back to top
22.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Sigurimi i Shtetit dhe Thashethemnaja e Shkrimtarëve të Realizmit Socialist

Gazeta

Arapi - Kadare - Agolli
Arapi – Kadare – Agolli

Dokumenti në fjalë, i cili mban datën 10.08.1972,
dhe i sigluar “Sekret”, është një informacion
i Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Raqi Iftica,
i titulluar: “Mbi disa qëndrime në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve të Tiranës”,
dhe i dërgohet Komitetit Qendror të PPSH-së,
pa adresë të ndonjë personi të veçantë.
Por, nisur nga fakti se ai informacion-raport
bën fjalë mbi shkrimtarët dhe artistë,
ai ka shkuar në zyrën e Ramiz Alisë,
sekretarit të Komitetit Qendror për propagandën
që mbulonte dhe artin e kulturën.
Sipas autorit të librit, nisur nga rëndësia e madhe që ka pasur ky informacion
hartuar prej kreut të Sigurimit të Shtetit për Tiranën,
pas Ramiz Alisë, ai dokument ka shkuar dhe te kabineti i Enver Hoxhës.
Dhe kjo gjë duket edhe nga shënimi që ka lënë aty
shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra, i cili ka shkruar
“U pa nga shoku Enver”.

Diktatori Hoxha te Lidhja e Shkrimtareve
Diktatori Hoxha te Lidhja e Shkrimtareve

Republika Popullore e Shqipërisë Sekret
Ministria e Punëve të Brendshme Ekzemplar Nr. 1
Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, më 10. 8. 1972
Nr. 3871 Informacion

Mbi disa qëndrime në radhët e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tiranës Ministrisë së Punëve të Brendshme (Drejtorisë së Parë) Tiranë
Ashtu siç kemi njoftuar dhe në materialet e mëparshme, në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve ka mjaft diskutime në rrethe të ngushta, konsiderata për punë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në përgjithësi, si dhe në disa raste vlerësime dhe qëndrime jo të shëndosha Partie. Këto mendime dhe shfaqje, shpeshherë janë të lidhura me interesa me egoizëm profesional, me simpati personale, por që në fund të fundit, dëmtojnë krijimtarinë letraro-artistike të vendit tonë.
Veçanërisht, kohët e fundit po bëhen komente të ndryshme rreth novelës “Dikush më buzëqesh”, të Fatos Arapit, ku aludohet për shkrimtarin Ismail Kadare dhe rreth artikullit të Hamit Beqes: “Letërsia arti, mendimi ideo-artistik”. Në përgjithësi, shkrimtarët dhe artistët dënojnë qëndrimin e Fatos Arapit kundrejt Ismail Kadaresë, duke e konsideruar si një poshtërsi. Madje, dhe shokët e afërt të Fatosit, siç është p.sh. Anastas Kondo etj., janë indinjuar për sjelljen e tij dhe kanë shfaqur habinë se si është e mundur që të veprohet në atë mënyrë kundrejt një kolegu.
Fatosin e konsiderojnë njeri ambicioz dhe të etshëm për lavdi. Tendenca e tij për të luftuar të tjerët, qoftë dhe ata me të cilët dikur ka qenë i afërt, duket edhe në shprehjet e tij të thënë në intimitet Agim Shehut. Ai (Fatosi) është shprehur: “Ikën të vjetrit, tani do përleshemi me njëri-tjetrin ne të rinjtë, se me ata i qëruam hesapet. Ismail Kadaresë duhet t’i tregojmë vendin…”.
Nga të dhënat që disponojmë, nuk rezulton që Fatos Arapi të ketë pranuar që në novelën e tij bëhet fjalë për Ismail Kadarenë. Përkundrazi, flitet se ai në atë novelë ka pasur parasysh Skënder Kamberin, piktor në Vlorë. Burimet tona thonë se kjo novelë është botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, ku shef i redaksisë është Dhurata Xoxe, gruaja e Jakov Xoxes, i cili nuk shkon mirë me Ismail Kadarenë. Gjithashtu, dhe redaktori i novelës, Adriatik Kallulli, nuk shkon mirë me Ismail Kadarenë. Prandaj mendohet, – thotë një burimi ynë, se si Dhurata, ashtu dhe Adriatiku, e kanë kuptuar qëllimin e keq që ka pasur Fatos Arapi dhe me ndërgjegje e kanë lejuar të botohet. Adriatik Kallulli nuk ka pranuar që në kohën e redaktimit të ketë qenë pjesa ku aludohet për Ismailin.
Edhe Nasho Jorgaqi, i cili e ka lexuar në dorëshkrim atë novelë, deklaron se nuk ka ekzistuar një përshkrim i tillë. Bile, thotë Nashua, – kam biseduar dhe me Dalan Shapllon, por dhe ai nuk ka konstatuar gjë.
Ndërsa kopja e parë e novelës në fjalë, e cila do të vërtetonte nëse ka ekzistuar vërtet pjesa që aludohet, apo është dorëzuar mbas redaktimit, simbas shokëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk gjendet në redaksinë përkatëse të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe mendohet se është zhdukur qëllimisht. Por të dhënat flasin se për Ismail Kadarenë dhe për krijimtarinë e tij, mjaft shkrimtarë nuk kanë simpati. Madje flasin ashpër. Adriatik Kallulli është shprehur se: “…Unë për Ismail Kadarenë nuk shkruaj se me të jam zënë. Në krahun e tij modernist ka figura shokësh që unë nuk u kam më besim të nesërmen…”. Shkrimtari Gjergj Zheji i ka thënë një burimi tonë se në kritikën tënde për Ismailin (që nuk u botua), “Ti ke vënë shumë pak gjëra, Ismaili nga këto ka një thes me të meta”.
Për botimin në gjuhë të huaj të romaneve të Ismail Kadaresë ka mendimin se që lënë të kuptohet se, përderisa pëlqehen shumë dhe botohen në vendet kapitaliste, ato kanë te meta. Kështu, shkrimtari Fatmir Gjata, kur është përkthyer romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është shprehur: “borgjezia e përktheu dhe e botoi këtë vepër”. Kurse Luan Qafëzezi ka thënë: “Gabim i çmojnë veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga jehona në vatrat revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizmit.
Asnjë vepër konservatore nuk është ndaluar, si ato modernistet”. Nonda Bulka, para disa ditësh, në një ambient gazetarësh të revistës “Hosteni”, ka thënë: “Të gjithë po lexojnë novelën e Fatosit. Për mua kot e botoi “Zëri i Popullit” atë artikull. Drama e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ka falimentuar qysh në shfaqjen e premierës…”.
Kurse poeti Viktor Qyrku, duke diskutuar rreth këtij artikulli, është shprehu se: “Novela e Fatosit është shumë interesante dhe se kryesorja në atë novelë nuk është figura e shkrimtarit, apo qëllimi i Fatosit për të diskredituar Ismailin, por heroina e popullit, Qeriba Derri”. Dionis Bubani, i cili e konsideron Ismailin mendjemadh dhe lekaxhi, ka thënë se: “Një javë para se të botohej artikulli, e kam marrë vesh nëpërmjet Naum Priftit se ka ndodh diçka midis Fatosit dhe Ismailit, mirëpo kjo nuk është gjë. Ata kanë grindje të vjetra. Ky qorri (herë qorri, herë gjyslyqja, i flasin disa), ka shkuar te Ramiz Alia dhe është ankuar, ndërsa shoku Ramiz ka ngarkuar Hamit Beqen që të botonte artikullin.
Dhe në fakt, i gjithë ai artikull është shkruar vetëm për ato 3-4 rreshta që flet për Fatosin, por këtë nuk e kapin dot, mbasi në atë pjesë të shkruar në novelë, për të cilën flet Hamiti, nuk del emri i Ismailit, prandaj nuk është gjë ajo punë…” Poeti Adem Istrefi thotë: “Unë nuk e kam lexuar “Zërin e Popullit”, por duhet të jetë problem i një novele që e ka shkruar Fatosi, të cilën ia kundërvë romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë.
Romani “Kronikë në gur” është autobiografi e Ismailit. Fatosi pasqyron elementë të autobiografisë së vet në novelë. Me një fjalë, thotë se autobiografia jote është një hiç, se unë kam marrë pjesë dhe në luftë kundër okupatorit kur ti bridhje pas pëllumbave. Kanë pasur fërkime. Unë e di një gjë që Fatosi është njeri i lartë”.

Heronjte e Veprave te Real-socit
Heronjte e Veprave te Real-socit

Burimi thekson se Agim Gjakova, Adem Istrefi dhe Gani Demiri, nuk e pëlqejnë Ismail Kadarenë dhe për atë thonë se është njeri mendjemadh, nuk e shikon me sy letërsinë kosovare dhe nuk ka shkruar asgjë për Kosovën, megjithëse i ka mundësitë. Por aty-këtu flitet se edhe Ismail Kadare u është kundërvënë të tjerëve. Një burim thotë se më përpara, Ismaili, duke folur për shkrimtarët e vjetër, ka thënë se: “Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Ali Abdihoxha etj. janë të pafuqishëm në krijimtarinë e tyre, ashtu siç janë edhe në jetën personale”.
Pandeli Koçi i ka thënë një burimi se Ismaili, duke folur për romanin “Juga e bardhë” e Jakov Xoxës, i ka përmendur fjalët se: “Të gjithë këta kanë mbetur te faqja 27 e romanit”. Një tjetër burim tregon se kur është diskutuar në Shkodër romani “Dasma”, Ismaili, në përgjigje të pyetjes se si shkove andej, i është përgjigjur se “u dëgjuan disa mushkonja të vogla dhe asgjë me rëndësi” etj. Nga të dhënat del se nga shkrimtarë dhe artistë diskutohet shumë për kryesinë e Lidhjes, dhe veçanërisht për organet e saj letrare, kryesisht për gazetën “Drita”.
Flitet se kryesia e Lidhjes ka dobësi në punën e saj, si dhe anësi. Sulejman Mato më parë ka thënë se: “Aparati i Lidhjes drejton në mënyrë burokratike dhe se ai lufton elementët e rinj në fushën e letërsisë, prandaj duhen hequr konservatorët dhe duhen të vijnë të tjerë, ata që na vlerësojnë neve”. Disa si Filip Ndocaj, Siri Sulejmani, Pandeli Koçi, Rudi Spahiu, Sulejman Mato etj., shfaqin ankesë karshi Lidhjes, lidhur me mundësinë për prodhime artistike.
Ata thonë se: p.sh. Kiço Blushit, që është dhëndër i kryetari të Lidhjes, i japin 3-6 muaj leje krijimtari, kurse shkrimtarëve të tjerë, sidomos atyre punëtorë, të cilët janë prodhimtari në vepra letrare të barabarta me të, u jepet më pak leje krijimtarie. Sipas një burimi, shkrimtari i ri, Siri Sulejmani, ka shkuar te kryetari i Lidhjes dhe i është ankuar se u bëhet padrejtësi letrarëve punëtorë.
Duke thënë: “Ne që punojmë në fronte të vështira me turne 8 orë të plota, me plan dhe me norma, na jepni nga një muaj leje, kurse atyre që kanë kushte të lehta pune, që kanë orar të reduktuar, u jepni 3-4-6 muaj leje çdo vit”. Letrari tjetër i ri, Myrteza Kasa, thotë se ka biseduar me sekretarin e Lidhjes, Vilson Kilicën, në emër të shkrimtarëve punëtorë, se i ka thënë Vilsonit se na e quajnë “me nder punëtor”, fjalë që ka përdorur dikush në revistën “Nëntori”.
Një burim thekson se ndër piktorë dhe skulptorë ka njëfarë pakënaqësie, sepse ngarkohen me vepra monumentale vetëm Kristaq Dhamo, Mumtaz Dhrami e Shaban Hadëri, sikurse në Shqipëri s’ka të tjerë, ndërsa Lidhja nuk është përpjekur për të tjerët. Kompozitori, Abdulla Grimci, thotë se nuk i bëhet të punojë, mbasi, ndaj tij, është mbajtur qëndrim nënvlerësues dhe për punën e tij s’ka interesim. Nga disa piktorë dhe skulptorë siç janë: Janaq Paço, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Qamil Prizreni, Nexhmedin Zajmi etj., del prej burimeve tona, – është mendimi se ekziston një ambient rreth Vilson Kilicës. Flitet se kur Vilsoni ishte drejtor i Institutit të Arteve, tërhoqi atje Ksenofon Dilon, Danish Jukniun etj. Mbas ardhjes në kryesinë e Lidhjes, vazhdon të përkrah ata, p.sh., Ksenofonin dhe Danishin i dërgoi në Francë. Ambienti i tij (taraf siç i thonë ata), janë të dështuar në punën e tyre, madje kanë ngrënë dajak për izma dhe u janë rrëzuar punët, megjithatë përkrahen”.
“Kur unë i thashë Sandër Banushit – thotë burimi – tani me rastin e zgjedhjes si sekretarit të Lidhjes i Ksenofon Dilos, se ai është orator i mirë, ai (Sandri), më përsëriti disa herë se është demagog i mirë, është njeri i tarafeve, është njeri që përfaqëson izmat”. Për redaksitë e organeve letraro-artistike të Lidhjes ka gjithashtu ankesa. Është mjaft i përhapur mendimi se pranimi për botim i një tregimi, novele apo poezie në organet e shtypit të Lidhjes, sidomos “Drita”, varet shumë nga redaktori dhe shija e tij.
Po nuk i pëlqen mendimi apo kritika për “x” vepër redaktorit Vasil Melo, thonë Filip Ndocaj apo Fatos Arapi, natyrisht nuk mund të botohet. Sidomos disa letrarë të rinj ankohen se gazetat nuk na botojnë gjë, se duhet të jesh firmë e madhe apo të fusësh vitaminën M dhe të tilla raste e pësojnë të rinjtë, sepse këtyre mund t’u refuzohen më lehtë shkrimet, mbasi ato janë akoma të paafirmuar, dhe si të tillë, i riu nuk e bën problem, përkundrazi, një firmë e njohur i detyron që shkrimin e tij ta shikojnë me vëmendje deri në kolegjium. Ka mendime se redaksitë dhe redaktorët mbajnë një qëndrim të përcaktuar ndaj një vepre, duke e lavdëruar deri në fund, apo kritikuar.
Si shembull marrin Ismail Kadarenë, vepra e të cilit lavdërohet dhe s’pranohet kritikë, kurse për Ali Abdihoxhën u botuan artikuj kritikë dhe nuk u pranuan artikuj mbrojtës. Prandaj, thonë disa se e kemi derën të mbyllur. Klara Kodra ka thënë se kam përgatitur një artikull kritik për romanin “Kështjella” të Ismail Kadaresë, por nuk e pranuan për botim, kurse Koço Bihiku ka shkruar kritika mbrojtëse për “Garda Krutane”, por nuk u botua.
Një burim thekson se: “Si vetë Fatos Arapit, ashtu dhe disa të tjerëve, u duket se, ndërsa Fatosit i vihen në dukje edhe të metat e vogla, në të kundërt, Ismailit nuk i vihet në dukej asnjë e metë dhe se gjithashtu atij i pranohet, pra, Fatosi me shokë mendojnë se fetishizohet personi i Ismailit”. Një burim tjetër njoftoi se “Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dalan Shapllo, Adriatik Kallulli, etj. (ndër këta përfshihet dhe vetë burimi), nuk janë të kënaqur që krijimtaria e Ismail Kadaresë vetëm lavdërohet dhe asnjëherë nuk vihen në dukje anët e tij të dobëta, apo kufizimet ideo-artistike. Kjo gjë, – thonë ata – rrit ambicien, dëmton në radhë të parë vetë atë, po dhe letërsinë tonë”. Gjithashtu, qarkullon dhe një mendim tjetër që ka të bëjë në opinionin që kanë lart në udhëheqje, për “x” shkrimtar, apo veprën e tij.
Për rrjedhim, – thotë një burim i yni – redaktorët e redaksisë në përcaktimin e vlerës së ndonjë vepre letrare, shikojnë edhe mendimin që kanë lart. P.sh. thuhet se njëri nga udhëheqësit e ka lavdëruar romanin “Kronikë në gur”, dhe kjo konsideratë përhapet në masë dhe pastaj të tjerët heshtin. Një gjë e tillë thuhet edhe për artikullin e Pipi Mitrijorgjit mbi “Dasmën”, për të cilin burimi thotë se të tjerët shprehen se është artikull direktiv, dhe për pasojë në rast se flitet kundër këtij vlerësimi konkret, atëherë mendohet se je ngritur kundër direktivës ose pozitës së paracaktuar dhe kjo e mbyll debatin. Por është për të përmendur se shumë flitet edhe kundër redaktorit të gazetës “Drita”, duke e quajtur të pazot dhe pengesë për letërsinë tonë. Fatos Arapi thotë se: “Ibrahim Uruçi nuk ka aftësi të kuptojë letërsinë”.
Dritëro Agolli e ka konsideruar Ibrahimin “një plis në derën e letërsisë, një plis i zi”; Sandër Banushi – tregon një burim, – ka thënë se mbaroi epopeja e Ibrahim Uruçit, i cili nuk është as gazetar, as dramaturg, as poet dhe as letrar, dhe si i tillë nuk mund të kuptohet të jetë kryeredaktor, veçse ngaqë është sekretar i organizatës bazë së Partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Gazetën ai e ka bërë pronë të tij dhe mund të botohet vetëm ato që do ai dhe shokët e tij. Për këtë ka hëngër dajak në Komitetin Qendror. Edhe Selman Kasapi ka thënë se mbaroi Ibrahim Uruçi, ai ka qenë gjithmonë nul dhe atë tani do ta shkartisin në ndonjë vend”. Një burim tjetër thotë se Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dalan Shapllo etj., para mbledhjes së korrikut 1972 në K.Q., “shfaqën një gëzim të madh për heqjen e Ibrahim Uruçit fare nga Lidhja dhe nga gazeta.
Madje, një largim i tillë duhej bërë me ceremoni dhe me demaskim!”. Siç u theksua edhe më lart, diskutimet, konsideratat dhe vlerësimet e bëra mbi baza të sëmura, në disa shkrimtarë dhe artistë, ka sjellë për rrjedhim krijimin e disa ambienteve që kanë prirje nga njëra anë, mbështetjen dhe mbrojtjen e shoku shokut dhe, nga ana tjetër, kundërvënien e njëri-tjetrit në forma të ndryshme qosheve dhe në intimitet.
Disa vjet më parë, në prag të Kongresit të dytë të Shkrimtarëve dhe Artistëve, këta kishin tendencën e ndarjes “të rinj” dhe “të vjetër”, të cilët u kundërviheshin njëri-tjetrit. Mirëpo, me gjithë luftën e bërë në mënyrë të vazhdueshme nga Partia, përsëri ekzistojnë ambiente të tilla. Tani flitet se shkrimtarët dhe artistët ndahen në “brezi i ri”, “brezi i mesëm” dhe “brezi i vjetër”: nga disa të tjerë del se ambientet janë në bazë të tendencave të tyre etj.
Duke qenë të tillë, ata u kundërvihen njëri-tjetrit. Kështu, – sipas burimit – del se më përpara, Ali Abdihoxha, Jakov Xoxa, Filip Ndocaj etj., kanë qenë për novatorizmin e përfaqësuar nga ana e tyre, kurse këto vitet e fundit, meqenëse e shikojnë se Ismail, Dritëro etj., janë afirmuar dhe kanë suksese, kanë hyrë në konflikt me ta duke përdorur si bazë edhe formën e të shkruarit, të gjatë apo të shkurtër. Aliu dhe të tjerë romanet e këtyre i konsiderojnë reportazhe: bile ndonjë ka mendimin se ato kanë rënë nën ndikimet e huaja moderniste.
Shkrimtarët e “brezit të mesëm” vazhdojnë të thonë: se të vjetrit si Llazar Siliqi, Ali Abdihoxha etj., janë konservatorë. Bile kanë thënë edhe për shkrimtarin Dhimitër Shuteriqi se më përpara ka qenë i tillë, kurse më vonë është bërë ekuilibrist dhe ndjek opinionin. Të rinjtë si Sulejman Mato, Viktor Qurku etj. kërkojnë të dalin në arenë dhe meqenëse se nga niveli janë më të ulët se Ismaili dhe Dritëroi, i mohojnë ata si të zotë. Viktori thotë se Dritëroi është si gjithë të tjerët. Ai p.sh., për poezinë “Krevati Perandorit”, të Dritëroit, është shprehur se nuk është poezi serioze dhe nuk është për t’u ngritur aq lart, ashtu si veprohet….
Drejtori i Punëve të Brendshme (Raqi Iftica) d.v.
Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap.
Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 354 Viti 1972

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.