Standard pa Standarde – nga Ag Apolloni

0
18
Ag Apolloni
Ag Apolloni
Ag Apolloni
Ag Apolloni

Standard pa Standarde

nga Ag Apolloni

Standardi ka nevojë për një rotacion: një standard me bazë gege do të ishte shpagim për një krim të bërë para pesë dekadash. Të gjithë e gjithkund jemi dëshmitarë se Standardi ekzistues nuk i plotëson standardet që duhen plotësuar për të qenë gjuhë përbashkuese e kombit.

Festa

Këtë nëntor u festua 50-vjetori i standardizimit të gjuhës shqipe. Atituda e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë në lidhje me funksionimin e standardit ishte konservatore, ndërsa zëra reagues pati vetëm nga disa persona me prejardhje nga areali gegë. Pra, gjuha standarde dukej si çështje e mbyllur: ne që jemi mbledhur këtu e dimë rëndësinë e gjuhës standarde, e cila na bashkoi si komb, kurse ata që mendojnë ndryshe janë separatistë. Euforia komuniste krijoi fantazmën separatiste, për ta mbrojtur jo vetëm gjuhën, por edhe kombin nga përçarësit, të cilët gjithmonë janë gegë.
Po pse gegët s’e duan standardin?
Përgjigja është e thjeshtë: sepse standardi s’i plotësoi (dhe s’i plotëson) standardet që duhen plotësuar për të qenë gjuhë përbashkuese e kombit. Dhe, këta gegët që reagojnë, mund të jenë pakicë, por flasin në emër të shumicës. Shqipëria ka rreth tre milionë banorë, prej të cilëve gjysma janë gegë. Kosova ka rreth dy milionë banorë, të gjithë janë gegë. Maqedonia ka gjysmë milioni shqiptarë, pothuajse të gjithë janë gegë. Mali i Zi ka rreth pesëdhjetë mijë shqiptarë, të gjithë janë gegë. Serbia ka rreth njëqind mijë shqiptarë, të gjithë janë gegë. Pa llogaritur këtu shqiptarët në ekzil (shumica gegë), është krejt e qartë që dialekti gegë është dominant, edhe pse zyrtarisht i injoruar.

Historia

Shqiptarët për herë të parë përmenden më 1080 nga historiani bizantin Michaelis Attaleiates, kurse gjuha shqipe për herë të parë përmendet më 1285: Audivi unam vocem lamantem in monte in lingua albanesca (Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe). Ndërsa, më 1308 nga një autor anonim dëshmohet që gjuha shqipe është ndryshe nga gjuhët e tjera: Habent enim Albani prefati linguam distanctam a latinis, grecis et slavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus (Këtu shqiptarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të dalluar prej latinëve, grekëve e sllavëve, kështu që nuk merren vesh fare me popujt e tjerë). Kurse dëshmia e tretë, Directorium ad passagium faciendum (Udhëzime për kapërcimin e detit), më 1332, tregon që megjithëse gjuhë e veçantë, shqipja ka alfabetin latin: licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in usu et in omnibus suis libris (megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre).
Kjo fjali tregon që shqiptarët kanë gjuhë të veçantë, alfabet latin dhe traditë shkrimi. Por, ky “udhëzim” nuk ka ndihmuar në gjetjen e asaj tradite. Kështu që, shkrimi i parë shqip daton më 1462, si përkthim i formulës latine të pagëzimit. Pas kësaj formule vijnë librat gegë nga Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani. Dialekti gegë popullarizohet me Fishtën e Migjenin, dy antipodet e poezisë shqipe, kurse shkëlqen me Mjedën, Koliqin e Camajn. Derisa autorët që e përfaqësojnë shkrimin gegë janë brenda Shqipërisë, toskërishten e shkruajnë autorët që ndodhen jashtë Shqipërisë: Jul Variboba, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Naim Frashëri, Asdreni, Fan Noli, Faik Konica etj. Dihet që, për arsye të vetëkuptueshme, gjuhën më mirë e shkruajnë dhe e flasin ata që janë brenda sesa ata që janë jashtë (atyre në diasporë gjuha e dytë ua dëmton gjuhën e parë).
Në vitin 1972, Kosova dhe Shqipëria pajtohen ta standardizojnë toskërishten, duke rënë kështu në kundërshtim me rrjedhën e historisë së gjuhës shqipe. U vendos një dialekt që kishte një traditë dhe një shtrirje gjeografike (pra, një përdorim) shumë më të vogël sesa dialekti gegë, edhe pse, po të përfillej logjika, më lehtë do të ishte që toskët si sasi më e vogël ta përvetësonin një standard me bazë gege. Prandaj dështimi i standardit si në gjuhën e folur, ashtu edhe në atë të shkruar, nuk mund të quhet rastësi. Shumica shqiptare, meqenëse i përket arealit gegë, nuk ka marrë mundin ta mësojë standardin, sepse e ka parë si akt linguicid.
Në fjalën përshëndetëse, në takimin festiv me rastin e 50-vjetorit të Standardit, presidenti i Shqipërisë, iu referua edhe Fishtës për gjuhën shqipe si gjuhë hyjnore, por as ai, as kryeministri, as akademikët, nuk e panë standardin si shpërfillje, apo fyerje, ndaj Fishtës dhe gegëve.
Po çka mendonte Fishta për Standardin?

Duke pritur Danten

Nga një dëshmi që na e sjell Jacques Bourcart, që e kishte pyetur Fishtën në lidhje me njësimin e gjuhës shqipe, shohim se autori i “Lahutës” s’do ta pranonte dekretin e Kongresit: “poetët janë ata që mund të krijojnë gjuhën letrare, duke huazuar nga thesari i pasur i dialekteve të popullit format gojore (…). Gjuha nuk mund të krijohet me dekrete” (J. Bourcart, Lëvizja letrare në Shqipëri, Dituria, Tiranë, 2007, f. 30). Pas kësaj, Fishta merre shembullin e Italisë, standardi i së cilës u ngrit mbi të folmen e Firencës, saktësisht mbi gjuhën e Dantes, duke insistuar kështu që edhe Shqipëria duhet të presë lindjen e një poeti si Dante që do ta unifikonte gjuhën shqipe. Nga evidenca e Bourcart-it (publikuar frengjisht në shkurt të vitit 1925, në “La Vie de Peuples”, nr. 58) kuptojmë se në revistën gege (françeskane) “Hylli i Dritës” botoheshin edhe shkrime toske, pasi Fishta mendonte se shqiptarët kanë njohje reciproke të dialekteve dhe si të tilla duheshin përdorur deri në ardhjen e Dantes shqiptar.
Njëzet vjet pas fjalëve të Fishtës, Arshi Pipa shpreh shqetësimin për mungesën e një gjuhë të unifikuar, duke insistuar gjithashtu që gjuha krijohet prej poetëve, jo prej gjuhëtarëve: “Gjuha asht mjeti i shprehjes. Po të mos jetë mjeti i përsosun, asht e dijtun, vepra nuk ka si del e mirë. Qysh mund të dali e bukur një shtatore kur dalta asht e paprehun? Si mund të pikturohet me nji brushë të metë? Problemi gjuhësuer asht nji nga ma të ngutshmit qi duhet zgjidhë. Kishte me u-dashtë pra qi ata njerëz o institute qi punojnë në kët drejtim, t’a shpejtojnë sa ma tepër ritmin e punës. Sa ma shum kohë kalohet aq ma shum dam kemi: babilonija e shkrimit të shqipes vjen tue u-rritë ditë për ditë. (…) Ma e ndërlikueme asht çashtja e gjuhës letrare. Gjuha letrare krijohet prej poetit, jo prej linguistit. Por ndihma e ktij nuk asht e paktë” (A. Pipa, “Mbi përkëthimet”, revista “Kritika”, nr. 2, 1944).
Në vitin 1990, në një letërkëmbim Camaj-Pipa, Martin Camaj mendon se “punë e ngutshme, simbas mendimit tem, ashtë rikthimi i gegnishtes së shkrueme në shtypin letrar e të përditshëm si dhe në tekste shkollore” (Letërkëmbimi Camaj-Pipa: 1959-1992, f. 509), dhe hamendëson se fati i gegnishtes varet prej strukturave administrative e shoqërore në të ardhmen: “besoj se ideja (khs. Kosovën) e ndamjes së Shqipnisë në krahina ekonomikisht dhe kulturalisht ashtë e domosdoshme, përndryshe nuk funksionon asgja” (Po aty, f. 509). Kurse Pipa, pasi zbraz mllefin kundër pjesëmarrësve kosovarë në Kongres, konstaton se gegnishtja është romane, ndërsa gjuha e njësuar është bizantine (Po aty, f. 512), dhe insiston që t’u bëhet e qartë kosovarëve se unifikimi i gjuhës nuk është bërë për ta bashkuar kombin, por për ta përçuar më lehtë ideologjinë staliniste.

Letërsia pa gjuhë

Gjuha nuk është letërsi, por letërsia është gjuhë. “Krejt çka ndodh në letërsi është aventurë e gjuhës”, thoshte Benveniste. Letërsia nuk mund të duket reale, nëse gjuha e saj është artificiale. Prandaj, nga instalimi i komunizmit në Shqipëri dhe nga favorizimi që ia bën ai sistem dialektit jugor, shkrimtarët veriorë janë zhvendosur në vend dytësor. Në Shqipërinë komuniste nuk mund të imagjinohej një shkrimtar i madh që shkruante në dialektin gegë. Ndërsa, shkrimtari verior nuk mund të shkruante për ngjarje që vendoseshin në arealin gegë e t’i flisnin personazhet toskërisht.
Gjuha standarde edhe mund të ketë funksionuar nëpër shkresa zyrtare, por jo edhe në tekstet letrare të shkrimtarëve veriorë, sepse shkalla e motivimit kërkon që personazhet e veriut të flasin gjuhën e veriut dhe personazhet e jugut të flasin gjuhën e jugut. Motivimi gjuhësor, ngjyrimet stilistike, loja me dialekte, idiolekte dhe ideolekte, kërkojnë që të bëhen dallime gjuhësore mes personazheve dhe jo të rrafshohet gjuha sipas një vendimi të imponuar politikisht në një kohë kur askush nuk mund të kundërshtonte.
Në letërsinë shqipe, problemi i gjuhës është problem që kërkon zgjidhjen më urgjente, në mënyrë që të shkohet më tutje te problemet tematike, formale e strukturore. Gjuha standarde, e tillë çfarë është, mbetet pengesë jo vetëm në letërsi, por edhe në teatër, kinematografi e muzikë. Teatri (drama) do të duhej të ishte afër gjuhës së folur, por gjuha standarde shton dozën e teatralitetit deri në neveri dhe kështu largon shikuesin (lexuesin). Filmi (skenari), që pretendon të jetë edhe më i natyrshëm se teatri (drama), e largon spektatorin sapo futet brenda standardit, kur dihet se karakteret, apo aktorët, nuk janë në përputhje me gjuhën që e flasin. Po ashtu, edhe muzika (tekstet e këngëve) përshtaten me njërin dialekt më shumë se me tjetrin, prandaj është gabim të pretendohet të arrihet sukses në zhanret bluz, rok apo hip-hop duke kënduar në gjuhë standarde, e cila mund të jetë efikase vetëm për arte standarde si opera, ku aftësitë kryesisht shprehen në lëvizje teatrale dhe ngritje e ulje tonale.
Sidoqoftë, derisa artet e tjera gjuhën e kanë vetëm një nga komponentët e tyre, letërsia gjuhën e ka mjet esencial, pa të cilën nuk krijohet, pa të cilën nuk ekziston.
Tash që letërsia shqipe ka nisur të çlirohet nga funksionet jashtëletrare dhe nga metarrëfimet, e ka të domosdoshme të lirohet edhe nga këmisha e ngushtë e gjuhës standarde që të marrë frymë lirshëm, të pasurojë koloritin stilistik dhe të rrisë besueshmërinë në atë që thotë.
Gjuha standarde, pos të tjerash, nuk pranohet nga gegët, sepse nuk e ka përfillë as traditën e shkrimit shqip, as shumicën e folësve shqiptarë.
Standardi ka nevojë për një rotacion: një Standard me bazë gege do të ishte shpagim për një krim të bërë para pesë dekadash. Prandaj, ndryshe nga festa e akademikëve dhe politikanëve me rastin e 50-vjetorit të Standardit, që dukej si komemoracion, ku datat (1972-2022) shënjonin lindjen dhe vdekjen e Standardit, unë mendoj (dhe këtë e kam shprehur e shpjeguar për më shumë se një dekadë) se na duhet një Standard i Ri, një standard që nderon traditën dhe respekton shumicën. Në regjimet tiranike mund të fitojë pakica, por në demokraci gjithmonë fiton shumica. Me një Standard të Ri do të dëshmonim se kemi hyrë në Demokraci.

Marrë nga muri i Fb i Agim Morina, 7 dhjetor 2022

 

Related Images:

Artikulli paraprakҪfarë nuk dinë shqiptarët nga punimet e Kongresit te 1972? – nga Genci Hoti
Artikulli tjetërMbrojtës i besimit, traditës dhe ortodoksisë Mirënjohje për Papa Benediktin XVI – nga Albert Bikaj
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.