back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Profesor Skënder Luarasi në kujtimet e Lazër Radit – “Libri i Dytë i Kujtimeve”

Gazeta

Skënder Luarasi (1900-1982)
Skënder Luarasi (1900-1982)

Profesor Skënder Luarasi

nga Lazër Radi

Marrë nga libri “Në gjurmët e një ditari të djegur…”

Libri i Dytë i Kujtimeve (1929-1938)

Meqë profesor Skënderi nuk kishte familje – u caktua Drejtor Konvikti. Ai kishte nji dhomë, në katin e dytë të ndërtesës, me dritare kah oborri i Konviktit.
Në vitin 1936, të kishe nji radio, ishte punë e madhe. At vit edhe Konvikti ynë u pajis me nji radio. Nga që ishim të zanë gjatë gjithë kohës me mësime, kështu të lirshëm ishim veç të shtunave në mbrëmje.
Nji të shtunë të tillë, po dëgjonim në radio muzikë deri në orët e vona të natës. Zakonisht ndiqnim Radio-Budapestin pasi muzika hungareze e asaj kohe ishte mjaft në modë. Po dëgjonim edhe muzikë rumune apo italiane.
Ky ishte i vetmi argëtim i yni. Dëgjonim muzikë, këndonim bashkërisht e duke qenë vetëm shkollë djemsh, detyroheshim të vallëzonim me njëri tjetrin, edhe pse kjo nuk ishte fort e këndshme, duke e ditur se të gjithë ishim shtatëmbëdhjetë-tetëmbëdhjetë vjeçarë. Duke ndjekur muzikën, duke vallëzuar, duke bërë shaka e duke kënduar, ndodhte që jo vetëm mbërrinte mesnata, po nganjiherë edhe e kalonim atë.
Pikërisht nji të shtunë, sigurisht ne kishim kapërcyer në të diel, në orët e vona pas mesnate ia behu gjithë zemërim Profesor Luarasi. Pa folur fare, ai u fut në sallën e bukës ku ishim mbledhur dhe shkoi drejt e te radio, ia uli zanin dhe me fytyrën që i nxinte nga zemërimi na mblodhi të gjithëve, por pa e lëshuar veten na u drejtua:
– Ja, këtu, në kët vend ku ju sot dëfreni, Sulltan Hamiti mbante kuajt, ndërsa Sulltan Ahmeti ju ka lëshuar juve të hardalloseni më keq se kuajt…!!
Ishte e vërtetë. Në kohën e Turqisë, ndërtesa e Gjimnazit kishte qenë kazermë ushtarake, kurse ndërtesat e vogla të konviktit shërbenin si stalla kuajsh. Figura e zemëruar e profesorit na kishte gozhduar të gjithëve. E lamë muzikën dhe ia nisëm bisedës. Profesori ndejti ma shumë se nji gjysëm ore me ne, na këshilloi që të mos e tepronim, dhe mbasi gjithçka u qetësua shkoi të flinte.
Mbas tij, edhe ne e mbyllëm atë të shtunë, por ai paralelizmi i tij i gjetur midis Sulltan Hamitit dhe Sulltan Ahmetit, qe nji ironi e bukur që të nesërmen mori dhenë…
 
***
Në oborrin e konviktit, rrëzë mureve rrethues, Profesor Luarasi mbolli disa rrënjë mollë. Për dreq, njena prej mollëve u rrit e u forcua shpejt, dhe jo vetëm hodhi shtat shpejt po edhe lidhi nji kokërr të vetme!! Profesori si merakli që ishte, ngrihej çdo mëngjes e vadiste dhe kujdesej për mollën si për nji fëmijë të vogël. Molla harlisej prej shëndetit dhe ajo kokrra dikur e vogël, zmadhohej e zbukurohej përditë si nji vajzë e re dhe e njomë. E gjithë kjo skenë ‘dashurie’ zhvillohej aty nën vëmendjen tonë… Tash për mollën kujdeseshim edhe ne kur mungonte profesor Skenderi.
Eh si rritej e si zbukurohej kokrra e vetme e mollës së Profesorit!
Po si ato femrat fatale, edhe mollës – ashtu siç qe shkruar edhe në bibël, – veç asaj i shifet sherri. Ajo dikë e magjepsi dhe shtyu në mëkat, edhe të parin njeri të kësaj bote: Adamin. Ai i shkretë hëngri “mollën e ndalueme”, dhe siç shpjegon Bibla, pasardhësit e tij sot e kësaj dite po vuajnë at mëkat mortor…
Mollë qe edhe ajo që hodhi Paridi në darkën e madhe të Perëndive me fjalët: “për ma të bukurën”. Me këtë ai ngatërroi gjithë Olimpin dhe shkaktoi luftën luftërave, – betejën e famshme të Trojës… Mollën merrte në shenjë edhe Vilhelm Teli mbi kokën e gruas, temë që aq mirë e njihte profesori që kishte ra në dashuri me mollën…
Mollë ishte edhe ajo aty në oborrin e konviktit që po harlisesh e po zbukurohesh e që ndokujt po i zgjonte dëshirën për t’u kthyer në mollë sherri…
Dikush nga konviktorët e pagëzoj: Molla e Skënderit.
Tash të gjithë e shihnim, ndoshta edhe e lakmonim, po askujt s’i shkonte mendja ta këpuste, sepse dihesh se do të tërhiqnim mbi vete krejt zemërimin erenive të Drejtorit…
Nji mëngjes, se kush u ngrit ma herët se profesori, e dha alarmin se ia kishin këputë mollën e zemrës profesorit.
Tash ne, po vërenim të gjithë se çfarë do të ndodhte!
Zbardh drita dhe profesori si zakonisht gjithë qejf me kanën e ujit në dorë, shkon të vadisë mollën. E derdhi kanën në rrënjë të mollës, dhe po kqyrte mes gjetheve kokrrën e tij të dashur. Po mollë s’kishte ma!
Sa s’i ra pika prej dëshpërimi.
Nji hajdut, po ma shumë se hajdut, nji njeri i vockël, nji shpirt katran, nji njeri i hunit e i litarit ia kish prishë profesorit gjithë kënaqësinë e atij mëngjesi . Vetëm shpirti i tij e di se çfarë zemërimi e çfarë mendimesh të egra i kaluar nëpër mend at çast. Pa thanë asnji fjalë, pa kqyrë askënd në sy, me kokën ulun, i zemëruem sa ma s’ka, i tronditur në shpirt, me kanën bosh në dorë shkoi drejt e në dhomën e tij. U duk si nji dramë që s’kishte nevojë për asnji fjalë…
Ra zilja, dhe ne shkojmë me hangër mëngjesin. Futemi të gjithë në sallë, ulemi nëpër tavolina, dikush në heshtje e dikush duke bà ndonji shaka. Dukej sikur askush s’dinte asgja ç’ka ndodhë me mollën. Po edhe nëse dikush dinte diçka, s’kishte kurajo ta rrëfente atë. Prania e profesor Luarasit at mëngjes në sallën e bukës, shumëkujt i dogji. E shihnim ashtu të ngrysun, e mendonim se profesor Skënderi zakonisht ishte i tillë. Me ballin plot rrudha të thella, me dy sy të zes e depërtues, me flokët e rrafshtë që i derdheshin në nji krah duke ia mbulue nji pjesë të fytyrës. Disa herë na përngjante si figura e Aleksandër Moisiut. E shihnim ashtu të zemëruem, me shikim të rrëzuem, dhe pa asnji dëshirë për të përshëndetë ndokënd, gja që pothuej s’ndodhte kurrë.
Mbasi u futëm të gjithë në sallën e bukës dhe sekush zuri vendin e vet, e ishim gati për ngrënien e mëngjesit, ai doli në krye të mensës, u mbështet në mur, dhe me nji zë që dukej sikur po gërmushej nji luan i plagosun, nisi të fliste:
– Konvivere… – dhe heshti nji çast – Konvivere do të thotë të bashkëjetosh. Ja, kështu siç bashkëjetoni ju! Por, ka edhe një mënyrë tjetër konvivere, konvivere në burg, ndër galera, ndërmjet hajdutëve, grabitsave, kriminelëve, vrasësve… Më duket se pikërisht këtu mes jush është edhe ai konvivere i burgut, i galerës, i krimit… – dhe heshti për nji çast sikur kërkonte ta gjente me shikim atë që po kërkonte.
U bë nji pauzë ku s’dëgjohej as zhurma e mizës. Pas pak ai vazhdoi sërish:
– Po me mollën time, kujt i doli punë? Kujt ia kishte zënë rrugën molla ime? Kush prej jush e mori mollën time… kush?
Deri atë çast po e dëgjonim por, s’e kishim fort të qartë se ku e kish hallin Profesori. Mendonim se mund të kish ndodhur diçka e madhe e prisnim t’ia nxirrte kokën. Heshti dhe me nji ton që kishte dhimbje e zemërim brenda, pse jo edhe pak teatralitet thirri:
– Mollën time kush e mori?
Tash e kishim të qartë. Dikush nga ne konviktorët qe ngritur herët dhe ia kishte vjedhë mollën Profesor Skënderit. Mund të kishte qenë edhe nji shaka, por s’ishte përcjellë si e tillë…
Vërtet merzia e profesorit, mërziti shumicën për at incident! Sepse nuk qe përcjellë si shaka. Ai ishte gati të jepte edhe njëzet kile mollë vetëm at kokërr molle t’mos ia prekte kush.
– Të ngrihet në këmbë ay që e mori mollën time. Nëse ka një grimë dinjitet të ngrihet e të thotë: Unë e bëra…!
Askush s’luajti vendit! Profesori vazhdoi të fliste me pasion, të jepte përshtypjen e nji aktori teatri që po luante rolin e nji akuzuesi.
Po zemërimit të tij askush s’gjeti kurajo t’i thotë të vërtetën… Ngjarja u mbyll me aq, por ajo kishte shërbyer si nji shembull për të gjithë! Është e turpshme të prekësh gjënë e tjetrit, e në mënyrë të veçantë kur ai ndjehet i lidhur shpirtërisht me të…
Gjimnazi i Shkodrës
Gjimnazi i Shkodrës

***

Profesor Luarasi, na mësonte të flisnim bukur e ta dashuronim letërsinë!
Kishe qejf ta dëgjoje kur recitonte ndonji poezi apo pjesë në prozë. Nga goja e tij kam dëgjuar prozën e bukur poetike të Naim Frashërit “Kthimi i Gjergj Kastriotit në Shqipëri”, apo pjesë nga novela e mrekullueshme “Rrokoll” të Ernest Koliqit, kurse ajo çka vlen të nënvizoj është leximi dhe mësimi përmendësh i vjershës “Skënderbeu” e Longfellout…
Nji të shtunë, në orën e leximit letrar, me regjistër nën sqetull, si të kishte ndërmend të na befasonte, hyni në klasë, e hapi regjistrin dhe filloi të na thërres emnat me radhë nga a-ja, e po na fton të dalim në dërrasë të zezë. Çdonjërit prej nesh i kërkoi të thoshte përmendësh “Skënderbeun” e Longfellout.
Ngre të parin, të dytin, të tretin, të katërtin e kështu me radhë dhe u kërkonte ta recitonin poezinë. Pothuajse të gjithë e kishin mësuar poezinë përmendësh, pra e dinin dhe e thonin – por asnji ashtu si e donte ai. Të gjithë po i ndëshkonte me nga nji notë pakaluese në regjistër, duke na habitë të gjithëve…
Diku nga mesi i emrave, më erdhi radha edhe mue!
Kur na e kishte recituar për t’parën herë ai vetë, unë e kisha ndjekë me vëmendje deklamimin e tij… Si duket, ai po kërkonte pikërisht kët gjà… Shpesh me shaka, unë imitoja ndonji nga profesorët. Me kët rast e kuptova si ishte fjala për nji recitim si i tiji. Kur shkova te dërrasa e zezë u përpoqa ta imitoja pikërisht at recitim që na kish bà profesori ditë mà parë.
Profesori kërkonte at atmosferën që krijonte tonaliteti, ku ai çdo fjalë ai e ngarkonte emocionalisht, bile vargjet lidheshin fuqishëm me njëni tjetrin duke krijuar at gjendje lufte, që aq për zemër e kishte profesor Luarasi… Kurrë mjeshtëria ime e imitimit s’ka qenë aq e suksesshme sa at ditë me “Skënderbeun” e Lonfellout…
 
Lëfton luftën dhe fiton/ Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret/ Ditën e Rrushajëvet.
Dhe nga fush’e kuqe gjak/ Ikën, rent përpara tij
E Muratit ushtëri/ Që shpëtoi e s’ra në lak…
 
Unë vazhdova të recitoj i rrëmbyer jo vetëm nga bukuria e poemës, por edhe nga frika se mos papritmas klasa shpërthente në gaz prej paftyrësisë sime imituese. U desh ndërhyrja e Profesorit që unë të ndalesha. Vetëm kur u ndala e kuptova se kisha kalue nji moment të vështirë. Profesori ndjehej i lumturuem prej recitimin tim, ndërsa shokët duke menduar se unë po imitoja profesorin, qeshnin me zë të lartë. E theksoj se imitimi kishte qenë me të vërtetë i përsosur, aq sa kishte zgjuar gjithë at gaz tek shokët e mi.
– Qeshni, qeshni ju! Po qesh mirë ai që qesh i fundit. – u tha, pa e vra shumë mendjen profesori…
Unë tashmë e kisha kryer ‘misionin’ tim dhe po prisja në dërrasë fjalën e tij.
– Të dërdëllisësh është një gjë, që s’ka asgjë të përbashkët me recitimin. Të recitosh një pjesë heroike do të thotë t’i japësh shpirt asaj, e t’i tërheqësh edhe të tjerët ta dëgjojnë frymën e një kohe të largët. Asnjë prej jush nuk recitoi, ju vetëm dërdëllitët, kurse ky nuk dërdëlliti, ky djali recitoi… Dhe në vend që të qeshë ky me ju, ndodh habia e madhe, qeshni ju me të… Eh, si është kjo botë të marrësh…
Profesori më përgëzoi për pjesën duke më vlerësuar me notën ma të lartë. E pashë se ndjeu nji kënaqësi të veçantë nga recitimi im, dhe aty për aty më caktoi dhe nji pjesë që do të interpretoja në dramën “Vilhelm Tel” të Shilerit. Do të isha Baumgarteni.

Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit - Shkodër 19 shkurt 1935
Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit – Shkodër 19 shkurt 1935
***
Ndodhte shpesh që gjatë orës së mësimit, të na nxirrte jashtë. E merrnim vesh menjiherë se duhej me bà ndonji punë. Shkonim në magazinë merrnim nga nji lopatë dhe të gjithë bashkë, banim punë fizike nga më të ndryshmet.
Ato ditë, në Shkodër qe thye penda e Kirit dhe lumi kishte vërshue në qytet. Kjo gja asokohe ndodhte shpesh dhe nji vërshim i tillë i lumit nëpër rrugët e qytetit, të jepte përshtypjen se Shkodra papritmas ishte bà Venecie. Kishte raste që naltësia ujënave nëpër rrugë shkonte edhe nji gjysëm metri… Fotograf Jakova, nën vezullimin e dritave të natës, fotografonte qytetin ku tash veç gondolat mungonin.
Ajo ishte nji prej atyre pamjeve migjeniane të “Bukurisë që vret”. Kiri i pamëshirshëm u kish hy ‘mysafir’ qindra e qindra shtëpive përdhese të “të vorfënve” të Shkodrës, që në qytet kishte mjaft…
Nji mëngjes të tillë, të gjithë si klasë, me profesor Luarasin në krye, u nisëm me pastrue rrugët e mbushuna nga llumi i Kirit.
Në ngjarje të tilla, Profesori ishte i papërtuar. Punonte me orë të tëra, pa ndjerë lodhje, e asnjërit prej nesh s’i thoshte as puno, as mos puno! Ai vetë jepte shembullin, e mandej askush s’mund të rrinte duarkryq, e t’i shmangesh punës. Qëndrimi i tij na detyronte gjithë ne tjerëve të punonim si ai. Kjo ishte metodë e punës së tij. Ai e kishte në shpirt kolektivitetin, e kjo na shtynte edhe ne të mos kurseheshim në punë që i shërbenin bashkësisë…

***

Profesor Skënderi u jepte rëndësi të veçantë hartimeve.
Ashtu siç kërkonte me skrupolozitet nga ne që të flisnim bukur, po ashtu kambëngulte të shkruanim sa ma bukur. Na kërkonte të kishim mendim, të rrihnim probleme të randsishme, që kishin të bënin me ne dhe jetën e vendit në përgjithësi.Vetë temat që ai na jepte ishin të tilla që na detyronin të mendoheshim mirë, të gjenim argumente të përshtatshëm e arsyetime të prehta shoqënore. Pikërisht nji nga këto tema të randsishme ishte edhe shprehja e famshme e nxjerrë nga “Vilhelm Tel” i Shilerit: “E vjetra shembet,/ kohët po ndryshojnë,/ nji jetë e re po lind gërmadhash.”
Temë interesante! Po ma interesant ishte tingëllimi  i saj n’at kohë. Aty kishim mundësi të shpreheshim e të preknim probleme aq të dashtuna për ne, e që na shqetësonin aq fort n’at kohë. Na kishte lanë dhjetë ditë afat me e përgatitë dhe me e dorëzue hartimin me temën në fjalë.
Unë mendova ta shtjelloj si nji problem të randsishëm aktual për qytetin e Shkodrës: “Rinia dhe shoqnitë në Shkodër”. Kisha parasysh ndamjen dhe përçamjen e rinisë shkodrane në myslimanë e katolikë, në orientalë e oksidentalë, në të përparuem e të prapambetun.
Efektivisht nji ndarje e tillë ishte e vërtetë dhe e prekshme. Rinia katolike ishte ma e organizueme. Shoqnitë pranë kuvendeve katolike funksiononin mirë dhe kishin mundësi argëtimi dhe kalimin e kohës së lirë qoftë me lojna e zbavitje, qoftë me studime e lexime ndër bibliotekat shumë të pasura të kuvendeve, në mënyrë të veçantë ajo e françeskanëve.
Rinia myslimane nuk ishte fort e organizueme. Kleri mysliman me mentalitetin e vet oriental – mjaftohesh vetëm në dogmën fetare dhe përkushtimin ndaj saj, duke mos lejue të shihnin si vepronin grupimet e tjera, shpesh duke i mëshue përçarjes dhe ndasive.
Me nji rini të tillë Shqipëria s’mund të ecte përpara. Pra, si në Rilindje, u thirr përsëri në ndihmë Vaso Pash Shkodrani, të na tregonte se e mira e kësaj treve kërkonte bashkimin e të gjithëve – pa dallim feje krahine, e njëjta gjë na kërkohej edhe ne. Pra duheshin shembë konceptet e vjetra dhe mbi to të ndërtoheshin mentalitete të reja, përparimtare dhe patriotike. Pra, nën kët prizëm e trajtova temën e asaj “jete të re që lindesh gërmadhash…”
Të gjithë punuem seriozisht dhe në krye të javës i dorëzuem hartimet.
Nji ditë, profesor Luarasi me fletoret tona nën sqetull hyni në klasë. I kishte korrigjue me gjakftohtësi të gjitha dhe çdo hartimi i kish vënë anash shënimin me pikëpamjen e vet.
Në klasë at ditë u lexuan dy hartime: ai i Qemal Stafës dhe hartimi i im. Të them të drejtën unë u habita me guximin e Qemalit. Ai nuk i përkiste ma nji hartimi shkolle, por nji manifesti të hapur komunist në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ishte e habitshme se çfarë heshtje sundonte në klasë, gjatë kohës që profesori lexonte hartimin e Qemalit. Aty s’kishte ma doreza. Qemali ia kalonte edhe Pavël Vllasovit, i cili në mjaft raste përpiqej të ishte i matun. Fundi i hartimit megjithëse s’më kujtohet fort mirë, pak a shumë përfundonte kështu: “… asht gja e domosdoshme ta ndryshojmë ndamjen e sotme të pasurisë, e ta zavendësojmë atë me nji ndamje të re të barabartë për të gjithë… Rusët e kanë ba me kohë! Edhe na do ta bajmë!…”
Të mos harrojmë se klasa jonë ishte mjaft heterogjene. Vërtet aty ishim shumë nga konviktorët, shokë të Qemalit, po ishin edhe katolikët e ardhun nga gjimnazi i fretënve dhe i jezuitëve, ishin edhe fanatikët myslimanë të Shkodrës që ende e mbanin fesin e zi edhe në klasë…
Për mos me i dhanë rast që të bëheshim diskutime, që mund të kalonte edhe në ndonji skandal, profesori Skënderi, kaloi menjiherë te leximi i hartimit tim. Vërtet godisja rininë katolike shkodrane të organizueme në kuvendet e klerit, po godisja edhe rininë myslimane të paorganizueme, të zhytun në pellgun e injorancës dhe prapambetjes, dhe kërkoja bashkimin e rinisë në emën të Shqipërisë e në emën të Atdheut.
Kjo sikur e qetësoi paksa atmosferën në klasë. Edhe profesori u ndal pak ma gjatë në hartimin tim, për me e ulë disi tensionin që kishte krijue hartimi i ashpër i Qemal Stafës.
Skënder Luarasi (1900-1982)
Skënder Luarasi (1900-1982)

***

Edhe në nji hartim tjetër që bamë në at kohë: “Të rinjtë dhe pleqtë” tema ishte mjaft aktuale. Edhe shtypi i Tiranës kishte kohë që merrej me kët temë. Qemali vazhdonte të ishte i papërmbajtshëm edhe te kjo temë. Ndër të tjera ai lavdëronte Leninin që e hoqi popullit rus nga fanatizmi fetar dhe prapambetjen feudale, drejt përparimit, drejt nji të ardhme ma të lumtun…!!
 
***
Nji nga andrrat ma të mëdha dhe ndoshta të paarritshme të Profesor Skënder Luarasit qe vënia në skenë e dramës “Vilhelm Tel” e Shilerit. Prej kohësh ai na kishte nda pjesët dhe rolet dhe pse ne ishim të bindun se nji dramë e përmasave të tilla s’mund të vihej kurrë në nji skenë shqiptare, e aq ma pak studentore. Skenat tona ishin të vogla, për nji dramë kolosale! Me pak njerëz, me mjete skenike që linin me dëshirue qe nji punë tejet e vështirë, mos me thanë e pamundun, me u mbrritë. Megjithatë Profesori studionte mënyrat se si të mund ta shfaqte dramën në oborrin e konviktit “Malet tona”. U përpoq disa herë me na bindte edhe ne për nji realizim të tillë, por kjo qe thjesht nji utopi dhe si e tillë s’u realizue as atëherë e as ma vonë; as aty në Shkodër po e as në ndonji qytet tjetër të Shqipërisë…
Marrë nga libri “Në gjurmët e një ditari të djegur…”
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.