back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Shitja e atdheut nga shoqata e botuesve dhe juria e panairit – nga Artur Shkurti

Gazeta

“Klani “Oxhaku heuristik” të Shekullit 21
“Klani “Oxhaku heuristik” të Shekullit 21

Shitja e atdheut nga shoqata e botuesve dhe juria e panairit

nga Artur Shkurti

Autor i librit “Klani “Oxhaku heuristik” i shekullit 21,
synon përçarjen fetare dhe shkombëtarizimin
duke sulmuar Vëllezërit Frashëri, Mësonjëtoren dhe Rilindjen Kombëtare”.
Drejtor i shkollës dhe shtëpisë botuese “Udha e shkronjave
Pjesëmarrës në Panairin e Librit 2023 

Çmimet e Panairit të Librit 2023, që organizohen nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, u shpallën më 18 nëntor 2023, në mjediset e Pallatit të Kongreseve dhe u botuan në faqen e Shoqatës në facebook. Një nga çmimet ishte çmimi për “veprën më të mirë studimore”.
Në shpallje thuhet sa më poshtë:
“Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, i jepet zotit Thomas Frashëri, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me këtë motivacion:
“Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.”
Do të provohet më poshtë se juria e panairit e zgjedhur nga shoqata e botuesve me në krye Petrit Ymerin, me përuljen e vet ndaj pushtetit, me pranimin e interesit vetjak si priotar i meriton fjalët e Sami Frashërit:
“Secili është i detyruar t’i shërbejë atdheut të tij pa shpërblim. Nuk është për t’u qortuar ai që i shërben atdheut të tij dhe shpërblehet, por s’ka poshtërsi më të madhe se të rrezikosh atdheun për interesa personale.”
Anëtarët e jurisë së panairit dhe vetë Petrit Ymeri e kanë rrezikuar atdheun për interesa personalë, sepse megjithëse kishin flamurin e kuq të ngritur që thoshte se po synohet “përçarja fetare, po sulmohet Rilindja Kombëtare, Mësonjëtorja dhe Vëllezërit Frashëri” ata nuk treguan aspak përgjegjësi kombëtare. Megjithëse e dinin që ky flamur i kuq u ishte ngritur nga një drejtues shkolle që ata e dinin që ishte autor e krijues i një shkolle me reputacion tepër të lartë si në botimet që ka patur, si në veprimtaritë që ka organizuar dhe si në cilësinë e lartë të ofruar, dhe çështja binte saktësisht në fushën e tij, ata përsëri vendosën me vetëdije të plotë të mos na i vinin veshin, sepse e dinin që kjo do t’ua ngatërronte interesin e tyre personal. Ta gëzojnë interesin personal dhe të na kundërshtojnë për sa do të themi më poshtë.
Fakti që oponencën time e bëra libër (326 faqe), tregon se qartësisht kam kuptuar që autori Thomas Frashëri nuk e ka libër shkencor por e ka fushatë propagandistike dhe tjetërsimi kulturor e fetar të shqiptarëve. Ky është mendimi im dhe kam argumentet për të. Ushtrimi i presionit që të ketë edhe çmime në veprimtari gjerësisht publike siç është Panairi Kombëtar i Librit dhe me mbulim gazetaresk qartësisht tregon se libri është mjet i propagandës dhe jo ndonjë zbulim shkencor. Faktet tashmë e provojnë.
Vërejtjet që do të bëj këtu nuk duan të thonë se herët e tjera nga Panairi është vendosur gjithnjë në mënyrë profesionale dhe këtë radhë nuk është profesionale, por duan të thonë saktësisht këtë fakt individual.
Mendimi im i përgjithshëm është që nuk është në fuqitë e shoqatës as në integritetin e saj që ajo të arrijë të bëjë një investim kolosal siç është vlerësimi i librave. Vijojmë tani me faktet:

Juria e Panairit te Librit 2023 - Arta Marku, Erion Kristo, Monika Stafa, Aristotel Spiro, Enkel Demi
Juria e Panairit te Librit 2023 – Arta Marku, Erion Kristo, Monika Stafa, Aristotel Spiro, Enkel Demi

Shoqata e Botuesve kërcënon, dëmton dhe tjetërson Opinionin Publik shqiptar me zgjedhjen e një jurie me gazetarë.
Fakti që për të diskutuar për librin më të mirë studimor zgjidhen gazetarë dhe jo profesorë të historisë (në këtë rast) tregon dëshirën e shoqatës së botuesve dhe të shtytësve të saj ose të përfituesve prej propagandës së saj, që oponenca ndaj librit të mos ketë akses në media sepse juria do të atrofizonte në RTSH, në Top Channel në Klan çdo përpjekje për të dalë oponenca. Nga vetë natyra e profesionit të gazetarit dhe e medias është tepër e rrezikshme të merresh me ta. Mbase edhe ata anëtarë të shoqatës që kanë votuar për këtë skemë kanë qenë nën “autocensurë” ose në interes me vetë gazetarët (konflikt interesi). Është e qartë se shoqata e botuesve ka vënë nën kërcënim vetë anëtarët e vet me caktimin e një jurie me gazetarë. Të gjithë kanë nevojë për median dhe të gjithë i bie që të mos e hapin gojën ndaj vendimeve të gazetarëve.
Libri i Thomas Frashërit ka patur propagandë në Top Channel (në Vitrina e Librit), në TV Klan (Opinion) dhe po ashtu ka patur edhe promovimin e me një sallë të madhe me profesorë… që nuk e kishin lexuar librin (këtu promovimet bëhen pa lexuar librin dhe shfrytëzohet prania, për të kuptuar miratim). Me vendimin e Shoqatës së Botuesve autorit i shtohet edhe vlerësimi i Panairit të Librit 2023. Caktimi i një jurie me gazetarë synon pikërisht shumëfishimin në mënyrë eksponenciale të propagandës dhe në përpjesëtim të zhdrejtë edhe bllokimin e oponencës ndaj librit. Kjo merr vlerë të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për orientime kyçe në fushën e historisë.
Do të jetë e natyrshme që mbrojtësit e Rilindjes Kombëtare, të Mësonjëtores dhe të Vëllezërve Frashëri të nënvleftësohen e të mos kenë akses në media dhe kështu të krijohen kushtet e tjetërsimit të mendimit, pra të dëmtimit të opinionit publik, prej të cilit kalohet në një shkallë tjetër cilësore në ndryshim të programeve mësimore.
Le ta shohim tani nëse a) është apo nuk është profesionale juria dhe b) nëse e kanë bërë apo jo punën si duhet Departamenti i Historisë në Universitetin e Tiranës dhe c) janë apo jo në konflikt interesi anëtarët e jurisë dhe mënyra si është krijuar juria.
Paralajmërimi dhe oferta e oponencës sonë kanë qenë shumë kohë më parë për Shoqatën e Botuesve dhe për vetë jurinë.
Që me shpalljen e emrave të anëtarëve të jurisë së vlerësimeve të botimeve në panair, i kam shkruar Erion Kristos, njërit prej anëtarëve, se fakti që në këtë komision ishin gazetarë që kishin promovuar më parë Thomas Frashërin në disa këndvështrime, do të më lejonte të mendoj se libri i Thomasit jo vetëm do të jetë kandidaturë, por do të shpallet fitues.
Është e qartë se në këtë parashikim rrezikoja shumë sepse mund të kishte dhjetra libra kandidatura, por faktikisht u provua se kam qenë i saktë në parashikim.
Meqë parashikimi është paragjykim u desh ta lë për ca kohë në komentet në statusin e Erion Kristos dhe pastaj ta heq prej andej. Por vendosa ta lë parashikimin tim dhe njoftimin paraprak të jurisë në mesazhet që i kam nisur Erion Kristos dhe Petrit Ymerit.
I kam njoftuar me shkrim në whatsapp si Petrit Ymerin, kryetarin e shoqatës së botuesve ashtu edhe Erion Kriston anëtar i jurisë së vlerësimit, i caktuar nga Petrit Ymeri dhe besoj nga një forum drejtues i shoqatës.
Si Petrit Ymerin ashtu edhe Erion Kristos u kam nisur kopertinën e librit tim që qartësisht tregon oponencën dhe idenë kryesore të oponencës, pra kopertina nuk lë dyshim për shqetësimin e madh. Ndërkohë asnjë nga të dy nuk shqetësohej për këtë, me ndonjë koment, apo ndonjë interes të shprehur për t’u njohur me librin.
Unë ata i vura në dijeni si persona përgjegjës për vlerësimin e librit që kanë përgjegjësi publike për çfarë vetë ndikojnë publikun me vendimet që japin. Nuk i njoftova si persona të njohur të mitë.
Juria e shoqatës së botuesve nuk shprehet për botimin apo jo të një libri se këtë të drejtë autori e gëzon me ligj, por juria ndikon që vendimet e saj të jenë sa më profesionale dhe ndihmuese dhe të kenë një dakortësi të gjerë.
Provohet se as Erion Kristo as Petrit Ymeri qëllimisht nuk na i vunë veshin.
Do të ishte fat për një juri që të kishte kritikën e një libri, të cilën e ka edhe kandidaturë për çmim. Aq më tepër që kanë qenë të dalldisur nga libri me çmim të parë (në fakt fiktivisht, se fare nuk e kanë lexuar përveç kopertinës dhe ndonjë faqe tek tuk) do të duhej ta merrnin librin tonë oponent. Ne e dhuronim atë, por as me dhurim nuk e deshën. Qartësisht të njëanshëm, qartësisht joprofesionalë, qartësisht e përfundimisht antikombëtarë në atë që kanë bërë.
Asnjë libër tjetër për dekada nuk ka patur kritikë të tillë. Kritika kushton shumë. Aq më tepër ta kthesh në një libër të tillë siç e kemi botuar. Mua më ka kushtuar, por e kam bërë sepse binte në fushën time të profesionalizmit, në çështjen e edukimit kombëtar që duhet të jetë një përmasë e padiskutueshme e një shkolle siç është në çdo shkollë e komb dinjitoz në botë. Nëse e pëson Rilindja Kombëtare, Vëllezërit Frashëri dhe Mësonjëtorja e parë shqipe, e pëson sistemi i edukimit, pra edhe shkolla “Udha e shkronjave” dhe ne nuk duam ta pësojë natyra kombëtare e sistemit të edukimit dhe vërtetësia.
Asnjë nga të dy, as Petrit Ymeri, as Erion Kristo, nuk erdhi të tërhiqte librin për ta parë. Nuk bënë as më të voglën bisedë njohëse që të kishin të paktën një shenjë më shumë. Pra, qartësisht ishin të anshëm duke e ditur që do të miratonin librin e Thomasit.
Në datën 21 tetor 2023 (pra rreth një muaj para shpalljes së çmimeve më 18 nëntor 2023) përmes një mesazhi në whatsapp e kam kujtuar Erion Kriston për daljen e librit kritik me autorësinë time “Klani “Oxhaku heuristik” i shekullit 21”, për numrin e faqeve 326, për opinionin tim se libri ishte thellësisht antikombëtar.
Erionit ia premtova librin, por ai nuk tregoi aspak interes që ta kishte, megjithëse nuk do ta blinte, megjithëse e kishte detyrë funksionale për detyrën që kishte pranuar për të gjykuar librat në panair, pra nuk do të ishte me qejf, por detyrim akademik, përderisa pranonte të gjykonte për të dhënë titullin “për studimin më të mirë”. Kjo më bën të besojë se paraprakisht ka qenë në dijeni se vendimi i jurisë do të ishte pro Thomas Frashërit dhe ka qenë në interesin e tij e të anëtarëve të tjerë të jurisë të fshehin kolektivisht ekzistencën e oponencës ndaj kandidaturës që po e shpallnin fitues. Kjo është shumë e ulët.
Tashmë provohet se Erioni ka patur disa konflikte interesi në gjykimin e veprës së Thomas Frashërit, pra të mbajë anën e tij. Sa më poshtë mund të vlejë si opinion:
Së pari, nuk ka treguar profesionalizëm fillestar dhe të pranojë një oponencë të shkruar dhe të regjistruar në Bibliotekën Kombëtare. A e di apo nuk e di Erioni se çfarë do të thotë të përgatitësh një libër kritik me 326 faqe. Sikur kot fare të kishim shkruar janë 326 faqe të shkruara dhe në një botim tepër cilësor, pra na ka shpenzuar kohë. Erioni bën indiferentin dhe bën sikur nuk kupton që kjo është fyerje e nivelit më të lartë intelektual dhe kombëtar. Aq më tepër është fyerje kur ai e di që jemi drejtues të Olimpiadës Kombëtare më të madhe në Shqipëri, ku edhe fëmijët e tij kanë marrë pjesë. Olimpiada kombëtare “Udha e Shkronjave” është vërtetë kombëtare për nga frymëzimi dhe për nga programi. Erioni e di që ne i edukojmë nxënësit me frymën e atdhedashurisë dhe kjo frymë nuk bëhet sipas qejfit, por sipas konceptimit të përbashkët e të gjithëpranuar të Rilindjes Kombëtare, të Vëllezërve Frashëri dhe sipas misionit që iu është caktuar mësonjëtoreve shqipe, ku e para është Mësonjëtorje e parë shqipe në Korçë, që tashmë nuk ka emër, nuk ka status muze kombëtar dhe nuk ka një udhëzim zyrtar që dikush t’ia mbrojë trashëgiminë.
Me sa dimë Erioni ka studime në fushën fetare. Shtëpia Botuese “Dituria” njofton që doktoraturën Erioni e ka përfunduar në universitetin e Vatikanit “San Tomasso”, universitet ku ka mbaruar edhe papa i shquar Karol Vojtila.
Erioni me sa dimë është i të njëjës fe me Thomasin. Në librin tonë kritik ndaj librit theksonim që dëmi do të bëhej kryesisht në keqedukimin e një pjese të bashkësisë së krishterë, kryesisht ortodokse. Vërejtjet tona nuk bëhen nga pikëpamje e ndonjë feje tjetër, por nga pikëpamja e Rilindjes Kombëtare për metodat e ruajtjes së harmonisë fetare. Ne jemi shkollë dhe shkollat duhet ta kenë të qartë si bëhet kjo punë, por në fakt ato po veprojnë në rrëmujë e sipër dhe libra si të Thomasit mund ta çorientojnë sistemin edukativ, duke rënë në fetarizëm të skajshëm. E kundërta e përçarjes fetare nuk është feja tjetër, por është harmonia fetare.
Nëse kombit i hiqen siguresat e harmonisë fetare, duke luftuar Rilindjen Kombëtare, Vëllezërit Frashëri apo Mësonjëtoret, atëherë i hapet rruga fetarizimit të skajshëm dhe për pasojë errësirës dhe tronditjes së unitetit kombëtar që në rastin e Shqipërisë ka shumë shumë nevojë për ideologjinë e Rilindjes Kombëtare.
Titulli i oponencës sonë ishte “libri… synon përçarjen fetare” dhe qartësisht juria duhej të zgjidhej me kujdes në këtë çështje.
A e bëj apo jo unë punën saktë në ato që shkruaj, kjo sigurisht është për t’u diskutuar rast pas rasti, pohim pas pohimi, por nuk vihet në diskutim që oponenca ime është serioze dhe nga synime serioze. Erioni, anëtarët e tjerë të jurisë, shoqata dhe çdo institucion e ka detyrë funksionale të pranojë oponencën dhe nuk e kanë pranuar dhe i japin të drejtë vetes që pa e lexuar librin vetë as librin e Thomasit dhe as librin tim oponent me atë të Thomasit, Erioni dhe çdo anëtar jurie të japë verdiktin “studimor”.
Në panair, duke qenë se takuam shumë profesorë të historisë, mësuam se megjithëse e kanë patur librin prej tetë muaj si dhuratë nga Thomasi nuk e kanë lexuar. Do të ishte paradoksale (jo e pamundur) që shumica e historianëve të mos e lexonin dhe të ishin gazetarët ata që e lexonin.
Konflikti tjetër i interesit. Erioni është gazetar punon në një media dhe Thomasi është drejtor i AKEP-it, i cili ushtron një pushtet të caktuar ndaj Erionit.
Konflikt tjetër interesi. Librin e fundit Erionit ia ka botuar “Onufri” dhe Onufri ka botuar edhe librin e Thomasit. Pra Erioni paguhet nga “Onufri” (të drejtat e autorit) dhe Erioni vlerëson një libër tjetër të “Onufrit”. Ndërkohë Erionin e zgjedh drejtuesi i shtëpisë botuese “Dituria” Petrit Ymeri që është kryetar i shoqatës që cakton Erionin anëtarë jurie. Edhe “Dituria” i ka botuar Erionit libra. Asnjë nga këto fakte nuk ka të keq, por konflikti i interesit është i dukshëm. Njerëzit me konflikt interesi shmangen vazhdimisht e vazhdimisht nga proceset vlerësuese. Në shkollat e ndërkombëtare thuhet që mësuesi i lëndës nuk duhet të jetë mbikqyrës në provimet ndërkombëtare që u bëhen nxënësve. Kemi raste pa fund. Petrit Ymeri, Bujar Hudhri dhe Erion Kristo që janë të lidhur me interesa të tre pranojnë që Erioni të caktohet nga Petriti që të vlerësojë librin e Bujarit dhe Erioni deklaron se do të bëjë një punë të saktë dhe saktësia qëndron që nuk ka marrë librin tonë në shqyrtim si ndihmesë për vlerësim të saktë të një libri tjetër, pra të Thomasit. Ja për kaq u duhej dhe kaq e bëri. U pagua me moslexim të librit të Thomasit dhe moslexim dhe mosmarrje të librit tonë. Kurseu kohë dhe koha është flori.
Erioni është pedagog dhe njeri i medias dhe Departamenti i Historisë në Universitetin e Tiranës janë pedagogë dhe shpesh edhe ata janë njerëz të medias (analistë).
Erioni është gazetar që vepron me një juri kryesisht me gazetarë, pra që ndajnë të njëjtat interesa në aksesin e tyre në entet botuese mediatike, ndajnë të njëjtin profesion.
Anëtari tjetër i jurisë është Aristotel Spiro me kombësi greke. Edhe Aristoteli është me konflikt interesi. Botuesi i Thomasit që është “Onufri”, pra Bujar Hudhri, ka botuar edhe librin e Aristotelit “Rrugëtime shqiptaro-greke” (2016). Tani Aristoteli do të vlerësojë një libër që e ka botuar “Onufri”. Bujari është në drejtimin e shoqatës së botuesve dhe cakton një autor të vetin si anëtar jurie të një libri tjetër të vetin.
Gjatë pandemisë OBSH tha “Covidi i dyshuar, do të regjistrohet si Covid”. Në këtë kontekst, Shoqata e Botuesve nuk do të duhej t’ia linte votimin e Thomasit një personi që qartësisht është i afërt në bindje me Thomasin. Duke qenë se përmbajtja e librit të Thomasit qartësisht ndikon axhendën greke të propagandës ku Frashëri nuk trajtohet si pjesë e Historisë së Shqipërisë, por si pjesë e një “historie ndërkufitare” (kjo është arsyeja që Thomasi thotë se libri i tij është “në shërbim të historisë” dhe nuk thotë në dobi të “historisë së Shqipërisë”), atëherë prania e në komision e Aristotel Spiros është e qëllimshme. Të njëjtën punë si Aristoteli mund ta bënin edhe me shqiptarë (siç e kanë bërë), por fakti që Aristoteli është grek (kombësia është greke) dhe çështja që do të gjykojë është “propaganda filogreke” e bën të ketë konflikt interesi. Nuk i dimë fare integritetin, apo mendimet e Aristotelit (nuk e njohim), por një shoqatë botuesish kur vendos një anëtar jurie niset pikërisht nga librat që një juri do të gjykojë dhe kujdeset nga një anë të shmangë konfliktin e interesit, nga ana tjetër të jenë profesionalë në fushën që do të vlerësojnë dhe më së fundmi të jenë me integritet të provuar.
Si mundet të gjykojë kritikën tonë një qytetar shqiptar me kombësi greke, kur ne themi se Thomasi është top i propagandës greke në atë që bën dhe e argumentojmë. Edhe unë të isha grek, do të thosha “Uh, sa mirë!”. Aristoteli nuk do të kishte konflikt interesi nëse shqyrtohet mbarëvajtja e gjuhës dhe e kulturës greke, të cilën duhet ta mbrojë si identitetin e vet dhe të kërkojë t’i respektohet edhe nga të tjerë, por ka konflikt interesi kur gjykohet gjuha, kultura dhe sistemi arsimor shqiptar që rrezikohet nga ndikimi shkombëtarizues në interes të Greqisë.
Lidhur me Monika Stafën, nuk kam çfarë të them më shumë sesa ato që janë në vetë librin që kam shkruar. Është e drejta e saj të pasqyrojë botimet e reja, siç ka pasqyruar edhe librin e Thomasit në emisionin e saj “Vitrina e Librit” në Top Channel, por ajo që nuk është në profesionin e gazetarit është eleminimi dhe fshehja me vetëdije e zërit kundër. Megjithëse ajo pati komente oponente të miat në statusin e saj në facebook (10 mars 2023), ajo i fshiu. Nuk ishte aspak profesionale dhe e ndershme, jo për të si gazetare, por për çdo njeri të kulturuar, aq më tepër që çështja ishte thjesht e pastërtisht kombëtare. Ky bllokim nga ana e gazetares së Top Channel na dha shkas që ta bëjmë libër kritikën tonë e ta botojmë e t’ia dorëzojmë publikut e ta paraqesim edhe në Panairin e Librit.
Monika ka edhe ajo konfliktin e saj të interesit në gjykimin e librit të Thomasit, sepse e ka promovuar (emisionin e mbyll me fjalët “Thomas, ky libër është një mrekulli”) duke eleminuar zërat kundër. Thomasi ushtron pushtet ekzekutiv edhe mbi profesionin e gazetarëve, pra edhe mbi gazetaren Monika Stafa. Ky konflikt interesi e bën të papërshtatshëm.
Konflikti i interesit të Enkel Demit, mund të shihet në këtë këndvështrim: së pari, është çam dhe ka konflikt interesi kombëtar me Greqinë dhe në këtë sens, edhe pse nuk mund të konceptohet si pro Greqisë, është në konflikt interesi të jetë kot edhe kundër Greqisë. Në këtë gjykim, Enkeli do të ishte i pakuilibruar. Zgjedhja e Aristotelit grek dhe dhe e Enkel Demit çam, e bën kryefjalë Greqinë (bosht simetrie), kur në fakt një komision do të duhej të ishte krejt i ekuilibruar dhe pa konflikt interesi, pa bosht simetrie, por me një interes të mirëfilltë shkencor dhe kombëtar. Nëse shkenca përjashtohet, atëherë jemi thjesht në fushën e propagandës.
Edhe Enkeli e ka atë konflikt interesi që ka gjithë juria e cila formohet në 80% nga gazetarë, pra 4 nga 5 janë gazetarë.
Kryetarja e Jurisë Arta Marku është përsëri gazetare dhe ka dy konfliktet që kanë gazetarët, janë të njohur me njëri-tjetrin dhe janë nën mbikqyrjen e Thomas Frashërit që është drejtor i AKEP dhe këshilltar i Edi Ramës.

Petrit Ymeri - kryetar i shoqatës së botuesve dhe Anisa Ymeri - gazetare
Petrit Ymeri – kryetar i shoqatës së botuesve dhe Anisa Ymeri – gazetare

Në datën 21 tetor 2023, (mesazh në whatsapp) pra një muaj para Panairit, e kam njoftuar Petrit Ymerin për ekzistencën e librit tim kritik ndaj librit të Thomas Frashërit, e kam kujtuar që do të ishte shumë problem nëse ky libër nderohej me çmim. I kam premtuar edhe t’ia dhuroj librin. Ia nisa edhe kopertinën.
Nuk më ktheu përgjigje, që është një lëvizje që e bëjnë personat që nuk u pëlqen t’ua bësh fakt oponencën, pra nuk do ta pëlqenin dëshminë se paska oponencë. Do të donin ta fshehin.
Një ditë para shpalljes së çmimeve ditën e premte në datë 17 nëntor 2023, në whatsapp i kam kujtuar përsëri Petrit Ymerit që shpallja fitues e Thomasit është një lëvizje thellësisht antikombëtare (gjithmonë sipas kritikës sime).
I them saktësisht kështu: “Të mos kërkohet oponenca (megjithëse ju ofrohet pa pagesë) është qartësisht lëshim ndaj propagandës antikombëtare”.
Mesazhi i Petrit Ymerit ishte ky “Artur nuk i jap unë çmimet. Ti ke bërë librin tënd”.
Koment: Unë i kërkoj organizatorit të çmimeve të monitorojë oponencën dhe ia ofroj oponencën. Ai e fsheh dhe thotë pa lidhje “ti ke bërë librin tënd”. Librin unë e kam bërë për të ofruar shërbimin tim në kuptimin e produkteve të propagandës, në shërbim të sistemit edukativ të shoqërisë shqiptare dhe kjo bie saktësisht në fushën time të profesionit. Natyrisht që nuk kërkoj të respektohet detyrimisht përmbajtja e mendimeve të mia, por është fyerje e rëndë e inteligjencës që një juri vlerësuese të mos e pranojë si objekt shqyrtimi, kur vihet në dijeni se ekziston dhe kur qartësisht është e vetmja oponencë. Ne i kemi kërkuar publikisht prof. Ferit Duka dhe vetë Departamentit të Historisë të botojnë mendimet e tyre. Ata nuk e bëjnë këtë gjë. Por ndërkohë ata e kanë ditur që indiferenca, atrofizimi do të ishte mjet i suksesshëm që Thomasi të fitonte dhe ata të lanin duart. Ne nuk e lamë kështu dhe ua vërtetuam që po bënin qëllimisht indiferentin.
Në dijeni ka qenë edhe Petrit Ymeri edhe Erion Kristo dhe ata nuk erdhën ta marrin librin në stendën tonë në Panair.
Në mungesë të reagimit të tyre, ditën e panairit, një ditë më para se të shpalleshin fituesit, u shkruaj Departamentit të Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Institutit të Historisë, që t’ua kujtoj edhe një herë se ekziston libri oponent ndaj Thomas Frashërit dhe është në panair. (Valentina Duka, Ferit Duka, Gentiana Kera, Dorian Koçi, Enriketa Pandelejmoni, Erind Merkuri, Eva Tafili, Meli Balla, Migena Leskoviku, Pëllumb Xhufi, Andi Pinari, Andi Rëmbeci, Ermal Baze, Esmeralda Kolaneci, Instituti i Historisë, Juliana Marko, Ksenofon Kristafi, Marin Haxhimihali, Meli Bregu, Mira Rama, Petrit Nathanaili, Pranvera Dibra, Skënder Dyrmishi, Teki Kurti.)
Si Petrit Ymerit ashtu edhe Erion Kristos, përmes whatsapp-it, i njoftoj që Departamenti i Historisë u janë shkruar dy mesazhe të tjera një ditë para shpalljes së çmimeve të Panairit:
Petrit Ymeri nuk ofron procedurë për dorëzimin e oponencës megjithëse i kërkohet.
I shkruaj Petrit Ymerit në whatsapp ditën e panairit, një ditë para shpalljes së çmimeve:
“A ka një procedurë se si dorëzohet oponenca ndaj një titulli kandidat?” (fjala për çmimet që do të shpallnin)
Petrit Ymeri nuk kthen përgjigje, pra qartësisht nuk e dëshiron oponencën, nuk do të njihet me të. Në mungesë të përgjigjes, po atë ditë, pra një ditë para shpalljes, e njoftoj “Departamenti i Historisë është njoftuar i tëri për librin” (fjala për librin tim oponent), që do të thotë se nuk e lashë të ndikonte opinionin publik e të thoshte se ne kaq ditëm kaq bëmë. Të dyja palët po merreshin vesh përmes indiferencës. Bëjmë sikur nuk dimë që ka oponencë, madje serioze, madje shumë serioze, madje më e larta oponencë që ekziston në atë fushë.
Erion Kristos, si anëtarë jurie, i kam shkruar përsëri ditën e premte, një ditë para shpalljes, me mesazh në whatsapp:
“Departamenti i Historisë është njoftuar i tëri për librin. Mundet t’ua kërkoni atyre analizën për librin (fjala të Thomasit, A. Sh.) Nëse ata e miratojnë, atëherë ju jeni të justifikuar”.
Erion Kristo nuk kthen përgjigje, pra nuk do fare oponencë dhe as kombinim të metodave të oponencës, as zyrtare nga departamenti përgjegjës i historisë që në të vërtetë po e përkrah librin e Thomasit, as nga një shkollë shqipe, si “Udha e shkronjave”, organizatore e Olimpiadës Kombëtare.
Departamenti nuk jep përgjigje sepse po ta jepte do ta jepte pozitiv ndaj Thomasit dhe ashtu do të provohej që ata e kishin shitur Rilindjen Kombëtare, Vëllezërit Frashëri dhe Mësonjëtoren. Kjo sigurisht që do të ishte e rëndë, ndaj ata zgjodhën atë rrugë të fshehtë me anë të së cilës e pësoi edhe “Mësonjëtorja e parë shqipe” në Korçë së cilës me ligjin 27/2018 dhe VKM 146, datë 10 mars 2021 iu hoq a) statusi muze kombëtar b) emërtimi c) detyra që muzeu i arsimit Korçë, të ruante trashëgiminë e Mësonjëtores së parë shqipe. Në kishte njerëz që do të duhej të reagonin këta duhej të ishin historianët e Departamentit të Historisë. Këta nuk reaguan dhe sot Shqipëria e Rilindjes Kombëtare, ka mbetur pa “Mësonjëtoren” e 7 marsit 1887, kryevepra e Rilindjes Kombëtare, baza e sistemit tonë arsimor, baza e universitetit shqiptar.

Konkluzion:
Si Petrit Ymeri, si Erion Kristo, si anëtarët e tjerë të jurisë që duheshin njoftuar nga Erion Kristo dhe Petrit Ymeri nuk donin oponencë as nga unë që e kisha gati dhe 326 faqe (një gjë krejtësisht e rrallë) dhe ata nuk donin oponencë as nga Departamenti i Historisë.
Nga ana e vet as Departamenti i Historisë nuk e vë në punë mekanizmin e verifikimit të cilësisë së procesit krijues në fushën e historisë dhe të deklarojë profesionalizmin e saj.
Tashmë libri është shpallur fitues në një panair dhe Departamenti i Historisë nuk ka asnjë justifikim për “indiferencën e saj”, në fakt, indiferenca është mjet i kalimit në publik të produkteve të dyshimta.
Ndërkohë Opinioni Publik merr vendimin e mëposhtëm të jurisë që bëhet në emër të botuesve shqiptarë:
“Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, i jepet zotit Thomas Frashëri, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me këtë motivacion:
“Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.”

Analiza e vendimit të jurisë
Juria bëhet zëdhënëse e tezës antikombëtare të Thomas Frashërit që i sheh “Frashëllinjtë si klan”. Pikërisht kjo kundërshtohet në librin tim kritik “Klani “Oxhaku Heuristik” i shekullit 21. Teza e “klanit frashërlli” synon të shpronësojë Vëllezërit Frashëri nga vepra e tyre, synon të ulë statusin e tyre, thirrjen e tyre të brendshme dhe të rikrijojë një klan të ri të shekullit 21 që po e krijon Thomas Frashëri. Tashmë juria është anëtarësuar e tëra në “klanin “oxhaku heuristik”. Edhe departamenti dhe ata që po e promovojnë drejtpërdrejt apo në heshtje quhen anëtarë apo simpatizantë ose të nënshtruar të këtij klani.
Si provohet kjo nga vendimi i jurisë?
Koncepti i jurisë që shprehet në motivimin e vendimit, citoj “Pema shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashëllinjtë” nuk është gjë tjetër veç teza “klani frashërlli” i Thomas Frashërit. Një skicim të tillë të vendimit të jurisë nuk mund ta bënte asnjë autor i jurisë përveç vetë Thomas Frashërit. Do ta argumentojmë se pse. Thomasi nuk provon dot as rrënjët e përbashkëta dhe as interesin e përbashkët. Klan jashtë “rrënjëve të përbashkëta” dhe jashtë “interesit të përbashkët” nuk ka. Tani “juria” do ta futë nga dritarja tezën e klanit duke e thënë në formën “Pema shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashëllinjtë”.
Juria nuk ka marrë as ndonjë copëz shprehje nga ata që janë shprehur, por e ka krijuar nga e para, që është tej kompetencave dhe profesionalizmit të jurisë, por brenda njohurisë së vetë autorit për veprën e vet. Ndaj motivimi i vendimit duket qartësisht një vendim i përbashkët juri – autor.
Megjithëse çmimi jepet për aftësitë në research vini re sa dobët përshkruhet kjo anë si “vizatim i plotë e sidomos i plotësuar me fakte të panjohura”, pra na qenka “vizatim” dhe jo “research”. Përcaktori “i plotë” nuk e bën “vizatimin” research. Juria shprehet për “fakte të panjohura”, ku theksi vihet tek të “panjohura”, por nuk na thotë çfarë vlere kanë “faktet e panjohura” për një “vizatim të plotë”. Nëse këtë punë e ka bërë vetë Thomasi, kjo bëhet me qëllimin që juria të duket “joprofesionale”, pra tamam “gazetarë” që nuk u hyjnë thellë gjërave, por që janë aq të aftë sa të shmangin nga diskutimi thelbin.
Në librin tim oponent unë hedh hipotezën se Thomasit i intereson ky libër edhe si dokumentacion i regjistrimit në shoqërinë High Life. Noterizimi i jurisë së Panairit i duhet Thomasit. Mirëpo juria e Panairit nuk po noterizon pasuritë vetjake të Thomasit, por por eksporton pasurinë kombëtare që qëndron tek Vëllezërit Frashëri, si pasuri vetjake e Thomasit. Kjo është arsyeja që në vendimin e jurisë Thomasit i ka interesuar që motivacioni të jetë “Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë.”
Unë e kam shkruar mendimin tim në formën më të lartë e serioze që mund të ekzistojë, pra si libër dhe është e provuar nga anëtarët e jurisë që ata nuk e kanë dashur mendimin tim, që do të thotë se shkelin rëndë procedurat e verifikimit të cilësisë dhe oponencën. Për mua është edhe fyerje, por fyerja personale është më e vogël si arsye. Fyerja kombëtare është ajo më e madhja, pavarësisht se unë nuk mund ta ndjej veçse individualisht, se nuk mund të kem akses në ndjesitë e secilit. Siç e dimë të gjithë Komisionet Parlamentare vazhdimisht ftojnë grupet e interesit, ata që kanë mendimin e tyre para se të miratojnë një ligj. Kjo është demokracia.
Nëse pikërisht gazetarët anëtarë jurie, dhe pedagogët e Departamentit të Historisë nuk e kuptonkan rëndësinë e oponencës, atëherë çfarë demokracie presim. Është pikërisht mungesa e demokracisë në institucionet edukative ajo që përcillet jashtë dhe jo anasjelltas. Gazetarët dhe botuesit drejtues të shoqatës së botuesve kanë shkelur me këmbë parimet e demokracisë dhe jetës së mirë e me vlerë shqiptare. U treguan të vegjël, thjesht për interesat meskine.
Vijon juria në vendimin e saj për vlerësimin e librit të Thomasit: “Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.”
Për të ndikuar lexuesin në mënyrë finoke është zgjedhur togfjalëshi “akribi shkencore” në vend të “saktësi shkencore”. Madje fjala akribi nuk gjendet as në fjalorin anglisht, as në frëngjisht. Sidoqoftë ChatGPT e gjen kuptimin (nuk e di se si) dhe e përkthen në “saktësi shkencore”.
Nëse në fokus të jurisë paska qenë “gërshetimi i akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës”, atëherë në fokus të jurisë nuk ka qenë “akribia” (saktësia) por “gërshetimi me rrëfimin tërheqës”, një shprehje e shkathët për të nënkuptuar që “saktësia” nuk ka edhe aq rëndësi. Fakti që nuk zgjidhet fjala “saktësi” por “akribi” e cila nuk gjendet as në fjalorin anglisht, tregon se kërkohet t’i iket leximit të kthjellët të publikut.
Anëtarët e jurisë duhet të përgjigjen se cili prej tyre e ka në fjalor e vet togfjalëshin “akribi shkencore”?
Pyetje për jurinë në vijim të analizës së vendimit:
Çfarë është “mozaiku i gjerë i kontekstit historik dhe gjeografik”? Çfarë është “potretizimi harmonik” që e kanë përmendur?
Me siguri juria nuk e kupton atë që është shkruar si vendim i saj, se nuk e ka shkruar vetë, por ia kanë sjellë që kështu duhet të jetë. Po ua shpjegojmë ne se çfarë do të thotë, meqë e kemi lexuar, analizuar dhe vlerësuar librin e Thomasit:
1. “mozaiku i gjerë historik e gjeografik” për të cilin shprehet juria dhe nuk e di se çfarë është, në të vërtetë përfaqëson “shqyerjen e dyerve të Muzeut të Vëllezërve Frashëri”, metaforë për të kuptuar shqyerjen e tjetërsimin e veprës, të vendit, të kohës, të rolit, të misionit, të thirrjes së brendshme të Vëllezërve Frashëri, hedhja në erë e veprës së tyre si në histori (kohë) ashtu edhe në gjeografi (vend). Në pamundësi të kësaj, vjedhja e meritës.
Që juria të bindet po i japim shembullin e titullit të kopertinës së Thomasit që thotë “Studim heuristik në shërbim të historisë”. Togfjalëshi “në shërbim të historisë” një bombë ndaj “historisë së Shqipërisë”, pra Thomasi nuk e do Frashërin si pjesë të Historisë së Shqipërisë, por si domein të përbashkët me grekët. Ai krijon konceptin “histori ndërkufitare”. Ja ky është “mozaiku i gjerë historik e gjeografik”. Kjo është fjala “e gjerë”.
2. “Portretizim harmonik” do të thotë “potretizim i bukur”? Çfarë lidhja ka “bukuria” me “research-in” dhe çmimin studimor. Si fjala “portretizim” dhe fjala “harmonik” nuk janë terma të përshtatshëm të vlerësimit shkencor të një studimi. Si shpjegohet që megjithëse çmimi jepet për “studimin më të mirë” vetë fjala “studim nuk përmendet”?

Pse mendoj se juria nuk e ka lexuar librin?
Siç e dimë një lexim libri kushton kohë dhe koha është flori dhe askush nuk do të donte ta shpinte dëm kohën e shpenzuar, prandaj për një libër që unë e lexoj kam interes edhe për oponencën. Për librin që nuk e lexoj, nuk kam se si të kem interes për oponencën. Ndaj juria që nuk ka interes për oponencën nuk e ka lexuar fare librin e Thomasit dhe thjesht e ka noterizuar çfarë i kanë sjellë. Një juri që disktuton, aq më tepër një juri me gazetarë që do të duhej ta kishin si biblën e tyre parimin e verifikimit të informacionit (vlerësimit) edhe nga burime të tjera, më shumë se kushdo do të duhej të ndienin nevojën e një libri oponent, aq më tepër kur kjo ishte gati, kur kjo ishte afër, kur kjo u ishte thënë se ekzistonte, kur kjo u dhurohej dhe kur ai që e shkruante ishte autor në mbi 50 tituj, ishte drejtor shkolle dhe ishte organizator dhe autor mbi 80% të tezave të Olimpiadës Kombëtare për mbi 20 vjet.
Në përfundim, mund të themi pa frikë se juria e ka shitur atdheun e vet, kombin e vet, me çmimin që ka dhënë, me mungesën e integritetit, të përgjegjësisë, dhe nuk mund të justifikohet fare me papërgatitjen, sepse u është dhënë oponenca dhe nuk e kanë dashur.
Kur vendosa për titullin e kopertinës, unë qëllimisht i kam vënë një titull të gjatë, ideor e të thjeshtë tezës dhe nuk e kam bërë të shkurtër sepse ishte tepër e vështirë çështja, pra nuk e lashë të mos kuptohet që në titull, sepse e dija që nuk do ta lexonin, shpesh do të refuzonin ta lexonin. Në fund të librit të kopertinës së pasme ua kam kujtuar “Jini vigjilentë”.
Besoj që dimë mjaftueshëm mbi veset e të lexuarit të përciptë. Tashmë juria e panairit me gazetarë e provon se kam patur të drejtë, se megjithëse vetëm titulli do të duhej t’i shqetësonte, tregojnë se nuk janë fare të shqetësuar që titulli i librit tim është “Klani “Oxhaku heuristik” i shekullit 21 synon përçarjen fetare dhe shkombëtarizimin duke sulmuar Vëllezërit Frashëri, Mësonjëtoren dhe Rilindjen Kombëtare” (Kritikë librit “Frashëri i shquar i panjohur” me autor Thomas Frashëri, promovuar nga Departamenti i Historisë në Universitetin e Tiranës, nga Kisha Ortodokse dhe nga Partia Socialiste.
E lëmë mënjanë a janë apo jo të vërteta këto që themi në libër. Por nuk diskutohet që janë shqetësuese nëse janë të vërteta.

Shënim 1:
Ndërkohë që vetë juria nuk pranoi të kishte oponencën tonë të gatshme dhe jo të porositur, vetë autori Thomas Frashëri dhe vëllai i tij Alket Frashëri (autor i kopertinës dhe i anës grafike), secili më vete, erdhën vetë në stendën “Udha e shkronjave” dhe morën dy libra dhe nuk dërguan njeri tjetër t’i merrte. Kjo ishte një sjellje korrekte dhe vlerësuese nga ana e tyre, pavarësisht mendimeve të kundërta që kemi dhe do t’i kemi sigurisht. Libri ynë ndahet kryesisht pa pagesë. Çfarë do të thonë anëtarët e jurisë? Nuk ka rëndësi mendimi ynë? Kësaj i thonë “I zoti e jep, tellalli s’e shet”.
Anëtarët e jurisë dhe shoqata, si edhe departamenti i historisë nuk e deshën librin tim oponent. Sigurisht do ta kenë të përmbledhur nga Thomasi që e ka librin tim dhe që e mori vetë në stendën tonë.
Është thjesht turp për ta.

Shënim 2:
Me asnjë prej anëtarëve të jurisë apo anëtarë të shoqatës nuk kam ndonjë qejfmbetje personale. Me tre prej anëtarëve të jurisë kam disa kontakte gjithmonë pozitive: me Erion Kriston njihemi prej vitesh dhe ka sjellë gjithmonë të dy fëmijët në olimpiadë dhe që kanë marrë vazhdimisht me meritë çmimet. Me Enkel Demin, më ka pritur në dy emisione të cilat kanë qenë me sponsorizim të shkollës dhe kemi kaluar këndshëm. Me Monika Stafën po ashtu dikur kemi patur ndonjë shkëmbim mesazhi në sensin pozitiv e bashkëpunues. Me Arta Markun dhe me Aristotel Spiron nuk njihemi. Me Petrit Ymerin përderisa pranuam të ishim në Panarin e organizuar prej tij, qartësisht nuk kemi ndonjë qejfmbetje personale. Po ashtu me Bujar Hudhrin kemi patur e kemi gjithmonë komunikime pozitive. Nuk kemi qenë asnjëherë kandidaturë për ndonjë çmim libri.
Nuk mendojmë që ata e bëjnë sa më sipër nga ndonjë nënvleftësim yni personalisht apo individualisht. Për këtë jemi të sigurtë.
Por ndërkohë vendi ynë Shqipëria dhe sistemi edukativ nuk ushqet me të tilla marrëdhënie pozitive personale, por ushqehet me ideologjinë kombëtare që unë mendoj se është thellësisht në rrezik dhe marrëdhëniet personale të stilit korruptiv (edhe pa dashje, më njeh e njoh) janë tipar shoqërues i shumë veprimeve të gabuara si komb.

20 Nëntor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.