back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Qielli Shqipërisë nis e përskuqet… Lazër Radi

Gazeta

Lazër Radi
Lazër Radi 1942

Qielli Shqipërisë nis e përskuqet… Lazër Radi

Pjesë nga libri që pritet të dalë së shpejti

“Shqipnia e viteve ’30” i Lazër Radit

Nga mesi i viteve ’30, nisën të dalin në dritë edhe disa rryma të tjera, të cilat, nga njena anë i jepnin larmi polemikave, por nga ana tjetër krijonin përçamje, duke krijue fraksione të vogla, të paafta me e çue deri në fund qëllimin e caktuem. Do t’i përmend këto fraksione dhe shkurtimisht do të flas për përmbajtjen e tyne:
Këto ishin përgjithësisht pesë grupime: “të vjetrit”, “të rinjtë”, “neo-shqiptarët”, “doiçe-kultura”, dhe “diktatura e ndritun”. Le t’i marrim me radhë secilin grup:

Shqipëria në vitet ‘30
“Shqipëria në vitet ‘30” – Botim i pare 1996

“Të vjetrit” ishin në të vërtetë të vjetër.
Ishin merhumët e mbijetuem qysh prej natës së gjatë osmane. Ishin të fortë për arsye objektive mbasi: kishin eksperiencë pushteti prej perandorisë osmane, kishin mbas vetes krenët e malësisë, bajraktarë, bejlerë, nëpunës e feudalë dhe si të tillë ishin në krahun e djathtë të Mbretit; së dyti, të gjithë kishin pozita të nalta në shtet, bile nji pjesë e mirë e tyne ishin deputetë në Parlamentin Shqiptar; e treta, kishin në dorë edhe nji pjesë të mirë të shtypit…
Kështu që nuk ishte e lehtë me u përballë me ta. Veç kësaj ata ishin aq të rafinuem e dinakë, aq sa ishte e pamundun të kapeshe në polemika apo t’i lidhje me anë të arsyes… Sofizmat dhe arsyet e tyne ishin gjithnji nji “hazërxhevap” për t’u admirue. Përfaqësuesit ma kryesorë të rrymës së “të vjetërve” ishin Teki Selenica, Hiqmet Delvina, Fejzi Alizoti, etj.
Teki Selenica ishte ndër specialistët ma të shquem të publicistikës shqiptare të asaj kohe. Ai ishte botues i edicioneve luksoze që paraqisnin botime të mëdha dhe të ilustrueme në vitet jubilare. Ma i njoftuni qe edicioni i dyfishtë i botuem me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë së Shipërisë, në vitin 1937.
Edhe Hiqmet Delvina ishte publicist dhe gazetar me mjaft eksperiencë. Vetëm Fejzi Alizoti, nuk ishte gazetar, po ishte njeriu ma i zgjuet jo veç midis këtyne treve, por edhe ma i rafinuemi i krejt deputetëve të Parlamentit.
Fejzi Alizotin, pata rast ta takoj e të njifem me të, në kohën e pushtimit italian. Asokohe ai ishte Komisar i Jashtëzakonshëm për tokat shqiptare të çlirueme nga Jugosllavia. Mbasi e përshëndeta dhe fola me të, më tha se po shkonte të kryesonte Komisionin Shqiptar që do të përcaktonte vijën e kufinit.
Isha kureshtar me dijtë si i kishin përcaktue kufijtë, e deri ku e kishin çue vijën e demarkacionit, e për kët i drejtohem Fejziut si Komisar i jashtëzakonshëm që ishte:

Fejzi Alizoti (1876-1945)
Fejzi Alizoti (1876-1945)

-Fejzi Bej, do kisha dëshirë të shihja se si dhe deri ku i keni çue kufijtë e Shqipërisë.
-Posi, me gjithë qejf! – Dhe nisi me shpalosë para meje nji hartë të madhe. Aty pashë se nji vijë e kuqe dhe e trashë, që shënonte kufinin përtej Nishit deri edhe afër Beogradit.
-O Fejzi Bej, – i them – A nuk asht tepri ta kërkojmë kufinin deri në rrethinat e Beogradit?
-Eh, more djalë, unë deri atje kam parë njerëz me plisa të bardhë mbi kokë, si të them unë, që ata s’janë shqiptarë!
-Mund t’i kesh pà me të vërtetë, – i thashë jo pa shaka, – por ama janë ndodhë atje me pre dru. Nuk janë autoktonë ata, Fejzi Bej!
-E di mor bir, e di mirë unë kët punë. Ti je ende i ri, e nuk i njeh dredhitë e diplomacisë. Unë do të dal atje me nji kërkesë të madhe; dhe do të luftoj për at copë tokë që është e jona. Atje sigurisht do të ketë kundërshtime nga hartografët dhe ekspertët që do të mundohen të ma mbushin mendjen se e kam gabim. E mbas nji përplasje të rreptë, më në fund, do të bëj edhe unë lëshime, po avash avash, deri sa të mbërrihet, nëse është e mundur, te kufijtë e vërtetë të shqiptarëve. Aty do të këmbëngul… dhe nuk do të lëshoj më asnjë centimetër tokë. Diplomacia i ka këto lojëra, mor bir…”
“Të vjetrit” kishin organ të tyne, gazetën “Besa”, që ishte njikohësisht edhe zadhansja e qeverisë. Gazeta mbahej dhe subvencionohej nga shteti.
Ata e konsideronin veten e tyne katalizatorë, dhe bartës të përparimit të vendit. Shpallnin me të madhe veten si “Baballarë të Kombit”, si njerëz që kishin luftue e kishin derdhë gjak për fitimin e Pavarësisë shqiptare. Ata u përpoqën, e deri diku ia mbrritën qëllimit,  mos ta lejonin realizimin e reformës agrare, etj.
Kjo ishte nji periudhë në të cilën kriza ekonomike e kishte pushtue krejt vendin. Uria po e dërmonte popullin. Merhumët, nga tribuna e gazetës së tyne, shpallnin se në vend “nuk kishte vdekë njeri nga uria” dhe se krejt kjo zhurmë bahej nga njerëz të pushtuem nga nji pesimizëm i pashërueshëm. Deri këtu mund të shkonte cinizmi i këtyne njerëzve që e përdornin shtypin me mbrojtë pikëpamjet e tyne obskurantiste.
“Besa”, dhe merhumët e saj e treguen veten e tyne me të vërtetë kundërshtarë të arsimit, të ditunisë e të kulturës. Ata nuk donin që të kishte shumë shkolla në Shqipni e në mënyrë të veçantë ata ishin kundra hapjes së Universitetit. Thuhej se Fejzi Alizoti, qe shprehë kështu në Parlament se: “Shqipërisë nuk i nevojiten universitete… sepse kështu do të na krijohet një superproduksion universitarësh, intelektualësh, që do të detyrohen të sillen rrugëve pa punë…”
Kjo politikë ndiqej në kohën kur afro 80 përqind e popullsisë ishin analfabetë dhe krejt Shqipëria kishte vetëm njimbëdhjetë shkolla të mesme. Zonat e thella dhe krahina të tëra nuk kishin as shkolla fillore.

Nebil Çika
Nebil Çika

***
Grupimi i dytë ishin “Neo-Shqiptarët”, për të cilët fola pak ma nalt, por mund të them se afër tyne, pothuej në të njejtën vijë mendimi ishin edhe “të rinjtë”.
Grupi i të rinjve kishte si përfaqësues Ismet Toton e deri diku edhe Nebil Çikën, gazetar dhe publicist i talentuem.
Ismet Toto ishte nji uragan i vërtetë. Ai e dominoi shtypin për nji periudhë afro tri vjeçare (’34-’36). Ai ishte autor i broshurës së famshme “Grindje me klerin katolik”; përktheu pjesën e parë të “Heronjve të Mendimit” Platonin – Karlailin, etje. Artikujt e tij ishin doktrinarë e në mënyrë të veçantë seria e artikujve që trajtonte “Diktaturën e Ndritun”. Me artikujt e fundit, sikur nisi me e humbë reputacionin që pat fitue me artikujt e maparshëm, ku vlersohej si intelektual i dorës së parë…
Mendimin e “Diktaturës së Ndritun”, ata e lançuan në kohën kur u ngjit në pushtet qeveria liberale e Mehdi Frashërit. Ky i fundit, u ba Kryeministër, me 21 Tetor 1935 dhe ra me 7 nëntor 1936, pra qëndroi në pushtet gjithsej 12 muaj e 17 ditë.
Nuk duhet të harrojmë se gjatë kësaj periudhe u banë punë të mëdha e të randsishme në krejt vendin. Kjo ishte periudha në të cilën qeveria e re luejti nji rol të konsiderueshëm jo vetëm në rrugën e zhvillimit të kulturës, por, në mënyrë të veçantë, në ngjalljen dhe zhvillimin e shpirtit luftarak opozitar.

Mehdi Frashëri (1872-1963)
Mehdi Frashëri (1872-1963)

***
Në kët kohë u ndez në shtyp nji polemikë e ashpër midis pleqve dhe të rinjve. Mbreti e ndiqte me shumë vëmendje kët polemikë brezash dhe nuk po anonte në asnjenin krah. Sigurisht i bëhej qejfi kur i shihte të rinjtë në ofensivë. Polemika s’e prekte as monarkinë e aq ma pak monarkun. Për të, kjo ishte e mjaftueshme… Ai gjithnji i kishte ndërmend reformat, por nji pjesë e tyne mund të realizohej vetëm duke pasë nji kabinet ma të rinjsh në politikë. Mbasi e pleqnoi me qetësi problemin dhe me ndërmarrë nji provë praktike, thërret Mehdi Frashërin dhe ia ngarkon atij krijimin e nji qeverie të re. Ministrat ishin të rinj, jo aq shumë nga mosha, se sa nga mentaliteti që ata përfaqsonin.
“Të rinjtë” e konsideruen si nji fitore të madhe ardhjen e qeverisë liberale të Mehdi Frashërit në krye të punëve të Shqipërisë. Askush s’mund ta mohojë se gjatë atij viti të qeverisë liberale, mendimi mori nji hov të ri dhe nji kah të ri, në çdo pikëpamje. Duhet ta theksoj këtu se monarku i Shqipërisë ishte Zogu, prandej si qeveri liberale… apo qeveri konservatore, mbetesh gjithmonë Mbreti ai që mbante në dorë frenat e shtetit…
Kështu, iku frika dhe fjala filloi të qarkullojë ma lirshëm. Shtypi fitoi frymëmarrje dhe hapsinë lirie, gjithsesi kishte edhe kufizime. Pozita dhe opozita haheshin si qen të tërbuem në Parlament. Shtypi qeveritar filloi me i sulmue haptas “të vjetrit”, duke fillue nga nëpunësit, deputetët, po në mënyrë të veçantë ish-ministrat. Në qendër të sulmeve ishte Musa Juka, Ministri i Punëve të Brendshme.
Gazeta “Arbënia” e drejtueme në at kohë nga Nebil Çika, ishte e para në ofensivë. Sulme e shigjeta të idhta binin nga katër anët. Nuk mbeti “merhum” pa u sulmue e pa u denigrue në shtyp… Veç Mbreti sodiste prej nalt dhe kënaqej me at paprekshmëninë e të qenit Absolut!!
Në kët kohë nis edhe botimi i Revistës “Bota e Re”, e cila, pa fort komplimente e tregoi fizionominë e saj qysh në fillim, si organ i grupeve komuniste të Korçës. Pikërisht, duke përfitue nga ky lloj liberalizmi edhe grupet e tjera komuniste, në qytete të ndryshme, filluen veprimtaritë e tyre, tashma jo ma nën rrogoz si dikur, por gjithnji e ma haptazi. Ndjehej kudo nji lloj gjallnie revolucionare, e sidomos në krejt shkollat e mesme po ndjehej ky vlim disi i çuditshëm!
Ishte gjallni e vërtetë dhe aspak e shtirun. Ishte nji kohë e artë lirie: gjallni në shtyp, gjallni ndër shkolla, gjallni ndër diskutime e debate, gjallni edhe ndër shpirtrat e njerzve për nji botë ma të mirë. Veçse Mbreti shihte  dhe vëzhgonte me kujdes gjithçka, por nuk ndjehej!!
Prej Pallatit Mbretnor ai ndiqte me vëmendje jo vetëm ngjarjet po edhe personazhet. “Të rinjve” po ju delshin krahët dhe po fluturonin plot andrra drejt Lindjes së Kuqe, ama edhe të vjetrit nuk rrinin duerkryq. Ata hynin e dilnin gjithë zemërim në Pallat… E zbraznin gjithkah pakënaqësinë e tyne… dhe në shkrime e gjatë bisedave merrnin në analizë gjithçka thuhej e shkruhej, gjithçka kishin ndigjue me veshë e kishin pa me sytë e tyne… Doemos ata zbraznin ndër labirinthet e pushtetit ma të zezat dhe ma negativet që mund të sajonte mendja e tyne kundra kabinetit të “të rinjve”.
Mbreti i ndigjonte “daullet” e të gjithëve dhe e përcillte secilin me nji buzëqeshje simpatike dhe inkurajuese, nën harkun e mustaqeve të holla, ai mbante shënim jo veç ankesat, po edhe akuzat ma të egra që palët i banin njena tjetrës…
Liberalizmit të qeverisë së Mehdi Frashërit, ai vazhdonte me i lëshue pe në heshtje, ashtu si ata fëmijtë u lëshojnë pe balonave me u ngjitë sa ma nalt. Shpesh ai vërente edhe teprime në kërkesat e në dëshirat e palëve, por i kapërdinte me nji buzëqeshje paksa të hidhët, dhe sigurisht mendonte me vete:
-Po ku e keni ndërmend me shkue mor djelm, ku…?!
Dikush nga ata afër mbretit, na kish thanë se Ai i lexonte shumicën e artikujve, e sidomos ata që ishin ma të ashpërit, po nuk ishte se shqetsohej fort! Si duket kjo liri me shkrue e me thanë gjithçka, do ta kishte nji taksë, por Mbreti dukshëm s’kishte ndërhy askund… e kjo s’ishte pak…!
E megjithatë të dyja palët dukeshin të pakënaquna… “Pleqtë” vazhdonin me i fry Mbretit në vesh, sikur ata ndjeheshin ma të shqetësuem së Ai, që e kishte ende të paprekshëm vendin e vet. “Të vjetrit”, jo vetëm po humbnin pozitat dhe privilegjet tyne, por po ndjeheshin përditë e ma të fyem prej “të rinjve”.
Pikërisht në kët kohë nisi të flitej e të shkruhej gjithnji e ma shumë për “Diktaturën e Ndritun”. Kush ishte ky Diktator i “Diktaturës së Ndritun”?!… askush s’kish guxim ta drejtonte as gishtin as mendjen… Sigurisht flitej, po gjithnji me shumë kujdes! Gja e cila, si dukej i pëlqente edhe vetë Mbretit. Asnjiherë drejtpërsëdrejti. Po indirekt lihej të kuptohej se ky “Diktator” mund të ishte edhe ai vetë, Naltmadhnia e Tij… Zogu i I-rë!
Po Ai rrinte “mbi palët”, dhe e toleronte me mjaft elegancë kët mendim…

Mbreti Zogu i Parë
Mbreti Zogu i Parë

Nënzà nisi me u folë edhe ma shkoqun. Filluen me u paraqitë edhe strukturat organizative… Kryesisht mendohej për organizimin e rinisë, e cila që do të ishte shtylla vertebrore e “Diktaturës së Ndritun”. Në kët kohë ishin tri organizata rinie: Milicia Paraushtarake, Federata Sportive dhe Komiteti Kombëtar i Edukimit Artistik.
Meqë rinia konsiderohej forca kryesore e “Diktaturës së Ndritun”, mendohesh që këto tri organizata t’i shkrinin në nji të vetme dhe kjo rini e organizueme kështu, do të ishte forca vepruese e saj dhe kishte me shërbye si nji shtyllë mbi të cilën do të mbështetej regjimi.
“Pleqtë” ishin kundra “të rinjve”, sepse po humbnin në vazhdimësi pozitat e tyne në pushtet, ndërsa në pikëpamje parimore shpreheshin se “…s’kishin asgja kundra tyne!”, mbasi si “të rinjtë” ashte edhe “neo-shqiptarët” shfaqeshin publikisht si nacionalistë. Me kët pikë edhe “pleqtë” ishin dakord!!
Diçka tjetër që i shqetësonte ma fort ata.
Ishin “të rinjtë” ata, që ishin hjedhë në luftë të hapët kundra “pleqve”, pa rezerva! “Të vjetrit”, “si dhelpna plaka” ishin me eksperiencë të madhe politike në administrimin e shtetit, dhe prapaskenave, dhe iu drejtoheshin të rinjve me këshillën: “Kjo rrugë që po ndiqni asht e gabueme! Ju, padashtas po çoni ujë në mullinin e anmiqve të Atdheut tonë!”
Mbreti kqyrte në tana anët, dhe sigurisht i dukej vetja se “po luente si macja me minin…” me të gjitha grupimet!
(Shkëputun nga libri i Lazër Radit, që ribotohet së shpejti: “Shqiperia e Viteve ’30)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.