back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina (Pjesa e Pestë)

Gazeta

Polina Semjonova Zhemshuçina (1897-1970)
Polina Semjonova Zhemshuçina (1897-1970)

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina  (Pjesa e Pestë)

(poemë nga Jevrem Berkoviç)

Përktheu Lazër Radi – 1989

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina
Berkoviç – Stalini, Mozarti dhe Maria Judina –
Perktheu Lazer Radi Saver 1989

Polina Semionova Zhjemçushina,

për së dyti midis të gjallëve

Polina
Semionova
Zhjemçushina
qe nji rast i jashtzakontë
ajo ishte bashkëshorte,
nanë,
ministre e Industrisë Kimike
dhe njiherit Bolshevike!

Polina
Semionova
Zhjemçushina
me origjinë ebre,
në orët e lira
ishte lexuese e zelltë e Dostojevskit!

Polina
Semionova
Zhjemçushina
bashkshorte e Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovit,
ithtarit ma i devotë të Kobit në Politbyro,
e ma tej në Kremlin,
në Moskë,
në Rusi,
në Mal të Zi
e në krejt rruzullimin!

Polina
Semionova
Zhjemçushina,
bashkshorte e Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovit,
njeriut ma besnik të Kobit në botë,
edhe ma besnik se Llazar Moisijeviç Kaganoviçi,
para Berias gjithsesi,
para Jagodës asht e sigurt,
nga Jezhovi  eh ndoshta
po nga K. J. Voroshillovi pa asnji dyshim!

Polina
Semionova
Zhjemçushina,
Bashkshorte e Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovit,
bolshevikut njizetekatër karatsh me syze ari,
me buzqeshje të rafinueme
dhe batuta diplomatike të klasit të parë.

Polina
Semionova
Zhjemçushina,
bashkshorte e Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovit,
narkoman i famshëm i punëve të jashtme,
nënshkruesi i paktit me Ribentropin,
njeri me sistem nervor si ma do –
të cilin me ar të thatë
do ta paguente çdo atentator!

Polina
Semionova
Zhjemçushina,
bashkshorte e Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovit,
i famshëm
për koktejet alla Mollotov
të shtrueme në Bejrut, Romë, Londër e Paris.
Vjeçesllav Mihajlloviç Mollotovi,
e njohu çifutkën e re
Polina
Semionova
Zhjemçushina
në shtëpinë e Aleksandra Kollontajit,
shoqe e tij e partisë,
nikoqire e ma s’parës qeveri sovjetike!

Vjeçesllav
Mihajlloviç Mollotovi,
ndërsa gjerbte çaj, djallzisht shtirej se lexonte Tolstojin,
e nën kornizën e florinjtë të syzeve t’veta,
me ata sy të përhimtë e të akullt,
kqyrte sytë e kaltër prej pëllumbi
të Polina
Semionova
Zhjemçushinës

Aty
– sipas Aleksandra Kollontajit –
u krijua ai intimiteti i mjaftueshëm
për nji ndërhymje komuniste
për jetën e përbashkët
të dy bolshevikëve të rinj!

Polina
Semionova
Zhjemçushina
(e pazakontë për sekretarin e përgjithshëm
dhe gjeneralisimin e ardhshëm),
prej Kob Xhugashvilit, mori si dhuratë martesore
dhe si kujtim nji byzylyk argjendi gruzian,
me urdhën të nënshkruem prej tij
tërhoqi prej magazinës speciale të Narkomit
magazinë e marshallëve,
dhe gjeneralëve,
nji palë çizme grash,
nji peliçe astrakani dhe nji palë dorashka.

Polina Semionova - Mollotova
Polina Semionova – Mollotova

Po as dhandri
Vjeçesllav
Mihajlloviç
Mollotovi
s’mbeti pa peshqesh!
Ai iu dorzue, Shota Rustavelit,
që gjuhën gruze, me detyrim partie,
ta mësonte mbrenda gjashtë muajve.

Vjeçesllav
Mihailloviç
Mollotovi,
ditën, kur çonte dollinë, mori urimin dhe lajmin
se do të bahej bashkpunëtori ma i ngushtë
dhe ma i afërm
i atij, krah të cilit, për dhjetra vjet,
do të fotografohej veç në krahun e djathtë.

Dhe ata kujtonin
vitet e jetës së përbashkët,
ledhatimet e hermbashershme në banesën aq intime,
lindjen e djalit Andrej dhe vajzës Ljudmilla,
drekat në tryezë me Kobin në Krime,
ndonjiherë edhe në Kremlin,
po ma dendun në Podmoskovlje.

Polina
Semionova
Zhjemçushinës
gjithçka i shkonte fjollë:
Ajo bahet antare e Komitetit Qendror
dhe Ministre e Industrisë Kimike,
e n’luftën patriotike
ajo bahet Kryetare e Komitetit të Ebrejve Sovjetikë,
aq të domosdoshëm për Kobin!

Nji karrierë e shkëlqyeme
e Polina
Semionova
Zhjemçushinës
si bashkshorte dhe nanë delikate,
si bolshevike shembullore,
edhe si antinaziste e flaktë në Komitetin e Ebrejve.

Polina
Semjonovna
Zhjemçushina, me 12 janar ’42,
përmes korrierit të Ministrisë së Industrisë Kimike
Stjepka Moshuroviç, i dërgoi Ana Ahmatovës, poeteshës,
e cila, sipas Zhdanovit
ishte “ikonë mashtruese e nji putane ruse”,
nji pako çaj, nji kilogram zaharinë dhe dorashka!

Polina
Semionova
Zhjemçushina,
qe e bindun se me Berian e kish mirë.
se dosjen e saj e kishte krejt të pastër,
domethanë e kishte plot vlersime për meritat e saj
në fushë t’Industrisë Kimike
dhe të luftës kundra antisemitizmit,
e sa për të fshehtat e saj, as Dostojevskit s’i kish tregue gja
se ç’ndodhte në Kremlin, e ç’kish pa
mbasdrekave dimnore te Kob Xhugashvili!

Polina
Semionova
Zhjemçushina
e bindun në dlirsinë e saj dhe në shkresat e Berias,
muejin e parë të vjeshtës së vitit ’49,
midis ma të dashtunve, krejt e qetë,
midis vodkës, havjarit, blinit, ambëlsinave dhe luleve
festoi dyzetvjetorin e saj…

Kështu, për bashkëshorten,
Polina,
Zhjemçushina
mendonte edhe Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovi,
deri ditën
kur së bashku në çajin mëngjesor n’Kremlin,
ashtu si rastësisht dhe krejt pa të keq Kobi i tha
se: Qe detyrue me e burgosë Polina Semionovën!!!

Diktatori Josif Stalin
Diktatori Josif Stalin – Kob Xhukazhvili

Jam i detyruem, o Vjeçesllav Mihajlloviç
sepse ka llapur pak si tepër për jetën intime të udhëheqjes
dhe për shfaqje të teprueme proebreje,
o Vjeçesllav Mollotov!
Kur mori vesh se fjala qe për gruan e tij,
ai u drodh, e pa Kobin drejt e në sy e aty për aty shtoj:
-Shumë e drejtë shoku Kob, shumë e drejtë!
-Qëndrim i drejtë, shoku Mollotov, shumë i drejtë!
pohoi me kokë Kob Xhugashvili!
ndërsa tymoste të tretën llullë mëngjesore!
Po ashtu reagoi edhe
Llazar Miosijeviç Kaganoviçi
Kur Kobi, Beria dhe Abakumovi nisën për Siberi
Bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitun:
-Shumë e drejtë, shoku Kob, shumë e drejtë!

As
Anastas
Ivanoviç
Mikojani
s’pati asgja kundra
kur shoku Kob, në nji kamp të posaçëm siberian
nisi djaloshin armen Mikojan, konstruktorin e avionave!
Djalin e madh të
Anastas
Ivanoviç
Mikojanit.

Nji mëngjes në Kremlin,
nji mëngjes kremlinor,
sy më sy me Berian,
Kob Xhugashvili si nën za porositi:
-S’asht nevoja që Polina Semjonovna Shemçushina
të mbrrijë e gjallë gjer në Siberi.
-Pse, o Laurent Pavlloviç –
i tha Berias, duke iu drejtue me intimitet, Kob Xhugashvili,
-pse me e torturue at grue të shkretë
me nji udhëtim aq të gjatë
në nji vagon kafshësh
bashkshorten e shokut tonë
Vjeçesllav
Mihajlloviç
Mollotovit?!
Më thuej përse?!

Domethanë
Polina
Semionova
Zhjemçushina
Duhej shkarkue në ma t’parin stacion të vdekjes përgjat rruge,
nga Moska në Kolimë, meqë k’si soji,
kishte ma shumë se stacione hekurudhe.

Të nesërmen në mëngjes,
vetëm për vetëm me Kobin,
Laurent Pavlloviç Beria
e njoftoi Kob Xhugashvilin
se njerzit e tij e kishin krye me sukses porosinë!
se e shoqja e tij, Polina Semionova Zhjemçushina
qe shlye nga lista e hijeve gjalluese siberiane!
dhe qe vendosë që:
Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovit të mos i thuhej asgja,
as atij s’i interesonte ma, fati i bashkshortes së tij!

Duke e ndje fundin e shpejtë të Kobit,
Laurent Pavlloviç Beria,
Polina
Semionova
Zhjemçushinën,
e fshehu në kampin e të vdekunve të veçantë,
ku, po të paraqitej nevoja, ngjalleshin sërish,
e mund të ktheheshin në Moskë,
e mund të shetisin në Sheshin e Kuq,
e mund të hynin drejt e në Kremlin,
e mund të baheshin dhurata ma e shtrenjtë
për ata, që
-Kur Kobi të mos ishte ma në Kremlin –
mund t’i nevojiteshin, e të baheshin të tijtë
dhe atij t’i ishin mirnjoftës n’jetë të jetëve!

Nji ditë
mbas vdekjes së beftë të Kobit,
Laurent
Pavlloviç
Beria,
me telefon të veçantë,
e njoftoi shokun e vet
Vjeçesllav Mihailloviç Mollotovin,
(i cili, pikërisht at çast –
me mjeshtrin e ceremonive të Kremlinit –
po jepte udhzimet ma t’randësishme në skenarin
e varrimit madhështor të Kob Xhukazhvilit,)
se në shtëpi e priste bashkëshortja
Polina Semionova Zhjemçushina,
se ajo e kish përgatitë drekën e madhe familjare,
se lulet ishin mbi tryezë,
se shishja e vodkës qe hapë,
se në shtëpinë e Mollotovëve
gjithçka ishte si dikur!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.