Muharrem Avdulla Xhakoni: Keqtrajtimet dhe vdekjet në Burgun e Burrelit – nga Kastriot Dervishi

Muharrem Avdulla Xhakoni

Muharrem Avdulla Xhakoni

Keqtrajtimet dhe vdekjet në Burgun e Burrelit -

nga Kastriot Dervishi

Muharrem Avdulla Xhakoni,
shkruan për disa vdekje të ndodhura në Burgun e Burrelit.
Më poshtë pjesa përkatëse e letrës së shkruar në vitin 1963.
Në kllapa janë shënimet e mia plotësuese për çdo person që përmendet.
Në bazë të informacioneve të lexuesve vuajtes në kampe,
këta dy kapterra të përmendur në letër quhen Asllan Uka e Kamber Lipeshani
Në foto bashkëlidhur është Xhakoni para se të dënohej me burgim.
 
Burgu i Burrelit, i njohur fillimisht si Burgu nr. 3 dhe më pas si Reparti nr.321, përmblidhte të burgosurit më të rrezikshëm për regjimin komunist. Në rast se Shqipëria pushtohej prej ndonjë shteti, të gjithë të burgosurit e Burrelit ekzekutoheshin.
Muharrem Avdulla Xhakoni, i vitlindjes 1924, u arrestua në vitin 1955 dhe u dënua me 12 vjet heqje lirie për tendencë arratisje, megjithëse ishte në Sukth kur u arrestua. Ishte një nga të dënuarit e këtij burgu.
Më 20 shkurt 1963, ai dërgon një letër në të cilën bën të njohura torturat dhe vdekjet në Burgun e Burrelit.
Ekstrakt nga letra…
.
Burgu i Ballshit

Burgjet e komunizmit

 

***
Këtë ankesë po e ngre kundra ndihmësmjekut kapter Kamberit dhe kapter Asllanit, të dy efektivë të këtij reparti.
-Kur isha me temperaturë 40 nga gripi aziatik, kapter Asllani më ngriti nga dysheku, me futi në qeli, më zhveshi, më zbathi kur çimentoja ishte e lagur dhe temperatura e të ftohtit (ishte) 8 (gradë) nën zero. Mbas 8 orëve, në atë gjendje, më ngriu gjaku, u paralizova dhe humba ndjenjat. Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në dhomë. U ktheva në jetë nga masazhet e shokëve dhe borseta me ujë të ngrohtë.
-Herën e fundit, më ngre në mesnatë nga dysheku, më futi në qeli e pastaj së bashku me ndihmësmjekun Kamber, më zhveshin, më zbathin, më lidhin me hekura dhe kur duart m’u mpinë, kur duart u nxinë, atëherë m’i tërhoqën, m’i tundën në formë torture.
-Kapter Asllani më nxjerr në oborrin e burgut me imponim kur bien shira të rënda. Pleq, të sëmurë dhe të vobektë që janë të zbathur e me lecka, lagen në shi, pa pas zjarr, ndërresa dhe soba me u terë.
-Kur ecim, kërkohet një heshtje absolute. Po të thuash fjalën mirëmëngjesi, kapter Asllani të fut në qeli me gjithë pasojat e tjera, sikur të ishim hije të vdekura e jo qenie njerëzore të gjalla.
-Po të bësh 5 minuta gjimnastikë në vendin tënd, të fusin në qeli, të zbathur e të zhveshur. Kjo gjë na dëmton të gjithëve, sidomos ata që vuajnë nga reumatizma dhe paraliza të ndryshme.
-Ky kapter ka dhënë urdhër të prerë mos me la kokën, qafën, veshët dhe mos me përdor sapun në mëngjes. Viktimat e këtij urdhri janë me duzina të burgosur. Patër Donat Kurti, pse lau pak kokën, u dënua në birucë. Mori një ftohje në veshkë, si efekt i tre ditëve në qeli pa tesha. Ka tre muaj që bën kura, i shtruar në infermierinë e burgut.
-Kur hapen dyert me dalë në oborr, duhet të ecim me vrap, në formë krosi popullor. Në korridoret e ngushta këputen rripat e nallaneve, të sëmurët pleq rrëzohen. Të pasmit hipin sipër atyre që janë më përpara dhe përsëri dëgjohet e fuqishme komanda e rojës që thotë: Vrap, vrap, vrap. Pra kolona tundet përsëri dhe ata që mbesin në bisht futen të gjithë në birucë.
-S’ka ditë që kur ka shërbimin kapter Asllani të mos zhvishen, zbathen e futen ndër birucat e lagura e gjithnjë pa tesha fjetje, 4-5 të burgosur.
-Me qenë se komanda e ka emëruar si kujdestar të rojeve të tjera, (kapter Asllani) i ka urdhëruar edhe ato të veprojnë si ai. Dënimet e tij, megjithëse të papërfshira në rregullore, të shumtat e rasteve i kalojnë 10-15-30 ditë, pa tesha fjetje, zhveshur, zbathur ndër birucat e lagura. 95% e dënimeve, janë arbitrare.
-Dënimi ynë në biruca që lagen me ujë shiu gjithë dimrit, të zhveshur, të zbathur e pa tesha fjetje, po na shkakton vazhdimisht sëmundje: gastrit, ulçer, interkolit, hemorroide, reumatizëm, paraliza të ndryshme dhe të gjitha sëmundjen e tjera tuberkulare…
Dënime të tilla na kanë çuar dhe po na çojnë në një vdekje që vjen në forma graduale. Ato trupa që me rezistencën e tyre natyrale e durojnë, mbeten invalidë për jetë.
.
Letra e shkruar nga Muharrem Xhakoni (1963)

Letra e shkruar nga Muharrem Xhakoni (1963)

***
Xhevat Korça
I sëmurë prej një viti, kërkonte që të shkonte në spital në Tiranë, për operacionin e ulçerës dhe për analiza dhe kura komplet. Lutjet e tij të herëpashershme verbale dhe me shkrim u refuzuan kategorikisht prej ndihmësmjekut Kamber. Xhevati bëri grevën e urisë dhe mbasi prej kësaj nuk e fitoi spitalin. Vdiq në burg pas 15 ditëve. Ndihmësmjeku Kamber, për justifikimin zyrtar mori një mjek tjetër dhe mbasi i bënë autopsinë, shkruajnë se gjoja kish pasë edhe kancer.
Vdekja e tij dihet nga të gjithë.
(Xhevat Korça – Ish ministër i Arsimit. Profesor, u dënua në gjyqin special më 13.4.1945 me burgim të përjetshëm. Vdiq më 27.7.1959)
 
Gjergj Kokoshi
Ju zu uji i vogël (urina). Kërkesat verbale dhe me shkrim që ta dërgonin në Tiranë, Kamberi iu përgjigj negativisht. Me ndërhyrjen nga lart, u rregullua një automobil, por kur mbërriti në sallën e operacionit të spitalit kombëtar në Tiranë, sëmundja e kishte bërë punën e saj dhe i sëmuri nuk u përgjigj më. Pra zotërinj, një operacion i vogël kirurgjikal i hapte kanalin e urinës së bllokuar, i shkarkonte ujin e mbledhur, siç ndodh çdo ditë në spitalet tona shtetërore dhe i sëmuri Gjergj Kokoshi do ishte gjallë. Ai vdiq pse uji i mbledhur në bark dhe vonesa e operacionit kaloi 20 ditë.
(Gjergj Jacim Kokoshi, lindur më 1904 në Shkodër, profesor, ish ministër i Arsimit arrestuar më 23.1.1946. U dënua më 2.7.1946 si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit” me 30 vjet burgim. Vdiq më 20.8.1960)
 
Estref Myftiu
Vuante nga eperitoniti specifik. Kërkesat e tij për ta dërguar në spitalin e Tiranës u hodhën poshtë për afro 5 muaj nga ndihmësmjeku Kamber. Një analizë që u dërgua në laboratorin e spitalit Tiranë, njoftoi telegrafikisht se i sëmuri duhej të shtrohej në spital për analiza e kura komplet. Me qenë se këto formalitet janë kryer në mënyrë private, ndihmësmjeku Kamber i hodhi poshtë. Kur Estrefi qante si fëmijë dhe premtonte se i paguante vetë shpenzimet e automobilit, Kamberi u tallte se nuk kishte atë sëmundje, por gazra. Thoshte se do shërohej në burg. Me ndërhyrjen e një majori nga Tirana, mbasi sëmundja kishte 5 muaj në aktivitet dhe pasi barku ishte mbushur me ujë deri te buza, e dërguan në spital. Kur po i hiqnin ujin ditën e parë, vdiq. Është provuar shkencërisht se kur eperitoniti është në fillim, shërohet lehtë me streptomicinë. Por kur të sëmurët kalojnë 4-5 muaj dhe barku mbushet me ujë, 99% e tyre vdesin.
(Estref Mehmet Myftiu, i vitlindjes 1898 nga Berati, dënuar më 25.5.1945 nga Gjykata Ushtarake e Beratit me burgim të përjetshëm sepse ishte nëpunës dhe kishte qenë zëvendëskomandant i Ballit në Lushnje. Vdiq më 6.6.1962)
.
Akile Tasi
Vuante nga mëlçia e zezë. Më vonë kaloi dhe botkinin. Ditën e dytë që doli nga infermieria, nga botkini, e futën në birucë me një të ftohtë nën zero. I hoqën kapotën dhe pa asnjë batanije e mbajtën 7 ditë. Mori një të ftohur në mëlçia e zezë që ishte e prekur nga botkini më parë dhe ky komplikacion kthehet në cerozapatike. Të gjithë lutjet me shkrim u hodhën poshtë nga Kamberi. Mbas tre muajsh, i sëmuri vdiq.
(Akile Tasi u dënua në gjyqin special më 13.4.1945 me 30 vjet burgim. Vdiq më 30.1.1961)
 
Ismail Qazimi
Ankohej se vuante një vit më parë prej tensionit të gjakut dhe mëlçisë së zezë. Gjithmonë kërkonte për spital në Tiranë, por Kamberi iu përgjigjej me përbuzje. Duke qëndruar muaj me radhë i shtrirë për vdekje, ai vdiq me një mizerje të pashpjegueshme. Kur drejtoria deshi ta dërgonte në Tiranë, ndihmësmjeku Kamber refuzoi t’i lëshonte raport-thotë i dënuari Zenel Shëndellia.
(Ismail Lik Qazimi, lindur më 1914 në Vasije të Lumës, arrestuar më 24.3.1946 dënuar më 11.12.1946 nga Gjykata e Lartë Ushtarake me burgim të përjetshëm. Vdiq më 16.11.1962)
.
Mbas kësaj letre të gjatë... shënimi i shkout Rita Marko

Mbas kësaj letre të gjatë… shënimi i shkout Rita Marko

Krimet si politikë e Partisë së Punës

Në përfundim të letrës së të dënuarit Muharrem Xhakoni, ju njoh edhe me përgjigjen e ardhur nga aparati i Partisë së Punës. Përgjigja është shumë e qartë se krimet dhe torturat në burgje ishin politikë partiake e shtetërore. Teksti ishte ky:
“Siç duket, i burgosuri Muharrem Xhakoni është nxitur nga njëri e tjetri për të shpifur e trilluar për njerëzit tanë, duke dashur që të vendosin ata të dënuar të pushtetit popullor, rregullat e burgut.
Këta të burgosur, kur ishin jashtë, kanë bërë lloj-lloj planesh në dëm të partisë e të pushtetit popullor, por tani që i zuri drejtësia e popullit dhe i dënoi ata, këta mundohen të shpifin e të vënë rregulla sipas qejfit të tyre.
Rregullat e burgut janë të caktuara dhe të nevojshme për këta armiq…”
Rita Marko
23.2.1963
Marre nga faqja e Fb e Kastriot Dervishit, 4, 5 dhe 6 mars 2018

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook