Vëzhgim mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashkëkohore – nga Robert Elsie

0
12
Robert Elsie - Një fund dhe një fillim - 1994
Robert Elsie - Një fund dhe një fillim - 1994
Lazër Radi, Robert Elsie, Jozef Radi, 1992
Lazër Radi – Robert Elsie – Jozef Radi – viti 1992

Vëzhgim mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashkëkohore

nga Robert Elsie

Lazër & Jozef Radi
Muret e muzgut. Poezi.
Tiranë, Lilo, 1993, 160 faqe.
.
Në këto kohë Shqipërisë mund t’i mungojnë shumë gjëra, por jo poetët. Shqiptarët si popull, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë e në Maqedoninë Perëndimore, janë të lidhur gati-gati në mënyrë mistike pas gjuhës e pas poezisë së tyre. Atje, janë të paktë ata që mund të kenë dëshirë dhe durim për të lexuar romanet vendas, por nuk është kurrësesi rast i rrallë po të dëgjosh se puntorë të varfër fabrikash apo bujq të thjeshtë shpenzojnë ç’u mbetet nga pagat e tyre nevojtare për një libër me vjersha. Ky është një vend ku intelektuali, i cfilitur nga një gjysëm shekulli burgimi e internimi, prapëseprapë gjen kohën dhe prehjen për t’iu kushtuar kënaqësive që sjell poezia, apo fuqinë për të botuar një vëllim me vjersha pas një kalvari të tillë të papërshkrueshëm.
Lazër Radi, i cili ka lindur në Prizren më 1916, u rrit në Shkodër dhe ka mbaruar studimet për drejtësi në Romë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kaloi dyzetegjashtë vjet të jetës së vet në burgje dhe kampe internimi të Shqipërisë dhe mbeti gjallë. Ai qe arrestuar për arsye politike në nëntor 1944, në po atë muaj që quhej i “çlirimit”, dhe u lirua vetëm pas rënies së diktaturës.
Në vëllimin e tij të parë poetik të botuar, “Muret e muzgut”, Lazër Radi paraqet një cikël meditativ prej pesëdhjetekatër vjershash të shkruara nga nëntori 1945 deri në shkurt 1991, shumë prej të cilave qenë ruajtur për vite me radhë në një qese plastmasi të fshehur nën tokë “underground” në kuptimin më të kthjellët të fjalës. Ato janë përsiatje poetike prekëse e emocionuese të mbrujtura me ankth, vuajtje e shpresë.
Robert Elsie - Një fund dhe një fillim - 1994
Robert Elsie – Një fund dhe një fillim – 1994
“Muret e muzgut” është një përmbledhje e veçantë në disa pikëpamje. Në të vërtetë kemi dy vëllime në një, sepse përmban poezinë e babait dhe të birit.
Jozef Radi pat lindur në janar 1957, dhe e kaloi në fakt gjithë jetën duke u rropatur nga një kamp i ndyrë përqëndrimi në tjetrin. Në regjimin e Enver Hoxhës, pas arrestimit politik të një personi, vinte zakonisht internimi apo përndjekja e tërë familjes, madje deri të kushëriri i dytë. Kësisoj që Jozef Radi, pat lindur si skllav në një shoqëri të ashtuquajtur pa klasa, duke mos patur asgjë përveç emrit, gjuhës dhe ëndrrave të tij. Shtatëdhjeetre vjershat e Jozef Radit, të renditura në tre cikle, ndjehen të plota në këtë përmbledhje dhe janë një provë e mjaftueshme për talentin e nji shkrimtari që nuk është më nën hijen e babait të vet më të shquar.
Lazër dhe Jozef Radi nuk janë veçse dy emrat e një aradhe poetësh e shkrimtarësh që po çelin një kapitull tjetër në letërsinë shqiptare, atë pas apokaliptisit.
.
Botuar në World Literaturë Today (Letërsia Botërore Sot) 68.3, verë 1994. Botuar edhe në librin “Një fund dhe një fillim” e Robert Elsiesë (fq.165-166)
.
Muret e Muzgut - Lazer & Jozef Radi (1993)
Muret e Muzgut – Lazer & Jozef Radi (1993)

 

Related Images:

Artikulli paraprakKllounada e Ligjërimit Publik në një shoqëri të shthurur – nga Erl Kodra
Artikulli tjetërMinistri shqiptar që shpëtoi 2000 hebrej!
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.