back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 6 Dhjetor, 2024

Tri ftestat – tregim nga Ervin Nezha

Gazeta

Ervin Nezha
Ervin Nezha

Tri ftestat

tregim nga Ervin Nezha

Për Ditën Botërore të Librit këtë herë, pata marrë tre ftesa. E para qe nga Insituti i Bujqësisë së Rrethit, që organizonte mbrëmjen “Takim me një shkrimtar” për punonjësit e tij, kërkesën e dytë e pata nga Shoqata e Paqes “Gëzimi” dhe të tretën e pata nga bashkëfshatarët e mi, të cilët vendin e takimit kishin lënë lokalin sipër fshatit. U ndieva në siklet me thënë të drejtën se s’dija kujt ftese t’i përgjigjesha, ndaj vajta dhe u konsultova me këtë komshiun me të cilin pi kafe gjithmonë, sepse ka shije të hollë.
Ky më hodhi një vështrim nga koka te këmbët dhe ma priti:
-Si s’ke turp e pyet! Hiç mos e mendo, do i përgjigjesh ftesës së fshatit! Ndaj përgatitu si duhet se aty ke burra me mend!
-Ashtu do bëj, – thash!
Por ky pastaj filloi të mbaj një ligjëratë të madhe, me demek për të ma qeruar ndërgjegjen ngaqë refuzova dy takimet e tjera.
-Dëgjo more vëllaçko, – më tha, – është e vërtet që në katundin tënd nuk bëhesh profet, po sa të rrish hysmeqar në katundin e botës, sikur nuk shkon. Eee si thua ti?
-Ashtu është, – thash!
-Kështu, – më tha, – nesër gjej një këmishë dhe të presim te lokali. Ose vemi bashkë!
Të nesërmen kur vajta atje, burrat qenë mbledhur. Unë hyra brenda. Çuni i Daut Thesit se nga kishte gjetur një gërrnetë të vjetër dhe luante një kaba popullore, ndërsa jevgu Zyber i binte daulles sa të mund, aq sa dridhej suvaja e tavanit. Unë zura vend në një tavolinë të gjatë pranë marangozit Asqeri Sqeparit. Ky sa u ula unë, iu hakërrye jevgut.
-Lere mor at’ daulle, të lërofsha tët amë!
Pastaj qeshte si budalla, se jevgu i binte më shumë. Unë mendova se rradha për të folur do më vinte shpejt, por nuk qe e thënë. Puna po vonohej se gjysma e burrave po bënin valle.
Pastaj muzika pushoi dhe të gjithë u ulën në tavolinë.
Irfan Sterra më luajti synë e më tha, – ha o qerrata se i paguan kryeplaku të gjitha!
Në fakt tavolina e shtruar i kapte nja 20 mijë lekë. Qenë për t’u paguar nja tri konserva sardelesh dhe një konservë derri, plus nja dhjetë gota raki.
Po pse t’i paguaj kryeplaku, – thash,- ato i paguaj edhe unë.
-Tiii, – mu hakërryer Irfani, – si të më kishte kapur në faj! Ti shyqyr që na erdhe! Kryeplaku do i paguaj se paret e kanalit vaditës do japi, nuk po i nxjerr nga xhepi.
-Po kanali vaditës, – thash – me se do dali po u harxhuan lekët këtu?
-Dëgjo vëllaçko, – kanali do dali me argat, por edhe po nuk doli, nuk u bë qameti, se dy muaj e parë të verës ka thënë ajo çupa që jep motin, do jenë shi. Dhe asaj i del po e tha! Pastaj mbrapa gusht e gunë është, merret vesh. Kështu që ha mos e çaj kokën!
Ndërkohë kryeplaku Selo Kroi, qe veshur me rroba të reja. Atij i pëlqente të mbahej me të madhe në këto takime dhe më bëri me shenjë të nisja ligjëratën. Unë nxora letrën nga xhepi dhe nisa të lexoja.
-Një shkrimtar i madh argjentinas i quajtur Borghes, ka thënë se parajsën e imagjinonte si një lloj biblioteke, – thash unë. Të gjithë brenda lokalit duartrokitën.
Vetëm kur duartrokitjet u ndalën, ndieva zërin e Pertef Mullixhiut që i tha çunit të Bukuries, – ia ka futur kot or byrazer ky Burgosi, a si i tha ky, se që thua ti, kush vajti në atë dynja e u kthye të tregojë ç’pa.
Mua më kapi inati. Inatin ma shtoi Jevgu Zyber që filloi të qeshte me të madhe.
-Po ç’ke mor të larofsha tët amë i tha prap Asqeriu?!
-Mu qesh ooo, pse e ndaluar është e qeshura?! – u shfajësua Zyberi.
Pastaj fjalën e mori kryeplaku Selo, i cili tregonte se po të qe për të, Kadareja duhet të qe ende në burg.
-Po pse, – i thash pa e kuptuar sesi më doli kjo pyetje!
-E para, – tha, – nuk është gjë si shkrimtar dhe e dyta, ia kishte me hile Enverit, se Enveri e bëri shkrimtar.
Unë po e dëgjoja me vemendje. Seloja vazhdoi.
-Mirpo Enveri i dinte të gjitha, – si të shkon mendja ty, i shpëtonte gjë Enver Hoxhës?!
-Nuk e di, – i thash.
-Po ja ku po ta them unë, që ai po të donte e këndonte, po i vinte keq se e kishte nga Gjirokastra. Plus që shtëpitë i kishin derë më derë, merret vesht.
Ndërkohë bisedën tonë për Kadarenë e ndërpreu zëri i fortë i Dullë Sojësezi që zuri të këndonte një këngë me iso.
Vargjet e këngës qenë këto:
O shkrimtari ynë oree/ Mos u bëj merak
Po s’të deshi bota oree/ Të do gjithë ky fshat.
Të tjerët mbanin iso pas Dullës. Tanimë ishim në shëndet të tretë dhe kryeplaku qe bërë dy herë zot shtëpije.
-Tani atë librin tjetër, – më tha, – kur po e mbaron ti?
-Po ja i thash nga fundi vitit.
-Ore djalë, – po sikur je ca vonë. Po mbushe ore shpejt se nuk ka njeri kohë të merret librin tënd. Mbushe që të mblidhemi prapë. Të tjerët miratuan prapa.
-Më krahë të lehtë,- uroi kryeplaku dhe e ktheu gotën me fund.
Çuni i Daut Thesit tani qe ndërruar me jevgun Zyber. Ky tani i binte daulles, ndërsa Zyberi gërrnetës. Unë dola. Jasht binte pak shi, por unë lëviza drejt shtëpisë. Nga larg vazhdonte kënga dhe ahengu. Të nesërmen mora vesh, se qenë rrahur nga fundi, sepse kryeplaku i kishte futur çunit të Bukuries një 5 mijëshe fallco.
Ky e kishte kuptuar dhe kishte lajmëruar të ëmën që e kishte bërë rezil.
Po atë ditë, ky komshiu me të cilin pi kafe sa herë, më tha, – mos u mërzit, ai që nuk bëhet dot profet në katundin e vet zakonisht i ecën në katundin e gruas.
-Ashtu duhet të jetë, – pohova unë!

* Titulli redaksional radiandradi.com

Marre nga muri i Fb i Ervin Nezhës, 22 prill 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.