back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina (Pjesa e Gjashtë)

Gazeta

Stalini me te bijen Svjetllana Alilujevna 1935
Stalini me te bijen Svjetllana Alilujevna 1935

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina (Pjesa e Gjashtë)

(poemë nga Jevrem Berkoviç)

Përktheu Lazër Radi – 1989

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina
Berkoviç – Stalini, Mozarti dhe Maria Judina –
Perktheu Lazer Radi Saver 1989

Galoçka Jakovleva Xhugashvili

shkatërron identitetin e vet

Kjo asht historia e
Galoçka Jakovljeva Xhugashvilit,
mbesë e parë
e Josif Visarionoviç Xhugashvilit,
lindun në Moskë
në ’35-ën!

Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili
nga i ati Jakov Josifoviç Xhugashvili (gruzian),
dhe e ama Lidia Isakova Xhugashvili (ebreje),

Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili.
Midis gjamave rrënuese,
dhe historive të kobshme familjare,
– të familjeve ma t’famshme bolshevike –
ajo e familjes së Kobit asht ma e tmerrshmja!
Tragjik asht fati i krejt Xhugashvilëve,
por ai i Josifoviçëve mbetet ma tragjiku!

Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili,
mbesë e parë e Kob Xhugashvilit,
e vetmja foshnjë e Xhugashvilëve
që ai e mbajti në prehër të vet!

Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili,
mësoi se në vitin ’44, i ati iu vra,
se Jakov Josifoviç Xhugashvili
qe karbonizue në nji kamp gjerman
midis oficerëve sovjetikë të xanun rob!

Kur Galoçka Jakovljeva,
për pushimeve dimnore, shkoi te gjyshi në Kremlin,
nga Matrona Petrovna,
-Gruaja që për dhjetra vite qeverisi
ekonominë kremliniane të Xhugashvilëve –
mësoi ç’ka në teknikumin leningradas
s’kish guxue kush me ia thanë:
O pse askush s’e dinte,
o pse askush s’guxonte vallë!?
Po Matrona Petrovna
me shaminë e lame në lot –
u detyrue me ia thanë…
Se Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvilit
e ama e saj,
Lidia
Isakovna
Xhugashvili,
kish vdekë në nji aksident rrugor,
diku në rrethinat e Moskës.
– siç kish rrëfye Laurent Pavlloviç Beria

Nadjezhda Alilujevna
Nadjezhda Alilujevna

Matrona Petrovna
mundi me i tregue voglushes Galoçka Jakovljeva
veç çka gjyshi i Galoçkës
Kob Xhugashvili,
porositi se mund t’i tregohej mbesës së tij të parë
kur të kthehesh për pushimet dimnore në Kremlin!

Të vërtetën
mbi vdekjen e nanës së Galoçkës
Lidia
Isakovna
Xhugashvilit,
e dinte veç gjyshi i Galoçkës dhe Beria.

Laurent
Pavloviç Beria
veç detyrave dhe funksioneve tjera
qe edhe kujdestar i krejt pjestarëve të familjes Xhugashvili,
me përjashtim t’Atij
që at mbiemrin tipik gruzian
e kish ba të njoftun në pesë kontinentet!

Kët mbiemën – fenomen poliglotik –
edhe eskimezët e shqiptojnë korrektsisht,
malazezët e kthejnë në emën të trashëgimtarëve të tyne,
maqedonasit po ashtu,
i tillë ishte edhe ndër serbë!

Kompleksi arkitekturor i Kremlinit
Kompleksi arkitekturor i Kremlinit

Kur mori vesh se i biri vdiq,
Kob Xhugashvili porositi
mikun e tij,
Laurent
Pavlloviç
Berian,
që, qytetarja
Lidia
Isakovna
Xhugashvili,
çifutja llafazane, dhe e veja e Jasha Xhugashvilit,
të ngarkohej me trenin e parë e të nisej për Kolimë!

Të ngarkohej në trenin e parë
dhe në vagonat udhtarëve
që s’mbrrijnë kurrë,
me destinacionin e shënuem në listën shoqnuese,
se ai do të qe edhe vendbanim përhershëm i tyne!

Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili
e dinte se gjyshi i saj ishte ma i fuqishmi burrë
i së gjashtës pjesë të globit!

Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili
e mbante mend mirë se gjyshi dikur në prehën e mbate,
se i këndonte edhe kangë të vjetra gruziane,
ku Mbretnesha Tamarë shndërrohej në Shtojzovalle,
dhe Shtojzovallja: në ma t’bukurin mal të Gruzisë!

Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili,
s’e harron
si mes nji dimni lufte, në Kremlin
iu paraqit Harry Hopkinsit,
të dërguemit të posaçëm të Roozveltit në Moskë,
i cili, me at rast, mbesës lozonjare të Kobit,
i fali maketin e avionit ma të ri amerikan
pjesët e të cilit po shkonin në Murmansk!

Tre muaj mbas vdekjes së gjysh Xhugashvilit,
mbas vdekjes së Kobit,
mbas vdekjes së Josif Visarionoviç Stalinit –
Galoçka Jakovljeva Xhugashvili,
Nxanëse e nji teknikumi kimik leningradas,
maturoi shkëlqyeshëm në provime.

Laurent
Pavlloviç
Beria,
kujdestari i
Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvilit
njoftohej se: e mbrojtuna e tij,
nga mbramja e maturës kish shkue në gji të Finlandës
së bashku me Pexh Kostantinoviç Paustovskin,
edhe ai maturant i Teknikumit Kimik,
ku sipas gjithë gjasave,
duhet t’kish qenë i pari i dashur i saj?

Po at natë,
dy çeki-ista të Leningradit,
-Galoçka Xhugashvilin dhe Pexh Paustovskin
i kapën duke u la të shkujdesun në nji gji!
E nga frika e ndonji ftofje të papritun
i mbajtën nji javë në spitalin e KGB-së,
dhe me porosi të hallës së sajë
Svjetllana
Alelujeva
Xhugashvilit,
Galoçka Jakovljeva
u kthye në Moskë me vazhdue studimet në kimi!

Nga prindët e kujdesshëm ebrenj të Lidia Isakovës,
prej gjyshit dhe gjyshes nga ana e nanës,
Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili,
mësoi se gjyshi i saj i lavdishëm, Kob Xhugashvili
-atëherë ende bashkëbanues në Mauzole të Iliçit –
e kish dërgue nanën e saj drejt vdekjes së sigurt në Siberi,
se në familje askush s’e përmendte emnin e tij,
mbiemnin kurrë n’asnji mënyrë,
– se qe bash ai që nanën e saj e kish degdis atje!

Halla e Galoçkës
Svjetllana
Alelujeva
Xhugashvili,
të cilën Lidia Isakova e mësonte si të sillej,
në takimin e parë dashuror
me regjisorin e filmit Aleksej Kapler,
të mbiquajtun Ljusi,
mësoi diçka ma shumë për fatin e nanës së Galoçkës:
I tregoi se e kishin zhdukë
gjatë transportit për në Kolimë,
Ka mundsi të ket ndodhë po at ditë
që Svjetllana niste dashninë e parë
me regjisorin e filmave – Aleksej Kapler – Ljusi!

Po at ditë,
disa thonë ishte natë,
në Moskë po ndodhte diçka
që askush nga Xhugashvilët,
para
Galoçka
Jakovljevës
as kish guxue ta bante!

Stalini, Moxarti dhe Maria Judina
Stalini, Moxarti dhe Maria Judina

Në nji apartament privat me dhomë çaji,
në katin e tretë,
në nji godinë mbretnore të rrugës “Gorki”,
Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili
-E vetmja nga Xhugashvilët –
shkatërronte pa mëshirë
identitetin e saj tetëmbëdhjetëvjeçar!

Po at ditë
-Ka mjaft që ende kambëngulin se ishte natë –
Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili,
u hakmorr ndaj gjyshit Xhugashvil!
për vdekjen e nanës së saj, Lidia Isakovës,
për zhdukjen e të dashurit të parë të Svjetllanës,
Aleksej Kapler – Ljusit,
dhe për krejt ata për të cilët pëshpëritej!
që si hiri i llullës së tij,
ikën nga jeta, veç me kërkesën e tij!

Atë ditë
gjithnji e ma të shumtë bahen ata që thonë se ishte natë,
Galoçka
Jakovleva
Xhugashvili,
pamëshirë shkatërroi identitetin e saj tetëmbëdhjetëvjeçar!
Grisi letërnjoftimin e saj të parë,
përkujtimoren dhe ditarin,
diplomën e Teknikumit kimik të Leningradit,
indeksin studentor, triskat e ushqimit dhe veshmbathjes,
librezat mujore të rrugëtimeve në metro,
të vizitave në Muze, në filarmoni dhe teatër,
vërtetimin si banore e përhershme
e rajonit të tretë të Moskës,
Dogji të parën dhe të vetmen letër
të Pexh Kostantin Paustovskit,
fotografinë me autograf të gjysh Xhugashvilit,
të vetmen fotografi të Jasha Josifoviç Xhugashvilit,
të cilin, për të fundmen herë, e kish pa me 22 qershor ’41
nën uniformën e togerit tankist

Nga identiteti i grisun dhe i djegun
i Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvilit,
njerzit e Berias s’mundën me bashkue asgja
veç fotografinë e nanës së saj, Lidia Isakovës,
pse copëza të tilla, mes letrash, s’kishte,
bile as hi, nga ndonji fotografi e tillë, s’u gjet!

Prej asaj dite
-Ndoshta kanë pasur të drejtë ata që thonin se ishte natë
mbesa e parë e Kobit
Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili
mbeti çamarokja pa identitet e Xhugashvilëve
pa shënime, pa mbamendje për historinë e gjyshit të saj
pa asnji dokument për vete dhe me vete
për me dëshmue se Kobi qe gjyshi i sajë,
se kish qenë ai Kob Xhugashvili,
se kish qenë ai Josif Visarionoviç Xhugashvili,
se kish qenë ai Josif Visarionoviç Stalini,
se  kish qenë ai fytyrë-lijoshi satanà i Kremlinit,
se  kish qenë bash ai…!

Prej atëherë,
as në Gruzi,
as në krejt Rusinë,
as në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike,
prej Vladivostoku e deri në Çopje,
Galoçka
Jakovljeva
Xhugashvili
s’u gjend ma askund!
Askush s’di gja për të!
Ajo s’ekziston ma për askënd!

As qeveria e Moskës s’di gja për të!
Ajo hyni në popull dhe u ba popull i thjeshtë.
Ndoshta mund të ketë nipa
ndoshta u këndon ninulla atyne,
ndoshta kallzon për njat gjyshin e tmerrshëm mustakoç
që ia vrau nanën nji Kësulkuqeje të pafajshme!

(Kjo poemë u përkthye në vjeshtë të vitin 1989)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.