back to top
26.5 C
Tirana
E enjte, 10 Tetor, 2024

Si u shkrua një kryeartikull nga Petro Marko – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018
Jozef,
ju uroj një Vit të Ri pa trazime në familjen tuej, e progres n’vazhdimin e punës së cilës i jeni përkushtuar.
Kam përgatitur një shkrim për Petro Markon, mbasi data e vdekjes tij ishte me 27 dhjetor.
Duke shfletuar për jetën e tij, hasa në emrat e shumë personaliteteve shkodrane që e kishin ndihmuar në situata të vështira.Vetë Petro kishte shkruar në kujtimet e veta së gjuhën shqipe me gramatikë dhe letësinë shqipe e kishte mësuar nga Personalitetit i shquar i Arsimit kombëtar, Kolë Kamsi, kur ishte mësues në Vlorë. Patrioti dhe luftëtari i çështjes kombëtare, Hilë Mosi, kur ishte Ministër Arsimit, e kishte emëruar mësues në Dhërmi, kur i Riu Petro Marko ishte pa punë. Shkrimtari i mirënjohur shkodran, Ernest Koliqi, kishte ndërhyrë, për ta shpëtuar nxënësin e tij, të shkollës Tregtare, në Vlorë, kur e kishin arrestuar gjermanët në Itali, me 1944.
Ndërsa vetë Petro Marko shkruan së u ndodh në shtëpinë e Nush Topallit, (një familje e nderuar shkodrane,) kur po bastisej shtëpia e tyre nga jugosllavët, në fund të vitit 1944.
Kjo lidhje e Petro Markos me ajkën e elitës intelektuale shkodrane, më tërhoqi dhe më interesoj ta evidentoja, në shkrimin në fjalë.
Duke ju uruar shëndet e mbarësi po ju transmetoj edhe përshëndetjet e Luanit.
Me respekt, Pertefe
 .
Petro Marko (1913-1991)
Petro Marko (1913-1991)

Si u shkrua një kryeartikull nga Petro Marko

nga Pertefe Leka

Një takim i parë dhe i fundit me kolosin e letrave Petro Marko në Prill të vitit 1991, në redaksinë e gazetës “Republika”. Sapo kishin filluar të dilnin numrat e parë të kësaj gazete dhe në leximin e disa artikujve më kishte bërë përshtypje një shkrim për këngëtarin e famshëm të operas, Lukë Kaçaj, i dënuar nga regjimi i kohës, pse propagandonte Fishtën e Madh! Në shkrim tregohej së edhe pse i arrestuar Luka, me karakterin e Malësorit, ia kishte recituar hetuesit vargjet nga poezitë e poetit, për të vertetuar se sa kombëtar dhe sa i vërtetë ishte Poeti Gjergj Fishta. Duke e njohur ngjarjen, sepse e njihnim në Shkodër, Anën Jakova, Zonjën e tij, si gruan me të bukur dhe me karakter të fortë, që e përballoi me dinjitet burgun e të shoqit, më nxiti të shkruaja, për fundin e kësaj ideologjie famekeqe që i solli kaq të këqia njerëzimit, e denoncuar publikisht gjysëm shekulli më parë, nga Branko Merxhani. Për këtë u paraqita të zyrat e kësaj redaksie me një shkrim në dorë me titullin: “Pse nuk jam marksist“ sipas artikullit të Branko Merxhanit në Revistën “Përpjekja Shqiptare” (isha e njohur me këtë revistë, sepse im atë mësues, i kishte ruajtur me kujdes të gjithë numrat e publikuara dhe më afronte shpesh të lexoja shumë shkrime me vlera edukative dhe kulturore. Më kishte rënë në sy edhe artikulli “Pse nuk jam marksist”, por e mbytur nga ideologjia e kohës nuk i kisha dhënë rëndësinë e duhur asaj teorie të gabuar që po na helmonte çdo ditë).
Kur hyra brenda në dhomën e Editorit, ishin instaluar aparate të thjeshta, telefon dhe makinë shkrimi, gjeta të ulur zotin Petro Marko. E njoha menjëherë nga fotot e publikuara, dukej i lodhur por sytë i shkëlqenin. Si u përshendeta, e në komunikim e sipër i tregova së çfarë më shtyu të shkruaja me këtë titull. Sa dëgjoi titullin e shkrimit, u ngrit në këmbë me një energji, por i emocionuar më tha “Oh, ç’ma kujtove mësuesin tim… Branko më kishte thënë, tani je i ri, por më vonë do të më kuptosh…” tani do të shkruaj për këtë.
Me 28 prill 1991, në gazetën “Republika” dolën të dy shkrimet në një faqe, ku në vazhdimësi të artikullit tim ishte publikuar “Si u shkrua një kryeartikull” nga P. Marko dhe një foto e tij me Branko Merxhanin. Në artikullin e tij, Petro Marko, ndër të tjera shkruante:
“Si i ri që isha e admiroja Brankon për karakterin e kulturën e gjerë dhe pendën e tij. Ai u bë mësuesi im. Branko mendonte për një revistë që të bëhej “shkollë” për rininë e etur për dije Kështu lindi revista kulturore e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”.
.
Revista letraro-kulturore "Perpjekja Shqiptare"
Revista letraro-kulturore “Perpjekja Shqiptare”
Botimi i kësaj reviste për publikun intelektual dhe për rininë shkollore, u cilësua si një eveniment i rëndësishëm kulturor rreth së cilës u bënë bashkëpunëtorë nga elita intelektuale më e shquar e kohës si: Aleksandër Xhuvani, Lumo Skëndo, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi, Vangjel Koça, Veli Stafa dhe të rinjtë: Shefqet Musaraj, Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Musine Kokalari…
Lënda merrej nga dijetarë, filozofë e shkencëtarë botërorë. Kjo revistë fitoi terren, sepse po kryente funksionin e një instituti studimor, prandaj nuk mbeti pa rënë në sy të qeverisë.
Petro Marko vazhdon në shkrimin e tij: “Pasi botuam tre numrat e parë u thirrëm të dy në ministrinë e brendshme, ku vetë Musa Juka na tha: Kam urdhër nga lartmadhëria t’ju komunikoj se në qoftëse doni që revista juaj të vazhdojë të botohet, duhet të bëni një deklaratë në faqen e parë se nuk jam komunist” Si i ri që isha nxitova të përgjigjem: Nuk kam bërë deri më sot
asnjë deklaratë që jam komunist, që të bëj një tjetër e ta mohoj” Brankoja më pjekuri u përgjegj: “Zoti Ministër, kërkoj njëfare kohe që të mund të mendohem dhe të vij e të përgjigjem…”
Revista nuk u botua për tre muaj… Pas tre muaj heshtje, Brankoja më tha: “E gjeta. Unë vërtetë nuk jam as marksist, as fashist, jam një demokrat, prandaj ulu të diktoj të shkruash.” U ula para makinës së shkrimit dhe për habinë time dëgjova titullin “Pse nuk jam Marksist” Pa iu kundërvënë mësuesit tim të respektuar shkrova në makinë kryeartikullin e tij. Kur mbaroi së diktuari, i thashë: “Atëhere unë po e heq emrin tim nga revista “Branko më përkëdheli flokët dhe më tha : “Je akoma i papjekur, je shumë i ri, më vonë do të më kuptosh, jam më se i sigurtë!”
Petro Marko e njihte mirë filozofinë pozitiviste të Branko Merxhanit, e njihte atë edhe si polemist me Tajar Zavalanin e Nebil Çikën… dhe që fitoi autoritet për zhvillim miqësor të pikëpamjeve që donte vetëm të ndërtonte dhe jo të asgjësonte. Petro e kishte shtypur vetë në makinë artikullin “Pse nuk jam marksist” një shkrim, i mirëstudiuar dhe i argumentuar me fakte, së socializmi ishte një utopi, dhe eksperiment pa të ardhme… Petro e dinte edhe se Neo-Shqiptarizma e Merxhanit ishte një lëvizje kulturore ku shkruante: “Politikë s’ka! Vetëm Kulturë!”
.
Petro Marko
Petro Marko
E kishte dëgjuar me dhjetra here citatin e Niçes nga Merxhani “Njeriu duhet të organizojë kaosin që gjendet brenda vetes në “Unin” e tij. E kishte kuptuar më së miri kërkesën e Merxhanit që të krijojmë një jetë mendore për Shqipërinë me një gjurmim shkencor serioz të vazhduar, për realizimin dhe spjegimin e vonesave historike… Nuk e kishte kundërshtuar mësuesin e tij se për Shqipërinë ishin të domosdoshme reformat e Ataturkut, dhe do të ishin një bekim për shqiptarët të behej një transformim i tillë… Petro të gjitha i këto i mësoi, por ishte i vendosur në idetë e tij.
Si i ri, idealist e revolucionar internacionalist, më mendimin e barazisë dhe të lirisë njerëzore, u nis drejt Spanjës më 1937. Atje bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” dhe po atje merr pjesë në mbledhjen e shkrimtarëve antifashistë ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda…
Kthehet në Shqipëri me 1940, më mision nga Kominterni si komunist. Nuk shkon shumë dhe burgoset nga italianët, si antifashist dhe internohet në Palermo, në Ustika. Sa çlirohen me përleshje nga Ustika, po në Itali, e arrestojnë gjermanët, më 1944 dhe shpëton nga ndërhyrja e mësuesit të tij në shkollën tregtare të Vlorës, shkrimtari i mirënjohur shkodran, Ernest Koliqi. Peripecitë e tij s’kishin të sosur, por kurrë nuk mposhtej.
Ai i kishte shfaqur edhe më përpara pikëpamjet e tij si patriot luftarak e atdhetar I devotshëm , kur ishte në fakultetin e Letërsise në Athinë. Atje kishte pasë fërkime me rektorin, i cili ia njihte për turp që Petroja si Himariot të ishte mësues i shqipes, (Petron e kishte emëruar mësues, i nderuari patriot e luftëtar shkodrani Hilë Mosi, n’atë kohë, Ministër Arsimit. Petro e ka përshkruar me respekt figurën e mësuesit shkodran Kolë Kamsi, që i mësoi gjuhën e bukur shqipe: “Kamsi ishte i heshtur, por punëtor i madh. E them me plot gojën se na e mësoi shqipen mirë, gramatikën, poetët tanë, historinë e shkrimit të shqipes dhe kulturën tonë.” Ndaj përgjegjja e Petros ndaj rektorit ishte: “Turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!” – replikë kjo, që i kushtoi përjashtimin… Po ashtu kur u mbyll revista “ABC” nga regjimi i Zogut, ku botonte me Migjenin, Zavalanin e Merxhanin, pas një gjyqi e internojne në Porto Palermo, por edhe prej aty lirohet shpejt nga interesim i Branko Merxhanit.
.
Petro Marko në vitet e fundit të jetës
Petro Marko në vitet e fundit të jetës
Por më e rënda për Petro Markon ishte arrestimi nga shokët e idealit vet komunist. Fillimisht e dënuan me pushkatim, por fati e desh që bëri burg, nga ndërhyrja e shokut të shkollës në Vlorë, Hysni Kapo. Të gjitha këto i përballoi me një qendrim stoik, por i pagoi me varfëri ekonomike, persekutime e përndjekje të vazhdueshme, deri edhe me burgosjen e djalit poet, Jamarbër… Tashma besoj se i kishte ndër mend porositë e Mësuesit tij, Branko Merxhani, të cilin e vlerësonte si “Korife i publicistikës shqiptare.”
Petro Marko nuk ishte më pak se mësuesi i tij. Ai la një pasuri të Madhe e të përjetshme në krijimtarinë artistike. Në moshën 17 vjeçare kishte botuar vjershën “Flamurit”, në gazetën “Shqipëria e Re “ të Kostancës. Proza e Petro Markos e shtrirë në më shumë së 20 vepra, si romane, tregime, vepra autobiografike… me vlera artistike e historike e pasqyrojnë më së miri triumfin e dashurisë dhe të humanizmit. Njësimi i vetes tij më personazhet, solli vërtetësi në traditën e letërsisë sonë. Kështu Petro Marko, ka mbetur i pamposhtur nga mizoritë e botës, nëpër të cilën kaloi. Petro Marko ishte një ndër personalitetet më të persekutuara të kohës, që mbijetoi me dinjitet. Pena e tij nuk pushoi së shkruari deri në ditën e fundit të jetës…
.
27 Dhjetor 1991
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.