Atdheu Moral në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar” -nga Visar Zhiti

0
11
Visar Zhiti - Kartela të Realizmit të Dënuar
Visar Zhiti – Kartela të Realizmit të Dënuar

Atdheu Moral në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”

nga Visar Zhiti

Doli libri i ri “Kartela të Realizmit të dënuar”, i shkrimtarit Visar Zhiti, botim i Shtëpisë Botuese UEGEN, një ese, një studim i gjerë mbi 400 faqe, sprovë letrare për “letërsinë tjetër”, atë që doli nga burgjet dhe internimet duke u bërë pjesë integrale e gjithë letërsisë shqipe.
Në këtë kohë krizash të kujtesës kolektive dhe moralit shtetëror, të mbivendosjes së një diktature tjetër, dhe asaj të pandemisë së Covid-19 dhe trazirave si pasojë e tij dhe e politikës, duke përftuar dhe një si shtetrrethim absurd, dalja e librit të ri të Visar Zhitit është si një apel për t’u kthyer te kujtesa dhe vlerat e përbashkëta, për të ndrequr ndërgjegjen e përbashkët e për të njohur përgjegjesitë për të ngritur një të tashme normale dhe një të ardhme më të mirë.
Ndërkaq vepra më e re e Visar Zhitit është njohje dhe kritikë, një pasqyrë e zhvillimeve në jetën social-kulturore në vend, e kontradiktave dhe qendrimeve, e dhunës shtetërore dhe e qëndresës, e kundërshtisë së një pjesë me rëndësi e njerëzve të letrave, që përbëjnë vlera dhe universalizim të tyre.
Koha që ngërthen libri është ajo që nisi mbas Luftës së Dytë Botërore, e entuziazmit të çlirimit të vendit dhe e vendosjes së diktaturës më të ashpër në Europë, pushkatimet dhe të njerëzve të letrave, gazetarë, poetë, klerikë, etj, të vendosjes së Realizmit Socialist dhe deri në rënien e diktaturës, ndryshimet e mëdha që ndodhën, duke i hapur rrugën një letërsie të lirë e në vazhdim.
Mes zhvillimeve dramatike, mes luftës, pushtimeve, ku më i rëndi u bë pushtimi nga vetvetja, ku krahas murtajës ideologjike sunduese, u shfaqën dhe epitemidë, madje ndjehet dhe kjo e tanishmja në vepër, shqiptarët qëndruan, kundërshtuan, madje bënë dhe art.
Siç e thotë dhe titulli i këtij libri, ai është ndërtuar me kartela autorësh dhe veprash, të atyre që bënë “letërsinë tjetër”, sfiduese, jo të Realizmit Socialist, të cilët u goditën dhe u dënuan. U dënuan autorë dhe vepra, madje dhe lexuesi i tyre. Për herë të parë ato dëshmohen kaq gjerësisht dhe së bashku të përmbledhura në një vepër të vetme, në vetë të parë.
Ashtu si studiues të tjerë e kritikë letrarë, edhe Visar Zhiti është marrë me këtë çështje, me këtë letërsi, menjëherë pas ndryshimeve në vitet ’90, duke u bërë dhe vetë një nga autorët thelbësorë e saj.
Eseja e tij e dikurshme, “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, e cila ndikoi në mendimin kritik edhe në letrat në Kosovë si pjesë e letërsisë së përbashkët shqipe, tashmë është në brendësinë e këtij libri të ri, e rrëfimit përsiatës të asaj letërsie që ka dalë nga nëndheu, duke sjellë të vërtetat e munguara dhe ka prirë moralisht në të gjithë kulturën bashkëkohore aktuale, duke ndriçuar të kaluarën dhe paraprirë të ardhmen.
Natyrisht mes një pritshmërie tronditëse dhe habisë së bukur që paskësh ekzistuar dhe një letërsi e tillë, mes keqkuptimeve, sprapsjeve dhe debateve, përçmimeve dhe vlerësimeve më të larta, sidomos nga kritika e huaj, të harresave të qëllimta në vend si kurrkund në letërsi të tjera, si dhe revanshit të hovëzuar, etj, dukuri këto të cilat ngërthehen në librin e ri të Visar Zhitit, me ndërgjegjen e krijuesit dhe profesionalizmin e edukatorit, me ato emocione që të jep një vepër arti.
Sipas studimit të Visar Zhitit, Realizmi Socialist mbulonte realitetin socialist duke u bërë një mashtrim i madh, tashmë i tejkaluar dhe në fakt mbetet se ka qenë zhvilluar një Letërsi e Realizmit të Dënuar, metoda me emrin më sinjifikativ që propozon Zhiti, unikale, e ushtruar në Shqipëri, ku ndonjë studiues pararendës ka dalluar, siç dallohen rrymat apo manifestet letrare, shkollat apo grupimet dhe atë të “Shkrimtarëve të Spaçit”, pra të autorëve të burgosur.
“Realizmi i dënuar” përmbledh “të gjitha letërsitë tona”, të përjashtuarat dikur dhe jo, nga ajo e dheut amë, në Shqipëri, në Kosovë e Mal të Zi, në një pjesë të Maqedonisë së Veriut, por e Jugut për ne, e asaj në Çamëri e pse jo dhe prurjet e të ikurve në diasporë, në Europë e SHBA.
Visar Zhiti ka hartuar listat më tronditëse, pabesueshëm aq të gjata për një popull të vogël, me emrat e autorëve të pushkatuar, të burgosur e të internuar, si personazhet e një drame epokale.
Redaktori i librit është botuesi i tij, drejtori i “Uegen”-it, historiani, studiuesi dhe shkrimtari, Xhevahir Lleshi. Në kopertinën e librit, ku është vendosur një pikturë impresioniste e Atjon V. Zhitit, në atë të mbramen, shkruhet: “Kartelat e Realizmit të Dënuar janë si copëza të nxehta kohësh, shqetësime dhe ide për letërsinë e sotme shqipe, për atë që mungoi dhe realitetet e saj, kur ishte e dënuar bashkë me autorët dhe lexuesit nga regjimi diktatorial, sepse kishte në botë një perandori komuniste dhe një realizëm socialist të dhunshëm.
Shkrimtari Visar Zhiti sjell dramën e madhe të letrave shqipe në gjerësinë e tyre si në një fushë beteje, ku ngërthehen informacioni tronditës, rrëfimi çertifikues dhe polemika e guximshme, ndërkohë dhe apeli për njohjen e asaj letërsie dhe për qendrime të drejta.
Ky studim, me bazë dhimbjen, të vërtetat dhe bukurinë, vlen për të gjithë, sidomos për brezin e ri, i shkruar si me sinopset e një romani të madh.”
Libri doli në kohën e duhur, në zgrip, si një përballje dhe përballim të gjendjes së rëndë, si një sfidë dhe shpresë në vazhdim të rikrijimit, sipas Visar Zhitit, të Atdheut tonë moral.
“Botuesi”
Poeti Visar Zhiti
Poeti Visar Zhiti

Fillimi dhe mbarimi në libër: Pllaka të kujtesës dhe thasë…

Duke u endur rrugëve të qyteteve të tjera, mund të jesh i huaj, pelegrin a vizitor, ndoshta në kërkim të ndonjë muzeu a librarie tjetër, teatri a po shëtit i shkujdesur, ndodh të shohësh ca pllaka të vogla mermeri mureve, përanash portave, po dhe mbi rrugën, ku ti po ecën, në të cilat shkruhen se aty ka banuar një njeri i shquar, shkrimtar, shkencëtar, udhëheqës apo pikërisht aty është shkruar një vepër e madhe, që ka bërë epokë. Ndodh të gjesh dhe vargje nën këmbë, ti po shkel mbi poezinë si mbi ngazëllime. Dhe kujtohesh se ke lexuar për këtë emër të gdhëndur aty, ke libra të tij, ndalesh për pak çaste. Mes njerëzve i lutesh atij që ndodhet më pranë që të të shkrepë aparatin tënd fotografik ose me celularin tënd bën një selfie. Dhe futesh në atë shtëpi, të kap një emocion i bukur, i përthellët, dëshiron të biesh në mendime. Ku je kështu, në ndonjë panteon? Mua më kap një si dhembje, më nëpërmendet padashur panteoni i nëndheshëm i atdheut tim, sipër muret e qyteteve me pllaka të rralla të atilla, ku përkujtoheshin më shumë atentate dhe aksione guerilsash, vrasje historike a histori të vrarë. Dhe emrat e rrugëve pothuajse kështu Po filluan të bëhen muzeumet e kujtesës në posdiktaturë, së fundmi, ja BunkArti 1, BunkArti 2, “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e… Po këto tregojnë diktaturën, forcën e saj, sofistikimet, po muzeumet e qëndresës, burgjet, kampet, qoftë dhe një shtëpi e thjeshtë ku jetonin ashtu ngushtë e dëgjonin fshehurazi stacionet e huaja në radio, lexonin libra të ndaluar, etj, etj. Po studio shkrimtarësh, ku janë shkruar veprat, të cilat studiohen nëpër shkolla? Vërtet ku janë vendet e letërsisë shqipe? Vetëm në kryeqytet? Vetëm letërsi zyrtare, po nga ajo e ndaluara, që triumfoi mbi diktaturën? Po katet e tjerë të kujtesës dhe rradhët e nëndheshëm të ferrit? Natyrisht që s’janë skrivanitë e poltronat ato që vendosin, por vlerat e fletëve të shkruara, dhe nga ato të burgjeve dhe internimeve. Po ku janë? Arkivave? Vetëm ato që konfiskoi shteti? Ç’përkujdes tregohet për librin dhe për ata që do ta lexojnë? Kur Bibliotekën Kombëtare së fundmi një herë e dogji zjarri dhe një vit më pas u përmbyt nga ujrat? Të paktën të kishin ndodhur njëherësh, që uji të shuante zjarrin, por ndonjë media shkruante se s’pati ndonjë dëm të madh, u dëmtuan vetëm librat e pas viteve ’90, pra ata të pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, thënë troç që letërsia e Realizmit Socialist është e padëmtuar, kurse të tjerat, në rrënojat e panteonit të tyre te nëndheshëm. Aty t’i lëmë thasët? Cilët thasë? Të burgut?!…
Pikërisht në thasë të vjetër, të arnuar, me njolla dheu e gjaku, ku të dënuarit dikur… ou, na çove larg, në rendin skllavopronar, jo, jo, është pothuajse tani, janë gjallë shumë nga ata ish të burgosur, që në ato thasë, ku mbanin veshje të tyre, që mund t’u kishin mbetur edhe prej të vrarëve, mes gjërave që haheshin, që i ruanin për ndonjë ditë urie edhe më të keqe, futnin copa letre, fletore e blloqe të shkruara, të tyret, të ndonjë bashkëvuajtësi, ia ruanin, e kishin amanet, ndonjëherë pa e ditur se të kujt ishin ato shkrime, që mezi lexoheshin, qenë ronitur, edhe minjtë kishin brejtur ç’kishin mundur, censura e tyre parake a e mëpastajme, e brendshme, njëlloj ishte, aq më mirë, se policia, po t’i kapte, s’do të kuptonin dhe aq censorët e shtetit. Po të burgosurit dinin si t’i fshihnin shkrimet… Ishte e pabesueshme, ndoshta dhe nga vetë ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme, nga ajo e përvuajtura, e ndershmja, e shpëtuar nga kontrollet shfarosëse, nga djegiet, nga realizmi socialist. Dhe s’ka gjë që në arkivat a bibliotekat tona, nëpër muzeume ende s’ka një thes të tillë dhe as fletë me njolla dheu e gjaku përsipër së shkruarës. Gjithsesi ata thasë janë si shakujt mitikë të Eolit, plot tufane për letërsinë shqiptare.
.

Visar Zhiti - Antologji -Lajmtarë të Europës
Visar Zhiti – Antologji -Lajmtarë të Europës

Realizmi i dënuar – Kartela e fundit

Sipas meje, është metoda letrare e një realiteti të dënuar, që dha letërsi:
1-nën diktaturë, burgjeve dhe internimeve dhe jo vetëm, fshehtazi, nga grupi i shkrimtarëve të burgut, një pjesë e të cilëve u pushkatua apo vdiq burgjeve dhe të sivëllezërve të tyre.
2-në kushtet e lirisë si vazhdim nga grupi i shkrimtarëve të dënuar dhe jo vetëm, duke u zgjeruar me vokacion atë të vërtetë, të realitetit të dënuar dhe moralin që duhet të ketë përshtatshëm letërsia.
3-Është letërsia që sjell realitetet në kushtet e totalitarizmit, monoideologjizimit, përndjekjet dhe persekutimet dhe jo vetëm, varfërinë si një tjetër diktaturë, kaosin social dhe korrupsionin shtetëror, zvetënimin shpirtëror, tjetërsimin e individit/personazh, me pikësynim denoncimin e së keqes, përpjekjet për të mbetur njeri, edhe kur është e pamundur, për të krijuar realitete më të mira njerëzore.
4-Realizmi i dënuar është metoda letrare ekzistenciale e një realiteti të dënuar, që tregon dënimin duke pasqyruar njeriun e dënuar, për të mos qenë njeri i dënuar, që etikat e qëndresës i kthen në estetikë të përvojës letrare, në vlera dhe art si veprim emocionues dhe çlirues i jetës.
5-Tërësia e realiteteve të jetëve tona shndërrohet në jetë të tjera, në ato të letërsisë, gjithmonë me mjetet e letërsisë dhe siguron atë vazhdimësi të dy jetëve paralele, asaj njerëzore dhe asaj letrare.
6-Çdo përkufizim për metodën e Realizmit të Dënuar është kufizim i lirisë së krijimit, i fantazisë dhe mjeteve të shprehjes së kësaj metode, që bën dhe përbën vetveten, letërsinë si e tillë.
Sidoqoftë çështja mbetet e hapur. Mbase letërsia shqipe është ajo që nxori prej dënimeve të saj, më mirë se gjetiu, Realizmin e Dënuar.
.
(Botoi gazeta DIELLI)
.

Related Images:

Artikulli paraprakAgim Spahiu, metafora e lirisë së munguar – nga Izet Duraku
Artikulli tjetërSi u shkrua një kryeartikull nga Petro Marko – nga Pertefe Leka
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.