back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Rauf Fico (13 mars 1881 – 23 janar 1944) – Skeda biografike

Gazeta

Rauf Fico (1881-1944)
Rauf Fico (1881-1944)

Rauf Fico (13 mars 1881 – 23 janar 1944)

Skeda biografike

Atdhetar i flaktë, intelektual i mirëfilltë, poliglot, ministër në disa ministri, diplomat i shquar me kontribute të jashtëzakonshme, i mirënjohur dhe i ndeuar në gjithë Europën dhe më gjerë, Rauf Fico është nderuar me urdhërat dhe medaljet që vijojnë:

*Grand Kordon i Franc Jozefit, nga Austro-Hungaria.
*Grand Kordon i Urdhrit Leopold të Belgjikës.
*Grand Kordon i Rumanisë.
*Grand Kordon i Kurorës Italiane.
*Grand Kordon i Urdhrit Foiniks nga Greqia.
*Grand Kordon i Kurorës së Luksemburgut.
*Oficer i Legjionit të Nderit nga Franca.
*Palma e Akademisë Franceze.
*Urdhri i Borisit nga Bullgaria.
*Doktor Honoris Causa i Akademisë së Napolit nga Italia.

Komunistët e njihnin mirë dhe e lanë në hije figurën e tij pasi ai i plotësonte të gjitha kushtet që ata ta urrenin: elegant, inteligjent, thellësisht perëndimor, patriot deri në vetmohim, diplomat i shkëlqyer, i ndershëm, poliglot, i dashur dhe popullor për të gjithë, si për elitën ashtu edhe për njerëzit e thjeshtë të popullit, por mbi të gjitha, antikomunist i vendosur.
Ai ishte biri i një kadiu, profesion i parapëlqyer nga shumica e banorëve të qytetit të prejardhjes së prindërve të tij, të Gjirokastrës, qendër e përmendur për cilësinë e intelektualëve të saj të shpërndarë anekënd perandorisë. Fati i mirë e solli Rauf Ficon në moshë fare të vogël në Shkodër, ku qé transferuar i ati, duke i dhënë mundësinë të merrte një arsim fillor, vërtetë në një shkollë turke, por të paktën në një mjedis shqiptar. Etapa tjetër ishte Folksshule (gjermanisht: Volksschule – Shkollë elementare) në Vjenë, për të vazhduar shkollën e mesme në Stamboll, në kryeqendrën e perandorisë. Atje vijoi studimet e larta në të njohurën Mylkije (turqisht: M’lkiye – Shkollë e Shkencave Politike) të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera.
Me shpalljen e pavarësisë, Rauf Fico, si shumë patriotë të tjerë gjendet përkrah Ismail Qemalit në Vlorë. Atë e emërojnë këshilltar për administratën dhe punët e brendshme dhe deri në vitin 1926, ka mbajtur disa detyra shtetërore.
Ndër të tjera ai është nismëtari i të parës Strehë Vorfnore të Tiranës, i të parit gjimnaz dhe i të parit spital të qytetit, ai i shkund nëpunësit nga plogëtia osmane duke i detyruar forcërisht të flasin e të shkruajnë shqip nëpër zyrat e shtetit, ai nxit miqtë e tij patriotë për mbajtjen e Kongresit të Tiranës, në dhjetor të vitit 1918, që i parapriu mbajtjes së Kongresit historik të Lushnjës pas katërmbëdhjetë muajsh.
Pas vitit 1926, ai i dedikohet diplomacisë me synim krijimin e një klime të mirë ndërkombëtare për Shqipërinë.
Kur në vitet ’30, Rauf Fico u emërua ministër i jashtëm. Gazeta “Poster Llojd” shkruante: “…Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i Shqipërisë. Kur u desh të krijohej administrata e shtetit shqiptar, rreth tij u grumbullua grupi që organizoi Shqipërinë e sotme. Edhe në përmasa europiane Ministri Shqiptar është njerì me kulturë të spikatur, zotëron plotësisht gjashtë gjuhë të huaja, dhe është një nga diplomatët më të zotë të Ballkanit.” I njëjti autor citon në shkrimin e tij “Rauf Fico – besniku i vetësundimit tonë”, gazetën gjermane Diplomaten Caitung (gjermanisht: Diplomaten Zeitung – Gazeta Diplomatike):Rauf Fico është një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit.”

Nga e djathta: Eqrem bej Vlora, Rexhep Agopashiq Mitrovica, Dervish bej Biçaku, Hafiz Sherif Langu, Elefter Nosi, Rauf Fico, Ali Asllani, Ferit Vokopola, Dhimitër Beratti.
Nga e djathta: Eqrem bej Vlora, Rexhep Agopashiq Mitrovica, Dervish bej Biçaku, Hafiz Sherif Langu, Elefter Nosi, Rauf Fico, Ali Asllani, Ferit Vokopola, Dhimitër Beratti.

Në vitet ’30, Faik Konica shkruante: “Rauf Fico ishte shqiptar, kur nuk kishte Shqipëri!”
Ne vitet e fundit ai transferohet në Gjermani, si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Berlin. Ditën që i paraqiti letrat kredenciale kancelarit të Rajhut, Adolf Hitlerit, në nëntor të vitit 1938, në të njëjtën datë dhe pak pas tij u paraqit edhe ambasadori i Japonisë. Ka mbetur tanimë si kuriozitet komenti i Hitlerit pas atyre dy audiencave: “Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një vendi të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një vendi të madh!”
Pushtimi i Shqipërisë e gjeti me detyrë në Berlin. Rauf Fico ka qenë një nga të paktët përfaqësues të Mbretërisë Shqiptare jashtë që protestoi energjikisht për pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Ai kërkoi një takim me Hitlerin, por e priti ministri i jashtëm Fon Ribentrop. Kuptohet vetë Gjermania ishte aleate e Italisë dhe demarshi i Ficos nuk kishte gjasa të nxiste ndonjë reagim anti-italian nga Berlini. Megjithatë ai u mbajt në detyrë nga pala pritëse deri në qershor të 1939-ës, kur MPJ e Shqipërisë u suprimua juridikisht nga italianët. Ai kthehet në Tiranë, por pas disa muajsh internohet në Itali. Rikthehet në atdhé në shtator të 1943-it, pas kapitullimit të Italisë.
Dëshpërimi dhe sëmundja që erdhi pas asaj fatkeqësie kombëtare si pasojë e pushtimit të vendit e shpejtuan fundin e Rauf Ficos. Ai vdiq më 23 janar 1944, në Tiranë. Vlerësimin e përgjithshëm për figurën e tij mund ta marrim nëpërmjet titujve të gazetave kryesore të Tiranës të atij janari të vitit 1944, – të cituara nga libri i Dr. Shyqyri Hysit me titull “Rauf Fico, shtetar dhe diplomat i shquar”, – të tillë si “Vdekja e një patrioti të shquar”, “Funeralet e patriotit të shquar”, “Rauf Fico, atdhetar i shquar”, “I ndieri Rauf Fico”, “Patrioti i Madh, Rauf Fico, ndërroi jetë”, “Një humbje kombëtare”, etj.

Rauf Fico - Portret i viteve '40
Rauf Fico – Portret i viteve ’40

Përkushtimin e tij atdhetar Rauf Fico e tregoi në formë dhe në përmbajtje. Ka një përputhje interesante ndërmjet tij dhe një atdhetari tjetër po aq të shquar si Faik Konica. Ishin ata të dy të vetmit që për ditën e madhe të 28 nëntorit shfaqeshin në publik me kostume kombëtare. Dhe jo rastësisht qénë vetëm ata të dy që, si përfaqësues të Shqipërisë së pavarur në Gjermani dhe SHBA, protestuan ashpër për pushtimin e Shqipërisë nga fashistët, më 7 prill 1939, i pari në Berlin dhe i dyti në Uashington.
Rauf Ficos, këtij atdhetari të madh, për arsye që duhet të studjohen thjesht nuk iu dha e njëjta vëmendje sa Konicës e atdhetarëve të tjerë as sot e kësaj dite, për kontributin e tij të pamatë në drejtim të çeshtjes kombëtare.
Eshtë detyrë e historiografëve të rinj ta vënë në vend figurën e këtij patrioti të shquar, nder i kombit.
Material i marre nga web

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.