back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Vrasja e Bardhok Bibës dhe vrasja e 14 të pafajshmëve… – 17 gusht 1949, dita kur nisi rrënimi i Mirditës

Gazeta

Masakra e Valmirit - një klithmë ndër shekuj
Masakra e Valmirit – një klithmë ndër shekuj

Vrasja e Bardhok Bibës dhe vrasja e 14 të pafajshmëve…

17 gusht 1949, dita kur nisi rrënimi i Mirditës

 

“Krahu i duhur i historisë” –

genocidi më shfarosës që ka njohur Shqipëria

nga Veronika Hasani

N’qaf t’Valmirit të Mirditës,
Fort po vriten krah’t e Shqipes!!
Shkallës Madhe kush po zbret?
T’lidh me tela vajmedet,
jo ma pak se katërmbdhetë…
Shtatë ditë burg e jo ma shumë,
ditën e tetë n’litar e n’plumb…”
.
Bardhok Biba
Bardhok Biba

Kështu do të vajtonte Mirdita pas Masakrës së 17 gushtit në Valmir!

Nuk u mjaftuan me kaq, ata që na çliruan nga gjermani, për të na pushtuar shqiptari. Burgosën 500 burra, e internuan 300 familje.
Këtë s’e kishte bërë as gjermani, si pushtues, në gjithë Shqipërinë.
Çlirimpushtuesit tanë e bënë në vetëm një krahinë.
Të varurit:
1.Preng Ded Kola – Orosh.
2.Pjetër D. Vila – Kaçinar.
3.Dodë Mark Biba – Kthellë Epër.
4.Pjetër Paloka – Kaçinar.
 
Të pushkatuar:
1.Nikollë Bardhok Bajraktari – Rrëshen.
2.Llesh Gjon Mëlyshi – Malaj.
3.Nikoll Llesh Bajraktari – Orosh.
4.Ndrecë Mark Ndoj – Kaçinar.
5.Bardhok Dodë Gjini – Prosek.
6.Gjok Gjin Kaçi – Bukmirë.
7.Gjergj Beleshi – Kthellë Epër,
8.Ndoc Gjet Çupi – Blinisht.
9.Preng Shkurt Nikolli – Orosh.
10.Frrok Mata – Kaçinar.
U varën e u pushkatuan si të dyshuar për vrasjen e Bibës.
 
Si të dyshuar….
Gjergj Beleshi, u pushkatua për të vëllanë, Dodën.
Ata që ishin në “krahun e duhur të historisë…” pushkatonin e varnin të dyshuarit, madje, kur njëri vëlla nuk ishte, merrnin tjetrin… “krahu i duhur i historisë”, kishte marrë 17 burra, për të qenë në perfeksion me datën 17 dmth, jo se kishin lidhje me vrasjen.
Krahu i duhur i historisë kështu vepron, i ka data dhe numra në simbiozë perfekte. Tre burrat e tjerë
 
Ndue Gjon Fusha, (Rubik),
Mark Ded Gjomarkaj, (Orosh),
Kolë Ndue Gjomarkaj, (Orosh),
do të vdisnin në burg, sepse “krahu i duhur i historisë”, e ktheu vendimin nga pushkatim në burgim të përjetshëm.
“Krahu i duhur i historisë”, nga që ndihet i duhur i ka krahët të zhytur në gjak, më lart se brryli në: Masakrën e Valmirit, Masakrën e Tivarit, Masakra e Buzëmadhës – Lumë, Masakra e Tiranës… Spaç, Qafë Bari, Burrel, Tepelenë, Batër, Sarandë, Lushnjë, Tiranë…
“Krahu i duhur i historisë” është genocidi më shfarosës që ka njohur Shqipëria.
Respekt e mirënjohje ktyre burrave!!
.
Marre nga Muri i Fb i Veronika Hasanit, 17 Gusht 2020
.
 Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, kërkon lënien në fuqi të vendimit për dënimet me vdekje
Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, kërkon lënien në fuqi të vendimit për dënimet me vdekje

Vrasja e Bardhok Bibës dhe vrasja e 14 të pafajshmëve

nga Kastriot Dervishi

Vrasja e sekretarit politik të Mirditës, Bardhok Biba, u krye nga organi i shpagimit të Nënkomitetit Krahinor të Mirditës, orën 16.30, të dielën e datës 7.8.1949, në kohën kur Bardhoku po kalonte për të shkuar në një konferencë komuniste në Kaçinar. Mbi kufomë iu la vendimi i nënkomitetit në fjalë. Në orën 21.30 të datës 7 gusht, kufoma e Bardhok Bibës u vendos në sallën e komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Mirditës, ndërsa ceremonia e varrimit u zhvillua të nesërmen.
Vrasja e një sekretari politik rrethi ishte goditja më e madhe që mund t’i bëhej regjimit komunist në atë kohë. Aftësia e regjimit për të zbuluar e gjetur autorët ishte zero. Për këtë arsye, u pëlqye të përdorej metoda e terrorit mbi popullsinë civile. Të gjithë ata do etiketoheshin si “strehues kriminelësh”. Në drejtimin e dy këshilltarëve sovjetikë që bënin, ndaj krahinës së Mirditës filloi një terror tipik sovjetik. Si edhe në raste të tjera, u bë kategorizimi i popullsisë.
 
Nga Rrësheni, më 9.8.1949, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Mehmet Shehu i telegrafon drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndou, duke e urdhëruar të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën. Shehu thotë se nga 44 fshatra, për dy ditë do ndërmerrej njw operacion në 33 prej tyre.
Do arrestoheshin:
 
-31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)
-84 të kategorisë së dytë (për dënime me burgim)
-17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës).
.
Martirët e Qafës së Valmirit Mirditë
Martirët e Qafës së Valmirit Mirditë
Shehu kërkon edhe internimin e 9 familjeve të Gjon Markut dhe 15 arrestime të tjera në Lezhë. Rekomandon që Gjykata Ushtarake të vijë në Rrëshen më 12 gusht. Procesi ndaj grupit të dyshuar si të lidhur me ata që vranë Bardhok Bibën u zhvillua me të shpejtë.
Si edhe rastet e tjera të këtij lloji, procesi ishte i parregullt edhe nga ana administrative. I vetmi hetues që merret vesh ishte Isuf Kullolli. Nuk figurojnë hetues të tjerë dhe as procese ndaj të pandehurve. Janë futur në dosjen hetimore-gjyqësore edhe proceseve të të pandehurve të viteve të mëparshme.
26 të pandehurit janë arrestuar më 11.8.1949. Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e përbërë prej nënkolonel Bilibil Klosit, kapiten I Sotir Spiros, kapiten II Nonda Papulit, duke pasur pranë prokurorin e ushtrisë major Misto Bllaci. Gjykimi është zhvilluar i shpejtë, pa asnjë logjikë juridike. Brenda vendimit ka edhe gabime emrash, mungesë argumentesh, etj. Të pandehurit u cilësuar me përjashtim të njërit “të gjithë bashkëpunëtorë të bandave të armatosura”. U akuzuan në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kondra popullit dhe shtetit”. 14 u dënuan me vdekje (4 me varje në litar). Më I riu ishte 19 vjeç e më i madh 67 vjeç. Më 16.8.1949, të dënuarit me vdekje iu drejtuan Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. Spikat dokumenti pasi vetëm 5 nënshkrime janë. Të tjerat janë gishta të njollosur. Teksti i kërkesës është shkruar nga ndonjë zyrë këshillimore dhe vetëm është sjellë për nënshkrim.
Pasi vendimi i gjykatës ishte i formës së prerë, më 17.8.1949, kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, nënkolonel Biblil Klosi, njofton Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, se asnjë prej të dënuarve nuk lidhej me aksionin e vrasjes së Bardhok Bibës, por në gjykimin e tij ishin “strehues, ndihmësa e bashkëpunëtorë direkt ose indirekt me bandën e kriminelëve të arratisur që ndodhen në arrati në krahinën e Mirditës”. Pra asnjë i akuzuar drejtpërdrejt. Menjëherë, brenda ditës Ministria e Mbrojtjes Kombëtare me nënshkrimin e zëvendësministrit, gjeneral-major Hysni Kapo kthen përgjigje se ishte dakord me opinionin e Bilbil Klosit. Kësisoj në kohë rekord, Presidiumi i Kuvendit Popullor, zhvilloi mbledhjen e nr. 270 të datës 17.8.1949, në orën 12.00. Në mbledhje u kopjuan fjalët e Bilbil Klosit dhe lutjet nuk u morën parasysh.
Marre nga https://55news.al/dossier/item/250947-1949-vrasja-e-bardhok-bibes-dhe-vrasja-e-14-te-pafajshmeve?
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.