back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Quo Vadis Gjuhë e Letra Shqipe?!? – Debat rreth Maturimit 2022 – më i dobti në historinë e shkollave të mesme

Gazeta

Matura 2022 - provimi i Gjuhes dhe Letersise
Matura 2022 – provimi i Gjuhes dhe Letersise

Quo Vadis Gjuhë e Letra Shqipe?!?

Debat: Maturimi më i dobët në histori të shkollave të mesme

29.712 gjimnazistë vetëm 4 dhjeta?!?

Sigla e Matures 2022
Sigla e Matures 2022

Katër dhjetat e gjuhës dhe gjuhëtarët

nga Ledi Shamku – Shkreli

E njoh arsimin aq sa për të lexuar të dhëna krahasimtare e sidomos e njoh mirë procesin shkollor formues me gjuhë e kulturë, si këtu po edhe në Europë. Jetoj mes dy botësh shkollore, pra dij se ç’them.
Kjo maturë na dha qartas pasqyrën: 4 dhjeta në provimin e Gjuhë-Letërsisë karshi 362 dhjetave në matematikë. Dëgjova me kujdes çdo argument, çdo përdorim e shpërdorim politik, çdo hakërrim apo ankim pa analizë. (Testin e studiova, është korrekt).
Ndjesë, po e keni gabim! Të gjithë. Ky hendek mes gjuhes dhe matematikës ka vetëm një palë fajtorë: nuk është fajtore as Ministria e as Shkolla! Jo! Fajorët e vetëm jemi ne Gjuhëtarët. Pooo po! Ne! Gjuhëtarët i kanë qëndruar deri me sot krejt larg edukimit shkollor. Me skeptrin e drejtshkrimit në dorë, të dashuruar si narcizë me granatikat e veta, shpërfillës e përbuzës ndaj çdo testimi gjuhësor në vite, kanë qëndruar, kemi qëndruar si Sfinksa hijerëndë e pa gojë në tryezat tona te studimit, pa i hedhur kurrë sytë nga shkolla, madje duke e torturuar shkollën! Jam nënë e tre nxënësve, dhe kam parë sesi Gramatika e Akademisë së Shkencave, e thjeshtuar në fare pak paragrafë, u është rrasur në tekste e programe nxënësve a thua se do të dalin të gjithë gjuhëtarë së andejmi. Jemi shqetësuar veç a dini të shkruani me drejtshkrim, po nuk e kemi vrarë fare mendjen a e njihni dhe a e doni Shqipen. Kështu siç ua kemi bërë ne, kaq vetëm sa ju kemi lënë ne gjuhëtarët në rrugën e nxënies së Shqipes si kulturë e gjuhë, keni shumë të drejtë të mos e kuptoni e të mos e doni.
Ju kërkojmë ndjesë. Fajtorët e vetëm për këto 4 të vetme dhjeta në maturë janë gjuhëtarët!
Në emër të Institucionit tim, Akademisë së Studimeve Albanologjike, ju jap fjalën se ky është viti i fundit që gjuhëtarët e lenë shkollën vetëm. Do dimë t’ju bëjmë të dini e të doni. Keni pasionin tonë si premtim.
Shqipja? Do t’ju ndriçojë zemrat dhe mendjet. Dhe madje do të rrisë edhe më dhjetat e matematikës e të çdo lënde tjetër. Gjithçka është gjuhë, edhe një formulë matematike, edhe një “Të dua”!
Shihemi shpejt me lajme të reja!

Jozef Radi 2021
Jozef Radi 2021

Jozef Radi

Më pëlqeu shume shprehja: “ju jap fjalën, se ky është viti i fundit që gjuhëtarët e lenë shkollën vetëm…” kjo fjali është esenca e shkrimit. Si ai prindi që mbasi e ka lënë një jetë fëmijën rrugave befas kujtohet se mund të prindëroje shembullorshëm!!! Hajde komunizëm mental hajde, pse nuk thua që Akademizmi e fillon vitin që vjen fushata e korrje-shirjeve!!!!
Zonja Shamku pretendon se është personalitet në gjuhësi, edhe mënyra se si shkruan tregon ajo mund ta përmbysë kupën e sotme me një goditje… Po a përmbyset vallë ajo që kaherë është ulërimë… A është e besueshme kjo fjalia e saj, sepse shkrimin e plotë nuk po e marr në trajtim!!
E gjitha kjo që po ndodh sot është bërë në mënyrë sistematike e jo rastësore… këto janë frutet që priteshin… dhe nuk ndodhi dje dhe sot ndreqet…! E gjithë ministria e arsimit kahera u është besuar personave pa integritet për të realizuar atë që sot një tjetër  del edhe na premton se kjo që ka ndodhur deri me sot, nuk do të ndodhka më…!!! Hajde të kripsha trutë hajde… Ka vite që ulërihet për arsimin! Zonja na rrëfen përrallën se kjo dramë që po ndodh, vitin tjetër s’do të ndodhë më…!!

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Artan Kafexhiu

Kjo prurje, e thënë me politesë është “e cekët”.
Përse?
Parasëgjithash, nuk është sqaruar se cili ka qënë kriteri, që është ndjekur për të bërë vlerësimin e provimit të gjuhë-letërsisë. Është aspekti gramatikor dhe shtjellimi i mendimit për temën, tekstin, apo formulimi i pyetjeve, që i janë drejtuar studentëve?
Flitet për dy provime të natyrave të ndryshme, kur dihet që historikisht nxënësit e të mesmes kanë dhënë rezultate më të mira në gjuhë-letërsi se sa në matematikë.
Gjuhëtarët nuk janë si matematicienët. Nuk mund t’i mësojnë studentëve të shtjellojnë një temë, e të kenë kritikë në “të menduar”. Të menduarit kritik është më i vështirë së zgjidhjet e problemeve matematike, që mund të mësohen me praktikë!
Gjuhëtarët nuk janë mësues letërsie, që të merren me kritikë letrare, e të zhvillojnë mendimin abstrakt, apo aftësinë e studentëve për të shprehur veten artistikisht, apo filozofikisht.
Ky premtim është absurd, sepse edhe nëse do t’a shohim provimin, ngushtësisht në lidhje me korrektësinë gramatikore, apo drejtëshkrimore, dihet që “standardi” i imponuar mbi shqiptarë ka qënë si thotë shprehja e njohur: “A language is a dialect ëith an army and navy.” – që i atribuohet disa origjinave, por i dokumentuar, vetëm hebreut Max ëeinreich.
Pra tani, që kjo Ushtri dhe Marinë e shpartalluar e standardit dhe mungesës “socio-realiste” të kritikës letrare, që i ktheu shqiptarë në “tabula rasa”, ku mbi të shkruheshin shabllonet socialiste, e ka gjetur rininë dhe mësuesit e papërgatitur.
Ky ngërç, nuk zgjidhet kaq lehtë, e për një periudhë të shkurtër, sepse është si të ndërtosh breza studentësh, që mendojnë me kokën e vet, prej një terreni, që vazhdon krejt djerrinë prej mungesës së metodologjisë e didaktikës pedagogjike.

Ervin Nezha
Ervin Nezha

Ervin Nezha

Dikush thoshte përmes një statusi se faji që qenkan marrë vetëm katër dhjeta në testin e maturës, i takonka gjuhëtarve që nuk merrkan në dorë situatën. Dhe premtonka se nga mot, ky problem do fillojë të zgjidhet se gjuhëtarët do të veprojnë përmes pasionit të tyre dhe do na bindin që jo vetëm të shkruajmë drejt gjuhën shqipe por edhe ta duam. Para ca kohësh qe dhe një grup poetësh që kur jepnin intervista thonin, që poeti duhet të shkojë në shkollë, t’u jap nxënësve mësim që të duan më tepër letërsinë. Unë e përsëris me bindje, si njeri që merrem përditë me këtë punë, se boshllëku nuk vjen as se nxënësit nuk duan Gjuhën Amtare e as se mësuesit e Letërsisë e Gjuhës shpjegojnë keq.
Së pari, për të parë se ku çalon, duhet të shtrojmë pohimin e pakundërshtueshëm se është letërsia ajo që udhëheq gjuhën dhe jo anasjelltas. Dmth një njeri mund ta dojë gjuhën vetëm përmes artit dhe letërsisë. Një njeri rrit kompetenca gjuhësore vetëm duke lexuar dhe jo duke u këshilluar apo duke u orientuar. Tani pyetja është kjo.
Sa biblioteka shkollash, lagjesh, qytetesh furnizojmë ne rregullisht si shoqëri, si shtet? Hiç, thuajse fare.
Sa orë në javë bëjmë ne Gjuhë dhe Letërsi në shkollë? Në shkollë të mesme vetëm 2 orë gjuhë dhe 2 orë letërsi. A mjaftojnë vetëm 2 orë gjuhë për të përmirësuar kompetencat lëndore? Unë them jo.
Përpos kësaj jemi i vetmi komb në botë që nuk e zhvillojmë ndarazi, nga letërsia e përbotshme, letërsinë shqipe. Dhe i nxjerrim nxënësit me dije të përcipta, për një numër shumë të vogël veprash, sot që bota ka nevojë më tepër se kurrë për shkencat humane, jo vetëm për të përmirësuar kompetencat gjuhësore por edhe për të ulur agresivitetin. Llafet pastaj, jo teza, jo politika, jo gjuhëtari, jo akademia, janë kot!

Natasha Shuteriqi Porocani
Natasha Shuteriqi Porocani

Natasha Shuteriqi Porocani

30 vitet që merrem me arsimin nga ai fillor e deri ai universitar, besoj ma japin të drejtën të gjykoj për situatën e gjuhës dhe letërsisë në shkollë. Gjendja është alarmante: nxënësit nuk njohin Metodologjinë e të mësuarit. Nuk dinë t’u qasen koncepteve shkencore. Nxënësit kanë vrarë dëshirën për të lexuar. Nxënësit synojnë thjeshtësinë, të lehtën, sipërfaqësoren. Le ta shohim realitetin në sy. Ke frikë të bësh një pyetje që kërkon gjykim të thelluar se as nxënësit e as studentët nuk dinë të përgjigjen. Dhe revoltohen pastaj!
Teza e letërsisë ishte mesatariste, por as këtë nivel nuk e përballojnë. Nxënësit nuk dinë të shkruajnë ese… normal, se nuk lexojnë.
Kaq. Këtu nuk hyn shkenca. Hyn tjetërsimi që nis nga familja dhe gjenerohet nga shkolla.

Ledi Shamku-Shkreli
Ledi Shamku-Shkreli

Ledi Shamku Shkreli

I dashur Ervin, i nderuar mesues, mqs nuk ma përmende emrin dhe as profesionin, po i bëj me dije miqve të tu se “akademiku” që ti i referohesh jam unë. Ledi Shamku-Shkreli, me pasion dhe profesion gjuhëtare. Pra nuk jam dhe nuk do të jem akademike. Sepse e mendoj ndryshe!
Nuk kam turma siç ti thua (e as turma të miat) – nuk është mirë kjo lloj fyerje për njerëzit – dhe ngulmoj te mendimi im.
Këtu po ta bashkangjis intervistën që ka më shumë detaje se një status!
Gjithë të mirat, mësonjës!

Ervin Nezha

Ledi Shamku e dëgjova sot intervistën, shkrimi im u nis nga shkrimi juaj i djeshëm. Nuk e përmenda emrin sepse unë përgjithësisht dua të merrem me mendimet dhe jo me emrat. Dmth, nuk ka rëndësi kush e tha, por çfarë u tha. Unë serisht mendoj ndryshe nga ju në shume aspekte dhe këtu do jemi edhe mbas një viti edhe mbas dhjetë vjetësh, me dëshirën e zotit, dhe do shikojmë ndryshimet. Nuk merrem me atë çka thoni për gramatikën e zbatuar dhe zëvendësimin e saj me gjuhësi historike, kulturore e filozofi gjuhe nëse ju kuptova drejt. Kjo është e drejta juaj dhe pjesërisht mendojme ngjashëm. Por unë po ju them, se nuk ju besoj kur thoni se mua më bën përshtypje varfëria në të shprehur e nxënësve dhe nga ana tjetër nuk ju bën përshtypje pjesa që teza është e hartuar me një gjuhë aq të drunjtë. Ju thoni se mbi 95 % e fjalive në testimin e gjuhës fillojnë me lidhzën “sepse”! Nuk e besoj këtë. Nga ana tjetër, po ju them këtë, ju flisni për programe alternative dhe tekste alternative që janë utopike, për sa kohë që në nuk arrijmë të ngremë dy komisione për dy teza alternative mature, që të paktën të ketë konkurencë. Dhe e fundit që është më e rëndësishmja, ju e shikoni zhvillimin dhe përmirësimin gjuhësor, të ndarë nga letërsia dhe procesi letrar i të nxënit, që do të thotë se gjuhën e shihni si një disiplinë që mund të vetëpërsoset. Ju kërkoj ndjese për pjesën e gjuhës nervoze, sidomos përdorimin e fjalës “turmë” që do ta korrektoj menjëherë!

Marrë nga muret e fb të Valdet Emirit dhe Ervin Nezhës, 28 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.