back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Ai 11 Nandor i 1990… Fini Traboini

Gazeta

Dom Simon Jubani (1927-2011)
Dom Simon Jubani (1927-2011)

Ai 11 Nandor i 1990… Fini Traboini

Ftohtë, cikërrimë shiu, qiell gri, natyrë e ashpër at ditë të bekueme. Njerëz me mendje e zemer në dorë, që at ditë të atij 11 Nandori të 1990, po vinin si pikat e shiut në kishën me famë të “Vorret e Rrmajit”… Për ne që besonim në Zot ishte një ditë plebeshitare. Ishte ditë e “fortë fitimi” ishte ditë bese, ishte ditë e bardhë. Po ta përshkruaj natyrën e asaj dite, më ngjan, sikur po kopjoj Danten…
Ne! Një popull i shtypun deri në palcë, pa fajin tonë “Ferri” na kishte qitë jashtë, e na u nisëm me kërku “parajsën” e asaj dite, tek një popull i shumë kohëve pa fe, e pa Zot.
Dhe ndodhi, ajo që pritëm!!!
Zot, për ne atë ditë u ba, Dom Simon Jubani, ky meshtar i heshtun, i mshehun me petkun e lutjeve të tija, falë fuqive të tyne. Zoti e kish thirrë dhe atë ditë Ju drejtua: “Bari!! Ka ardhë koha me udhëheqë Grigjën tande!” Dhe Grigjia ishim ne, populli i Shkodërlocës, kësaj Shkodre hallemadhe, protagoniste, kundërshtare e komunizmit dhe e kulteve fetare. Ky Bariu ynë, i papërkulshmi ynë, i guximshmi, i përvujtuni ynë, u ba pishtar i një “epoke të re për Shqipninë”.
11 Nandorin e 1990, e mori vesht mbarë bota, mediat Amerikane e Europiane do lajmëronin “shekullin, se ka dishepuj edhe Shqipnia…”
Dom Simoni duke pasë në mendje dhe zemer fjalën e Zotit “se ka me pasë drejtësi dhe shpërblim”, u ba dishepull për ne shkodranët me 11 nandor 1990.
E kush s’e kujton atë ditë… Gjithë shkodranët veshë me petka të reja që i ruanin për ditën ma të bukur, i shihje atë ditë, shtërngueshëm me njeni tjetrin rrinin në lutje. Vaji i tyne i gzimit, nuk kishte të pushuem. Pleqtë e shkretë, kjanin me lotët e tyne, që binin në fytyrat e tyne të rrudhuna e të vyshkuna e uronin njeni tjetrin “të faleminders Zot, që na erdhe prap” – uronin familjet e tyne, me mish e me shpirt.

Mesha e Parë në Shkodër 11 Nantor 1990
Mesha e Parë në Shkodër 11 Nantor 1990

Unë dhe familjarët e mi ishim aty afër dhe dëgjoja e shifja me zemër e sy “meshën e bekueme të asaj dite” Isha afër vorrit të gjyshit tem, fort besnik i fesë… Ndrek Kubinit. Sa e kena lumnue atë gjysh, atë ditë ishim bashkë më të, përqafu me vorrin e tij. Më kujtohen fjalët “Ati ynë që je në qiell, erdh vullnesa yte” të gjithë e mbanin mend dhe si nji kor i madhërishëm “I peshkatarit të perlave” gjëmonte ajo lutje atje sipër vorreve. I gjithë qyteti i Shkodrës e dëgjoi. Ajo meshë ju dedikua edhe martirëve të meshës që u flijuen për Fe e Atdhe. Ne të kryqëzuemt e Krishtit pa fajin tonë, atë ditë falëm mëkatet tona të shumë kohnave, edhe për shumë të tjerë fajtorë e asaj kohë. Sa gzim! Sa lumni, ishte atë ditë!… S’e harroj kurrë. Nëpër shpijat e shkodranëve ishte vetëm ky lajm… ishte festë. Të gjitha nanat tona kishin gatue nji gja të mirë, edhe pse vorfnia ekonomike ishte në kulm. Atë ditë fitoj “Pasunia Morale” e një populli që quhej “Populli i Shkodrës!” Xhelatët komunistë ishin tërbue  me Djemtë e Shkodërloces. “Herojtë e heshtun” kishin vendosë edhe me dhanë jetën, veç Zotin me e kthye prap në votrat Tona.
Por atë ditë Krishti doli krah gjithkun… Faleminders tij, nuk ndodhi asgja e keqe, gjithçka shkoj për bukuri si vetë bukuria e Zotit. Ishin djelm e varza të reja të edukuem me dashninë e tij. Nuk po i përmend emna se i ka përmendë vetë historia. Dhe e dijnë mirë se sa i detyrohena, sepse gjithmonë rrimë tuj i kujtue me fjalën “Faleminders”, këto trimaqë ruenin njerzit, ruenin Meshtarin, ruenin të vdekunit, ruanin tokën. Me automatikë të mshehun poshtë saj, dhe ishin në gatishmëri të plasnin nëse kishim trazina. Ishin dhe njerzit e mi, edhe em vlla Çezari, edhe djelmtë e lagjes e të rrugicave Shkodrane. Ne, me një dorë lutshim Zotin, me tjetrën i faleshim atij t’na shpëtonte djemtë tonë.
Dhe 11 nandori i 1990 shënoi “Unjillin Shkodran!” Ditën që e duam shumë, dhe gjithë jetën Tonë. Duam ta kujtojmë Dom Simonin Tonë, dhe fjalët e tija në nder të ardhjes së Papa Gjon Palit II me 25 prill 1993, në qytetin e Shkodrës: “Nuk duam që gjithçka të përsëritet… duem Zotin, se e dimë që edhe ai na do…!”
Për Ju Shkodranët e mi… nuk duhet ta harrojmë kurrë kët ditë…
Fini Traboini, Nëndor 2013.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.