Mandela i Famshëm dhe Mandelët e Pafamshëm të Shqipërisë Lazër Radi

Agim Musta

Autori Agim Musta

Nelson Mandela i Famshëm…

dhe Mandelët e Pafamshëm te Shqipërisë!!

nga Lazër Radi

(Diskutim mbi librin “Mandelët e Shqipërisë” te Agim Mustës)

Në hyrjen e “Arqipelagut Gulak”, Aleksandër Solzhenjcin thotë: “Një njeri i vetëm s’do të mund ta krijonte këtë vepër. Përveç asaj që kam mundur të sjellë nga Arqipelagu: me rrezikimin e lëkurës sime, me kujtimet e mia, me dëgjimet dhe vrojtimet e mia, materiali, për këtë libër, në formë tregimesh, kujtimesh dhe letrash, m’është dhënë prej 227 vetëve. Këtyre njerëzve nuk e kam ndërmend t’u shprehë mirënjohjen time personale sepse mendoj se kjo vepër duhet të jetë një monument i përbashkët – i ngritur prej miqve – në kujtim të gjithë atyre që u vranë ose u persekutuan…”
Themi se libri “Mandelët e Shqipërisë”, shkruar me shumë dashuri dhe kompetencë nga zoti Agim Musta, është një monument i ngritur për të përkujtuar të rënët dhe të persekutuarit e panumërt të një regjimi çnjerzor. Ata që kanë mbetur gjallë dhe që e kanë përjetuar këtë periudhë tmerri duhet të shkruajnë, duhet të tregojnë, duhet t’u japin zë historive të llahtashme të aq e aq viktimave që u zhdukën pa lënë gjurmë e që sot, një pjesë e persekutorve, përpiqet t’i hjedhin në harresë ose t’i lënë e t’i përpijë fanatizmi komunist. Të vramit dhe të persekutuarit që nuk kanë gojë, duhet të flasin nëpërmjet pendës së palodhur të shkrimtarëve dhe, jo vetëm të shkrimtarëve por edhe piktorëve e mjeshtrave të tjerë të arteve figurative.
Vitet e diktaturës komuniste janë të mbushura me skena makabre të cilat duhen paraqitur. Na duhet piktori i madh, na nevojitet Surikovi dhe kuadri i tij i famshëm “Pushkatimi i snajperve” i asaj kaste luftëtarësh të krijuar nga Ivani i Tmerrshëm, të cilët Pjetri i Madh, në vitin 1697, i shtypi dhe e mbyti në gjak… Në Shqipëri mund të gjinden me mijra skena të tilla të cilat jo vetëm do të piketojnë kohë, por, do t’u japin lavdi dhe admirim autorve të tyre. Shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi me veprën e tyre duhet t’i drejtohen me një apel njerzimit, në mënyrë që, jo veç në Atdheun tonë, por askund tjetër të globit toksor të mos vërtetohen kurr më barbarizma të tilla.

Dr. Lazër Radi - Tiranë 1995

Dr. Lazër Radi – Tiranë 1995

Libri “Mandelët e Shqipërisë” s’është i pari libër burgu i shkruar në vendin tonë. Lexuesi shqiptar njeh përkthimin magjistral të Vinçenc Prennushit, të veprës “Burgjet e mia” të Silvio Pelico-s, atdhetarit e rilindasit të madh italian të burgosur nga ushtritë pushtuese austro-hungareze. Njeh veprën origjinale “Burgu” të Haki Stërmillit. Njeh dy vepërza letrare, njërën të Migjenit “Kanga e të burgosunit” dhe tjetrën të Qemal Stafës “Rreze frangjijash”. Kemi edhe nji vepër të mirëfilltë kujtimore e letrare të periudhës së diktaturës së kuqe “Qershija” apo “Libri i burgut” shkruar prej emigrantit desident dhe ish i burgosun i Burrelit, Arshi Pipa. Për fat të keq kët libër ende s’kam mundur ta lexoj…
Na besojmë se letërsia shqiptare do të begatohet me vepra të mirëfillta të një letërsie të re post-komuniste ku, me mjete artistike, do t’u paraqitet brezave që do të vijnë pas nesh se: çdo lloj tmerri është i mundur të krijohet brenda një shoqërie që themelohet dhe ngrihet mbi Urrejtjen;
Të lexojmë një poezi të bukur e të thjeshtë të poetit Visar Zhiti: “Kur dilja nga galeria e zezë, tepër i lodhur, me çizme të shpuara që fusnin ujin e ferrit, në atë terr që pikonte lot, plot me hej akujsh si kërcënim i dhunës, pra, duke dalë, ndërsa mbaja lopatën mbi supe si mallkim, sajova me mend këtë vjershë”:

Visar Zhiti

Poeti Visar Zhiti

Leckat e trupit tim/ Janë dhe të tuat
Dhe prangat/ Dhe lodhja
Dhe hutimi im është dhe i yti
Dhe uria ime/ Dhe frika ime e përzishme
Dhe telat me gjemba/ (në çdo nyje janë lidhur me të tuat)
(pastaj kush merret me të burgosurit
Është edhe vet ca i burgosur)./ Në bangën e të akuzuarve
S’u ula vetëm unë/ Po edhe ti/ Gjykatës isha edhe unë
A e di:/ Ne njëri tjetrin dënuam/ Shqipëri.
20 shkurt 1985

Sot, pas një diktature të egër, sikur po marrim pak frymë lirie.
Oksigjeni i demokracisë – edhe pse ende mjaft i brishtë – po mundohet të na i pastrojë mushkëritë e helmuara me arsenik të kuq. Tiranët dhe persekutorët e këtij populli janë goditur dhe janë mundur, por, janë goditur dhe mundur vetëm në fizikun e tyre. E kjo s’është e mjaftueshme! Ata ende gjallojnë sqetulloreve… Është detyrë historike e inteligjencës dhe e gjithë shqiptarve të ndershëm që këtë doktrinë të mbrapshtë, këta tiranë e persekutorë t’i zhdukim së pari së pari dhe kryesisht nga zemrat tona, nga zemrat e tyre e nga zemrat e të gjithë atyre që kuvendojnë shqip. Duhet ta zhbijmë nga vetja e jonë frikën dhe urrejtjen sepse pikërisht këta dy elementë e bënë të mundur totalitarizmin dhe diktaturën e kuqe në Shqipëri. Pra, shkrimtarët dhe inteligjencien tonë – këtë lloj diktature dhe këtë lloj totalitarizmi; duhet ta kthejnë në gërmadhë duke filluar spastrimin që në veten e tyre, që në shpirtin e tyre, për të mos i lënë vend asnji lloj dhune e çfarëdo ngjyre qoftë: dhuna duhet të mbetet nji ankth i shëmtuar në kujtesën tonë, nji ankth si gur varri mbi nji të kaluar të tmerrshme.
Të fillojmë tani nji vizitë të shpejtë, fluturimthi, në rrathët infernalë të librit “Mandelët e Shqipërisë”. Që në parathënje hasim në një pasazh shqetësues: “Si ka mundësi që një vend kaq i varfër si Shqipëria të harxhojë para për një gjeneral që ta dërgojë atë deri në fund të botës, në Kinë, për të studiuar, për të marrë përvojë e për të zotëruar teknikën e torturave?”.
Nuk ka gojë as pendë – sado e ngjyer në koncentrat helmi që të përshkruaj torturat barbare, çnjerëzore, që kanë kryer hetuesit shqiptarë mbi shqiptarët pafajsisht të burgosur…

Sami Dangëllia - Nji jetë burg...

Sami Dangëllia – Nji jetë burg…

“…Ishin vitet e tmerrshme 46-50. Na, tashmë të dënuar veteranë gjendeshim në “kaushat” e Burgut të Vjetër të Tiranës. Netët në këtë burg ishin të tmerrshme. Hetuesit tanë, si përversë e të mbrapshtë që ishin, punën e tyre “krijuese” e zhvillonin natën, sa ma vonë t’ishte e mundur. Gjatë këtyre orëve nuk ishte e mundur as të flije e as të qëndroje zgjuar! Ashtu të mbështjellë në rreckat e shtresave tona po dridheshim si purteka për fatin e mjerë të atyre të shkretëve që po rriheshin e po torturoheshin nëpër birucat e bodrumeve të burgut, po dridheshim për fatin e të gjithë shqiptarve të ndershëm, të cilët, herët a vonë, do t’i priste i njejti fat. Ulurimat e tyre, gjëmimet e rënkimet e tyre na vinin nga thellësia me frekuenca tmerrkallëse, nuk na dukeshin zëra njerzish, por britma lugetërish e vampirësh që shpërthenin me llahtar nga varret e të gjallëve të vdekur…
Në fillim u përdor edhe “jeleku”, nji torturë çnjerzore, imorale e denjë vetëm për xhelatët që e vënin në përdorim… Është aq e egër dhe aq e turpshme sa më vjen ndot e tmerr të ndalem mbi të. Kështu, oficerat tanë të hetuesisë, kishin përvojën jugosllave (rrënjësisht antishqiptare) dhe përvojën ruse (shkencërisht antishqiptare). Këtyre egërsirave të diktaturës u mungonte pra vetëm përvoja kineze. Na ishim të bindur se hetuesat tanë ishin aq të përsosur në këtë drejtim sa mund t’u jepnin leksione universitare gardistëve të kuq të Mao Ce Dunit. Mirëpo, kryeustai Mao na ditkërka edhe nji më tepër! Egërsinë e komunizmit kinez e pa e gjithë bota në vitin 1989 në sheshin Tien An Men kur tankset e kuq shkelën mbi rininë studentore kineze që po kërkonte pak liri e demokraci. Por… egërsinë dhe kanibalizmin kinez e lexova këto ditë në një artikull rrënqethës:
“Sekreti më i tmerrshëm i Maos”!
Është historia e dhëmbshur e Deng Ji Fengut në krahinën e Zhongshanit. Ngjarja ndodh në kohën e revolucionit kulturor. Përgjithësisht kundërshtarët e vet politik Mao-ja i kishte zhdukur që kur erdhi në fuqi në vitin 1949. Tani, mbas shumë vjetësh, dikush u kujtua se Deng Ji Fengu na paska qënë bir i një çifligari. Kur u çfaros familja e tij Dengu ishte i vogël, shumë i vogël, për t’u ekzekutuar. Tani ishte rritë dhe ishte në rregull për këtë punë. Sekretari i partisë dha urdhër të arrestohej. Milicët e nxorrën zvarrë nga shtëpia duke e rrahur e duke i thënë: “Ky është shteti i proletariatit”. Dengut i ra të fikët. E ngritën pezull dhe e lidhën pas një shtylle dhe filluan t’ia djegin shpinën dhe gjoksin me shufra të skuqura. Sa më tepër që egërsohej ajo torturë publike aq më shumë eksitohej turma dhe kërkonte vdekjen e tij. Milicët e zbritën të martirizuarin dhe ashtu gjysëm të vdekur e çuan deri tek bregu i lumit. Atje e shtrinë mbi një rrasë lakuriq. Sekretari i partisë nxorri thikën dhe ia shpoi barkun; pastaj, nga ai trup i stërmunduar dhe gati i vdekur, i nxorri zemrën, mëlçitë dhe organet e tjera dhe filloi ti presë copa-copa. Një pjesë ia hodhi turmës që i rrëmbente e babëzitur, ndërsa pjesën më të mirë e mori me vete, vajti në shtëpi, e fërgoi me vaj dhe e hëngri për drekë… “…gjenerali shqiptar këtë eksperiencë kineze nuk na e solli jo se iu dhimsëm ne, por nuk ishte i mësuar për vete të hante as zhaba, as breshka e prandaj nuk hëngri as mish njerzish…”

Burgu i Spaçit sot...

Burgu i Spaçit sot…

Në pjesën e parë të librit zoti Agim Musta na paraqet si në rrathët e ferrit të Dantes vargun e pambarim të burgjeve e të kampeve të punës të Shqipërisë. Një punë shumë e vlefshme dhe e domosdoshme për të njohur strukturën e dhunës dhe të represionit të kuq. Qindra burgje e kampe pune në një Shqipëri të vogël me një grusht njerëzish, e me një grusht kilometrash katrorë. Burgjet dhe kampet e punës në vendin tonë u bënë industri e vërtetë, ishin fabrikat e skllevërve të punës së mundimshme.
“Arrestologjia” u bë nji degë shumë e rëndësishme dhe nisi të përhapej si teori sociale e kohës. Me atë vrull që kishte nisë “arrestologjia” do të bëhej lëndë mësimi pranë universitetit E. H. të Tiranës. Me këtë industri skllevërish ishin të lidhura të gjitha ndërtimet e vendit tonë: nxjerrja e mineraleve nga galeritë e nëndheshme, tharja e kënetave moçalore të Shqipërisë, rrjeti i vështirë i kanaleve vaditëse, ndërtimi i të gjithë aeroporteve dhe aerodromeve të vendit tonë, ndërtimi i stadiumeve, i blloqeve të ndërtesave, i komplekseve sportive, etj. Të gjithë këto kanë vulën, djersën e gjakun e të burgosurve politikë shqiptarë. Shteti i diktaturës së kuqe ka bërë nji shfrytëzim prej skllavi.
Këtu është rasti të përmendim edhe njiherë Solzhenicinin kur thotë: “Për hartimin e librit tim (e ka fjalën për Aqipelagun Gulak) – më kanë ndihmuar edhe tridhjetëegjashtë shkrimtarë sovjetikë me Maksim Gorkin në krye, autorë të librit të turpshëm për kanalin mbi Detin e Bardhë, i cili, për të parën herë në letërsinë Ruse “glorifikoi” punën e bashkombasve skllevër”.
Ende pa u vendosë mirë diktatura komuniste në vendin tonë, në nëntor të vitit 1944, u bënë me mijra arrestime. Ndërsa po zhvillohej lufta për Tiranën, të arrestuarit që arrinin nji numër jashtëzakonisht të madh, i përqëndruan ndër fshatrat përreth kryeqytetit me qëllim që t’i sillnin në Tiranë menjëherë pas pushtimit. Ashtu ndodhi: pasi na grumbulluan në një ndërtesë tek Selvija, na rreshtuan varg, në rresht për dy, nën roje të shumta partizanësh, na çuen në Burgun e Ri. Në nji kaush të madh, të errët, ku era e mykut ta merrte frymën, na futën të dyqint vetëve sa ishim. Ne që ishim të Tiranës na erdhën menjëherë shtresat tona. Na kruhej trupi, u bëm gjak. Seicili prej nesh gdhiu me të paktën njiqind morra të mirë, të bardhë e të mëdhenj…
Vazhdon paraqitja e rrathëve të ferrit! Rreshtimi i burgjeve dhe i kampeve të punës nuk ka të sosur: ky kapitull me të vërtetë e meriton emërtimin: “Burgjet e shtetit-burg”.
Në të gjithë burgjet kanë vdekur të burgosur. Por, n’atë të Burrelit, kanë vdekë më shumë se kudo: “Në çdo metër katror të tij ka kaluar vdekja, duke marrë me vete ajkën e inteligjecies shqiptare”, ndër të cilët Et’hem Haxhiademin, Akile Tasin, Gjergj Kokoshin, Xhevat Korçën, etj. etj.
Kampi i Maliqit ka qënë kulmi i barbarizmave dhe i veprimeve çnjerzore të policisë e të rojeve partizane. Aty, n’atë kamp të vdekjes, mungonte çdo gjë: mungonte uji, mungonte ushqimi, mungonte veshja, mungonin paisjet, mungonte gjithçka! Të burgosurit e shkretë mbrenda dy javëve nuk njiheshin më. Të kalonte pranë e ti nuk e dije a ishte hije e dikujt që dikur kishte qënë njeri, apo skelet i dalur nga varri e që bridhte atyre kanaleve si mallkim i historisë. E kam fjalën pikrisht tek Alfred Ashiku, që zoti Agim Musta përmend në librin e tij në faqen 13. Alfredin e kam njoftë dhe kam pasë miqësi me të. Ishte nji djalë i gjatë, me trup atleti, i fuqishëm, elegant dhe shumë i pashëm. S’mund të shihte syni burrë më të hijshëm në të gjithë tokën e Arbërit. Dispononte nji makinë Alfa-Romeo me hapje verore, me nji klakson të veçantë. Kur kalonte rrugës në këmbë ose makinë, njerëzit ndalonin ta shikonin për qejf… Ky njeri pra, ky Apollon i Belvederes, në kampin e çfarosjes të Maliqit u kthye në një grusht, u reduktua në skelet dhe arriti deri në atë pocaqi sa të hante lëkurat e bostanit, apo të lëpinte kockat që i hidhnin policët.
Nuk rezistoi dot! Vdiq nga uria dhe nga të rrahurat, sepse nuk ishte në gjendje të punonte. Po këtë fat e kanë pasë edhe gjashtëdhjetë e sa të burgosur të tjerë. Kur ktheheshin në dimër në Burgun e Vjetër të Tiranës nuk pyesnin as për njerzit e shtëpisë dhe as për fëmijët e tyre, por me ulërima kërkonin: Bukë… bukë… bukë…!!
Nelson Mandela i Afrikës së Jugut u bë i famshëm për burgimin e tij 28 vjeçar – duke jetuar me të gjitha privilegjet dhe gjitha komoditetet e mundshme. Sa Mandelë të tillë ka pas Shqipëria? Në çfarë kushtet kanë jetuar dhe kanë vdekur ata? Po të mos ishte ma i randësishëm vlerësimi politik i konjukturave diplomatike, Mandelët e Shqipërisë, nga pikpamja humane, duhet të zinin vendin e parë për respektin dhe nderimin që meritonin!!!
Zoti Musta, në librin e tij, përmend 17 prej tyre, se Bedri Spahiun unë e nxorra nga lista…

Musine Kokalari para gjyqit...

Musine Kokalari para gjyqit.

Nuk mundet njeriu të kalojë pa emocione kur lexon shënimet për Musine Kokalarin. Nuk mund të mos tronditet njeriu kur lexon në ditarin e kësaj heroine: “Kam 38 vjet që kam harruar çdo të thotë familje. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Ndoshta do t’ishte më mirë t’i kisha mbyllur sytë njiherë e përgjithmonë”. Kjo Musine, kjo intelektuale që me aq zell e dashuri iu përkushtua kulturës shqiptare, vdiq e harruar dhe e braktisur në Rrëshen të Mirditës. Me katër dërrasa armature, të pazdruguara, mbërthyer dosido, ngarkuar mbi zhavorrin e nji kamioni ribaltabël; nuk u varros, por u gremis kushedi se në çfarë humnere, Virgjiresha e jonë: Zhan d’Arka e Shqipërisë.
Shumë prekës është edhe takimi me poetin e mësuesin Gjergj Komnino. Autori ndër të tjera thotë: “Më tërhoqi vëmendjen nji njeri i shkurtër, me syze të trasha miopi, që mbante në kokë nji peshqir në formë turbani indian. Nga pamja dukej nji intelektual që kish pësuar nji traumë të fortë psiqike. Ishte e pamundur ta njihja këtë njeri të shndërruar në nji qenie gjysmënjerzore e gjysmështazore”. Kjo ishte metamorfoza e Profesorit Gjergj Komnino, mësuesit elegant të gjimnazit të Tiranës, katandisur në mizerje, kthyer në “dordolec”. Kështu i transformonte intelektualët diktatura e kuqe!
Të njajtën rrugë e të njajtin fat pësoi edhe intelektuali tjetër Foto Bala. Para vdekjes Doktor Sazanit i kishte treguar: “Hiena Mihallaq Ziçishti i kishte pasë thënë se pohimet në hetuesi i donin “shokët” jugosllavë për të demaskuar imperializmin, po nuk i tha se ky kishte qënë një nga planet e shumta sllavo-komuniste për zhdukjen e inteligjencies sonë, zbatuar me servilizëm nga diktatori dhe xhelatët e tij…!”.
Vazhdojnë parakalimet e njerzve të shquar, aty ke Visarion Xhuvanin, Dr. Kalivopullin që vdes në burg, pishtari i demokracisë, enciklopedia lëvizëse Patër Pjetër Mëshkalla, rumuni George Nikolau, i mashtruar në Bukuresht nga “diplomatët” e sigurimit shqiptar që e angazhojnë si informator e që pastaj përfundoi në burgjet e Shqipërisë, parakalon kapiteni i Asfalisë Kosta Fili, “hero” i ditës, “dëshmitari” gjithçkanjohës në gjyqet e Teme Sejkos me shokë etj. Nuk mungojnë këtu as kosheret e bletve, as arkat, që shërbejnë për transportimin e të arrestuarve në rrugë të gjata.
Nji nga njollat më të zeza e më çnjerzore të hetuesisë kriminale shqiptare ka qënë trajtimi i të sëmurve psikiatrikë ndër burgje, ndër kampe pune e ndër spitale psikiatrikë. Aq ishte etja për dhunë e për vdekje sa nuk mëshironte as fatkeqësinë e çmendjes. Njerëzit sëmureshin nga trajtimi i keq, nga fyerjet, nga torturat, nga mungesat, dhe, pikrisht atëherë kur sëmundja arrinte kufijtë e pamundësisë, pikërisht atëherë policët dhe hetuesit – rojet besnike të gardës së kuqe, ushtronin të gjitha të këqijat mbi ata fatzinj duke i lënë si hije; as të gjallë e as të vdekur mbi tokë. Paraqitet lista e të sëmurve psikiatrikë. Autori thotë: “Personat me trauma psikike që përmenda më sipër i kam njohur personalisht gjatë vuajtjes së dënimit 11-vjeçar…
Autori, në këtë libër, na servir diçka edhe për dorën e fortë të diktaturës së kuqe. Ja disa nga metodat e torturave që përdorte Gjeneral Nevzat Haznedari: atyre që do të pushkatoheshin më parë ua thyente kafkat me leva hekuri, zbrazte kripë në plagët e hapura, përdorte ampula me vajguri, fuste njerëz në gropa fekalesh, korrentin elektrik, shtrëngimin e organeve gjenitale, futje në fuçi me copa akulli, varje nëpër çengela me kokë poshtë, fryrje me pompë nga anusi, etj.etj. Këtë njeri, këtë monster me fytyrë njeriu, këtë kryemjeshtër të torturave, diktatura e kuqe e dërgoi në Kinë për të fituar përvojë. Mirëpo “shokët” kinezë mbetën gojëhapur kur dëgjuan leksionin e torturave që përdorte ky Gjeneral i Zi. Aty për aty i dhanë titullin “gjeni” të torturave universale…
Në mbyllje autori na jep nji shkrim interesant “Deklarata” – që duhet të jenë kujtimet e diversantit Muhamet Hoxha. Është nji përshkrim i hollësishëm dhe i bukur. Ndonëse nuk ka lidhje me ngjarjet që shtjellohen në libër autori me siguri e ka vendosur për bukurinë e përshkrimit dhe për të treguar edhe nji anë tjetër të vuajtjeve të shqiptarëve…
Autori na premton: “do të punoj gjer në frymën e fundit të jetës sime për të nxjerrë në pah aq sa mundem, ngjarje dhe figura nga tragjedia gjysëmshekullore që iu imponua popullit shqiptar nga regjimi satanik komunist…”.

Haki Stermilli

Haki Stermilli

Por… nuk po mund t’i mbyll këta rreshta pa bërë nji krahasim të shpejtë të “Burgut” të Haki Stërmillit me “Mandelët e Shqipërisë”, të Agim Mustës. “Burgu” i Stërmillit s’është kushedi se çfarë: nji libër i thjeshtë, shkruar ne formë ditari, pa emocione, pa reflektime as letrare e as filozofike. Megjithatë do të paraqes veç dy-tri episode për të gjykuar “tmerrin” në dy diktatura: n’atë të mbretërisë së Zogut dhe n’atë të mbretërisë së Enver Hoxhës.

23 janar 1931
Katër vetë të akuzuar për faje politike i sollën sot në burg. Të gjithë ishin të rinj dhe korçarë: Prof. Skënder Luarasi, i akuzuar si komunist dhe kundërshtarë i regjimit. Esad Dishnica e Ilia Treska të akuzuar pse në pije e sipër kishin thënë: “Poshtë fashizmi”, “Rroftë bolshevizmi” dhe Dhori Thomai burgosur sepse kishte ngjitë nëpër mure afishe me këto shkrime: “Poshtë kapitalizmi”, “Rroftë bolshevizmi”. Pas pak kohe u liruan!

16 shtator 1932
Sot suallën në burg 34 të dënuar. Të dënuarit me vdekje janë: Tare Libohova, Myqerem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço, Murat Tërbaçi, Beqir Sula dhe Hysni Lepenica.

17 shtator 1932
Të shtatë të dënuarit me vdekje i dërguan nji lutje Mbretit për faljen e jetës.

14 tetor 1932
Në mbrëmje drejtori i burgut njoftoi të shtatë të dënuarit me vdekje se Mbreti Zog ua kishte falë jetën. Skënder Muço, n’emër të shokve, mbajti nji fjalim falenderimi dhe menjiherë ai mjedis i zymtë u kthye në gaz e hare, në urime, në këngë e valle…

27 nëntor 1933
Më lajmëruan se u lirova.

28 nëntor 1933
U lirova pasi bëra 4 vjet, 8 muaj e 8 ditë burg!

25 gusht 1935
Pasi lirohet nga burgu i dytë bën këto refleksione për personelin e burgut:
“Ushtarët dhe gjindarmët ashtu edhe graduatët që janë ngarkuar me shërbimin e rojes sonë, janë skrupolozë në të kryerit e detyrës, por njikohsisht janë të njerëzishëm dhe humanë. Urdhërat e eprorve i vën në zbatim pik për pikë dhe detyrën e kryejnë pa as më të voglin lëshim, por gjithmonë tue mbajtë nji sjellje fisnike kundrejt të burgosurve.
Shqiptari idealist që ka pasë lakmue nji ushtri e nji gjindarmeri të organizuar e të disiplinuar në vendin e tonë, pa dyshim knaqet kur e konstaton këtë skrupolozitet e rregull të përsosur. Kur akuzohesh si fajtor të kap të lidh, por gjithmonë të trajton si njeri, si vlla, kurr nuk të fyen e nuk të prek me dorë…”

Deri këtu Haki Stërmilli për trajtimin e të burgosurve politikë në kohën e Zogut, për sa i përket kohës së diktaturës së kuqe na e tregon përmes këtij libri zoti Agim Musta.
Çdo koment është i tepërt.
Ju falemnderit!
Tiranë, 18 gusht 1993

Një përgjigje
  1. Xun Çetta Tha:

    Kush nuk e ka lexuar, i lutem ta lexojë sa më parë… sepse është libër të cilin ia vlen ta lexoni dhe të kuptoni më shumë nga e kaluara në shtetin Burg. Kush do ta lexonte me përkushtim nga mërgimtarët, kryesisht në Zvicër, librin ua siguroj falas, ngase kam edhe pak copë…

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook