back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

U kthye prap Kulaku… nga Kujtim Cekani

Gazeta

Kujtim Cekani
Kujtim Cekani

U kthye prap Kulaku…

nga Kujtim Cekani

Sa larg paskam ikur
e sa shumë vite kanë kaluar…

Dhe ja, një ditë vendosa të kthehem
aty ku të shumtët më urryen,
aty ku askush një fjalë s’ma foli,
ku gjithnjë egër më panë si armik,
ku bukën ma me listë jepnin
o ndoshta s’ma jepnin hiç….
Për ta as duhej të pija, as të haja:
Normal, pse përt ta e krejt botën
isha thjesht një: Kulak!

Dhe zbrita një ditë prej qiejsh,
te fshati im i humbur malesh
plot mall e ankth!
Ç’të bëja… ç’t’ju thosha..
Ti pyesja si janë?! Çfarë bëjnë?!
Jetën si e shtyjnë? O t’i përshëndesja vallë!?
ata që kurrë s’ma kishin folur një fjalë!
Çfarë t’u tregoja për Botën e Madhe..
dhe kohën e tyre që fund kish marrë!?
Imagjinoja ngërdheshjet e tyre
kur në rrugë të shkëmbeheshim,
mendoja përshëndetjen time…
përplasur me heshtjen e tyre…
Pastaj… nënzë një kurm tinzar:
me të cilin qeshë mësuar: Kulak!
Dhe e shara e tyre mbas shpine
gjithnjë mbas shpine
se përballë ata kokën e ulnin,
S’kishin guxim përballë…

Karikatura e Kulakut ne Bashkimin Sovjetik
Karikatura e Kulakut ne Bashkimin Sovjetik

Dhe sa më shumë afrohesha ..
Aq më shumë mendoja ç’mund të ndodhte vallë!!
O Zot… Si duhej të sillesha me ta!?
Si duhej të sillesha
me atë që në burg desh më shpuri,
me atë tjetrën që më linte të prisja mbas dere
e s’di sa herë pa bukë më kish lënë?!
Po atij që para popullit më ngriti,
dhe atij tjetrit që në emër të partisë më fyeu,
ç’ti thoja atij që hekurat m’i vuri
e me duart lidhur më mbajti orë të tëra..
po atij që më dënonte “Në emër të popullit”
e atij tjetrit që kurrë s’më foli?!
Po atij… dhe atij… dhe plot të tjerë?!

O Zot,
edhe për gurët malli më kish marrë,
sa fjalë me ta kisha këmbyer!
I kisha të mitë, ma kishin mbajtur fjalën
me orë të tëra me ta kisha biseduar
kurrë s’më urryen,
kurrë s’më kishin quajtur: Armik!
As gurët, as drurët…
Me qindra herë më kishin thënë:
Ik Kujtim… Ik! Ik!
Ik nga kjo botë e ligë..
Ik, se kvta veç njerëz s’janë.
Ik, është jeta që ty të thërret… ç’pret!
Ik Kujtim, të gjesh njerëz, të gjesh miq!
Miq që të thonë Mirëmëngjes..
e dorën ta shtrëngojnë me nderim,
Ik Kujtim… Ik mos ki frikë,
më thoshnin gurët dhe drurët
edhe kodrat… dhe qielli… dhe Hëna..
Ik… më thoshte Dielli
dhe zogjtë që më këndonin brenda…

Sa shumë më patën folur rrugët me gurë,
Po njerzit kurrë! Ah, ata njerëz kurrë!
Memecë ishin, veç dy fjalë i dinin mirë:
Ti je kulak! Ti je armik!
Kur gjithçka rrotull… më thoshte:
Ik Kujtim, Kujtim veç ik!

I mbytur në këto mendime,
ecja drejt vendlindjes sime…
Dhe afrohesha, e afrohesha!
derisa gurët më panë…
dhe drurët me mallë qanë
S’kishin lëvizur aspak,
ishin aty si njerëz të gjallë!
derisa ballë përballë
ndesha një nga ata
që gjithë jetën mbas shpine
më kish ulërirë: Kulak! Kulak!
Ndalova… E përshëndeta,
e pashë drejt e në sy..
Më pa… u përdrodh
Oooo… Ti je?! Për pak s’të njoha,
– e dhëmbët jashtë i nxorri
qeshi, a bëri sikur qeshi, s’e di.
Po ku je moreee? –
e vazhdimi në grykë i mbeti
me gojën hapur gjer tek veshi
U skuqa, u drodha, ç’ti thoshja
Më gumëzhinin veshët..
më kish ikur goja…

U nisa për atje, ku vetëm shpirti im e di!
kur nga mbas dëgjoj një zë plaku!!
U kthye… U kthye prap Kulaku!
Atë çast ndala, te gurët i fëmijërisë..
sa fort i përqafova, sa përmallim…
Ju dua, o gurë të vendit tim.
Dhe i përlotur vazhdova,
në ikjet e mia pakthim…
Prill, 2016 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Poezia,
    ma së shumti ka diçka të brishtë
    e delikate brenda vetes dhe nuk të lejon me e përdorë,
    apo ma keq, me e keqpërdorë
    për çdo lloj gjendje që jeton brenda nesh…
    Në të kundërt të këtij opinioni,
    Kujtim Cekani
    nji rrwfimi tronditës të jetës së vet
    i ka gjetë njimijë arsye me i dhanw nji trajtim poetik,
    që në fund të fundit meriton konsideratë.
    Edhe pse të mbush me nji trishtim të pakufi!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.