back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Rrëfej… Pikante… – libri më i ri i Simon Vrushos

Gazeta

Simon Vrusho - Rrëfej... pikante (2017)
Simon Vrusho – Rrëfej… pikante (2017)
“Rrëfej… pikante”, është libri më i fundit
i Simon Vrushos që u jepet lexuesve.
Një libër i ndërtuar me të përditshmen dhe me të shkuarën,
me personazhe të gjallë dhe të vdekur, me historira të jetuara:
herë të rrëfyera e herë kurrë të rrëfyera.
Simon Vrusho, s’i ka pritur njerëzit që të vijnë e t’i rrëfejnë,
po ai ka hedhur xhaketën supeve dhe ka shkuar e i ka gjetur ata…
Pjesa më e madhe e këtij libri është fjala e tyre,
që vjen ashtu e drejtpërdrejtë me filozofinë e dhimbjes
dhe mbijetesës në kohra që mbeten gjithnji të vështira…
jozef radi, tetor 2017

Rrëfej… Pikante…

libri më i ri i Simon Vrushos

Është Tempulli i Fjalës…

Prej mëse dy vjetësh në fb kam hedhur rreth 140 “Rrëfej…”, (rubrika “Triptiku “Rrëfej, rrëfime, rrëfen- ja.”) pikante nga persona dhe personazhe disi në hije, jo të etiketuar si elitë zyrtare, por që në inventarin e tyre kujtesor e bisedimor mbartin rrëfime me tharm në ide, mesazh, vizion, por, sidomos, në veshjen gjuhësore…
Mua më kanë mbresuar…
Çfarë finese në gjuhë, në detaje, në stil! Sa të kursyer në fjalë, por po kaq të pafundme në hapësirë…
Rrëfej… Domethënë them të vërtetën… Nuk thuhet “rrëfej” për gënjeshtrën…
Një rrëfim, i denjë për t’u quajtur i tillë, nëse je duke ecur, të bën të qëndrosh dhe, po të jesh ulur, të ngre në këmbë…
Këto rrëfime kanë zënë vend edhe në qafa ku frynte erë, sepse, edhe kur mbartnin qindra fjalë, si përfundim kondensoheshin në një fjalë, një ide, një mesazh… Dëgjova një fjalë të madhe… Më tha një fjalë të madhe, aty, nëpër qafa ku shkëmbeheshin një çibukë a një cigar duhan… Sepse, ku ka tym ka zjarr, por, sidomos, ku ka tym ka edhe duhan, ka cigare, ka edhe mendim, edhe meditim…
Kjo “Rrëfej…” ka pasur peshë, densitet, shenjtëri sa, kur thua “Rrëfej…” të duket se dëgjon “rrëfehem”… si të jesh në një tempull…
Është tempulli i fjalës…
Janë rreth 140 personazhe, miq të mi, të thjeshtë, të pa rënë në sy, siç nuk bien në sy besimtarët në një tempull, rrëfimet e të cilëve mendoj t’i nis për rrugë në një libër që, ndoshta, niset për udhë së shpejti…
29 shtator 2017
.
Simon Vrusho
Simon Vrusho

24. Atij iu konfiskuan edhe qentë më 1945!

Ka ndodhur. Ka ngjarë e pangjara. Konfiskohen edhe qentë! Kulak në kub.
-Kam pasur një gjysh në Plashnik, – më tregon një mik. – Kulak. Dhe gjyshin tjetër – kulak, kulak nga babai, kulak nga nëna. Pa triska Fronti. Kulak në katror. Nuk mjafton dhe një kulak-kushëri i babait- kulak në kub. Të tre e zaptojnë keq biografinë time.
-Isha me punë pranë Plashnikut, 50 minuta në këmbë, por nuk guxoja, sepse trembesha se mos më shihnin, prandaj, nuk bëja 50 minuta në këmbë për të vajtur tek gjyshi, pra nuk bëja 5 km, por bëja 50 km me makinë, nga Zhitomi, Tërpani, Rehova, Plashniku 1, jo nga Plashniku 2…
-Nga erdhe? – më pyeste gjyshi. – Nga rruga e shkurtër apo e gjatë?
-Nga e gjata, gjysh.
-Shumë mirë, se rruga e gjatë pret shkurt. Por, prapë, ruhu nipçe. Mos hajde.
-Një herë, u gjenda në një piknik, ekskursion tek Qafa e Furrit, tek pylli me Lisa, Plashnik 2, kur mik- pritësi, një sekretar partie, na priti e na gostiti me një fjalim: “Jemi fshat me biografi të mirë, por kemi dhe armiq, kulakë, por shyqyr që i kemi bashkë, në një lagje, në Karameraj, ja ajo lagjia atje përtej.” M’u bë gjaku ujë. E kishte me mua apo koincidencë? M’u fa- nit babagjyshi… Oda e madhe me 40 këmborë varur në tra… Babagjyshi i shihte dhe i pikonin lot…
-Më 1945-ës babagjyshit i konfiskuan 950 kokë bagëti, kryesisht dele, por edhe dhi… I lanë vetëm 50 kokë… Por nuk i konfiskuan, shtetëzuan vetëm 950 kokë, por tok me to u konfiskuan edhe barinjtë, edhe kuajt, mushkat, edhe vedrat, kazanët, kusitë, bucelat, këmborët, zilet, fyejtë, kërrabat, gunat, furkat dhe, si të mos mjaftonin këto, u shtetëzuan edhe qentë… I gjithë ky inventar, i sekuestruar, u nis drejt Kulmakut, në Tomor… Babagjyshi kaloi në depresion… Nuk e futën brenda, por i futën brenda triskën e Frontit. Kulak. Në shtëpi i mbetën vetëm 40 këmborë, që i kishte gati për tufat e tjera që do të shtoheshin… Babagjyshi kishte qenë asnjanës në luftë, por me mish e bulmet i kishte ndihmuar të dyja palët, por më shumë partizanët që ishin më aktivë…
-Pse ky sekuestrim? Preteksti… I thanë, i sajuan një ndodhi sikur babagjyshi, kur ballistët i kishin kërkuar një djalë për çetën, ai kishte gjetur një bedel… Bedeli u trtemb, madje thuhej se, sikur i paskësh thënë gjyshit, por sikur të vritem, sa do t’i paguash shtëpisë? – Do t’i jap nja njëzet dhi, por mos ki frikë, se nuk do të dalësh për luftë, po për gjah…
-Gjyshi kaloi në depresion… Ishte shtalartë, burrë i gjatë, por kur vinte në pazar, në Berat, në atë situatë, e mbanin dy nipër mbi kalë, sepse këputej, thyhej më dysh, i binte të fikët… dhe fliste me vete: Këmborët, këmborët, qentë, qentë…
-Çfarë ka? – pyesnin kalimtarët udhëtarë – Pse flet, qentë, qentë…?
-Ka mbetur pa qen, – ua kthenin – edhe qentë e lanë ose nuk ia lanë…
Marrë nga libri Rrëfej… i Simon Vrushos fq. 48-50

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.