back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Shumë pyetje që edhe nëse s’bajnë nji libër, bajnë nji jetë Njeriu…

Gazeta

Dr. Lazër Radi - Tiranë 1995
Dr. Lazër Radi – Tiranë 1995

Shumë pyetje që edhe nëse s’bajnë nji libër

bajnë jeten e nji Njeriu… 

(nji intervistë e mbetun përgjysë me Lazër Radin)

Ndër bisedat e shumta me Lazrin, shpesh i kam mëshue faktit që edhe pse se ai ka shkrue mjaft, ka shkrue shumë pak për gjysëshekullin e kalvarit të tij nën diktaturë… Kështuqë e kisha mendue gjatë se nji projekt prej njimijë pyetjesh (ndoshta edhe ma pak) mund të shërbenin mjaft për rrëfimin e të vërtetave të tij, për 50 vite diktaturë… Mbetem i bindur se mund të ishte nji prej dëshmive ma interesante ma të rëndësishme… sepse ai njeri kishte jo vetëm kujtesë fantastike, dhe njohje të shumta; kishte jo vetëm nji aftësi komunikimi po dhe nji gjykim mjaft koherent ndaj gjithçkaje… gja që do ta bante rrëfimin e tij mjaft interesant po do të ishte edhe nji dëshmi historike nga të rrallat… Sot, me shumë dhimbje mund të them se kjo përpjekje dështoi për shumë arsye… e para sepse kur i ke prindët mendon përjetsinë e tyre, pastaj futen angazhimet e shumta të tijat dhe të mijat, moskambngulja ime dhe kokfortësia e tij; ndoshta mosha ime hallakatej në të tjera probleme, ndërsa atë e pat lodhë mosha e vet… dhe si duket… edhe në nji formë proteste, ai e pat ma të kollajtë mos me vazhdue ma tej…
Ndërsa po i zbardhja pyetjet e mia dhe përgjigjet e Lazrit, m’u duk vetja si nji bisedë e mbetun përgjysë, dhe u ndjeva si nën akuzë… sepse për gjithçka në kët botë, faji u mbetet të gjallëve… të vdekurit nuk kanë asnji faj… Ata mbeten të pafajshëm… edhe unë u përpoqa të shfajsohem… sepse dy pyetjeve të fundit ai nuk iu përgjigj asnjiherë…
Po, si gjithnji e pati gati, nji të shame të vogël: “Po kambngulja jote, ku asht mor, qen?!”
Jozef Radi, 10 nantor 2013 

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special (në fund Lazër Radi e Jakov Milaj)

Pyetja e parë: Jeni arrestuar ndër të parët, pas fitores së Aleatëve në Shqipëri. A e ndjenit veten midis të humburve kur ju arrestuan, apo besonit në humanizmin e fitimtarve? Thuhej se u “çliruem” në at nandor të kobshëm të vitit 1944. Partizanët e zbritun prej “malesh” dhe prej atyne kodrinave perreth Tiranës… ishin fitimtarët… dhe qyteti dukej i tani si nji poligon qitjeje… Rrugët kishin pamje të llahtarshme. Bodrumet e shtëpive, që në ato çaste tmerri ishin kthye në strehime me i shpëtue raprezaljeve gjermane, u banë varreza të hukubetshme për nacionalistët shqiptarë, të cilët mendonin se duke i shpëtue ushtrisë gjermane në tërheqje, mund të baheshin të vlefshëm për Shqipninë e çlirueme nga okupatorët e mëdhenj dhe të vegjël.
Tirana e mesnandorit të 1944, ishte me rrugë të shkretueme, me njerëz të dëshpëruem, nji atmosferë mbytëse për shumkend qe ndjehej vendas, e në mënyrë të veçantë për ata që kishin qenë thjesht nëpunsa të shtetit… Dukej sikur ata ishin fajtorë për të gjitha tragjeditë që ishin zhgrehë mbi vendin tonë…
Pyetja e dytë: Cila ishte atmosfera e arrestimeve dhe gjendja e burgjeve të asaj kohe? Asgja nën qiellin e kësaj kohe, e në ato momente nuk dukej as normale dhe as logjike… Euforisë së fitimtarëve u korrespondonte frika e pjesës ma të madhe të qytetit. Ajo ishte bà absolutisht sunduese te të gjithë ata që lëviznin në dy kambët e veta. “Rjepacakët” e parë që zbritën nga kodrat e rrethinave të Tiranës, ishin të mbushun me nji urrejtje ndaj çdo gjaje kombtare dhe ndaj çdo shqiptarizme. Dukej se ndikimi serbo-sllav, që dikur kishte andrrue perandorinë e Stefan Dushanit, e kishte shpikë mrekullisht at “Internacionalizëm proletar”, si mjetin ma të përsosun me skllavnue e sllavizue ballkanasit… Leshkot shqiptarë të maleve, tashma armiq të përbetuem të çdo mendimi nacionalist, u vunë me zell të papamë në shërbim të të huajve… dhe ishin gati që për interesat e tyne dhe të pushtetit që po merrnin, të mbysnin me gjak çdo ide dhe çdo nacionalist, që u përballesh fitores së tyne… Në kët ndërmarrje të tyre perverse “xhahilët” e rinj të kombit shqiptar, e kishin parezervë ndihmën “internacionaliste” të armiqve tanë shekullore… shtetin serb dhe pansllavizmin…
Në këto kushte ishte e natyrshme atmosfera mbytëse që ushtrohej mbi të gjithë ne që i kishim shpëtue njënit rrezik, për me iu nënshtrue nji rreziku tjetër edhe ma ma të përbindshëm, të cilin ishim gati me e pague edhe me burgime të shumta, nëse do të mund t’u shpëtonim plumbave të “vllazënve” partizanë…
Pyetja e tretë: Si e mendonit të ardhmen tuaj dhe të ardhmën e Shqipërisë mbas arrestimit? Kjo më duket nji pyetje paksa naive, nji pyetje e bame nga njerëz që s’e kanë përjetue atë periudhë makabre dhe as kanë nji ide të atij momenti tragjik… çlirimtarët e zbritur nga malet nuk kishin asgja njerzore në veten e tyne… Të pushtuem euforie prej asaj “fitoreje” të pameritueme, ata silleshin rrugave të Tiranës me nji kapadaillëk dhe rrugaçëri të vërtetë. Injoranca e tyne dhe ai shpirt regresiv që po sillnin, shihej qartë në vrasjet që po iu banin elementeve nacionalistë shqiptarë, po edhe në arrestimet e shumta të atyne ditëve, duke kërcënue të arrestuemin ata godisnin këdo që kthente kokën, e le mandjej po të përshëndesje ndonji nga të arresuemit që e kishe të njoftun… e që ishe ndesh shpesh me të në rrugë…
Natyrisht në ato momente ishte gjà tepër e vështirë të mendoje për të ardhmen e Shqipnisë, kur nën  kërcënim mashinkash, ishte në rrezik ekzistenca e secilit prej nesh. Askush nuk mbante përgjegjsi për jetën e tjetrit… e sidomos për ne që ishim të indeksuem si “Armiqtë e rinj të Popullit”. Ua kishin mbushë mendjen partizanëve të shkretë se ne e kishim “shitë “ Shqipninë te armiku…
Kjo ishte pakashumë gjendja në të cilën vërtitesh Tirana n’ato ditë të vështira mbas 17 nandorit, dita e çlirimit të kryeqytetit…
Pyetja e katërt: Për ju po përgatitej “Gjyqi Special” dhe atmosfera e fitores së madhe mbi fashizmin sigurish duhej ta bënte pasionante gjykimi Juaj. A i frikeshit kësaj atmosfere pasionante dënimesh… dhe nëse i frikeshit pse? Gjaja e parë që ndodhi ishte arrestimi masiv. Natyrisht që n’atë mori arrestimesh do të bahej nji seleksionim i mavonshëm, kështu që edhe “Gjyqi Special” qe në projekt e sipër dhe direktivat e këtij gjyqi vinin ma së shumti nga jashtë!! Duhej të dënohej nji numër i konsiderueshëm personalitetesh publike, të cilët ma s’pari duhej të konsideroheshin: “Shkaktarët e gjitha fatkeqsinave që i kishin ndodhë popullit shqiptar gjatë okupacioneve të ndryshme…!”
Natyrisht që shtypi dhe radio, si mjete të fuqishme të propagande, ishin tepër aktive ato ditë… Sipas artikujve që botoheshin në shtypin zyrtar të kohës, atmosfera ishte tejet e randë, dhe asnjëni prej nesh, gjashtëdhjetë të arrestuemit e parë s’e ndjente vedin të sigurt se mund t’i shpëtonte dënimit kapital… Partizanët e zbritun prej maleve, ashtu të ashper e plot me parazitë, hidhnin valle rrugëve duke festue makabritetin e tyne gjakatar para sallës ku do të zhvillohej “Gjyqi”, bile edhe para zhvillimit të hetimeve, atmosfera ishte tejet e elektrizueme, dhe në nji situatë të tillë, gjaja ma e natyrshme ishte ta prisje me qetësi çfardolloj fati të kobshëm që gatuhej për ty, në kasaphanën e pushtetit të ri…
Pyetja e pestë: Në aktakuzë, qenë kryesisht artikujt e botuar në gazetën “Tomorri” dhe “Fashizmi”, që ma pas u mblodhën në libër, po edhe artikuj të mavonshëm të botueme të gazetën “Bashkimi i Kombit”. Mbi to u ngrit krej aktakuza ndaj jush. A ishin bindjet e tua fashiste? Sigurisht e vetmja akuzë që mund të më bahej dhe që mund të qëndronte ishin artikujt e mi të botuem kryesisht në dy gazetat: “Fashizmi” dhe “Tomorri”. Edhe ditën që do të zhvillohej seanca gjyqsore ndaj meje, e kuptova menjiherë, sepse sekretarët e gjyqit sollën koleksionet e gazetave të naltpërmenduna, të lidhuna me karton. Nuk u rrejta… atë ditë isha i thirrun me dalë në gjyq, për t’u gjykue, thjesht për shkrimet e mia… Nuk kisha kah t’ia mbaja. Gazetat ishin aty, artikujt ishin aty… Emni im ishte aty. Mohimi mund të shkaktonte ilaritet dhe zemërim. S’më mbetej tjetër veçse të mbrohesha me faktin se në atë periudhë kur ata qenë shkrue, nji veprim i tillë nuk përbante krim, dhe e dyta se në atë periudhë papunësie unë isha i vetmi që mund të siguroja të ardhuna për me mbijetue, duke shkrue artikuj për nji familje prej pothuej dymbëdhjetë vetësh. Dhe vërtet e zbuta mjaft atmosferën e ashpërsisë ndaj meje, dhe sulmet e prokurorit të përgjithshëm Bedri Spahiut, u ndërprenë, por u ruejt baza e akuzës, e cila do të formulohej në aktin final: me 30 vjet heqje lirie…!!!

Jakov Milaj dhe Lazer Radi (Fier 1994)
Jakov Milaj dhe Lazër Radi (Fier 1994)

Pyetja e gjashtë: Prej 23 nandorit të vitit 1944 dhe deri në prill të vitit 1945, keni qenë nën proces hetimi. A asht ushtrue dhunë ndaj jush, po ndaj të akuzuemve të tjerë? Na kishin grumbullue si bagëtia në ambientet e Burgut të Ri, aty në Brrakë. E vërtetë asht se ndaj meje nuk asht ushtrue asnji lloj dhune, po as ndaj të tjerëve, me sa kam folë dhe me kolegët e mi. As na kanë rrahur, dhe as na kanë keqtrajtue… Trajtim i keq ishte fakti se ishim tepër ngushtë. Aty ishim përzie edhe ata që vinin nga mali (sepse kishin shkue vullnetarisht te repartet partizane për me u dorzue dhe me shpëtue të shpëtueshmen), po edhe ne që ishim arrestue në shtëpitë tona. Edhe ata ishin plot me morra, të cilët na sulmuen edhe ne dhe na mbushën shumë shpejt me parazitë, aq sa trupi na u bà gjak prej të kruejtunit.
Përditë na duhej me u pastrue nga morrat, që i kapnim dhe i hidhnim në langun e qirinjve… Vinte nji çast që morrat pëlcisnin me nji zhurmë të lezetshme dhe ne vazhdimisht merreshim me kët gja derisa na mbarojshin qirinjtë, dhe vetëm atherë përpiqeshim me fjetë…
Dhunë dhe raprezalje të drejtpërdrejtë nuk asht ushtrue mbi ne, por duke marrë parasysh se në nji ambient 10 x 4, ishim ma shumë se 100 vetë, dhe duke marrë parasysh edhe torturën e morrave, besoj se s’asht aspak e nevojshme me mendue se kishte ndonji nevojë që ata të realizonin ndonji torturë tjetër mbi ne…
Pyetja e shtatë: Dihet tashma se trupi gjykues përbahej prej kovaçësh, teneqexhish, shkollarësh të përgjysmët dhe pa asnji eksperience juridike. A mendoni se ky gjyq do të bahej shkolla e drejtesisë shqiptare, apo e mendonit thjesht si diçka kalimtare dhe jetëshkurtë? Asht e vërtetë. Trupi gjykues përbahej nga elementë të ndryshëm dhe aspak të përgatitun për me përballue nji proces të tillë politik, më përmasa kombtare dhe ndërkombtare.
“Gjyqi Special” u transmetue me radio po edhe me altoparlantë të vendosun në qendrën ma kryesore të Tiranës, ku përditë mblidheshin me mija njerëz… Natyrisht nji veprim i tillë kërkonte edhe nji organizm të mbrendshëm, të jashtëm tejet të përsosun. Të gjithë ne prisnim që gjatë procesit gjyqsor të baheshin gafa të mëdha juridike. Përkundrazi “teneqexhiu” Koçi Xoxe, sigurisht i instruktuem mirë, e drejtoi me shumë aftësi procesin. Prokurori gjinokastrit Bedri Spahiu, e luejti mjaft mirë at rol, si në nji spektakël, edhe pse kishte mjaft raste qe kapej “mat” dhe në zemërim e sipër e mbushte gjyqin me gjeste teatrale, sikur donte me iu gjuejtë të pandehunve me aparatin e mikrofonit që kishte para gojës…
Asnjiherë s’e kemi mendue se ky gjyq mund t’i shërbente si nji shkollë e vërtetë terrori e drejtësisë shqiptare… Por, ai u bà shkollë terrori, për ata njerëz që erdhën ma vonë, e që do të emroheshin gjyqtarë vetëm me dënue njerëz të pafajshëm, gja e cila vazhdoi, për fat te keq edhe për shumë e shumë vite me radhë, pothuaj nji gjyse shekulli…

Pyetja e tetë: Me cilin prej të akuzuemve të “Gjyqit Special” kishit ma shumë njohje dhe komunikim? ………….

Pyetja e nantë: Gjatë periudhës së hetimit dhe gjykimit, cilët prej të akuzuarve ju kanë pëlqye për qëndrimin dhe sjelljen e tyne dinjitoze… ………..

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.