
Ndërkohë, në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në Shkodër, Malësi e Madhe, Dukagjin, Postribë, Ana e Malit, Mirditë dhe Pukë, ekzistojnë edhe disa raporte të përgatitura nga Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën, ndër të cilët spikat ai i datës, 9 prill 1945, që përmbledh një periudhë të gjatë rrëfimi nga ditët pak para çlirimit dhe deri më datë, 31 mars 1945: Raporti bën krejtësisht të qartë atë çfarë ne konstatuam më sipër, bazuar në dokumentet britanike:
Çlirimi i qytetit të Shkodrës u bë pa luftë, kështu që forcat partizane nuk arritën të provojnë veten në një ndeshje me armë me forcat gjermane dhe me ato që konsideroheshin si bashkëpunëtorë të tyre. Ndaj, kjo bëri që forcat e opozitës nacionaliste të dilnin të padëmtuara nga qyteti dhe nga periferitë.
Brigadat partizane thjesht u derdhën në një qytet pa këmbë ushtari pushtues, në një qytet të cilin paraprakisht e paragjykonin, mbasi kishin një urrejtje të mbruajtur kundër qytetarisë, të cilën e konsideronin si çerdhe të reaksionit.
Kjo ndodhte pa e njohur aspak kulturën, që ai vend përfaqësonte dhe arsyet e kundërshtisë së tyre ndaj partizanëve komunistë. Populli i Shkodrës, siç kuptohet nga raporti, konsiderohej prej tyre, se mbarte “peshën e injorancës, mizerjes ekonomike, paragjykimesh dhe zakonesh, gjendje patriarkale dhe shpirtë mercenarizmi”.

Misioni englez mes qytetarëve shkodranë
Misioni englez mes qytetarëve shkodranë

Ky ishte konceptimi i invaduesve, që erdhën në Shkodrën e madhe, të cilin nuk e kishin shkelur kurrë më parë dhe që ishte krejt ndryshe nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik, social, kulturor, botëkuptimit të komuniteteve përbërëse, në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë.
Mirëpo ata nuk kuptonin dot arsyet, pse popullsia e qytetit dhe qarkut kishte qëndruar indiferente ndaj luftës, si dhe nuk e dinin si funksiononte struktura sociale e shoqërisë dhe rendi i gjërave në këto anë. Ato nuk kuptonin fillimisht formacionin shpirtëror dhe kulturor, unitetin civil në diversitetin religjioz të Shkodrës qytetare. Populli i qytetit të Shkodrës, sikurse e provon edhe raporti i vetë drejtuesve komunistë krahinorë, u mbajt larg kontributit për lëvizjen.
Ardhja e UNÇSH u prit në përgjithësi në heshtje nga banorët e qytetit dhe fshatrave.
Pas hyrjes së trupave partizane në Shkodër, ajo opozitë e pakët e armatosur që ekzistonte, u zhvendos drejt zonave periferike më të mbrojtura, në Malësi të Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë etj.
Si kundërpërgjigje, Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën dhe komanda e ushtrisë, parashikoi dhe kreu si një masë të domosdoshme, një operacion në stil të gjerë, duke kaluar nga njëra krahinë në tjetrën, duke ç’armatosur dhunshëm popullin, duke kryer rrahje masive dhe vrasje të kujtdo, që u rezistoi dhe që ishte në listat e armiqve, sipas tyre. Operacioni ushtarak i hapi rrugën më pasoperacionit politik dhe policor. Epiqendra e goditjes ka qenë Kisha Katolike dhe Arqipeshkvia e Shkodrës, e cila u mbajt nën vëzhgim, që në fillesë. Ushtria partizane rëndoi që në fillim me dhunën e saj mbi të gjitha shtresat e popullit dhe posaçërisht në këtë drejtim, Seksioni Ekonomik i Korpusit (Prapavija) veproi me dorë të lirë në çdo pikëpamje. Ushtria mbisundonte dhe pushteti u mbulua krejtësisht nga aktiviteti ushtarak. Ushtria zaptoi lokalet dhe bëri shkatërrime masive, të cilat pranohen edhe nga vetë drejtuesit komunistë. Shumë lokale në qytetin e Shkodrës u katandisën në një gjendje të atillë sa, sipas përcaktimeve, do të duheshin qindra, mijëra dhe miliona franga për t’i rikthyer në gjendjen e mëparshme. Kjo nuk ishte pasojë e luftës me gjermanët, por e pushtimit barbar komunist, plaçkitjeve dhe grabitjeve që forcat ushtarake partizane bënë ndaj pasurisë private të shkodranëve. Oficerët e ushtrisë partizane shkatërruan edhe një numër të konsiderueshëm makinerish dhe fabrikash. Në operacione, repartet e ushtrisë partizane u treguen të vendosura për dëmtim inatçuer ndaj të bukurës, të panjohurës, të të mirave publike dhe private, etj.. Sjellja e tyre ishte e rreptë dhe e egër. Ata më pas filluan njëmobilizim pa asnjë kriter. Kështu, ushtria monopolizoi veprimin politik dhe ushtarak, duke eklipsuar punën e pushtetit civil ende të paformësuar. Zhvillimi i operacionit ushtarak në qarkun e Shkodrës, zhvendosi gjithë aktivitetin civil dhe rindërtues në plan të dytë. U desh edhe shumë kohë, derisa aktiviteti i ushtrisë dhe ai i pushtetit të zhvilloheshin të ndarë njëri nga tjetri, në Shkodër dhe në Qarkun e saj.
Kush janë “fitimtarët”, partizanët, udhëheqësit e
pakontestueshëm të rendit të ri, që premtohej, por që nuk njihej nga shumica? – pyet profesor Sami Repishti. “Numri i tyre ishte i vogël, e kaluemja e tyne jo e qartë e në disa raste, shqetësuese, programi i tyne revolucionar, e metodat e përdorura deri tashti, ishin të ashpra e diktatoriale. E lirueme nga bota e dy regjimeve të urrejtun, shoqnia shqiptare priste me padurim nji periudhë paqeje e sigurie, që të shijonte lirinë e porsafitueme. Nji ndjenjë instinktive, e pashpjegueshme, por e pranueshme kudo dhe tek të gjithë, e frikës se po hyjshim në nji tunel, dritën e së cilit nuk e shihshim, ishte në mendjen e zemrën e shumicës së atyne që ecshin, vrapojshin e grumbulloheshin në sheshin qëndror të qytetit… “marrja e pushtetit” nuk u ba me dhunë, sepse nuk u kundërshtue.
Administrata e vendit, deri atë ditë në shërbim të “bashkëpunëtorëve të okupatorit”, u vue në shërbim të “autoritetit partizan”… Rrugët e qytetit filluen të mbushën me partizanë të brigadave të ardhuna nga jugu i vendit. Për mungesë vendi e organizimi, me mijëra u vendosën në shtëpi qytetarësh, që i ushqejshin edhe me bukë… Nji botë e re shpalosej nga tregimet e tyne. Pothuejse të gjithë ishin “mobilizue” në katundet e tyne. Ruheshin nga “komandanti” e “komisari”. Të gjithë kishin “historira”me tregue e sidomos, për ekzekutimet masive në katundet malore. Nji ngjarje e shëmtueme në qendër të qytetit, ra si bomba e parë që zgjoi qytetarët, sinjali i parë i asaj që do të vinte ma vonë. Nji grup “bashkëpunëtorësh” me okupatorin, u ekzekutuen publikisht në sheshin kryesor… Në vendin e ngjarjes, pashë kufomat e përgjakuna, të rreshtueme njëna pranë tjetrës. Të gjithë ishin me rrobe civile. Rreth e rrotull tyne, grupe partizanësh hidhshin valle me nji ritëm që shoqnohej me kangën, e re për mue: “Lule Sofo, lule djalë!” Nji turmë qytetarësh të heshtun, vështronte me tmerr këtë masakër: ekzekutime publike, simbas modelit nazist, pa proces, pa gjyq, pa mbrojtje ligjore, pa të drejtë apeli. Ishte shija e parë e shoqnisë së re… Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetnor, i mbështetun mbi forcën e hekurit e zjarrit, ashtu sikur kisha dyshue dy vjetët e fundit”
Kjo ishte “dita e parë e lirisë” në Shkodër, në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe shpjegimi është i mjaftueshëm për të kuptuar përse në këto anë, ajo ngjarje, 29 nëntori 1944, nuk është pranuar si një ditë feste. Largimi i okupatorit të huaj që nuk prekte njerëz të pafajshëm deri në ditët e ç’akordimit të fundit, u shoqërua me ardhjen e një okupatori të brendshëm që përdorte dhunën pa dallim, prekte të gjithë dhe nuk respektonte lirinë dhe pronën e individit.
Dy oficerë britanikë, Tony Andrew dhe James Duncan (fotot e te cilëve po i jap më poshtë), që hynë në Shkodër pavarësisht përpjekjeve dhe presionit të ushtruar nga partizanët për të mos i lejuar ata, raportojnë se burgu i qytetit “po pëlcet nga numri i madh i të burgosurve politikë” dhe se trupat e të ekzekutuarve janë lënë shtrirë nëpër rrugët e qytetit.
Po ashtu Duncan shkruan, se “partizanë me uniformë shkojnë shtëpi më shtëpi, pa asnjë dallim dhe u kërkojnë para, ushqime, radio, rroba, si dhe u marrin qytetarëve makina shkrimi, mjete dhe makineri pune të ndryshme. Këto masa po shkatërrojnë privatësinë e familjeve, po rrisin koston e jetesës së tyre dhe nuk po lihen të qetë.”
Oficerët folën me qytetarë shkodranë të profesioneve të ndryshme si: një piktor, shegert dyqani, murgesha, punëtorë, tregtarë tekstilesh, drejtorë shkollash, pronarë hoteli, librashitës, rrobaqepës, etj.. dhe të gjithë i thanë: “Ne nuk mund të vazhdojmë më kështu! Pse britanikët nuk vijnë këtu?” Dhe ky mesazh u transmetua në Bari me datë, 11 janar 1945, por efekti i kësaj deklarate ishte vetëm heshtja e autoriteteve Aleate, arshivimi, deri sot, kur këto fakte të shkruara po i paraqites, tani pas 80 vitesh në tekstet e historisë së Shqipërisë, si një rekord dokumentar për të treguar të vërtetën.
Sot, nga lartësia e gjykimit historik, vërej se, duke filluar nga data, 29 nëntor 1944, në Shqipëri në përgjithësi dhe në Shqipërinë Veriore në veçanti, u instalua një regjim dhunues, që do t‘i kushtonte këtij vendi, humbjen e bijve dhe të bijave më të mira të tij, ndërsa kryeqendrës së Shqipërisë, Shkodrës, 29 nëntori do t’i sillte fillimin e shkatërrimit të plotë të institucioneve dhe
trashëgimisë kulturore, shkencore, edukative, fetare dhe qytetare, eliminimin gradual të primatit moral, kulturor, ekonomik dhe shpirtëror të qytetit në skenën shqiptare të krijuem prej shekujsh. Në krye të këtij procesi urdhërdhënës ka qenë diktatori Enver Hoxha, i cili, me sa kuptohet, përveçse një ekstremist në politikë, mbartte në formimin e tij personal, një urrejtje të pafshehur për Gegninë.
Ndërkohë, luftën për liri kundër okupatorit e kanë bërë djemtë e thjeshtë shqiptarë të rreshtuar në formacione luftarake.
Lufta ka marrë përmasa të mirëfillta çlirimtare gjatë rrjedhës së viteve 1943-1944.
Vepra e partizaneve të thjeshtë, nacionalistëve antifashiste, ishte legjitime, e drejte, pjesë veprimtarisë së një koalicioni të gjerë kundër fashizmit, dhe si e tillë ajo duhet nderuar.
Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare pas 80 viteve duhet të jetë aq e pjekur sa të dënojë krimet ndaj popullsisë së pafajshme që rrodhën pas datës 29 nëntor 1944.
Shqipëria e 29 nëntorit të vitit 1944 do jetë një Shqipëri me perspektivë krejtësisht të ndryshme nga ajo që u këput më 7 prill 1939, e ajo që u përpoq të rindërtohej në vjeshtën 1943: me strukturë sociale, kulturore dhe krahinore të përmbysur, me nënsisteme të shkatërruara, me një luftë civile në zhvillim e sipër, e cila do të vazhdonte gjatë gjithë vitit 1945 dhe në formë të ftohtë dhe të ashpër për shumë kohë më pas. Kjo luftë civile do ta mbisundonte dhe kapërthente idealin e lirisë dhe çlirimit, mbasi kaloi çdo limit të arsyes çlirimtare ndaj pushtuesit, përfshiu gjithë shoqërinë dhe vendosi nën terror pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, e cila nga kjo periudhë e mbrapa, do të jetë e shkatërruar në strukturën e vet tradicionale, pa elitën pararendëse dhe nën një pozicion krejtësisht të dhunuar politikisht, nën pushtetin e ri komunist të menaxhuar nga Beogradi fillimisht, dhe pas dhjetorit 1945, edhe nga Moska.
29 nëntori është një ditë për reflektim të dyanshëm, të arsyeshëm, të drejtë, të ndershëm dhe rrëfimtar:
Shqipëria europiane nuk ka më kohë të dëgjojë rrëfime të njëanshme, të pandershme dhe të pavërteta. Ajo ka nevojë për reflektim mbi parime, që janë të pranuara gjithësisht në botën e qytetëruar.
Një reflektim me nderim për luftëtarët e lirisë, për të rënët në luftën civile që shkatërroi njësinë antifashiste shqiptare dhe shoqërinë e paanshme në pritje, për elitën politike dhe intelektuale të vendit, që vendosi ta kapërcente këtë kohë të rëndë, që nuk ishte “fajësi” e Shqipërisë, me kujdes dhe mbi parimet e mbajtjes së shtetit nacional në këmbë, por që u martirizua për llogari të vendimarrjeve të nisura nga Shtabi Komunist Jugosllav.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.