Vendi ku gjarpërinjtë hanë macet! – nga Rezart Palluqi

Gazeta

At Zef Pllumi (2005)
At Zef Pllumi (2005)
Vendi ku gjarpërinjtë hanë macet!
nga Rezart Palluqi

At Zef Pllumi u habit dhe pyeste vazhdimisht veten: Si është e mundur që një vend kaq i vogël si Shqipëria të lindë kaq shumë rrugaçë e maskarenj?
Në këtë pikë, At Zef Pllumi ka qenë i dyfytyrë! I metë nuk ka qenë, me siguri. Përkundrazi. At Zef Pllumi, njeri i letrave dhe njohës i jashtëzakonshëm i shpirtit njerëzor, nuk mund të mos e kuptonte se gjarpërinjtë shtohen, u trashet qafa, u mprehen dhëmbët dhe u zgjatet bishti atëherë kur macet arratisen, duke lënë pas këlyshët e tyre.
Këta këlyshë, nënat mace nuk i mësuan se si t’i zmbrapsnin gjarpërinjtë, si t’u ngulnin thonjtë në fyt ose, së paku, si t’i detyronin të qëndronin larg foleve të tyre.
Jo!
Macet ia mbathën për të shpëtuar veten. Parë në vija të trasha, kjo ishte e drejta e tyre. Por, parë në vija të holla, në ato vijat përfytyruese që At Zef Pllumi aq mirë i njihte, këto mace pushuan së qeni nëna. Nuk mund të miaullijnë më për fëmijët e tyre.
Edhe nëse i morën disa prej tyre me vete, lanë pas një fëmijë tjetër: folenë, Atdheun, prindërit, xhaxhallarët, mbesat, nipërit… Dhe këtu më duhet ta përfshij edhe veten time, që po i shkruaj këto rreshta.
Rrjedhimisht, gjarpërinjtë shtohen. Madje, stërshtohen.
Kafshojnë macet e braktisura. Kafshojnë macet e dobëta. Kafshojnë ato mace që, për të mbijetuar, detyrohen të lidhin marrëveshje tragjikomike me gjarpërinjtë dhe të shndërrohen, pak nga pak, në mace-zvarranikë.
Mirëpo edhe ato pak mace që nuk u arratisën bënë paqe me gjarpërinjtë. Shpesh fshehurazi. Shpesh në heshtje. Shpesh në emër të mbijetesës.
At Zef Pllumi ndoshta u bë vegël e Sigurimit të Shtetit në burg, e ndoshta kjo hije e kësaj marrëdhënieje, sipas kësaj pikëpamjeje, e përndoqi edhe pas vitit 1991, e ai nuk e gjeti forcën t’i kafshonte gjarpërinjtë. Përkundrazi, i la të vërtiteshin rreth e rrotull hijes së tij.
Dhe tani besoj se e kuptoni se sa boshe ishte habia e At Zef Pllumit për një vend kaq të vogël që pjell kaq shumë rrugaçë, lëtyra e gjarpërinj.
Jetojmë në një vend ku gjarpërinjtë hanë macet!
Ka, megjithatë, një numër shumë të vogël macesh që kanë shpëtuar nderin e familjes së tyre. Janë pak. Shumë pak.
Këto mace kanë arritur t’i stërvitin këlyshët e tyre të vetëmbrohen prej gjarpërinjve. Por edhe ato ecin nëpër rrugë si balerina: me kujdes, me sy hapur dhe me gjak të ngrirë në deje, sepse nga të gjitha anët u dalin përpara gjarpërinj që kafshojnë, gërvishtin dhe keqtrajtojnë macet e tjera – ato të dobëtat, të pambrojturat, ato që nuk dinë ose nuk mund të mbrohen.
Këto pak mace mund të sillen si mace të vërteta vetëm në pemën e ullirit që rritet në zemër të kopshtit të tyre.
Vetëm aty janë të sigurta.
Vetëm aty mund t’i nxjerrin thonjtë.
Vetëm aty mund t’i mprehin.
Dhe vetëm aty mund të kujtohen se çfarë do të thotë të jesh mace në një vend ku gjarpërinjtë kanë mësuar të hanë macet.
27 shtator 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit