Qeroska…
rrëfim nga Klodi Stralla
Kujtime fëmijërie në prag të ndrrimviteve.
Mbrëmë po ndiqja në Tv pamje nga Korça, duke rënë borë dhe vetiu kujtimet më shpunë shumë e shumë vite pas, në kohën e fëmijërisë…
M’u kujtua një episod që, edhe pas më se 50 vitesh, më ka ngelur në kujtesë si një relike e bukur e atyre viteve dhe mollzat e gishtave nisët të ecnin rrjedhshëm mbi tastierën e kompjuterit për ta fiksuar… M’u duk sikur nxitonin ta kapnin sa më shpejt atë vizion të largët nga frika se mos befas u largohej dhe tretej.
S’ka korçar të brezit tim, që ka banuar në Lagjet Numër Një të Korçës, e të mos i kujtohet emri i një rruge të veçantë të qytetit, sidomos në kohë dimri – Qeroska. Me siguri, ky nuk ishte emri i saj zyrtar, por kështu e thërrisnim të gjithë fëmijët. Qe një rrugë e drejtë, që niste në rrëzë të kodrës së Shën Thanasit dhe përfundonte përtej bulevard Republikës, duke e përshkuar qytetin nga lindja në perëndim, në një gjatësi rreth 500 metro. Edhe sot nuk e di arsyen pse ajo rrugë ishte aq e ftohtë në dimër, pse dëbora aty shkrinte e fundit dhe mos kjo e bënte atë aq të dashur për ne fëmijët…? Ajo rrugë ishte edhe shumë e pjerët mjaft e përshtatshme për të rrëshqitur me slitë; pra: një pistë e vërtetë natyrore!
Ngjarja që do t’u tregoj ka ndodhur një mbasdite dhjetori, diku aty midis viteve 1960-1962. Qe një i ftohtë që të hynte në palcë, me gjithë xhupin e veshur nga brenda me shajak, me çorapet prej leshi, kokoren ku dalloheshin vetëm sytë, apo me dorezat nga ato pa gishta; me siguri temperatura duhet të ish -10 ose -15 gradë celcius.
Qeroska ishte 3 apo 4 rrugë larg shtëpisë time, por unë dhe shokët e mij preferonim të rrëshqisnim aty te ajo rrugë, sepse ajo qe shpallur nga të gjithë si kryeqyteti i slitave. Një llampë e varur në një nga shtyllat e rrugës ndriçonte mjedisin përreth dhe drita e saj pasqyrohej në dy “shinat” prej akulli që ishin formuar nga gjurmët e slitave që rrëshqisnin mbi të. Dhjetra e dhjetra fëmijë me slita që i tërhiqnin në borë nëpërmjet një kordoni që e mbanin në duar! Slita, mjeti me të cilin rrëshqisnim, ishte një send prej druri që secili prej nesh e kish sajuar vetë apo ja kishin bërë të afërmit e tij, më të mëdhenj në moshë: ajo kishte dy dhoga druri vertikale, të lëmuara ose të veshura me fletë hekuri për të lehtësuar rrëshqitjen, që mbështeteshin mbi borë dhe që bashkoheshin sipër nga një dërrasë horizontale që shërbente për t’u shtrirë mbi të. Fëmija shtrihej mbi slitë, me fytyrë përpara dhe komandimi i saj bëhej nëpërmjet këmbëve, që luanin rolin e timonit: kur ngrihej lart këmba e majtë slita kthehej djathtas dhe anasjelltas. Një mjet rrëshqitës i përsosur!
Në krye të rrugës, aty rrëzë Shën Thanasit, në kuotën më të lartë, ishte starti i rrëshqitjes: aty grumbulloheshin fëmija dhe me rradhë rrëshqisnin njëri pas tjetrit, në varg, duke përshkuar gjithë rrugën, që vazhdonte edhe përtej bulevardit, si finishi i saj. Si tani e kujtoj kur më erdhi rradha mua. U shtriva mbi slitë, e vendosa atë të sigurt mbi borë dhe u nisa. Shpejtësia e saj sa vinte e rritej në sajë të pjerrësisë të rrugës. Nuk kaluan vetëm disa sekonda dhe përpara dalloj një siluete që më preu rrugën… dhe një goditje, diçka e rëndë mbi kurriz, një zë plake dhe britma të parreshtura… vetëm kur mbrita në fund pashë që mbi mua qe një plakë që mallkonte me potere për atë qe i kish ndodhur. U shkëputa me shpejtësi prej saj dhe me vrap u ngjita në rrugë për të mësuar nga shokët se çfarë kish ndodhur: Aty pranë qe një furrë pjekje dhe plaka posa kish dalë prej saj me tepsinë e lakrorit në dorë, duke dashur të kalojë nga njera anë e rrugës tek tjetra, qe përplasur me mua që vija nga sipër me shpejtësi të madhe. Lakrori i kishte fluturuar tutje… ndërsa plaka kish rënë mbi mua në slitë dhe dy bashkë kishim përfunduar atje në fund të bulevardit!!
Kjo ishte e gjitha….
Po sa e sa episode të tilla fëmijnore sillte dimri asokohe në Korçë, që fillonte me Kolendrat dhe mbaronte me Ditën e Verës, kur fëmijët e çdo mëhalle bënin zjarret dhe digjnin bashkarisht bredhat e tyre të Vitit të Ri.
Një traditë që ende ka mbetur e paprekur edhe pas kaq vitesh.
Ps. Foto është “Qeroska” në kohë vere, mbasi nuk gjeta dot një pamje të saj me borë, por këtë mangësi mund ta plotesojë dikush që banon tani në Korçë.
Tiranë, 30 dhjetor 2014