back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Urdhëri Françeskan i Minorëve në Shqipëri 1295 – Fra Domenicus Albanese Ofm (Fra Deda) – nga Prof. Lutfi Alia

Gazeta

Profesor Lutfi Alia
Profesor Lutfi Alia

Urdhëri Françeskan i Minorëve në Shqipëri 1295 –

Fra Domenicus Albanese Ofm (Fra Deda)

nga Prof. Lutfi Alia

Dy historianë Anastasi L. M, Bartolini R., në veprën “Breve storia della famiglia Francescana”, botim i vitit 2013 (f. 80), shkruajnë se Urdhëri i Minorëve Françeskanë, hyri në Albania në vitin 1240.1] Këtë mendim ata e bazojnë në të dhënat e disa historianëve dhe kronistave të mesjetës të vonshëme, të cilët duke u bazuar në mbishkrimin e gdhendur në arkitraun e portës të Kuvendit të Shën Maria në Lezhë: “Hoc templum fratrum Minorum aedificatum est anno MCCXL – Ky tempull i fratënve minor është ndërtuar në vitin 1240”, e lidhin fillimin e misionit françeskan në trojet arbërore, me vitin e rindërtimi të këtij Kuvendi, ndërsa ne fakt prania e urdhërit te minorëve ishte dhe më i hershëm.
Marcellino da Civezza, në veprën “Storia universale delle missioni francescani”, botuar në Romë në vitin 1861, tregon se françeskanët e nisën ungjillizimin e arbërorëve, që në fillimet e themelimit të urdhërit të tyre, madje me vetë Françeskun, i cili gjatë kthimit nga Siria, në shtator 1220, u ndal në Kuvendin e Shën Maria në Lezhë, ku dhe vuri themelet e Urdhërit të pagëzuar me emrin e tij. Gjatë shetitjeve në Lezhë, Françesku me shkopin e tij, gërmoi dhe nxorri me rrënjë një fidan pishe të egër, të cilën e mori me vehte dhe kur arriti në Venecia, e mbolli në oborrin e kishës në ishullin Desertino. Populli e quajti Pisha e Shën Françeskut dhe besimtarët, shpesh merrnin copa të lëvores së pishës, si relikue në kujtim të Atit Serafik.2, 3, 4, 5. 6]
.
Shën Françesku në Lezhë, me fidanin e pishës. Afreskt në Kishën e Don Lleshit në Lezhë, vepër e piktorit Pashk Përvathi - Mjeshtër i Madh.
Shën Françesku në Lezhë, me fidanin e pishës.
Afreskt në Kishën e Don Lleshit në Lezhë, vepër e Pashk Përvathi – Mjeshtër i Madh
At Bonaventura Da Akuaviva – Marke, në vitin 1861 ishte misionar në Albania dhe duke treguar për vizitën në selinë e Prefektit Apostolik të Urdhërit të Fratenve Minorë në Lezhë, dëshmon se kishte lexuar një dorëshkrim të vjetër, ku theksohej: “La detta Chiesa è stata edificata per i Frati Minori, pochi anni dopo la morte del nostro Santo fondatore, che segui anno 1226, addi 3 di ottobre – kjo kishë ishte ndërtuar per fratenit minorë, pak vite pas vdekjes të Shenjtit tonë Themelues, që ndodhi në 3 tetor 1226”.2, 3, 6]
Kjo dëshmi, vërteton se françeskanët ishin të pranishëm në Albania para vitit 1240.
Sipas një dorëshkrimi të vitit 1720, të At Lorencos, dëshmohet se Kuvendi i Shën Mërisë në Lezhë ishte më i vjetër, i themeluar nga urdhëri Benediktin dhe fillimisht mbishkrimi ishte i gdhendur në greqishte të vjetër, por më vonë u përkthye dhe u gdhend në latinisht në arkitraun e portës së kishës së rindërtuar.2, 6]
Aktiviteti i minoriteve françeskanë në trojet albaneze para vitit 1240, vërtetohet me një dokument tjetër, me bulën e vitit 1236 të Papa Gregori IX, ku thekson: “Disa pjestarë të urdhërit françeskan, kanë shkuar në Albania me dëshirën e tyre”.2, 6, 7]
Viti 1236 i bulës, sugjeron qartësisht se urdhëri i minorëve, ishte aktiv në trojet tona para vitit 1240.
Për praninë urdhërit françeskan para vitit 1240, dëshmojnë dhe shumë autorë të tjerë si ëadding (Annales 1366, nr. 15 e 16), De Gubernatis (Orbis Seraphicus, 1682, lib. I , f 109 dhe libri V, f. 414); D. Fabianich (Storia dei frati minori, 1863, v. II, f. 337); Sirdani (Françeskanët, f. 12).8, 9, 10, 11, 12]
Shumë fratën OFM italianë dhe albanezë, në shekujt XIII – XV shërbenin në kishat dhe manastiret albaneze, si shkruan Wading: “Në Albania u përhapën në mënyrë të mrekullueshme dhe i bindën shumë albanezë, të veshin rrobën e murgjërve françeskanë”.11]
Sipas Gubernatis, Urdhërat Françeskanë u zgjeruan vazhdimisht, aq sa në dekadat e para të shek. të XVII, misionarët minorë përbënin numrin më të madh të klerikëve në trojet albaneze. Shumica e murgjëve minorë, ishin përhapur në zonat malore, sidomos në Dardani, ku u formua Prefektura Apostolike e Maqedonisë dhe më pas u formuan Prefekturat e Serbisë, të Pultit dhe të Kastratit.12]
Sipas dokumentave të Kongregacionit të Shenjtë të Propogandës Fide, në vitet 1283-1288, në trojet arbërore u ngritën disa kuvende të fretërve minorë në dioqezat shufragane të ipeshkëvive të Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Durrësit, Ohrit, Shkupit.
Përhapja e tre urdhërave Françeskanë në trojet e banuara nga albanezët, u favorizua dhe nga rrethanat politike dhe fetare të Albanisë në shek. XIII-XIV. Në Shtetin e Arbërit (1190-1255), princat e dinastisë Progoni u lidhën me kishën katolike.
Dhimitër Progoni, Arkondi i Madh, u lidh me Papën Inoçenti III, të cilit i premtoi se Ai vetë, familja e tij, fisnikët, bujarët dhe banorët e principatës, do të ktheheshin në fenë katolike, andaj për ta nderuar për këtë nisëm, Papa e shpalli “Judex Magnum”.
Gjatë Regnum Albaniae me mbretin kaltolik Karlin e I Anzhu (1267-1368), kisha katolike u fuqizua dhe e shtriu gjerësisht aktivitetin në trojet arbërore, ku përparësi kishin të tre urdhërat françeskanë. Si kuptohet, Mbretëria e Albanisë formonte një komunitet politik dhe fetar katolik.
Fuqizimi i kishës katolike vazhdoi dhe me Princin Karl Topia (1368-1388), të cilin Papa e nderoi duke i dhënë titullin e Kontit.
Rikujtojmë se në shek. e XIII, Kryeipeshkëvia e Tivarit ishte e ekspozuar ndaj rreziqeve, që i kanoseshin si nga kryeipeshkevia e Raguzës, ashtu dhe nga interesat e Serbëve, që ishin tepër aktive, madje agresive në përhapjen e ortodoksisë.13]
Qendra e parë e urdhërit françeskan në trojet arbërore ishte Tivari, ku ndodhej dhe Arkipeshkëvia nga rrezatonin të gjitha aktivitetet misionare në trojet tona dhe nga këtu e shtrinë aktivitetin misionar në Bosnje, Kroaci, Dardani dhe Serbi.2]
Në vitin 1248, Papa Inoçenti IV, emëroi arkipeshkëv metropolitan të Tivarit, Fra Giovanni nga Pian Karpino OFM. Imzot Gjoni u impenjua për të përtëritur ndjenjat katolike ndër arbërorët, andaj luftoi me vendosmëri kundër ortodoksizimit serb, kundër sllavizimit dhe kundër bizantizmit të arbërorëve, kësisoj Ai u bë pengesa serioze e shizmës. Gjatë aktiviteteve apostolike, Imzot Gjoni nxori rregulla dhe urdhëra, për të cilat Papa Inoçenti IV e vlerësoi dhe e lavdëroi.2, 6, 10]
Sipas historianes Etleva Lala, Kur At Gjon Plan-Karpino OFM u emërua kryeipeshkëv i Tivarit, ishte koha kur pas përpjekjeve të shumta për autonomi nga Raguza, Veriu i Albanisë po piketonte ndjenjat e shqetësimit jo vetëm kundër Raguzës, por dhe kundër Papatit, i cili kishte shkishëruar disa ipeshkëvë të Tivarit, vetëm pse ata nuk i ishin nënshtruar kryeipeshkvisë së Raguzës”.9]
Problemi serioz i atyre viteve ishte se benedektinët dhe domenikanët nuk po u rezistonin presioneve të ortodoksisë serbe e për këtë arsye, Imzot Gjon Plan-Karpino, dërgoi fratët minoritë italianë dhe albanezë nëpër famullitë e ndryshme albaneze, ku ata morën në dorëzim shumë kisha dhe manastire benedektine dhe domenikane. Ky ishte veprim i mençur i Imzot Gjon Plan-Karpino, pasi kishat dhe manastiret të braktisura, rrezikonin të merreshin nga klerikët ortodoksë, që bridhnin nëpër trojet arbërore.2, 6, 9, 12]
Fragment nga libri i M. Da Civezza, ku përshkruan figurën e Imzot Gjon Pian Karpino OFM dhe vlerësimet e Papa Inoçenti IV, kur e emëroi arkipeshkëv metropilitan i Tivarit në Albania.
Vlen të theksojmë se në fillimet e aktivitetit të misioneve françeskane në trojet albaneze, ishin të pranishëm dhe shumë fretër minorë albanezë, ndër të cilët rendisim disa më të shquarit:2, 6, 16, 17, 18]
-At Nikolla Abacia nga Velia,
-Dy misionarë OFM me emrin Françesk nga Shkodra,
-Dy misionarë OFM Andrea dhe Tomasi nga Durrësi,
-Nicolaus Durrachio OFM (Nikolla Durrsaku). Në bulën e Papa Inocennti IV të 2 shtatorit 1254, drejtuar John d’Aversa, ministrit Provincial të Fretënve Minorë të Kalabrisë, e njoftonte për emërimin ipeshkvi i Krotones të Nikolla Durrsakut OFM, për të cilin shprehet: “I shquar për cilësi të shkëlqyera kulturale, politike dhe ekspert i gjuhës latine dhe greke: Dilectum filium magistrum Nicolaum de Durrachio, camerae nostrae clericum, in latina e et grecum lingua peritum”.
Imzot Nikolla Durrsaku, përmendet dhe në një letër të viti 1263, të Michael VIII Paleologut, i cili ia dёrgonte Papa Urbanit të IV, ku i shkruan me konsiderata për aktivitetin apostolik tё imzot Nikollës.
-At Cipriani nga Tivari në vitin 1288, të cilin Papa Nikolla i IV, e dërgoi në takim me mbretëreshën Helena, gruan e Car Urosh Milutinit.
-Fra Domenicus Albanensis OFM 1295, kishte lidhje gjaku me princa të Albanise së mesme.
-At Shtjefni nga Shkodra në vitin 1300, ishte vikar i kuvendit Male Braçe në Dubrovnik. etj, etj.
Pak vite më vonë Urdhëri i Fratënve Minorë u vendos dhe në Ipeshkevinë e Durrësit, e cila mbulonte Arbërinë qendrore, Skampën, Ohrin, Shkupin.6, 8, 9]
Tre urdhërat françeskanë u mirëpritën dhe u përqafuan shpejt nga arbërorët. Nga gjysma e dytë e shek. të XIII dhe në vazhdim, françeskanët përbënin numrin më të madh të klerikëve në trojet tona, madje u hynë në thellësi të zonave malore, ku zëvendësuan benedektinët dhe domenikanët, që i kishin braktisur kishat dhe manastiret. Françeskanët fituan admirimin dhe përkushtimin e besimtarëve, të cilët tregonin rrëfenja dhe legjenda për Shën Françeskun, për devotshmërinë e Shën Antonin i Padovas dhe të shumë klerikëve françeskanë.
Papa Bonifaci VIII me bulën “Cupientes Cultum” të shpallur më 11 korrik 1295, i lejoi të Tretët Rregulltarë, të krijojnë vendet e kultit, si dhe të intensifikojnë misionet me udhëtimet apostolike, për propogandimin e ungjillit ndër besimtarët.12] Aktiviteti i Urdhërit të Rregulltarëve u shtri dhe në Albania, si e dëshmon një figurë e shquar e të Tretëve Minoritë, Galvanus di Levanto Januensis, që ishte mjeku personal i Papës Bonifaci VIII (Al Santissimo Pontifice, Galvano di Levanto, di Genova, una volta medico).12]
Galvanus di Levanto Januensis OF, është autori i disa dorëshkrimeve, të përmbledhura në vëllimin: Manuscritum Latin N. 3181 Biblioteque Nacionale Paris, fol. 28 r.12]
1.Dorëshkrimi i parë është “Liber doctrinae agni immaculati Ih. Christi, ad reverendum magistrum sum, fratem Benedictum de Alba, Ordine Fratum Minorum”, i cili i bën lutje sublime Jezu Krishtit: “Ergo bone Iesu Christe, agnus immaculatus, te observo reverenter, doce me quod tenear de doctrina tue humulitatis profunde, ut jam totus in disciplina discipulus, coheres mera gratia valeam ese tuus”
2.Dorëshkrimi i dytë: “Liber de amando Deum”, i dedikuar “Fratrem Minorum Ordinis Francisci”
3.Vepra e tretë është: “Tyriaca mortis spiritualis gradiens super tyriacam medicorum”, dedikuar fratit Filip Pynaoli (Philiponum de Pynarolio), Ordinis Fratrum Minorum.
4.Dorëshkrimi i katërt: “Tractatus alphabeti christifere Marie…” ia ka dedikuar fratit Andrea Panzannum Ordinis Fratarum Minorum.
5.Dorëshkrimi i pestë: “Ars navigativa spiritualis” ia ka dedikuar Ministrit Provinciale të Tokës së Shenjtë, fratit Nikola de Sali OFM, me qëndrim në Qipro.
6.Dorëshkrimi i gjashtë i vitit 1295, është traktati “Neophyta doctrina de inferno, Purgatorio et Paradiso ad Principes Albaniae – Doktrina e re e ferrit, purgatorit dhe e parajsës, për princat Albanezë”.12]
Galvano di Levante thekson se këtë traktat e shkroi me kërkesat insistuese të fratit Domenico Albanese OFM, i cili atë kohë ishte shuguruar prift i Kishës katolike. Fra Domeniko (Deda) ishte nipi i një princi albanez. Galvano shkruan se Fra Domeniko i përsëriste shpesh kërkesën: “Impara, o medico cristiano, impara dal medico che è disceso dal Cielo, qui de celo descendit ut sanaret egrotos, ne differas”.12]
Frati Domeniko jetonte në Genova, ku kishte familjen e tij dhe disa bashkatdhetarë.
Gjatë udhëtimeve apostolike në Albania, Frati Domeniko Albaneze (Deda), u kishte dorëzuar princave dhe klerikeve vendas, kodin e shkruar nga Galvano, i cili në parathënie iu drejtohej: “Agli illustri uomini di onore dell’Albania, ai signori Bardo Matarango, Mauro Duci, Alessio Comiti, Demetrio Olfano, Demetrio Scura, al conte Giovanni, figlio di Zaccaria Scurra, Giovanni Sbramuno, Canestio Blevestio, cavalieri, Michele Cachoraga e a tutti gli altri baroni neofiti della nazione Albanese, per la restaurazione della fede ortodossa e la riconciliazione per il buon proposito verso la Santa Chiesa Romana” – të shkëlqyerve burrave të nderuar të Albanisë, zotërinjëve Bardh Mataranga, Mauro Duçi, Aleks Komiti, Demetrio Olfano, Demetrio Skura, kontit Giovanni (Gjoni), djalit të Zakaria Skura, kalorëseve Giovanni (Gjon) Sbramuno, Kanestio Blevestio (Blinishti?), Mikel Kakoraga dhe të gjithë baronave rishtarë të kombit albanez, që e braktisën besimin ortodoks dhe janë pajtuar përsëri me Kishën e Shenjtë Romane”.12]
Goluboviç, thekson se ky dorëshkrim është një faqe tjetër e panjohur e historisë së apostolatit françeskan në Albania. Megjithatë, historia e këtij kodi dhe roli i Fra Dedës OFM, përmenden nga historiani Kohler, në veprën e tij “Mélanges pour servir a l’histoire de l’Oriente Latin et des Croisades”, i cili përshkruan dhe disa pjesë të tekstit të këtij kodi.12, 15]
Në këtë dorëshkrim titujt e fisnikërisë së princave arbërorë janë perëndimorë, çka shpreh qartë konvertimin e tyre në katolikë, në ndryshim nga një pjesë e fisnikërisë arbërore që vazhdonte të mbante tiutjt bizantinë, ose të dy së bashku, si rasti i Dhimitër Progonit, që njihej si Arkondi i Madh dhe “Judex Magnum”
.
Frontespici i dorëshkrimit me emrin e Galvanus Di Levanto Januensis, autor i kodikut i vitit 1295: “Neophyta doctrina de inferno, Purgatorio et Paradiso ad Principes Albaniae”.
Frontespici i dorëshkrimit me emrin e Galvanus Di Levanto Januensis, autor i kodikut i vitit 1295:
“Neophyta doctrina de inferno, Purgatorio et Paradiso ad Principes Albaniae”.
Murgu Deda (Domeniko Albaneze) ishte klerik i njohur, i shquar për zotësí dhe dije, madje Selia e Shenjtë e Romës shpesh e kishte ngarkuar të ndërmjetësonte pranë princave albanezë, që të ktheheshin në kishën katolike, pasi kohë më parë, shumica e tyre kishin përqafuar ortodoksinë, për interesa me mbretërinë sllave, ndërsa ato të trojeve jugore, vazhdonin t’i shihnin me interes lidhjet me Bizantin dhe Kishën e Kostantinopojës.6, 8, 12, 15 Konvertimi i fisnikëve në katolikë, shoqërohej dhe me kthimin e të gjithë banorëve.
7.Galvano ka dhe një dorëshkrim tjetër “Liber Sancti Passagii”, shkruar para vitit 1295, me të cilin i drejtohej mbretit të Francës Filipi i Bukuri, por ky traktat nuk paraqet interesa për ne.
 Papa Inoçenci i IV, i kënaqur për aktivitetin e misionarëve françeskanë në Albania, zgjodhi ndërmjet tyre më të shquarit dhe emëroi njërin Kryeipeshkëv të Zarës, tjetrin Kryepeshkëv i Tivarit (pas vdekjes së At Gjon Plan – Karpinos), si dhe emëroi fratën françeskanë, ipeshkëvë në disa dioqezat sufragane.
Në shek. XIII – XV, Kryeipeshkëvia e Tivarit, mobilizoi shumë fratën minoritë italianë dhe albanezë, të cilët i dërgoi me misione për të predikuar ungjillin dhe për të mobilizuar popullin kundër heretikëve, shizmatikëve dhe paganëve në Serbi, Bosnje, Kroaci, Valaki dhe ne Moldavi, duke kontribuar në ripërtritjen besimit katolik edhe në këto vende.2, 7]
.

Literatura:

1.Anastasi L. M. Bartolini R. Breve storia della famiglia Francescana. Convento di Monteripido, Perugia. Epifania 2013. f. 80
2.Marcellino da Civezza M. O. storia universale delle missioni francescane. Vol I. Roma Tipografia Tiberina. 1857, f.124-125
3.Golubovich Girolamo OFM. Della Terra Santa e dell’Oriente Francescano. Tom III (dal 1303-1332). Firenze. Collegio di San Bonaventura 1919, f, 90 dhe 225
4.Tommaso da Celano1. Vita prima di San Francesco d’Assisi, 1228.
5.Alia Lutfi. Urdhëri Françeskan në Shqipëri. I, II Zemrashqiptare 2014.
6.Primaldo Koko OFM. Miscellanea. I francescani in Albania. Rivista Studi Francescani Nr XXX; 1940, f. 229-247.
7.Shalloczy Illyrisch-Albanische Forchungen II, pg 207. Cituar M. Da Civezza, Roma 1861 pg 395
8.Daniele Farlati: Illiricum Sacrum. 1751, VII, f. 35).
9.Etleva Lala: Klerikët shqiptarë të mesjetës në arkivat e Dubrovnikut. Pashtriku.org, 15. 05. 2016
10.Donato Fabianich. Storia dei frati minori, 1863, v. II, f. 337
11.Wadding. Annales anno 1366, nr. 15 e 16),
12.De Gubernatis. Orbis Seraphicus, 1682, lib. I , f 109 dhe libri V, f. 414
13.Šufflay Emilianus. Acta et Diplomata res Albaniae Medievalae aetatis Illustrantia. Vol I. II. Zagabria 1918, f. 402
14.Galvanus de Levanto Januensis. Neophyta doctrina de inferno, Purgatorio et Paradiso… ad Principes Albaniae. Biblioteque Nationale de France. Departement de Manuscrite. Latin 3181. Roma 1295, f. 89.
15.Charles Alfred Kohler, Revue de l’Orient Latin e des Croissade, Vol. VI (1898), pp. 343-369
16.Virgilius Greiderer Storia dei fratti minori, dai primordi dalla loro istituzione 1777. Lib I” f. 120.
17.Alexis Alexander: Codex Parisinus Graecus 1115. Ribotim i vitit 1996, faqe 237-238
18.Fra Unghelli N. Coleti: Italia sacra; Vol IX. Venice 1721. f. 385
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.