Im atë Vasili (1898 – 1962) e njihte greqishten e vjetër, greqishten e re, turqishten, frëngjishten, italishten, vllahishten dhe pak sllavishte, njihte dhe recitonte vargje në origjinal të Homerit.

Gazeta

DE VOCALIBUS AA, AE, AĒ, AO, AŌ, APUD HOMERUM NON CONTRACTIS
DE VOCALIBUS AA, AE, AĒ, AO, AŌ, APUD HOMERUM NON CONTRACTIS
Julius Valaori – Ballauri (1867 – 1936)
studiuesi i parë, prej trojeve tona që kreu hulumtime, rreth gjuhës së Homerit.
nga Ilia V. Ballauri
(Tradita homerike në familjen tonë)

Im atë Vasili (1898 – 1962) e njihte greqishten e vjetër, greqishten e re, turqishten, frëngjishten, italishten, vllahishten dhe pak sllavishte, njihte dhe recitonte vargje në origjinal të Homerit. Pas shumë e shumë vitesh, gjatë shqipërimit tim të gjithë veprës së Homerit, i kam recituar vetë me zë të lartë çdo mëngjes për vite me rradhë, të gjitha vargjet homerike, madje si e kam shkruar edhe më parë, gjithë puna ime me Homerin përbën rreth 5000 faqe të botuara.
Pavarësisht, tradita homerike në familjen tonë shtrihet thellë, mbi 120 vjet më parë, me kushërinë e babait, doktor profesor Ilia D. Ballauri, për të cilin po sjell informacionin e mëposhtëm që e kam vendosur, tek Botimi im i Iliadës 2013, në fund të rapsodisë së 10-të, Vol. 1, fq 336.

* * *
Julius Valaori ose, Iliu Valaori, i njohur në Voskopojë, si Ilia Diamantush Ballauri, (1867-1936) linguist, helenist, specialist në indoevropianistikë, në gjuhësinë e krahasuar, profesor në Universitetin e Bukureshtit dhe më pas rektor aty, si dhe akoma më pas, Ministër i arsimit dhe i edukatës së Rumanisë, autori i një sërë punimeve filologjike dhe veçanërisht, i teksteve helenistike për arsimin rumun, i njohur për punimin e tij me titull, “Der Delphische Dialekt” (1901), ka mbrojtur disertacionin (dissertatio) në Berlin më 1902, me punimin e tij që lidhet me problemet fonetike, të zanoreve të gjuhës së Homerit, punim të cilin ai e ka shkruajtur në latinisht dhe e ka titulluar:
DE VOCALIBUS AA, AE, AĒ, AO, AŌ, APUD HOMERUM NON CONTRACTIS. (shih foton), nën drejtimin e helenistëve më të njohur gjermanë, si: Dielsii, Kirchhoffii, Wilamowitzii (ky i fundit i njohur për debatet e tij helenistike me Nietzsche), etj.
Në indoevropianistikë, Ilia D. Ballauri ishte pasues i teorisë së linguistit, Jones Williams. Studimet e Valaorit në këtë fushë, përkonin me ato të indoevropianistëve të njohur Schraeder dhe E. de Michaelis (1903) dhe u përkrahën më pas edhe prej W. Merlinger (1955).
Julius Valaori, u lind në Voskopojë dhe familja e tij u shpërngul prej këtej, aty nga mesi i shek. 19-të dhe u vendos në Bukuresht, duke patur çifligje edhe në afërsi të Konstancës, në Nishipari. Valaori ishte brezi i tretë prej të njëjtit stërgjysh, nga rrjedh edhe unë. Ai gjithmonë e kujtonte me respekt, Voskopojën dhe Korçën. Në Bukuresht ka një rrugë që mban emrin e tij, në Nishipari të Konstacës, ka një gjimnaz po ashtu që mban emrin e tij, ndërsa në qytetin Cernauci (ukr. Cernovci) ka patur dikur një lice tregtar aty që edhe ky, mbante emrin Iliu Valaori.
Ndërkaq në fushën e homeristikës, Valaori është njëkohësisht i pari studiues me origjinë prej trojeve tona, që kreu hulumtime të nivelit botëror, krahas studiuesve të tjerë, rreth gjuhës së Homerit.
Këtu jepet një pamje e punimit të tij, të ribotuar në vitin 2010.
Ilia V. Ballauri ©

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit