Lutje e dëshpërueme poezi nga Ernest Koliqi (1901-1975)

Ernest Koliqi i ri (1903-1975)

Ernest Koliqi i ri (1903-1975)

Lutje e dëshpërueme

poezi nga Ernest Koliqi (1901-1975)

Ju qi keqas t’vorrosun keq fleni ndër murrana
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
dëshmor’ , q’emën t’lavdishëm keni thadrue n’gojdhana,
nën dhe me gjak t’uej t’rimun idhnin nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq fleni e nuk pushoni
e as deka varrt e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi eshtnat vrik ju dridhen kur del nji za nga pylli,
a kur nji zhapllim’ hapash përbri muran’ s’ndëgjoni,

Ju qi n’msime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnin’ jetike e patët si mësuese,
ju qi lirin kreshnike zgjedh’ e kishi për nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murana t’harrueme kërkoni kot pushimin:
ju qi epope t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flijen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe u rrzue me jue edhe fisi;
ato q’atdheut i kjenë ndër mote gardh çeliku,
parzmat vigane tueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por nama e fatit, nama qi befas mbi ne krisi.

N’heshtim t’nates shqiptare s’ndëgjohet kund za njerit,
pran’ votrës s’fikun nanat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, struken
tue prit’ furin ahmarrse qi t’thej’ t’primunt e mnerit.

Jo vaj por gjamë e ahte prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim za-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese ma t’mshefta po i a thanë.

Pasqyrat e Narcizit - Ernest Koliqi

Pasqyrat e Narcizit – Ernest Koliqi

O Perëndi, na tokën pranuem qi Ti na falë,
n’te tash tridhet’ qindvjeta na u end e ndershme jeta,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujue larg botës tjetër tue ruejtun dhen mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e breshni e mardha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhinat,
pa dijt’ qejfet e holla, pa dijtë ç’janë miradinat
pa njoft’ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
qi e zbutshim n’ujë të kronit, s’lypshim kurrgja ma shum,
sepse bylmet na kishim nji liri t’thjesht’, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bante gjakun t’lum.

Nanat me qumsht’ të pastër andjen n’shpirt ton dikojshin
me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e nzjarrm t’buzmit bujar
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendi, ndër shekuj ju buzën na zverdhi,
shpesh u errem pa hangër bukën m’e ruejt’ për fmin
e mitun q’ish e rritun, por n’qe se ‘i mik në shpin
na msyni, ia vum para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lirin e dy gishta nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zdritshin vobeksin ton’ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?

Dëshmorve u dridhen eshtnat n’vetmina plot murana
e qeti n’vorr nuk njofin as tash qi ata kan’ vdekë;
e, pra, gjat’ jetës luta T’naltuen, Zot, n’qiell’t e gjana
e n’shekull udhën t’ande përhera shkuen tue ndjekë.

Pse nuk ia kput’ Ti kombit vargun e ditve t’zeza?
pse nanave kërcuna, mbështjellun n’ futa zije,
s’i a zbardh’ ftyrat e zemrat me nji rreze lirije?
Pse nuk i fal’ dëshmorve nji gjum’ të qet’ n’ vorreza ?
28 nanduer 1967

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook