Pesë Poezi nga Lazër Radi (Muret e Muzgut, 1993)

Lazer Radi 1916-1998

Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Lazër Radi – Pesë poezi

 Gjana që s’mund të harrohen lehtë!

“Kur më futën në burg
lashë gruan me gjithë vajzën,
kur dola nga burgu,
gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur”.

A të kujtohet, o grua e dashtun,
Helmi i ditëve të çmenduna,
Kur na detyronin me vallzonim
Me pranga ndër kambë e duer?

Vall asht e mundun me u harrue
Dëshirat e shkeluna, qelive hedhun,
Fëmijët që lindëm e ndër duer na vdisnin
Kur “të lumtunit” i thurnin lavd dhunës?

A thue vallë, mund të harrojmë;
Kur me kryq mbi shpinë silleshim
rrugave, në heshtje të përgjakur
Pa mundun unë të isha ti, e ti të ishe unë?

Ndoshta nji ditë harrohet gjithçka,
Harrohen edhe ato që jetën n’palcë na e brejtën
Harrohen edhe vdekjet që s’mundëm t’i mbulojmë,
Po s’do t’harrohet kurrë besimi dhe shpresa që ruejtëm.
Tiranë, maj 1954.

Ave Cezar!

Gladiatorë:
namët e urrejtjes mbi ju i kam hedhë,
jo për fatin e keq të skllavit,
as për mallkimin e hidhët të ndëshkimit,
veç për at qëndrim të ulët
lajkatar e të nënshtruar,
atje poshtë, n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar!

Ave Cezar!?
I përgjakuni gjakatarin përshëndet,
n’triumf të vdekjes!
Dhe ai gisht ogurzi, kthyer poshtë,
në teh të shpatës
a në bri të demit,
të mbytun në gjak ju lan…
Dhe ju prap si të marrë,
n’grahmat e mbetuna të jetës,
ulërini me sa frymë keni
atje në fund të arenës
Ave Cezar! Ave Cezar!…
Savër, 1984

Shtigjeve të Kashtës së Kumtrit

Duarbosh në xhepa të zbraztë,
në xhepa të grisun,
flokëshpupurisun
n’duart e erës,
vështrimin turbull,
vagabond pa emër,
larg shkoj… larg,
thellësive të kotësisë,
ndoshta shtigjeve
të Kashtës së Kumtrit
apo yjsive të shueme
…pa gjetë ngushëllim askund.
I lodhun ndër tehe shkambijsh,
me bërryla i çaja
kalimtarët e heshtun
që rropateshin të iknin
kambadoras para meje!
Sa dëshira të humbuna
këtyne rrugve spërkatë me gjak!
Sa andërra të tretuna
pa prekë agimin e ditës së pritun!
Me purteka thane
e ngacmoja shpresën,
e joshja, e thirrja
me m’falë pak,
oh fare pak dashni…

E ajo, tinzare si dhelpën
shtirej se zbriste prej Kashtës së Kumtrit
e m’futej pa u ndje në gji.
1988

Tallja e heshtjes

Nëpër natën e gjatë
m’u ba sikur dikush m’thirri:
Nji zà i njoftun,
nji zà i dashtun,
si zà fëmije m’u duk!
I hapa krahët
me e rrokë at’lajmëtar
që m’ftonte me ikë prej natës!
Po… krahët më mbetën pezull!
Veç hija ime,
humbte pa lamtumirë
nëpër zemrën e territ…

Në at heshtje tallëse
humbi si hije nji andërr,
humbi gjithkush prej nesh
diçka prej vetvetes…
Grabian, 1966

Pas vajit

Vajto çastin e humbun
dhe fjalën e shterrun,
Vajto dritën e ndalun
dhe nderin e shkelun,
Vajto lirinë e varun
dhe shpirtin e bjerrun,
dhe pas shgrehjes së vajit eja,
shkundma dremitjen
e n’përqafje
ta rrokim buzqeshjen.
1984
(Marrë nga libri “Muret e Muzgut” 1993)

 

 
 
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Dr. Lazër Radi, Gazeta, Poezia  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook