back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Laskarina Bubulina – Jeta e një gruaje të jashtëzakonshme

Gazeta

Statuja ne Species e Laskarina Bubulines
Statuja ne Specie e Laskarina Bubulines

Laskarina Bubulina

Jeta e një gruaje të jashtëzakonshme

Perkthim nga Jozef Radi

(…)Vetëm ti mundesh
ende duke qarë,
të kthehesh e kërkosh të shohësh prap fëmijët e tu,
të rotullohesh dhe t’mos dish ç’të thuash
të heshtësh e mrekulluar
e të shfaqesh e madhe sa vetë toka
qiejve duke ngjitur këngën tënde të dashurisë… (Alda Merini)

Laskarina Bubulina - litografia Adam Friedel, 1827
Laskarina Bubulina – litografi e Adam Friedel, 1827

Laskarina Bubulina, ka lindur në burg, me 23 maj, 1771.
Babai i saj, qe në Konstandinopojë, ku si pjesmarrës klandestin në Revolucionin e Orlof (1769-1770) kundra Perandorisë Osmane u arrestua nga turqit. Duke qenë e lindur në burg dhe e detyruar të jetojnë aty për disa kohë, në shpirtin e një fëmijë duhet të ketë të lindur geni i rebelimit përballë çdo robërie apo kufizimi të lirisë, gjë e cila e karakterizoi krejt jetën e saj. Familja e Bubulinës ishte nga komunitetet arvanite (shqiptare) të ishullit Hydrës në Peloponez dhe Laskarina kishte trashëguar krejt karakteristikat fizike si: ngjyrën ulli të lëkurë, tipare të mprehta, sytë kafe dhe faktin se ishte tejet krenare.
Kur babai i saj vdiq, nëna e Laskarinës Skeva u kthye në Hidra, e më pas u zhvendos në Specie, ku Skeva u martua me Dhimitri Lazaru-Orlof që jetonte atje.
Në atë kohë ishujt e Peloponezit dalloheshin për lulëzimin e aktiviteteve tregtare dhe vetë Dhimitri qe pronar dhe kapiteni i një flote të vogël anijesh. Ky ishte pak a shumë mjedisi në të cilin do të rritej Laskarina: një botë profesionesh, e tregtisë, e peshkimit… plot rrëfime e histori detesh dhe piratësh… po njëherit edhe dëshirë tejet e fuqishme për liri.
Greqia qe nën sundimin e gjatë të Perandorisë Osmane, për gati 400 vjet dhe njerëzit e porteve, marinarët, pronarët e anijeve dhe ushtarët grekë që ishin nën shërbim të gjeneralëve turq, kurdisën një komplot që i dha flatra fantazisë së lirisë dhe rrebelimit të atij populli të shtypur. Të gjitha këto, Laskarina jo vetëm i dëgjonte, por edhe fjalët e para që ajo kish mësuar si fëmijë ishin: “revolucion” dhe “liri”. Ndoshta kjo ndodhte në atë kohë kur tek ajo nisi të lindte dëshira që një ditë edhe arvanitët të jetojnë në një Greqi të lirë.

Bubulina ne Anijen Agamemnon - Banknote
Bubulina ne Anijen Agamemnon – Banknote

Ajo u martua për të parën herë në moshën 17 vjeçe. Më vonë, pas vdekjes së burrit të saj, ajo u bë gruaja e Dhimitri Bubulit, pronar dhe kapiten i flotës, nga një familje fisnikësh po edhe njeri shumë të pasur, i cili, mbas vdekjes në një beteje kundra piratëve, ia kaloi Laskarinës gjithë pasurinë e vet. Bubulina, tashmë nënë e shtatë fëmijëve, dy herë grua e ve, në moshën 40 vjeçare, mund ta kish mbyllur jetën e saj. Por ajo nuk u ligështua shpirtërisht. Mendja e mprehtë dhe  shkathtësia e rrallë, bënë që ajo shpejt ta fitojnë krejt pasurinë e të shoqit, duke krijuar marrëveshje dhe aleanca me pronarët e anijeve, dhe duke u bërë partnere me flotat e tjera, duke e rritur dukshëm numrit e anijeve të saj. Në një kohë të shkurtë ajo arriti të krijojë një pasuri të konsiderueshme.
Një nismë e tillë s’mund të kalonte si e pavënëre. Perandoria Osmane e deklaron fajtore për tradhti, për shkak të së kaluarës së burrit të saj, që kishte kaluar në anën e Rusisë cariste, gjatë luftës ruso-turke për kontrollin e Detit të Zi, dhe u përpoq t’i konfiskojë gjithë asetet e saj. Bubulina kërkoi mbrojtje prej ambasadorit rus Strogonoff, i njohur për tendencat pro-helene, dhe ajo zbarkoi në kishat e Kostandinopojës, duke kërkuar të bisedojë me nënën e Sulltan Mahmudit II. Ne nuk e dimë se çfarë i tha e çfarë i kërkoi Laskarina, apo cili qe qëndrimi i saj; ndoshta ajo bisedë kokë më kokë midis një gruaje me një grua, apo mes një nëne me një nëne, për jetën e saj të deriatëhershme, o ndoshta i ka rrëfyer për fëmijët e saj, duke kërkuar ndihmë prej saj si të ishte një vajzë! Dihet vetëm se nëna e Sulltanit, e prekur shumë nga guximi dhe kurajo e asaj gruaje, i bindi djalin e vet që të hiqte dorë nga konfiskimi i pasurisë së saj.
Pas një qëndrimi të shkurtë në Krime, Bubulina u kthye në Specie, dhe jo vetëm për t’iu përveshur punëve, por tashmë duke sjellë me vete edhe erërat e revolucionit. Gjatë qëndrimit në Konstandinopojë, Laskarina në fakt i qe bashkuar, si e vetmja grua, shoqërisë së fshehtë “Filiki Eteria”, një konspiracion për lirinë e Greqisë. Prandaj, kthimi në shtëpi i saj, përkoi me përgatitjen e përpiktë të kryengritjes kundra sundimit turk: Blerja e paligjshme e armëve dhe municioneve, transferimi i fshehtë i tyre me anije në ishullin e Speces, shndërrimi i tyre në luftanije, dhe ndërtimi i të famshmit “Agamemnon”, një anije lufte e armatosur me 18 topa, balli i anijeve luftarake të flotës. bëri që ajo të mbledhë rreth vetes një ushtri të vogël me “djemtë më trima” (palikari) siç i quante ajo vetë, një organizim ku ajo paguante, ushqente dh mbështeste krejt anijet edhe ekuipazhet. E gjithë pasuria e saj u sakrifikua për çështjen e çlirimit të Greqisë.

Laskarina Bubulina sulmon Nafplion
Laskarina Bubulina sulmon Napflion

Me 13 mars, 1821, me një gjëmim topi të “Agamemnonit”, komanda e të cilit ishte në duart e Bubulinës, flamuri separatist grek ngrihet mbi shtizën e një anije lufte. Ky qe dhe “Fillimi i Revolucionit” – me 3 maj 1821, flota e ishujve të Species, Hydrës dhe Psaras sulen drejt Napflios për të organizuar bllokadën detare. Ikonografia zyrtare, e paraqet Laskarina Bubulinën ashtu në këmbë të “Agamemnonit” me shikim përpara, me kryet të mbuluar me veshje tradicionale, me krahun e drejtuar në pushtim të kështjellës, tashmë e mbrojtur nga 300 topa. Beteja qe e zjarrtë dhe Kapedania, siç quhet ajo, zbarkoi në terren me njerëzit e saj dhe me gjithë energjitë merr pjesë në betejën e parë. Dhe pas vijuan betejat e Monemvasias, Pylos dhe Argos, ku ajo humbi edhe të djalin e parë të saj, Janin.
Por Bubulina nuk mbeti e famshme  për shpirtin e saj luftarak. Ajo meriton të kujtohet edhe për aktin e faljes kërkuar separatistëve grekë të gatshëm për masakrimin e popullsisë së rrethuar në kalanë e Tripolis, në zemër të Laconias. Me ndërmjetësimin e saj, grekët kursyen jetën e grave dhe fëmijëve të familjes së Pashait, sundimtar të qytetit, në respekt për aktin e dikurshëm të nënës së Sulltan Mahmudit kur ajo zbriti për herë Konstandinopojë.
Më pas  ndodhi edhe 1825.

Bubulina - Pikture nga Von Hess
Bubulina – Pikture nga Von Hess

Kufijtë e Greqisë ishin përsëri në rrezik, mbasi flota turko-egjiptiane kish mbrritur në brigjet e Peloponezit, në qytetin Pilos. Laskarina, edhe pse tani ishte në mjerim, mbasi e kish shpenzuar krejt pasurinë e saj për revolucionin, shfaqet sërish e gatshme të luftojë, të përgatisë e të organizojë njerëzit.
Papritmas i mbrrin një akuza shpifëse nga familja e së dashurës së djalit të saj. Kjo ndodhi bëri që Laskarina të harrojë Greqinë, atdheun dhe revolucionin. Ndodhi që ajo të braktisë idealet politike dhe ta lere luftën mënjanë. Kështu Kapedania e humbet rolin e saj publik dhe bëhet thjesht një Nënë. Përballet me të afërmit e familjes së vajzës, duke i dalë në mbrojtje djalit të saj. Papritmas atmosfera ndizet dhe një armë zjarri, e qëlluar nga një dorë që mbeti përjetësisht anonime, e godet midis ballit duke e lënë të vdekur.
Dhe kështu merr fund jeta e saj…
Në kët mënyrë vdiq Laskarina Bubulina, Heroina Kombëtare e Greqisë së Lirë, e vetmja grua admirale e marinës Perandorake Ruse, e lindur në burg, por që në zemër dhe në buzë e saj pati një fjalë të vetme: Lirinë!
Marrë nga http://www.progettomediterranea.com
Përktheu nga italishtja Jozef Radi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.