back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Ushtima e një pamfleti të pabotuar – kujtime nga Zija Shkodra

Gazeta

Revolucioni Kulturor në Shqipëri (1967-1978)
Revolucioni Kulturor në Shqipëri (1967-1978)

Ushtima e një pamfleti të pabotuar

kujtime nga Zija Shkodra

(Albanologjia në litarin e xhelatëve
ose gjyqi i Universitetit të Tiranës
kundra disa intelektualëve, më 1967)
 .
28 vjet më parë, kur flitej me të madhe në Shqipëri mbi të ashtuquajturin “Revolucion kulturor kinez” të “100 shkollave dhe 100 luleve” dhe kur diskutohej me zjarr mbi “Letrën e hapur” të E. Hoxhës (1966), e cila shpallte me të madhe se nxiste kritikën e hapur pa ndrojtje, disa intelektualë efektivë dhe bashkëpunëlorë të jashtëm të Institutit Histori-Gjuhësi u mblodhën në Tiranë (1967) dhe hartuan një artikull kritik mbi dobësitë që vëreheshin në atë Institut dhe mbi mënyrën si duhej të veprohej simbas institucioneve shkencore evropiane. Ky artikull jo vetëm që s’u botua, por autorët e tij u dënuan, duke u cilësuar si “grup armiqësor” dhe si “agjenturë në shërbim të spiunazhit të huaj të brendshëm dhe të jashtëm
Pas gjyqit të organizuar në shkurt-mars të vitit 1967, në Universitetin e Tiranës (në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë), gjyq që zgjati 3 ditë me radhë, nën drejtimin e organizatës bazë të partisë të Institutit, me të dërguar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, shokët Fadil Paçrami (sekretar i dytë i partisë së rrethit të Tiranës), Kahreman Ylli (rektor i Universitetit) dhe sekretarit të partisë dhe drejtorit të Institutit, përkatësisht Koço Bihiku dhe Androkli Kostallari, ky grup u shpartallua me burgosjen dhe dëbimin nga Tirana të autorëve të këtij shkrimi, dhe atyre që e mbështetën.
Ky grup përbëhej nga Dhimitër Pilika, i diplomuar tri herë në Universitetin e Pragës, gazetari dhe poeti Vehbi Skënderi, Zija Shkodra, dy herë i diplomuar në Universitetin e Bukureshtit, si dhe bashkëpunëtorët shkencorë të Institutit, historianët Dilaver Radeshi, me gradën kolonel në ushtri, Bektash Bedo me gradën major në polici dhe arsimtari Gani Demiri (që të tre të diplomuar në Universitetin e Tiranës).
Dënimi i tyre ishte si vijon: Dhimitër Pilika dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në Divjakë të Lushnjes, ku qëndron 7 vjet si mësues; Vehbi Skënderi dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në Vaun e Dejës ku punon disa vjet si punëtor (gurthyes); Zija Shkodra dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në rrethin e Lezhës, ku qëndron 5 vjet (1967-1971); Dilaver Radeshi, që kritikoi diktaturën edhe për disa probleme ushtarake, burgoset 17 vjet në Spaç të Mirditës; Bektash Bedo, njeri me sedër të lartë, vret veten që të mos dëgjonte emrin t’i lakohej; Gani Demiri burgoset më vonë dhe internohet për disa vjet në rrethin e Beratit.
Si përkrahës të këtij grupi, u dënuan edhe këta persona: Prof. Selman Riza, i cili dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në Berat disa vjet si punonjës muzeu, Ligor Mile dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në Korçë ku punon disa vjet në arsim, si dhe shkrimtarja e re e talentuar Klara Kodra, e cila, si vajzë e re që ishte, nuk pësoi gjë.
Ky ishte fati i atyre intelektualëve që patën guximin të kritikonin hapur punën e dobët të drejtuesve të këtyre instituteve albanologjikë, që ishin kthyer në leva kryesore në sferën e superstrukturës së diktaturës enveriane. Largimi i këtyre punonjësve shkencorë, pa dyshim, e dëmtoi punën kërkimore e shkencore në fushën e albanologjisë. Largimi i tyre nga Instituti u cilësua nga Prof. Osman Myderrizi me këtë thënie proverbiale: “Partia hoqi nga Instituti lopët e qumështit dhe mbajti mushqerrat për bajga”. Pas konferencës së Tiranës (1956), ky veprim u cilësua si ngjarja më e madhe që tronditi dhe stepi opinionin intelektual të vendit.
Kritika e këtyre intelektualëve të dënuar drejtohej kundër punës së dobët që zhvillohej në institutet albanologjikë, të cilët ishin burokratizuar tej mase dhe ishin uzurpuar nga karrieristë të tipit Androkli Kostallari dhe “kryehistoriani” pa diplomë dhe pa vepra, Aleks Buda. Të dy këta institute ishin fishkur dhe merreshin me probleme të dyta, të treta dhe nuk interesoheshin fare për tema kombëtare të historisë dhe të gjuhësisë si problemi i Skënderbeut, ai i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, problemi i Kosovës, i Çamërisë, Konferenca e Londrës dhe padrejtësitë e mëdha të saj që e sakatuan Shqipërinë, etj., ndërsa në fushën e gjuhës nuk kishte ende një fjalor mbarëkombëtar, megjithëse në këtë fushë për më se një dekadë punonin 10 punonjës shkencorë me kuadrot ndihmëse. Shefi i këtij sektori Androkli Kostallari, që ishte njëheri edhe drejtor i Institutit, i diplomuar në Moskë për gazetari, kishte mbushur fjalorin me terma gazetash, kryesisht nga dialekti i Shqipërisë jugore. Ky drejtor i plotfuqishëm e kishte kthyer institutin, në një “harem” dhe me disa përjashtime, në punonjës shkencorë mediokër, që i kishin zënë vendin arsimtarëve të aftë dhe të pasionuar, që kishin ngelur dhe po mplakeshin nëpër fshatra për arsye biografie. Ai u rrëmbente punën të tjerëve, gjë që e shfaqi haptas me fjalorin e Sotir Kolesë dhe sidomos me atë të Mustafa Krujës, duke mbushur skedarët me këtë lëndë të huaj, e cila qe shkrirë dhe zhdukur pa lënë gjurmë bashkë me emrin e këtyre gjuhëtarëve të njohur. Për këtë përvetësim ai gjeti rezistencë në Institut nga punonjës të ndershëm dhe guximtarë, sikurse qe rasti me punonjësin shkencor Xhevat Lloshi, i cili në mbledhjen e organizatës së partisë ia vuri në dukje këtë gjë.
Fjalori i Institutit ishte kthyer në legjendë sa filluan të thureshin në adresë të tij edhe barceleta, që qarkullonin nëpër Tiranë. Ndërsa fjalorët e shqipes të studiuesve të huaj, si ai i anglezit Man, i italianit Leotti, studiues të vetëm, arritën të botonin mbas një kohe veprat e tyre që i shërbyen gjuhës shqipe, kurse fjalori që drejtonte A. Kostallari, për të cilin punonte një ekip i tërë gjuhëtarësh, vjelës fjalësh, terminologësh, skedistësh, nuk po botohej. Këta të paorganizuar mirë nga drejtori A. Kostallari, kishin rënë në një plogështi dhe javashllëk të pajustifikuar sa pas 10 vjetësh nuk kishin përfunduar as germën “A” të këtij fjalori. Ky rezultat minimal, për të mos thënë qesharak, diskreditonte punën e këtij Instituti albanologjik sa kishte rënë në gojë të popullit duke u bërë tema më e pëlqyer dhe humori i ditës më i spikatur. Është e njohur edhe sot barceleta e “Fugaturës” e etnografit të njohur Mark Tirta ose artikulli me titull “Korniza të zeza” e humoristit të njohur të revistës “Hosteni ”, Tasim Alia. Ky artikull vinte në lojë zvarritjen për përfundimin e fjalorit duke thënë se ai do të botohej kur autorët të kishin vdekur. Këtë radhë humoristi i talentuar Tasim Alia nuk fliste me gjuhën e Ezopit, por me shpatën e humoristit. Veç kësaj duhet thënë se 2/3 e fondit të artë të fjalëve të gjuhës shqipe ishin lënë jashtë fjalorit.
Pamfleti ynë, që s’u botua, fliste për drejtorin e Institutit, të cilin e bënte si një tiran të vogël, që me prepotencën e tij diktuese po u zinte frymën punonjësve të ndershëm shkencorë të gjuhësisë si Eqrem Çabej, Selman Riza, Spiro Floqi, Dhimitër Pilika, Met Çeliku, etj. Duke qenë i tillë ai kultivonte primitivizmin, puçizmin (vrasjen pas krahëve), intrigën dhe stimulonle mediokritetin dhe mediokrët në punë.
Letra godiste edhe Institutin e Historisë, ku mbi një çerek shekulli nuk ishte botuar asnjë studim serioz apo monografi shkencore për figura qendrore të historisë kombëtare të lashtë apo të vonë si Pirro i Epirit, Teuta e Ilirisë, Skënderbeu i Krujës, Ali Pashë Tepelena i Janinës, Bushatlinjtë e Shkodrës, etj., etj. Kjo gjë thuhej edhe për Institutin e Gjuhë-Letërsisë, ku nuk kishie monografi për Zef Skiroin, De Radën, Seremben, etj. Ajo e shtrinte analizën edhe mbi institutet e tjera albanologjike, që kishin kthyer në qendra amorfe. Duke u drejtuar nga njerëz mediokër në fushën e shkencës ata kishin grumbulluar rreth vetes – si ai topi i bajgës që grumbullon buburecat – mediokrët dhe çirreshin duke bërë lista të gjata me historianë dhe gjuhëtarë, duke dhënë tituj dhe grada kallpe, duke krijuar bërthama shkencore dhe rrethe shkencore të panumërta historianësh deri në kooperativat bujqësore, që do të merreshin me historikët e fshatrave, të kooperativave dhe të ndërmarrjeve socialiste. Kurse kryehistoriani pa vepra Aleks Buda, i cili siç e kishte përcaktuar arsimtari Jorgji Sinjari, bënte “diplomacinë e historisë” – vite me radhë kishte ngelur pa bërë gjë, duke mbajtur njëheri mbi vete tema të mëdha si Skënderbeu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, etj., të cilat i kishte monopolizuar dhe nuk guxonte kush të merrej me to.
Institutet albanologjike kishin ngelur prapa, në një gjendje primitive, ku mbytej fryma e kritikës dhe analiza kritike, ku qenë krijuar klane, duke përhapur një alergji intolerance, duke i zënë frymën iniciativës dhe mendimit të lirë dhe ku mbytej barbarisht shpirti zbulues dhe krijues, shkurt duke kultivuar një skematizëm pa frè. Instituti kishte krijuar personalitete shkencore dhe historianë fiktivë, të cilët për dekadat me radhë kishin uzurpuar karriget dhe tribunat kombëtare dhe ndërkombëtare, duke jetuar me pasaporta në xhepa dhe duke praktikuar një “turizëm shkencor ”.
Instituti kritikohej edhe për faktin se kishte uzurpuar në mënyrë arbitrare edhe ftesat, që u vinin punonjësve shkencorë për simpoziume ose konferenca, nga organizma shkencore ndërkombëtare, të cilat ose zhdukeshin ose u dorëzoheshin me vonesë të interesuarve, mbasi aktivitetet kishin përfunduar. Në të njëjtën kohë drejtori i Institutit, në bashkëpunim me veglat e tij, disa shefa sektorësh, kishin uzurpuar tematikën shkencore, duke u paraqitur vetë jashtë ose në bashkëpunim me elementë servilë mediokër. Të dy institutet ishin burokratizuar duke u kthyer në kështjella të burokratizmit shqiptar. Ata nuk përkonin fare me procesin demokratik që sapo kishte filluar, por diktonin mësimet e E. Hoxhës si fjalimi i 7 shkurtit dhe Letra e Hapur e vitit 1966, që autorët e pamfletit më vonë e quajtën “letra për miza”.
.
Revolucioni Kulturor Kinez - jehon në Shqipëri
Revolucioni Kulturor Kinez – jehon në Shqipëri
Në këtë kohë ishte bërë një “kritikë ” në shtyp nga Javer Malo, që kritikonte përciptas dhe ngrinte në qiell punën shkencore të Androkli Kostallarit dhe atë të instituteve. Në këto rrethana, kur ishte koha e të ashtuquajturit “Revolucion Kulturor Kinez ”, u hartua artikulli ynë, që i bënte një analizë të rreptë kritike punës në institutet albanologjike të mësipërme. Kaq duhej. “Letra për miza” e kish bërë punën e vet. Në vend që të botohej shkrimi ynë, nga dora e kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Popullit”, Todi Lubonja, ajo ra në dorën e sekretarit të dytë të komitetit të partisë për Tiranën, Fadil Paçrami, për të përfunduar në dorën e Manush Myftiut, i cili shfreu me tërë forcën kundër hartuesve të saj, me anatemën e tij se kishim nxirë realitetin e Institutit. Rrufetë që ranë mbi kokën e hartuesve të pamfletit u cilësuan si një “komplot” apo “variant i Konferencës së Tiranës”, por që partia nuk e la të nxjerrë krye e t’i verë flakën partisë në këtë Institut.
Në gjyqin që u zhvillua tre ditë me rradhë në Universitet, në prani të disa qindra intelektualëve të kryeqytetit, këta u cilësuan “rrugeçër”, kritika e tyre u quajt “veprimtari grupazhi”, “veprimtari armiqësore e nxitur nga brenda dhe nga jashtë”, “veprimtari e zhvilluar nga një grup elementësh të dyshimtë dhe aventurierë” si Dhimitër Pilika, Dilaver Radeshi, Zija Shkodra, Bektash Bedo, Vehbi Skënderi, Gani Demiri, të përkrahur me fletërrufe nga Prof. Selman Riza, Niko Koleci, Ligor Mile, etj. Veprimtaria e këtij grupi u cilësue si veprimtari e ndërtuar në bazë të një strategjie me veprime konkrete me synime të afërta dhe të largëta. Pas këtyre akuzave dhe kësaj zhurme të kurdisur që bëhej, filloi veprimtaria konkrete e partisë, filluan mbledhjet e organizatave dhe të komiteteve të partisë që zgjasnin nga 12-14 orë dhe që në fakt ishin “seanca të vërteta hetuesie”, të cilat të çonin në mendimin se me të vërtetë këta elementë ishin të tillë, ishin agjentë dhe poliagjentë të paguar nga spiunazhi i huaj. Njerëzit këtu binin prè e dhjetra qindra pyetjeve, deduksioneve nga më arbitraret që bëheshin në seancat e këtij inkuzicioni mesjetar.
Partiakët dhe pushtetarët, duke pasur në duart e veta mjetet e informacionit, Sigurimin, gazetat, komitetet e organizatat bazë të partisë, kishin krijuar një atmosferë të nderë, të tensionuar, sa që “puçistët”, pa pritur edhe ata vetë, filluan të mendonin se ishin me të vërtetë agjentë dhe poliagjentë, pavarësisht se nuk kishin marrë asnjë çek, nuk kishin nënshkruar asnjë deklaratë dhe nuk kishin absolutisht lidhje me asnjë agjenturë. Në këto rrethana historiani ushtarak Bektash Bedo vrau veten, Dilaver Radeshi, i cili avancoi më tutje me letrën dërguar E. Hoxhës kundër heqjes së gradave në ushtri, etj., u dënua me 15 vjet burgim, historiani Zija Shkodra dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në rrethin e Lezhës, poeti dhe shkrimtari i talentuar Vehbi Skënderi dërgohet në Vaun e Dejës ku thyente gurë, Dhimitër Pilika dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në Divjakë të Lushnjes, Gani Demiri u hoq nga arsimi dhe më vonë u burgos, Niko Koleci u hoq nga partia, Prof. Selman Riza u dërgua në muzeun e Beratit, Ligor Mile degdiset në Korçë. Kështu përfunduan këta intelektualë që punonin në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë me bashkëpunëtorët e tyre të jashtëm.
.
PPSH e djeshme
PPSH e djeshme
Goditja kundër këtij grupi të intelektualëve të Institutit të Historisë ë Gjuhësisë ishte një goditje e rëndë që, në fakt, i bëhej albanologjisë, e cila po vihej në litarin e xhelatëve në kohën e fushatës të të ashtuquajlurit “Revolucion Kulturor Kinez” në Shqipëri. Sekretari i partisë të Institutit, Koço Bihiku, në njërën nga seancat e këtij gjyqi pat thënë: “Duke parë këto që po ndodhin në Shqipëri po bindem sa të drejtë kanë kinezët që po bëjnë Revolucionin Kulturor”.
Çfarë kërkonte ky grup në artikullin që s’u botua?
Dilaver Radeshi, si ushtarak i ndershëm, i edukuar me konceptet dhe moralin e një ushtaraku të shëndoshë patriot, kritikonte qëndrimin e lëkundur dhe servil të partisë duke shtruar pyetjen se kur, më në fund, do të bëhemi shqiptarë? Sot jemi me Beogradin, nesër me Moskën dhe pasnesër me Pekinin, etj. Në letrën drejtuar Hoxhës, ndër të tjera, ky thoshte: “Ushtria po shkon drejt greminës, po shkatërrohet…”, kundërshtonte heqjen e gradave, etj.
Vehbi Skënderi ishte ngritur kundër konformizmit, i cili po i zinte kudo frymën aparati shtetëror. Dhimitër Pilika fliste për një modernizim total të institucioneve shkencore sipas modelit të Perëndimit. Ai kërkonte një rikonstruksion total të institucioneve shkencore albanologjike. Zija Shkodra kritikonte punën skllavëruese të drejtuesve të institucioneve albanologjike, të cilët përvetësonin punën e të tjerëve. Me këtë stil skllavërues detyronin të tjerët të bënin kumtesa, ndërsa ato në publik e jashtë dilnin me emrin e tyre. Me këtë stil punonte Androkli Kostallari, Aleks Buda, Zihni Sako.
Zija Shkodra bashkohej me idenë e mendimet e Dhimitër Pilikës për rikonstruksion total të Institutit dhe kritikonte drejtuesit që nuk merreshin me punë shkencore të mirëfilltë albanologjike. Gjithashtu ai kritikonte referatin e Aleks Budës të mbajtur në Akademinë e Shkencave në Moskë, në vitin 1955, referat i cili përshkohej fund e krye nga fryma e servilizmit dhe e nënshtrimit ndaj historiografisë sovjetike. Ky referat kundërmonte nga tezat sllave në historinë e Shqipërisë, mbi bujqësinë sllave si më të zhvilluar, etj. Ky referat i zbrazët nga ndjenjat patriotike dhe i mbushur plot demagogji fliste “Mbi traditat e miqësisë midis popullit shqiptar dhe popullit të madh rus” dhe kritikonte historianët shqiptarë që kishin rënë në prehrin e historiografisë borgjeze perëndimore dhe mbyllej me thirrjen drejtuar shkencës historike shqiptare, e cila duhej të mbështetej në shkencën marksiste-leniniste (shih BSHSH, Tiranë 1955, nr. 2).
Bektash Bedo mbronte tezën se kishin kaluar kaq vite dhe këto institucione ende nuk kishin asnjë monografi shkencore dhe ato pak që kishin përfunduar nuk botoheshin dhe mbaheshin vite me radhë nëpër sirtarët e Institutit (shih hyrjen në fund të monografisë “Esnafët shqiptarë” të Zija Shkodrës, hartuar më 1965 dhe botuar mbas 8 vjetësh).
Gani Demiri shikonte padrejtësinë e madhe që i bëhej çështjes së Kosovës, e cila kalohej me dy radhë në Historinë e Shqipërisë dhe historia shqiptare e Kosovës ishte minimizuar aq shumë sa të mos themi se ajo nuk përmendej fare.
Prof. Selman Riza, punonjës shkencor me horizont të gjerë kulturor dhe gjuhësor, pajtohej me të gjitha pikëpamjet: e grupit, sepse ndeshej me frymën prej xherahu të Androkli Kostallarit, që ishte përkulur dhe bërë dyfish ndaj shkencës marksiste-leniniste të Moskës. Si shkencëtar i mirëfilltë në fushën e vet, ky ndeshej me atmosferën mbytëse të Institutit dhe me tezat marksiste-leniniste në gjuhësi të Kostallarit, të cilat nuk i duronte.
Ligor Mile përkrahte pa rezerva mendimet e grupit duke i mbështetur dhe me fletërrufe. Kështu bëri edhe Klara Kodra, e cila megjithëse e re e talentuar, me gjithë presionet e sekretarit të partisë që të mos bashkohej me pikëpamjet e grupit, ajo mori guximin dhe doli hapur në përkrahje të këtij grupi me një fletërrufe.
Të themi dy fjalë për këtë grup, që u dënua kaq rëndë, për këta intelektualë të guximshëm që sekretari i partisë së Tiranës, Fadil Paçrami në mbledhje i quajti “rrugeçër ”.
.
Utopia Komuniste
Utopia Komuniste
Dhimitër Pilika: – Për katërmbëdhjetë vjet drejtoi dhe organizoi katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Pragës, i cili para pak kohe kishte festuar 400-vjetorin e themelimit. Duke ardhur nga qendra e Evropës, bashkë me kulturën universale, ai kishte thithur edhe oksigjenin e demokracisë e pluralizmit. Ky me t’u kthyer në Tiranë, vihet në opozitë me stilin dhe metodat konservatore, nepotiste, despotike e primitive, thellësisht politike e klasore të Institutit të Gjuhës e të Historisë. I porsaardhur nga ai vend i lidhur ndër shekuj me Perëndimin e kulturën perëndimore, ky sjell me vete ritmet, dinamikën e parametrat evropiane të punës, gjë që e bën të përplaset menjëherë me frymën partiake, plogështinë, vetëkënaqësinë, euforinë e plot dukuri të tjera negative. I pajisur me një kulturë shumë të gjerë profesionale e të përgjithshme, zotërues i greqishtes së vjetër e i latinishtes, si dhe i disa gjuhëve kryesore të kontinentit, sapo vjen, ndeshet me prapaskenat, mediokritetin, bajraktarizmin e servilizminpa skrupull, që zotëronte te këto institucione. Ai përplaset pareshtur, qoftë me lakenjtë e shkencëtarët dështakë, qoftë me drejtuesit kryesorë Androkli Kostallari, Aleks Buda, Koço Bihiku e partiakë të tjerë. Ky e fillon polemikën me programet e përgjithshme dhe zbriste në punimet e rendimentet konkrete të punës së gjithësecilit. Kritika e tij ashpërsohet përditë dhe arrin momente kulmore nga zyrat, korridoret, kafenetë e deri nëpër sallat e mbledhjeve, konferencat e simpoziumet, etj. Ky ishte Dhimitër Pilika, i cili bëhet nismëtari e frymëzuesi kryesor i asaj veprimtarie të këtij grupi, që udhëheqja e lartë e partisë do ta emërtonte “veprimtari antiparti”, “grupazhi”, “nxirje të realitetit” dhe së fundi “veprimtari agjenturale”.
.
Kolonel Dilaver Radeshi: – I kthyer vonë nga studimet ushtarake nga B. S., pas Kongresit XX e publikimit nga Hrushovi të Letrës së Hapur për veprimtarinë gjakatare të Stalinit, si dhe pas takimeve e bisedave të gjata me ish të internuarit e Arqipelagut Gulag e kampeve siberiane të vdekjes, – në këtë kohë në Moskë vërshonin lumenj të internuarish nga të gjitha anët e B. S., – ky mbërrinte në Shqipëri me një predispozitë të thellë për të analizuar e gjykuar gjithçka. Zotërues i një shkence ushtarake konteporane e realiste, ky tallej me tezat e çmendura euforike të E. Hoxhës se “ne jemi në gjendje të asgjësojmë totalisht çdo koalicion e grup koalicioni armik”, se “ne mund të neutralizojmë e thyejmë krejtësisht edhe çdo sulm atomik”.
Duke pas qenë partizan e komandant batalioni partizan e studiues i dhënë pas Skënderbeut dhe i artit të tij ushtarak, ndjehet tepër i fyer në gjendjen e servilizmin që tregohet ndaj “aleatëve”, të cilët ikin e ndryshojnë vazhdimisht. “Sot veshim uniformën jugoslle e, nesër sovjetike, pasnesër kineze. E kur, më në fund, do të veshim uniformën shqiptare”! – i shkruan ai plot mllef e guxim Enver Hoxhës. Duke njohur artin e ri ushtarak e teknikën bashkëkohore moderne të luftës, ai do t’i shprehte tërë shqetësimin, përbuzjen e urrejtjen një shoku të vet, ndër ato ditë që vazhdonte në Kinë i ashtuquajturi Revolucion Kulturor Kinez, teksa kalonin para ndërtesës së K. Q., me këto fjalë: “Duhet një top 230-tësh për ta shembur këtë gërmadhë”! Pra ftesa që i bëhej kolonel Radeshit për të shkruar një artikull kritik në “Zërin e Popullit”, mirëpritet prej tij pa rezervë.
.
Major Bektash Bedo: – Bashkëpunëtor shkencor i jashtëm i Institutit të Historisë, autor i disa artikujve të botuar dhe veprave të pabotuara ose të zhdukura nëpër sirtaret e Sigurimit. Studiues korrekt i historisë kombëtare dhe sidomos i periudhës së reformave osmane të Tanzimatit (1839) dhe i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I ndershëm dhe objektiv, përçmues i tendeciozitetit e paragjykimeve partiake, bën përpjekje për të gërmuar e analizuar momentet e ndryshme historike me korrektësi të vërtetë shkencore. Po në pamundësi që të shkruajë e të shprehë tërësisht atë që mendon, dalëngadalë e gradualisht, krijon një zbrazëti të madhe shpirtërore. Këtë hon e thellojnë dhe e bëjnë më të mprehtë disa elemente biografike intime, që gjejnë terren të përshtatshëm në natyrën e tij delikate, shumë të ndjeshme e të çiltër dhe thellësisht kontradiktore. I rritur jetim, në kushte mjaft të vështira, larg motrës së vetme, martuar në Turqi, rreth 40 vjet pa e takuar (ajo vjen në Tiranë vetëm mbas vdekjes së vëllait!), ka një shpirt krejt të zbuluar, që plagoset çdo ditë e çdo orë: Ndershmëria, dinjiteti dhe sedra personale e shtyjnë t’i shpallë botërisht pikëpamjet e veta, me bindjen e plotë se janë plotësisht të drejta. Por, disiplina ushtarake, përvoja e gjatë si oficer i Ministrisë së Brendëshme, e bëjnë të sprapset e të dyshojë, jo vetëm te shokët, por edhe te vetja e vet. Ky duel i ashpër, midis oficerit dhe njeriut, midis shkencëtarit e oficerit, që përfundon në favor të njeriut e të shkencës, nuk do të thotë aspak se ai shkëputet tërësisht nga vargonjtë.
Pas dorëzimit për botim të pamfletit në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” dhe, sidomos, pas denoncimit e presionit të gjithanshëm që shpërthen kundër këtij pamfleti dhe autorëve të tij, shoqëruar me epitete dhe akuza nga më të tmerrshmet, major Bektash Bedo, i cili paditet e gjykohet në vetë shtabin e inkuizicionit, Sigurimit të Shtetit, duke qenë thellësisht i drejtë e i pastër dhe tërësisht i paaftë për t’u shfajësuar e për t’u mbrojtur, shkon në atë fund tragjik, që tani dihet nga të gjithë.
Por, akti i tij, nuk është vetëvrasje, siç u shpall nga organet partiake e shtetërore të atëhershme, po vrasje. Vrasje e detyruar politike!
.
Studiuesi Gani Demiri: – Ikën nga shiu e bie në breshër! Studiues e mësues historie, ai vëren shumë shpejt injorimin që i bëhet çështjes sonë kombëtare. A thua kjo është historia jonë? Historia e momenteve të rëndësishme është lënë në hije. Shumë pak shkruhet për Kryengritjen e Madhe të viteve 1909-1910, 1911, 1912! Pak radhë për rrethimin e Shkodrës më 1913! Asnjë radhë për Masakrën e Tivarit! Asnjë radhë për ata qindra mijë të internuar, të masakruar, të zhdukur! I shoqëruar për vite me radhë nga ky monolog tragjik e gërryes, jo vetëm merr pjesë pa rezerva, por na pret me bujari në shtëpinë e vet, ku u mblodhëm për të piketuar detyrat konkrete të secilit. Dhe as që i shkoi ndërmend se kjo mbledhje, falë vigjilencës e groteskut partiak, do të konsiderohej si “komplot”, “grusht shteti”, etj.
.
Prof. Selman Riza: – Gjuhëtar dhe studiues me horizont të gjërë, pret me kënaqësi tezat e pikëpamjet e pamfletit. I arratisur nga Prishtina, për të gjetur hapësirë e fushë të lirë veprimi, sepse nuk e duron censurën, shtypjen e tiraninë serbe, Prof. Riza nuk pranon kurrsesi as frymën poshtëruese e diskriminuese prej xherahu primitiv të Androkli Kostallarit. Punëtor shkencor i mirëfilltë, i çliruar nga çdo paragjykim e “izmë” partiake, ai nuk fal e nuk duron dot atmosferën mbytëse që sundonte në institutet tona. Patriot i flaktë e shqiptar i vërtetë, nuk pajtohet kurrë me konformizmin e hipokrizinë partiake, në çështjen e Kosovës e tërë dramën tonë kombëtare. Mik i Eqrem Çabejt e ballë i shkencës, shpreh vazhdimisht një mllef të papërmbajtur në bisedat e diskutimet e ndryshme. Prè e një survejimi e diskriminimi të pandërprerë (në këtë Institut punonjësit shkencorë trajtoheshin si bujkrobër!) ai ngelet gjithmonë krenar e i paepur! Bashkë me sulmet e ashpra të A. Kostallarit dhe partiakëve të tjerë të kuq, si Myzafer Korkuti, Jorgji Gjinari etj., me gjakftohtësinë më të madhe ai priti edhe kritikat e të birit, Emin Riza e të dhëndrit Ali Dhrimo, të cilët duke përqafuar marksizëm-leninizmin, mohuan patriotin, shkencëtarin, njeriun e tyre të dashur.
.
Historiani Ligor Mile: – Impulsiv që nuk duronte padrejtësitë dhe reagonte menjëherë ndaj tyre, ky mirëpret kritikën e grupit, të cilën e mbështet me një fletërrufe të hapur, që e vendos në korridoret e Institutit. Megjithë presionet e organizatës së partisë së Universitetit, ky nuk mposhtet përpara tyre dhe vazhdon të kritikojë edhe brenda organizatës. Ky kritikon Androkli Kostallarin dhe sidomos Aleks Budën në fushën e historisë kombëtare. Ai mbërthehet në çdo bisedë me pikëpamjet e tyre konformiste, të cilat e çojnë më në fund si dhe shokët e tjerë të grupit, në dëbimin e tij nga Tirana dhe dërgimin si arsimtar në Korçë, ku qëndroi për disa vjet me radhë. Ky bashkë me Niko Kolecin, Zekeria Rexhën luftojnë, me sa kanë mundësi, me padrejtësitë që vërenin në sistemin e institucioneve albanologjike, si dhe me metodat bujkrobëruese që ekzistonin në kuadrin e Universitetit të Tiranës.
.
Historiani Zija Shkodra: – Duke qenë punonjës i vjetër, ish-kandidat i Institutit të Shkencave që në vitin 1954, njohës i thellë i prapaskenave dhe i puçeve, denoncon hapur padrejtësitë dhe punën spekulative të drejtuesve, të cilët mvartësit dhe bashkëpunëtorët i trajtonin si raja. Kështu, i ndodhur prej shumë vitesh në opozitë me pikëpamjet e veprimtarinë despotike në shkencë të drejtuesve të këtij Instituti albanologjik, ai mezi pret rastin të shprehet me shkrim, publikisht, me një artikull. Prandaj ai bashkëpunon me këtë grup intelektualësh duke ndihmuar në hartimin e pamfletit që nuk u botua.
.
Vehbi Skënderi, poet: – Qysh në vitin 1950, kur denoncohet në organizatën bazë të partisë se e kanë parë me “Lahutën e Malcis” nëpër duar, ai përgjigjet plot vendosmëri: “Unë nuk lexoj Ungjillin e Patër Gjergjit, por poemën e poetit Gjergj Fishta”! Po kështu ai shpreh një mendim personal (po në organizatën bazë, në prani të sekretarit të partisë së rrethit) edhe për Konferencën e Tiranës. Kjo frymë tolerante vërehet herëpashere edhe në disa nga krijimet e tij poetike, sidomos në poezinë erotike. Por, veçanërisht, nëpër biseda, diskutime e mbledhje të ndryshme, ai arrin deri në rebelim, siç është rasti në një mbledhje të hapur të shkrimtarëve dhe artistëve, ku del në mbrojtje të shkrimtarit të talentuar Bilal Xhaferi, si dhe në raste të tjera.
Për mendimet e shfaqura kundrejt padrejtësive, Vehbi Skënderi do të cilësohet si pjesëmarrës dhe organizator i kësaj “veprimtarie agjenturale” dhe “armiqësore” etj., prandaj ai dërgohet për pesë vjet si punëtor në Vaun e Dejës. Dhe pa u mbushur tre vjet do të fillojnë masa të tjera represive edhe më të egra si: Përjashtimi nga partia, heqja e të drejtës së botimit, djegia e librave, pushimi nga puna dhe transferimi familjarisht në Shkodër. Më vonë këto masa do të “zbuteshin” me papunësi trevjeçare, dhe pesë vjet hamall, etj. Pra, duke u bërë organizator e redaktor i këtij pamfleti të pabotuar, ai do të bëhet subjekt e objekt përndjekjeje dhe përbuzjeje shumë të egër, që e ka ndjekur, si tërë grupin në fjalë.
.
Censurë komuniste...
Censurë komuniste…
“Konferenca e Tiranës”, në vitet ’60, konkretisht më 1967, e cila “falë vigjilencës së Partisë”, – siç do të përsëriste shpesh në ato ditë sekretari i parë i komitetit të partisë së rrethit, Manush Myftiu, – “u shua që në embrion dhe nuk arriti të shpërthejë flakë”. Natyrisht, me “vigjilencën e partisë” nënkuptohet nga vetë shoku Manush e K. P. i rrethit të Tiranës. Me fjalë të tjera, atë mision “historik” që kishte kryer E. Hoxha, duke u kthyer urgjentisht prej pushimeve, në vitet ’50, në Konferencën e Tiranës, tani e kishte kryer ai vetë! Domethënë Manush Myftiu personalisht.
Në fakt, asnjë ngjarje tjetër në vitet ’60, nuk pat shkaktuar një tronditje kaq të madhe e nuk ka patur këtë jehonë që shkaktoi ky pamflet, i cili megjithë dëshirën për botim nga ana e kryeredaktorit Todi Lubonja, ai mbeti i pabotuar nga komisari i kuq Fadil Paçrami, për arsyet që vijojnë:
-Sepse kjo ngjarje shfaqej pas Kongresit XX e XXII të partisë komuniste të B. S., që i kishin thelluar proceset e destabilizimit dhe demokratizimit, duke u dhënë hov këtyre proceseve edhe nëpër vendet e tjera të Lindjes.
-Sepse, pikërisht në këto ditë, në Kinë flakëronin flakët e “Revolucionit Kulturor”, të cilat, befas, mund të mbulonin edhe atmosferën tejet të gazifikuar (rubinetat kishin plasur me kohë!) e të tensionuar, qoftë edhe me kahe të kundërt.
-Gjatë viteve ’60-të kishin ndodhur edhe akte të tjera rebelimi si p.sh. veprimtaria e grupit të Vangjel Leshos, Trifon Xhagjikës, Fadil Kokomanit e Robert Vullkanit. Por këta ishin damkosur qysh në fillim si “armiq” dhe ishin dënuar pa marrë kurrfarë kontakti me popullin. Kurse rasti ynë ishte krejt ndryshe. Ndoshta edhe po të ishte botuar ky “pamflet” nuk do të kishte pasur këtë ushtimë e tronditje që shkaktoi duke mos u botuar. Zhurma e tij, duke kaluar nëpër grykat e artilerisë propagandistike të partisë, mori përmasa e dimensione të jashtëzakonëshme plasën fletërrufetë, thirrjet e mbledhjeve të organizatave të partisë dhe të kolektivave punonjëse, që vazhdonin ditë e natë. Pasojat e viktimat e këtyre gjyqeve, si në kohën e inkuzicionit mesjetar, dihen mirë. Por ne, për t’u freskuar kujtesën njerëzve po i përmendim edhe në mbyllje të këtij shkrimi.
-Dy institutet, që merreshin në analizë e denoncoheshin publikisht para botës, ishin të sferës ideologjike. Kështu që, Partia, e cila i konsideronte këto objekte si domenet e veta partiake, prekjen e tyre e quante si goditje që i bëhej drejtpërdrejtë asaj.
Tiranë, më 16. 10. 1994
 
Marrë nga muri i Agim Morinës, e hënë, 17 dhjetor 2018
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.