back to top
20.5 C
Tirana
E mërkurë, 22 Maj, 2024

Sonete nga Uran Kostreci

Gazeta

Poeti Uran Kostreci, në nji çast meditimi
Poeti Uran Kostreci, në nji çast meditimi

Parathënie e Librit “Sonete” të Uran Kostrecit

nga Petro Zheji

Poezia e Uran Kostrecit është një poezi ku analiza psikologjike e gjendjeve shpirtërore të autorit zë një vend qëndror. Forma e zgjedhur është ajo e sonetit, të cilën ai nuk e ndryshon dhe që lot pak a shumë rolin e një boshti koordinativ për tërë poetikën e tij, brenda pentagramit të të cilit ai luan me virtuozizëm të gjitha variacionet e mundura rreth temës qendrore të një përjetimi jo të zakonshëm të realitetit, atë të një njeriu me ndjeshmëri të hollë e me shpirt fisnik.
Ka një “shifër” në poezinë e tij, zbërthimi i së cilës kërkon njohjen e një konteksi jo gjithmon të dukshëm, të paktën për ata që nuk ndajnë bashkë me autorin tmerret e murtajës së kuqe. Por ndonëse një nga viktimat më të vuajtura të kohës së errët që lamë pas, motivi politik nuk duket se është kryesor në sonetin e Uranit dhe kjo ndoshta ngaqë ai e ndjen se urrejtja, qoftë edhe e drejtë, është herë herë “antipoetike”… aq më tepër në sytë e një mistiku siç është Urani dhe siç ka qënë një ndër poetët tanë të mëdhenj Naimi, me të cilin Uranin e lidhin shpirtërisht shumë gjëra e mbi të gjitha një vizion mistik i realitetit që do të thotë Perëndia si Dashuri kudo e pranishme dhe, mbi këtë, një vjershërim muzikor ku gjuha shqipe rrjedh kaq natyrshëm, kaq lirshëm, kaq e lehtë dhe e ëmbël.
Po gjithshka nuk mund të harrohet, por gjithshka nuk mund të gëlltitet. Dhe sado që autori përpiqet ta beninjizojë, ta sublimojë me shkopin magjik të poezisë së tij, e keqja e pashëmbullt në historinë e asaj kohe, mbetet prap e pashlyeshme.
Për përçimin e mesazhit filozofik mbi Botën dhe shoqërinë njerëzore, autori përdor me një mjeshtri të rrallë fabulën. Kështu tek soneti “Mirazhi i komunizmit”, historia e komunizmit nga autori është përmbledhur, falë aftësive të tij të spikatura “fabulizonjëse” të realitetit, në pak vargje, por që përbëjnë kuintesencën e shpikjes të kësaj utopie të mbrapshtë, e zbatimit të saj të bujshëm.
Prirjet e tij të rralla si fabulist, që mund të krahasohen fare mirë me ato të La Fontaine ndër frëngët e të Krillovit ndër rusët, Urani i ka shpalosur madhërisht tek “Epopeja e Karkalecëve”, një xhevahir i satirës shoqërore-politike shqiptare.
Lexuesi do t’i lexojë vetë sonetet në këtë vëllim dhe, i joshur nga bukuria e tyre e veçantë, do t’i rilexojë ato prapë e prapë.
Pra dhe nuk kemi pse ndalemi në komentimin e tyre. Por këtë duhet ta bëjë patjetër, duke marrë parasysh rëndësinë e tyre të veçantë artistike ideologjike e filozofike, një kritikë e thelluar e veprës së tij poetike…
Le të theksojmë këtu se mesazhi i përçuar nga këto poezi nuk është vetëm një mesazh poetik por edhe filozofik, por edhe shoqëror, por edhe politik, ndonëse herë-herë si i fshehur dhe i mbështjellur në mjegullën e lehtë të një të foluri parabolik në mos po gjer edhe sibilin, por të vërtetat e mëdha, ndjenjat e thella e sublime, vizionet me një frymëmarrje të gjerë e gjithëpërfshirëse, vetëm kështu duket mund të shpallen. Kështu bën Krishti, Muhameti, Buda, Zarathustra e shumë profetë e të urtë të kohërave të lashta.
Një gjë duhet të jetë e qartë: Simboli i përdorur kaq mjeshtërisht nga autori, nuk është vetëm një funksion poetik, por shumë më tepër se kaq. Ai përbën një domosdoshmëri gnoseologjike për të kapërcyer përtej realitetit të dukshëm dhe material, drejt të padukshmes dhe spirituales ku fshihet zanafilla dhe arsyeja e mbrame e gjithshkaje që ne shohim e përpiqemi të kuptojmë në këtë botë. Një poezi filozofike, si ajo e Uranit, nuk bën dot pa simbolin, mjeti i vetëm që bën të mundur shprehjen e të pashprehmes, të Zotit shkurt të “immobile mobil” të Aristotelit,të “L’Amor che muove il sol e le altre stelle” të Dantes, të Qendrës, të Parimit të Epërm të gjithësisë, ku autori priret me të gjitha fuqitë e tija shpirtërore të arrijë dhe me të cilin shpreson më në fund të identifikohet.
Është interesante të vihet re, ndër të tjera, se si motivi i Dashurisë dhe ai i Vdekjes, këtyre dy poleve të kundërta të ekzistencës njerëzore, gërshetohen kaq po kaq harmonikisht në poezinë e Uranit sikur të paskeshin qenë një gjë e vetme.
Ai sheh vazhdimësi atje ku të tjerët shohin ndërprerje, unitet atje ku të tjerët shohin vetëm ndarje.
Ai edhe kështu tregon se është një trashëgimtar i denjë “par affinite’elective et par communion d’esprit” i traditave famëmëdha të Romanticizmit nga i cili poezia e tij nxjerr, qoftë edhe në një mënyrë të pavetëdijshme, tërë një arsenal teknikash shprehëse dhe një pozë poetike krejt të veçantë.
Dhe duke e përfunduar këtë parathënie të shkurtër themi se libri që Kostreci i ofron sot lexonjësit, do ta nxitë dhe edukojë atë që të ndjejë më hollë dhe të mendojë më thellë, do ta ndihmojë atë që ta shohë Botën me një sy tjetër, pa zhgleba paragjykimesh shekullore.

Uran Kostreci - Pabesia (Novelë)
Uran Kostreci – Pabesia (Novelë)

Sonete nga Uran Kostreci

Mit’had Frashëri

Nga kreu i Dangëllis’, dalloj me mall,
Pullazë e Frashërllinjve dhe teqenë,
Samin prej bronxi, Abdylë e Naim benë
Po ti, Mit’had, pse nuk je aty, vallë?

Ti Lumo, u prive burrave të rrallë,
Në Manastir, e bëre alfabenë,
N’Europë, ti e mbrojte mëmëdhenë,
Të gjuhës shqipe, shpuzë, mbajte gjallë.

Në Vlor’ me Ismail’ ngrite flamurë,
Makutve fqinjë, maskën u a çorre
Dhe amët muhaxhir’ në mbrojtje i more.

I ajkës kombit prijs, o Lumo, o burrë,
Që nga të kuqtë u shave t’hodhën gurë,
Profet ngel Ti, medet, s’ke një shtatore.

Lef Nosi

Tek shoh, tani, shtatoren tënde ngritur,
Përlotur them: “Mirsenavjen, Lef Nos!”
Po sikur po më dukesh i mërzitur…
Zëmruar je me ne?… Pash Zotin, mos!

Se ne, gjithmon, kush je e kemi ditur,
Po ishim aq në hall e në kaos
Sa gjallë gjer më sot qysh kemi mbrritur;
Ti, n’Vlor’ flamurë e ngrite e bëre çmos

I mbrojte t’shenjtat firma, amanenë;
Le harta, arshiva, le filatelinë;
U rreke me Antonë e Mehdi benë

T’a nxirrje nga humnera Shqipërinë,
Po djajtë e kuq, o Lef, kokën ta prenë
E s’dimë as kockat ku i ke, as hinë!

Ahmet Zogu 1920
Ahmet Zogu 1920

Ahmet Zogu

Në Vlorë u ngrit flamuri e more pjesë,
E më njëzet, ministër ishe Ahmet;
Kur në Mirdit’ po zgjidhje një ngatrresë
N’Tiran’ ra shteti, e erdhe e ngrite vetë.

Të bënë atentat; të bënë e grushtshtet;
Prap erdhe e mes aq kurthesh të pabesë,
Me ndalë at’ kaos, vendose u shpalle mbret,
Sakaq ti rregull vure e ngjalle shpresë.

E ndonse intriga e kurthe plot përballe,
Udhw, shkolla e ura e ministri ndërtove;
Monedhën ngrite, ekonominë e ngjalle;

Udhët i hape, djem jashtë edukove.
Ti, afsh për komb, në shpirt, nxënsve u kalle,
Shtet bëre o Zog, po sa shumë u qortove!

Mehdi Frashëri

Sa her’ shoh historin’, Mehdi e ndjej
Me Ty, vulë e fytyrë mori shteti,
N’kufij t’Atdheut, misione të mëdhej
Imazhi i atdhetarit flaktë mbeti.

Për Paris e Gjenev’, Shqipria gjeti
Avokat mbrojtës, Ty o Mehdi bej;
Kryeministër ishe kur qe mbreti.
Kur msyu fashizmi, n’radio, ata shkërbej,

I nxive, faqe botës, vetëm Ti.
Nën Rajhun, kur pe kuqo e shkja zuzarë
Po vrisnin shqipo e fshatrat bënin hi,

Atbot, mbi supe, e more Ti, një barrë,
Po, medet, kuqot erdhën o Mehdi,
E në syrgjyn u shove zëmërvrarë.

Petro Zheji

Një mik e tha e un besoj, Ti… fjete
Mbas aq brilant përkthimesh, korifè!
Mes mjegulle antike, o eremit më vete,
Ti, rolin mesianik të shqipes pe!

Të gjuhës ton’ gjenezë, ndofta gjete;
Si  Zarathustra fjalën tënde e the
E do dëgjojmë, shpejt, mbase, tërmete
Për shqipen – çelsi i gjuhëve mbi dhè.

Sa shum’ ngjyrim e shpirt e fjalë ar
Ka fraza jote, sa frymzim e afsh:
Her’ si ujvarë e vrullshme ujë llagar

Dhe herë e qetë e butë si mëndafsh;
Ti, që u rreke e aq ishe krenar
Për shqipen, Petro, atje… parajsën pafsh.

Vaçe Zela (1939-2014)
Vaçe Zela (1939-2014)

Vaçe Zela

Kur perdja e hekurt mbas luftës botrore
Na kishte ndar’ prej popujve të lirë;
Kur burgjeve zvarritej këmbadore
Gjithë ajka e kombit lidhur me zinxhirë;

Kur bujqve u merrej tufa pa mëshirë
E n’vathë u mbetej veç një tel këmbore;
Kur n’internim fëmijët ftohme nxirë
Mbllaçisnin rrënjë, të uritur prore;

Atbot veç zëri yt, o shtojzovalle,
Jo fjalët shpesh, po zëri yt na zgjoi,
Të ndjenim ty, harronim brenga e halle.

Sa herë – Esperanca – ai zë këndoi,
Aq her’ Vaçe, në zëmër shpres’ na ngjalle;
Aj zë kristal, hyjnor na ngazëlloi.

 

Uran Kostreci duke recituar sonetit për Mit'hat Frashërin
Uran Kostreci duke recituar sonetit për Mit’hat Frashërin

Kush është Uran Kostreci

Uran Kostreci u lind më 29 janar 1938.
Shkollimin fillor e shtatvjeçar i kreu në Korçë. Babai i tij u arrestua që më 1946, si kundërshtar i regjimit komunist dhe qëndroi 10 vjet në burg. Urani studioi në shkollën Normale të Elbasanit, të cilën e përfundoi më 1957. Në të njëjtin vit, ai u emërua mësues në fshatrat e Vlorës, ku qëndroi dy vjet dhe dy vjet të tjera qe arsimtar në Gramsh!
Më 1961, Urani arrestohet për motive politike. Vuan burgjeve 20 vjet. Lirohet më 1981. Kalon një vit e gjysmë si punëtor krahu. Pas kësaj ai interrnohet për 5 vjet në fshatin Kurtaj të Peqinit! Në dhjetor të vitit 1991, themeloi gazetën antikomuniste “Liria”, organ i ish – të përndjekurve politikë të të gjithë Shqipërisë dhe ishte kryeredaktor i parë i asaj gazete. U zgjodh dy herë kryetar i partisë demokratike të Elbasanit. Në vitin 1993, punoi si mësues i gjuhës italiane në shkollën e mesme të Elbasanit.
Në vitin 1997, Urani emigroi në SHBA dhe u vendos në Nju-Jork, prej nga është kthyer përfundimisht në Atdhe në vitin 2007.

Botime të Uran Kostrecit

1993 – Lundërtari dhe deti (sonete)
1995 – Epopeja e Karkalecave (poemë satirike)
1996 – Agonia e Karkalecave (Pjesa II)
2006 – Sonete
2009 – Pabesia
2011 – Epopeja e Karkalecave (Dy pjesë bashkë)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Miku im i shtrenjtë, njeriun që s’e përkuli as burgu, as vuajtja, as vetmia, as përjashtimi e as mosha, Uran Kostreci, sot mbush 81 vjeç. Rrallë në jetë mund të takoni një njeri si Urani, me të cilin kafja të bëhet e këndshme, biseda e pamërzitshme, humori i pakufi e debati të merr ngjyra kaq të ndezura sa pak kush tjetër mundet si ai… Uran Kostreci është model i Njeriut, simbol i Vuajtjes së Paepur, i humorit të fisëm, dhe i tolerancës së pashoqe; ai është Poet që mund ta lakmojnë edhe ata që kanë me dhjetra vepra në këmbë, mjeshtër i madh i Sonetit në letërsinë shqipe…
    Edhe shumë vite miku im… në të mirë të gjithë atyre që marrin energji, shembull e dritë prej teje…
    Uranin mund ta gjeni çdo ditë te Piazza, në një qoshe aty brenda, duke shkruar, me fletë të hapura ne tavolinë, me atë buzëqeshjen që ka krejt mirësinë dhe dashurisë njerëzore që s’mundi t’ia vriste e keqja e Madhe… dhe me krahët e hapur për të gjithë ata që e duan e që nuk e lënë kurrë vetëm…
    Edhe pse larg, i dashur Uran, më ke aty te ajo qoshja jote, ku e ndezim bisedëm dhe harrojmë orët, punët e hallet… dhe na vjen keq që e këpusim bisedën!
    Edhe 100, qofshin pak për Ju miku im Uran, Simbol i Mirësisë dhe Mosepjes!
    jozef radi 29 janar 2019

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.