back to top
25.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Arsimtarët e Ernest Koliqit në Kosovë, dhe… ministrat e Kosovës në Tiranë – nga Frano Kulli

Gazeta

Frano Kulli
Frano Kulli

Arsimtarët e Ernest Koliqit në Kosovë,

dhe… ministrat e Kosovës në Tiranë

nga Frano Kulli

Ende sot, pasi kanë kaluar tetëdhjetë vjet, ha prapë hamendësime pjesëmarrja e Ernest Koliqit në qeverinë e Shefqet Vërlacit (21 prill 1939-3 dhjetor 1941). Koliqi, njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më në zë të Shqipërisë së kohës, u përfshi në një qeveri “të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta”, siç pohon studiuesi dhe historiani Berndt Fischer. (R. Gurakuqi: Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946, fq. 177). Sikurse ende përmendet si e dhënë gojore, edhe një bisedë e Koliqit, rrethanë e momentit kur ai ftohet në Tiranë për t’i propozuar postin e ministrit. Ishte viti 1939, ai kishte pak kohë që ishte emëruar titullar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Sipas gojëdhënës, Koliqi nuk e jep përnjëherë pëlqimin, por kërkon pak ditë kohë. Prej atje kthen në Shkodër e takon… At Gjergj Fishtën.
.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike.... Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi – Gjergj Fishta dhe Asdreni.
-Më kanë propozue me u ba ministër i Arsimit, pader…
-Me u ba ministër?! – ia kthen pader Gjergji, pa prit spjegime më të gjata prej bashkëfolësit.
-Po, unë s’kam mujt me e dhanë fjalën, për pa u pá e me fol me ty, pader – kërkon të shtjellojë kërkesën e vet Koliqi më parë se t’ia merrte mendimin atij që e çmonte aq shumë.
-Po pra po, me u bá ministër, – ia kthen me këmbëngulje pader Gjergji e i thotë prerë argumentin e vet – se të tanë të tjerët e bajnë ma keq se ti… (O Zot çfarë kut vlerësimi për vlerat kishin njerëzit si ata. Me një ekzigjencë shembullore për dijet e për punët në dobi të saj e të kombit). Dhe Ernest Koliqi kështu u bë ministër i Shtetit për Arsimin. Ministri me gjurmën më të dukshme e të dobishme në arsimin e shqiptarëve… Sapo filloi punën në këtë detyrë, ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe filloi përpilimin dhe botimin e teksteve shkollore. Si ministër i Arsimit, në shtatorin e vitit 1941, ai mundësoi me një vendim që mbi 200 arsimtarë normalistë të shkonin në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, ministri i Arsimit, prof. Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht një nga aktet më sublime, sepse ai dha frytet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në rrënjosjen e dëshirës për të mësuar shqipen në të gjithë trojet shqiptare.
Prej shtetit të brishtë shqiptar, ende pa u formësuar mirë si i tillë, shkoi ndër mend dhe e bëri punë të kryer dërgimin te vëllezërit e një gjaku atë për atë çfarë ishte më e nevojshme atje. Dërgoi mësues për të dhënë dije atje, duke plotësuar kështu të nxënit e të mësuarit shqip si nevojë jetike për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve të atjeshëm që historia e padrejtë i kishte shkëputë prej trungut të kombit e dheut amë.
Në vijim të asaj çka nisi ministri Koliqi, “në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare, në Maqedoni dhe Mal të Zi, u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19.121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)… Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të Institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë. (Abdylaziz Veseli, Shkollat dhe Arsimi Shqip në Prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941-1944, II, Gjilan 2003, fq 101.)” (Romeo Gurakuqi: Gazeta Metropol)
Në një letër dërguar më 16 tetor 1941, nga ministri i Arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare, Ernest Koliqi, konsullit shqiptar Kolë Rrota në Vjenë, thuhet se ka angazhuar Norbert Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari… Edhe si arsye madhore për ta shpëtuar albanologun e shkëlqyer hebre nga kthetrat e nazistëve.
.
Dibër e Madhe, viti shkollor 1942/43 (foto Mirela Pustina Korumi)
Dibër e Madhe, viti shkollor 1942/43 (foto Mirela Pustina Korumi)
Qeveria e Shqipërisë sot ministren e Arsimit e ka nga Kosova. Nuk e di se për ç’potenciale publike e punë të mirë mund të përmendet zonja. Përveçse si përzgjedhje kinse patriotike e Kryeministrit, zotit Rama, në sinkron me mbledhjet e përbashkëta të paradokohshme të dy qeverive në Prizren, tashmë të harruara, vendimet e të cilave u “shkruan në akull”. Dhe po të sjellësh ndër mend “shown” e atëhershëm ndjen neveri prej falsitetit. Si për shumë gjëra të tjera të shpeshta, kësodore… Për traun e Rrugës së Kombit, a për taksën e shtrenjtë të mallrave që qarkullojnë ndërmjet dy popullatave shqiptare, andej e këndej. Apo për taksën e shtrenjtë të librave 6%, (edhe të librit shqip, sigurisht) më të shtrenjtën në rajon.
Kurse po t’i krahasosh punët e ministres së sotme të vitit 2019, me ministrin Ernest Koliqi të vitit 1941… fyen rëndë historinë.
Po marrim si shembull vetëm bibliotekat. Nga fondi modest i qeverisë, prej rreth 20 milionë lekësh për bibliotekat e shkollave për vitin 2018 (në postin e zv. ministres atëbotë), vetëm 3 milionë prej tyre i ktheu në libra për bibliotekat. Të tjerat i dogji. Për asnjë shkak të arsyeshëm, përveçse… hajde merre vesh se për çfarë!
Kurse sa i takon ministrit të Jashtëm në detyrë, një prurje “vezulluese” e këshillonjësit të Kryeministrit, zotit Baton Haxhiu, (vetëm këtu ndër ne ministra mund të vihen e mund të vënë njerëz të pavotuar askund), nisur vetëm prej artikulimit publik, do t’i lutesha të më lejonte t’i rekomandoja përveç “Fjalorit të Gjuhës së sotme shqipe-2006” edhe dy fjalorë të tjerë “Fjalor i Gjuhës shqipe” të Mehmet Elezit dhe “Fjalor etimologjik i Gjuhës shqipe” të Kolec Topallit. Thjesht, si një mundësi më shumë për të pasuruar leksikun e shqipes.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.