
Kjo botë shpirtnore grash e vajzash
projekton nji botë… përnjimend ma të mirë…
parathanie nga Desantila Qerimaj – Rranxa
Me lexue e rilexue disa herë këto poete arrihet në nji gjendje bashkëjetese me mbrendësinë e tyne e instinktivisht më vijnë ndërmend fjalët “mirë se erdhët në mendjen e shpirtin tonë”. Njashtu urojmë të rroken me mendjen e shpirtin e lexuesit e atyne ithtarëve të poezisë, që si ne janë dashamirës të krijimtarisë poetike shqiptare. Produkti letrar i këtij bashkëpunimi – tue kenë tejet bashkëkohor – mbasi thuejse asnjena prej poeteve s’ka sjellë libër para vitit 2000, e për ma tepër Çuka, Doka e Ndreca kanë botue në italisht para shqipes – mendoj se asht i pari në llojin e vet, prej se nuk orientohet veç në vargje po edhe në nji perceptim e mendim letrar prej redaktorëve mbi çdo cikël poetik, qasje kjo që ka në vemendje veçoritë e vlerat e krijimit në nji realitet ku shkruhet e veç shkruhet…
Në shekullin konkret, poezia po kthehet në ‘provë’ ndjeshmënie për çdo moshë, e kush tashma, s’ka vargëzue s’paku nji herë të vetme?! Po me pasë nji ide për zanin femnor në poezinë shqipe lypset nji terren i përshtatshëm leximi, e kështu shpresojmë që ky bashkim poetesh (nën nji kopertinë), të jetë i mirëpritun në parametrat e asaj çka ne e besojmë se asht; nji Risi… prej se kurrë s’ka pasë kaq shum’ shpirt femnor të trevave tona n’nji libër të vetëm. Frymëzimi masiv ndaj të shkruemit sot, jo domosdoshmënisht duhet mendue si negativ, mbasi mundet edhe m’e ndihmue botën me kenë paksa ma e mirë, paksa ma e kapshme, paksa ma e drejtë e ma e pranueshme; e kjo buqetë lulesh që kena në duer e që identifikohet me zhanrin poetik kryesisht lirik paraqitet prej grashë e vajzash që e bajnë poezinë tonë ma të pasun.
Temat ma të spikatuna shenjohen përmes dy fjalëve të cilat për kah randësia që i asht dhanë e për kah dendësia e përdorimit po i theksojmë në germa t’mëdha shtypi, Malli e Dashnia; dy binarë këto ku turbullimi i ujnave të zemrës e dinamika e ndjeshmënisë ecin njiherit, herë pikiatë me pasion e herë kadalë e me durim. Në këto dy plane emocionale, prumjet këtu janë pikësëpari, të yshtuna prej ndjenjave të naltpërmenduna. Ndoshta, “gjaku” frymëzues që rrjedh i pandalshëm venave të këtyne poeteve ka si origjinë nji liri të andrrueme gjatë… Mendojmë këtu, të kaluemen e trazimet domethanëse në kohnat çnjerzore të diktaturës kur grues iu pat mohue çdo rol letrar, terrorin e luftës në Kosovë ku u dëshmuen tmerre nga ma të paimagjinueshmet e po ashtu ikjet masive prej atdheut.
Ndaj vrulli gurgullues, (si pasojë e daljes prej ndrydhjes së roleve të mohueme) e gjen rrugën e lirisë së të shprehunit nëpërmjet figuracionesh e ngjyrash poetike si nji zgjim prej ‘letargjisë’ ku dominojnë qartësia e rafinueme e fjalës në lidhje me vuejtjen, e tematika akute si mungesa e tokës: kjo tek Ristani, Beqiraj, Çuka, Kotrri, Kone, Ndreca e Jatru – tek të cilat artikulohet e evidentohet emigrimi – shkëputja prej vendlindjes, të kaluemes, tjetrit e vedit. Në nji kandvështrim ndryshe, akti i të shkruemit asht sa përpjekje për ‘injorim’ të origjinës (n’se kjo e fundit shihet si konstruksion skematik shoqnor, jo shpirtnor) aq sa thellim në zbulimin, përmbajtjen e emnimin e saj, e këto janë kahe ku tematikat e kësaj antologjie lëvizin ndjeshëm.
Jo rrallë herë e gjejmë origjinën shtysë me analizue atmosferën e mallit si përcaktuese edhe të identitetit. Kjo jo si nji ideologji poetike po si depërtim kohor e thelb i njeriut, i cili dikton strukturën dhe vlerën e të kaluemes. Në sensin gjeografik, antologjia ka synue me kenë gjithpërfshimëse, tue paraqitë pjesëmarrëse të cilat kanë emigrue prej në Amerikë e deri Greqi, e në të njajtën kohë, që jetojnë në Kosovë e Shqipni. Të pandashme prej konceptit të identitetit vijnë Hysenukaj, Beqiraj, Brahaj, Kotrri e Halilaj ndërkohë që edhe poetet e tjera e prekin kët ‘plagë’, metaforikisht apo simbolikisht, tue shtjellue mallin/ identitetin në kandvështrime të shumta. Prandaj, kategorizimet këtu, s’janë absolute, prej se gjinden vazhdimisht karakteristika të veçanta e të përbashkëta, e se tematikat e veçoritë si kuptimore, stilistikore e gjuhësore i gjejmë te çdonjena në doza e varietete të ndryshme.
Karakteristikë parësore e përbashkët asht se shumica e poezive ndjekin formën e vargut të lirë, me kryefjalë ritmin e mendimit – i cili, strukturon ma tej estetikën e tyne, – po edhe të ndjenjës që përmban mendimi, (n’se na lejohet m’u shprehë kështu) ngjeshjen e përdorimin e kujdesshëm të fjalës; kjo në pikëpamjen që gjuha/ dialekti/ fjala me shpalosë aq kuptim sa me të drejtë m’i mendue këto elemente si pjesë integrale të poeteve. Çoku fjala vjen, përfaqson nji konceptualizim të veçantë të trajtimit të gjuhës ku kombinohen
shqipja letrare me gegnishten po edhe eksperimenton me forma të ndyshme të shqipes tue ndërtue nji komunikim të saj specifik poetik, ndërsa Kone ka nji alternim të gegnishtes me letraren edhe mbrenda nji poezie dhe ndjehet sikur ky bashkëpunim tingëllon pak i sforcuem prej se nuk ka nji masë të përcaktueme qartë të mënyrës si ajo kërkon m’e artikulue konceptin e saj gjuhësor. Ka raste si tek Bytyqi, Staka, apo Neni ku kemi përdorime të dy varianteve si asaj letrare që asht bazë po edhe gegnishtes si variant dytësor. N’se nisena prej përdorimit të letrares, Ristani, Jatru, Çuka, Barxhaj e ndonji tjetër janë ma skrupolozet në adoptimin e nji gjuhe të rafinueme e dinamike. Sa i përket fjalës, jemi angazhue me ngulm mos m’e cënue, a ndryshue integritetin e origjinaletitetin e saj, tue respektue si parim zgjedhjen për m’e sjellë atë siç asht mësue ose lëvrue në çastin e krijimit. Hysenukaj, Mulgeci e Brahaj për shembull përvetësojnë elemente të gegnishtes së zonave të Malsisë së Gjakovës; Halilaj na dëshmon për koloritin e shprehjeve të zonës së Dukagjinit, ndërsa Mujaj ndajfoljen ‘sonte’ – e cila tashma përdoret përgjithësisht kështu – e shkruen ‘sonde’ tue na drejtue për kah e foluna e Malësisë së Madhe. Përderisa nji poete kambëngul në fjalë, trajta e forma që tashma i hasim fort rrallë ndër tekste, me siguri dëshiron me na përçue mesazhin se ajo ka burim kryesor frymëzimin historik gjuhësor, teknikë interpretimi kjo që e thellon randësinë dialektore të vendit ku ato kanë jetue, tue e ngritë e vendosë gjuhën në nji stad tjetër kuptimësie e tue na rikujtue magjinë e pasuninë e saj si dialektore, shqipe letrare apo zyrtare qoftë ajo.

Kalimi prej trajtave që përdoren rëndom në ato të harrueme e personale – për sa kohë që fjala qëndron në varg po edhe në kuptim – vjen si detaj i qenësishëm, i cili shërben me përcjellë idenë se ekziston jo vetëm kujtesa gjuhësore, po edhe e drejta eksperimentale; sepse gjuha poetike ndërthurë me tonin e saj ka në themel nji melodi krejt vetjake, ku nuancat e fjalës përligjin harmoninë e mbrendshme, e bahen ritëm ku gjithçka trazohet e qetohet mbrenda origjinës, identitetit e risisë.
Gjithmonë risi asht për njeriun, dashnia, si stërhollim në thelb i ekzistencës, e çdo emocioni ku vetvedi bahet ma i prekshëm, ma i dhanshëm e mirëpritës i së jashtmes njaq sa universit ndryshe ndjesor të së mbrendshmes. Në kët kuptim dashninë mundena m’e quejtë poezi, meqë të dyja kanë fuqinë me na largue prej skepticizmit e pragmatizmit.
Kësaj antologjie ajo i shërben me na shfaqë sa pasionin e skalitun me guxim e emocione vullkanike të erotizmit – si nëpërmjet Dabishevci-t, Zadrimaj-t e Brahaj-t aq edhe atë të skalitun në intimitet erotik hulumtues apo të paqtë si tek Mëngjesi, Rusta, Gjergji, Neni, Rranxa e Satka. Po, si matëse e humanitetit edhe e realiteteve kjo ndjenjë i hap rrugë edhe fenomeneve të tjera. Ndërsa zhytena në thellësi të materialit, ajo përshkallëzohet në dukuni ekzistenciale si për shembull; tek grueja dhe roli i saj, përkujdesja e mungueme për vedin, vëzhgimi ndaj vedit e tjetrit, trishtimi e sublimiteti për marrdhaniet dashunore, elemente këto që janë prezente e komplekse tek secila, po ma të theksueme i gjejmë tek Mujaj, Mëngjesi e Ademi.
Në kontrast me narrativën e përjetimeve sublime takohena edhe me eksperiencën dramatike të së kundërtës; boshllëku e pikëllimi që mizogjinia shkakton, etja për liri e cila synon shkundjen e zhdukjen e nji partriarkalizmi në funksion të zvogëlimit të grues, tue na sjellë koshiencën e Bytyçi-t, Doka-jt e Çuka-jt si nji lëvizje drejt nji vetëdijeje të plotë për evoluim e çlirim të fjalës, akt rebelimi ky kundrejt influencës mbizotnuese mashkullore.
Kthehena te dashnia, e pame si katalizator perceptimesh nga ma të larmishmet po aq sa thellim shum’dimensional mbrendësie. Ajo funksionon si koncept bazë po edhe kompleks tek të gjitha ciklet, e ka fuqinë m’u shndërrue në dimensione si transhedentalja e metafizikja ku Neni, Barxhaj, Rranxa, Çoku e Ada Halilaj amplifikojnë jokonkreten e të pakapshmen, tue sendërtue realen me jorealen, përhumbjet tokësore me ato qiellore. E prapëseprap’, e gjitha kjo ‘galaktikë’ që kemi në duer, shpesh shndërrohet në nji metaforë të fuqishme që jeton në andërr e në natyrë, mendojmë këtu kryesisht Çupi e Rusta e edhe Stankaj ku subjekti natyror nuk ka limit apo nji kuptim të ngushtë, sepse natyra perceptohet si fuqi e plotë që mjekon e shëron dhimbjet e realitetit. Realja në anën tjetër, portretizohet me përmasa prekëse e ato të nji vërtetsie që kërkon ndryshim, përmasa deri kushtruese, tue evidentue nji tjetër temë mjaft domethanëse, atë të problemeve sociale.
Zani poetik, siç mund ta imagjinojmë përbahet prej vetvetesh e të tjerësh, për veten e për të tjerët në misionin e tij për të vërtetën e drejtësinë. Regresin politik, çalimet institucionale, shoqninë hipokrite, paragjykuese e moraliste, (veçanërisht kur ajo i largohet humanes, lirisë e drejtësisë), na e diktojnë dukshëm: Ristani, Krosi, Jatru e Bytyçi. Nocionet direkte e pa çensurë të lidhuna me gjendjen e shoqnisë, – fenomen ky i vëzhguem vetëm mbas viteve ‘90 – , na tregojnë se poezia, kët herë nëpërmjet zanit femnor, po merr funksionin e nji lajmëtareje që zhvillon anën kritike të koshiencës njerzore.
Unike secila në stilin dhe estetikën e saj, në individualitetin e vargut e të emocionit, bukuria artistike në kët antologji dëshirojmë ta frymëzojnë lexuesin po aq sa ne që ia dolëm nji projekti jo fort të lehtë, e ku puna me kët libër, gradualisht u kthye në nji pjesë e ftesë për pasunim të vedit, sepse bota e këtyne grave e vajzave projekton nji botë… përnjimend ma të mirë.
Desantila Rranxa, qershor 2025