back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kjo Ditë e gjithë për të kujtuar… poemë nga Visar Zhiti

Gazeta

Poeti Visar Zhiti
Poeti Visar Zhiti

Kjo Ditë e gjithë për të kujtuar…

Poemë nga Visar Zhiti

Hebrenjve që nuk njoh
dhe që njoh,
mes tyre mikut,
V. M. Solomon.

Kjo ditë e gjithë për të kujtuar…
Por tmerri është më i madh, del përtej,
nuk e nxë dot kjo ditë.
Ka mbetur nëpër ajër një e qarë pa gojë
dhe lotë pa sy, të përzier me shiun që nuk bie,
por rri pezull si ankthi. Dhe
trishtimi si lodrat e fëmijëve pa fëmijët, të shkelura,
të thyera. Borsalina të flakura më tej si urtësia e pleqve, të çara
dhe heshtje e zezë dhe një qen këmbëthyer,
gjysma macesh, copra pasqyrash, flatra
zogjsh
e librash…
I vërvit era apo kujtesa andej-këndej.

Në rrugën e zbrazët një këpucë gruaje e hedhur,
e kuqe si gjaku, si zemra… Ku po e çonin jetën?

Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz!
Ju – andej harrimit,
këtej harrimit – ju!
Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Nëpër natë.
Në cilën natë, në atë që s’ka yje,
por tela me gjëmba. Në natën e fundit,
ku nuk zbardh më…

Avitem dhe unë andej, kaloj i lemerisur në kohë,
ndal ndanë tyre, shpirt
dhe i largët, i qetë sa plagët, dot nuk thërras: të kishit
shkuar në vendin tim, dikur,
nuk do ju përzinin, as do ju ndiqnin,
do ju prisnin e do ju mbronin, edhe pse të pushtuar
nga vrasësit e përbashkët. Bukën
dhe frikën me ta do ta ndanit. Dhe ndodhi,
si nuk ndodhi…
Ishte qëndresa dhe nderi
ashtu si në librat tuaj të lashtë.

Popull i Zotit,
që na ke dhënë shenjtët dhe ne vuajmë si ata.
Breroret e tyre
befas i shndërruan në pllanga të dritave
të projektorëve të luftës…

I gjatë rreshti, shumë i gjatë, gjysma në të
shkuarën dhe gjysma në të ardhmen
dhe thashë, nuk mjafton një ditë për të kujtuar…

Berlin - Memoriali i Holokaustit nën borë
Berlin – Memoriali i Holokaustit nën borë

Këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë.
Mos janë këpucët e dhëmbjes, të durimit të fshehtë,
të frikës së shndërruar në guxim? Ja, dalin
nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba, ku po
shkoni, mijëra këpucë, se si jeni, si ulërimat,
nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,
pirgje leckash të gjalla, por krimi është më i madh,
ohu-u, sa i madh! Dhe
sa e pakët ndjenja e atij që kryen krime, më e
vogël se njëra nga këpucët, se guriçka brenda tyre.

Edhe unë, i zbathur, me gishtat e përgjakur,
nuk marr nga ato këpucë jetime. Dhe në m’u bindshin,
jo, jo…
por i mbush me mendim, teksa endem mes tyre
dhe kërkoj një amanet të thellë.

Më mbyti gazi i kobshëm i furrave. Kjo
hidhësirë vdekjeje s’është nga zjarri, nuk bën
genocid zjarri dhe nuk çmendet kështu.
Kolla e krimit u shtua gjithandej, te rrugët e
dyert, kolliten shkallët, dritaret, heshtja,
automatiku i zi, deliret, pemët, librat,
pendesa, stinët…
Dhe ai sapun makabër, i nxjerrë nga të gjallët,
si mund t’i lajë duart e ngjarjeve?

M’u mor fryma, errësirë… Më sillni një rreze të thyer,
diçka që feks, një pikël drite sa loti.
Ç’janë këto vezullime?
Mijëra unaza të mijëra gishtrinjve të prerë,
si ai shiu i ngrirë që nuk binte… Po ora, ku
është ora e njeriut, vajti vonë për kthimin ku
s’do të mbërrihet dot asnjëherë.

Kërkëllijnë skeletet, çohen nga balta e asgjësë
dhe kërkojnë mishin që ua zhvatën, duan
pyllin e djegur të flokëve. Ditën e hapur të
syve. Kujtesën prapë. Përsëri. Gjithmonë. Pa
kujtesë bota bëhet vetëm një kafkë.
Pse heshtin fjalët, po kalben
bashkë me buzët e kohës, puthja e mortjes
mbulon brigjet dhe miliarda këpucë bosh mbushen me kujtesë
dhe ecin mbrapsht, i aviten zanafillës.
Fundosen në gropën ku kanë hedhur të gjallë botën e njeriut

Holokaust... 2015
Holokaust… 2015

Skeletet e jetës ulërijnë për atë pjesë jete të
pakryer më fort se sirenat ngjethëse të atyre
trenave të egër që s’ndalnin gjëkundi,
veçse në stacionin e fundit të vdekjes. Por ka prapë
stacione, le të bien epidemitë përreth, është ai
i ndërgjegjes së popujve, stacion tjetër i
fantazmave… Ja, erdhën nga prapa diellit.
Stacioni i tmerrshëm i mallkimeve.
Ju – andej harrimit,
këtej harrimit – ju. Në mes ndarja
si një e çarë fatale e botës.

S’ka më rreshta, as rregull,
turma mëkatesh, histori e shqyer,
gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave, se
ç’lëviz poshtë dheut të huaj, hapen vetë varret
masive, dal dhe unë. E si të mos jem hebre,
kur dhe unë kam holokaustin tim?
Kohë s’kam dhe aq që të ringjallem,
vërtitem në vorbulla gjyqesh,
jo në atë të fundit,
kërkoj ashtu si pallton time të kalbur – kujtesë,
vetëm një ditë, e ç’i duhet më shumë një fantazme.
Pallton time e ka vrasësi im, jo se është aq
shumë ftohtë, por nga që do të përvetësonte dhe fatin tim,
atë që duhej të kisha, të mëpastajmin…

Palltoja e fatit shndërrohet në metal të ndryshkur,
e ngrirë
mes erërave
ashtu si këpucët e zbrazëta në bregun e një lumi,
që nuk harron. Ku i pashë, në ç’makth?
Të jetë aluçinacion, art? Pse ka më pas kësaj? Shpirti
gjithmonë është lakuriq në qiell.

E ku mjafton një ditë për të kujtuar, nuk i nxë
dot të gjitha, aq më pak një jetë. As harresa
nuk mjafton, s’mundet, nuk e përpin dot të tërën,
nuk mjafton as vdekja.
Një lamtumirë që s’mbaron kurrë lëkundet
gjithmonë si dorë e këputur, ja, u shndërrua
në kockë, në mermer. U zvogëlua
prej largësisë u bë argjënd, yad. Me një dorëz të tillë
shfletoj librat tani…

Ç’po shkrin kështu, çasti? Pika të nxehta kohe,
pikon kujtesa prej dylli e qiririt që ndeza
dhe flakëza, duke mos gjetur mbrojtje mes qerpikëve,
mërgon nëpër yjet e largët.
Romë, 27 janar 2010 – Tiranë, 27 janar 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.