back to top
26.5 C
Tirana
E hënë, 15 Prill, 2024

Përjetësisht “të Internuar”… nga Tanush Kaso

Gazeta

Tanush Kaso
Tanush Kaso

Përjetësisht “të Internuar”…

nga Tanush Kaso

Disa vite më parë, një televizion privat dha një emision me pamje nga vendinternimet e kohës së diktaturës, ku për fat të keq, kanë mbetur ende në ato barake të vjetra, disa familje ish – të internuara për motive politike. Nuk pati asnjë reagim nga pushtetarët dhe as nga ish – të përndjekur me pushtet asokohe. Si ta kuptojmë këtë, tani në kushtet e një shteti, që thuhet se është “demokratik”?
Dënimi me internim jepej nga shteti diktatorial, për ato familje ose individë, që gjoja paraqisnin “rrezikshmëri”, meqenëse ndonjë nga të afërmit e tyre ishte arratisur brenda ose jashtë shtetit. Kështu, rreth treqind familje ishin ato, të cilat në gushtin e vitit 1949, u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës, si hakmarrje e verbër e shtetit komunist, për vrasjen e Bardhok Bibës, kryekomunistit të Mirditës, nga të arratisurit e “Komitetit të Maleve”.
Shumë të moshuar, gra e fëmijë të pafajshëm, gjetën vdekjen nga keqtrajtimi, nga uria dhe nga sëmundjet në atë kamp, edhe në vendinternime të tjera, si në “Porto Palermo”, në rrethin e Krujës, të Beratit, të Lushnjës (Çermë, Grabian, Pluk, Savër, etj.), kanë vuajtur pa asnjë faj. Shumë baballarë, nëna, gra, motra, vëllezër dhe fëmijë të atyre që ishin etiketuar si “armiq të popullit” vetëm sepse nuk pajtoheshin me ideologjinë sllavo-komuniste jetuan kampeve. Shumë vajza e djem u plakën në internim. Atje humbën shumë talente dhe u shkrinë shumë jetë njerëzore, sepse ashtu donte regjimi i diktaturës komuniste.
Por, erdhi një ditë kur Europa dhe tërë bota e dënoi komunizmin si një ideologji mashtruese, barbare dhe rrënuese e të gjitha vlerave njerëzore. Popujt e përmbysën atë, së bashku me simbolet dhe monumentet e diktatorëve. (Në të vërtetë ra ideologjia komuniste, por jo ish-komunistët, të cilët u bënë edhe më të fuqishëm sesa ishin më parë). Megjithatë, mbas vitit 1991 pati njëfarë lehtësimi nga pesha e rëndë e diktaturës. Ra “perdja e hekurt” dhe kloni me tela me gjemba, që e kishin izoluar hermetikisht Shqipërinë nga Europa dhe Bota e qytetëruar. Shqiptarët filluan të lëvizin lirisht, brenda dhe jashtë vendit. Po kështu edhe ish – të përndjekurit politikë.
Më 20 shtator 1991, ish – të burgosurit politikë zhvilluan grevën e tyre të parë të urisë, me pesë kërkesa jetike:
1)Pafajësia, për të gjithë të dënuarit politikë nga regjimi komunist.
2)Dëmshpërblimi, sipas normave ndërkombëtare.
3)Strehimi, në kushte normale jetese.
4)Punësimi, me përparësi, brenda e jashtë vendit.
5)Shkollimi, me përparësi, brenda e jashtë vendit.

Nji nga shtatë barrakat e Kampit të Savrës
Nji nga shtatë barrakat e Kampit të Savrës

Kjo grevë pati një jehonë të madhe, në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Për rrjedhojë, mbas dhjetë ditëve, më 30 shtator 1991, Kuvendi i Shqipërisë i pranoi të gjitha kërkesat dhe miratoi njëzëri (pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim), Ligjin nr. 7514 Për Pafajësinë, Rehabilitimin dhe Dëmshpërblimin e ish- të Dënuarve dhe të Përndjekurve nga Regjimi Komunist…. dhe filloi zbatimi i tij; që, kurrë nuk u zbatua ashtu siç duhej. Përfituan më shumë ata ish- të përndjekur politikë (të vërtetë e të pavërtetë), që u treguan “më të shkathët” dhe që u kapën fort mbas ndonjë partie e pas pushtetit.
Shumica e tyre u larguan nga vendinternimet, morën shtëpi falas në Tiranë e në ndonjë qytet të madh, privatizuan edhe disa objekte e pasuri shtetërore me “letra me vlerë”.
Ish-të përndjekurit e ndershëm e të vërtetë, që vuajtën me vite të tëra për motive politike, morën vetëm “ca cikërrima”, ose asgjë. Ekonomikisht mbetën atje ku ishin. Disa u katandisën edhe më keq. U shkatërruan familjarisht. Arritën deri në vetëvrasje. Në zbatim të “Katovicës”, qeveria dha disa shtëpi për ish-të përndjekurit politikë. Por, në shpërndarjen e tyre u zbatua “ligji i xhunglës”: fituan “më të fortët”, falsifikatorët dhe mashtruesit. Qeveria asnjëherë nuk e kontrolloi shpërndarjen e tyre. I la ish – të përndjekurit të kacafyten mes tyre. Kështu, pati edhe një vrasje gjatë ndarjes së shtëpive të “CAFOD”-it, të dhuruara nga ajo shoqëri fetare, bamirëse, angleze. Turma të përndjekurish vrapuan drejt kryeqytetit. Nuk pritën të strehoheshin në qytetet e tyre. Në atë rrëmujë “qeverisjeje pa qeveri”, u pushtuan shkolla, konvikte, Kopshte e Çerdhe fëmijësh, nga të përndjekur e të papërndjekur politikë. Edhe këtë, e la vetë qeveria “Meksi” që të ndodhte, për të krijuar imazhin e keq për shtresën e ish – të përndjekurve politikë. Dhe ia arriti qëllimit. Ajo nuk ndërhyri asnjëherë për lirimin e atyre objekteve dhe për strehimin në banesa normale të familjeve në nevojë, të ish të përndjekurve politikë. Duke parë këtë zallamahi, ish – të internuarit e ndershëm, të pafuqishëm, pa miq e pa përkrahjen e “nënës parti”, mbetën atje ku ishin e ku janë edhe sot e kësaj dite.
Me keqardhje të thellë i shohim ato fytyra të përvuajtura nënash e grash fatkeqe, të mbetura përjetësisht “në internim”, teksa na i paraqesin në faqet e rrjeteve sociale ish – të përndjekurit e vërtetë politikë, si Kujtim Çekani, Bedra Kaba e ndonjë tjetër.

Kampi i Gradishtes 24 Tetor 2015
Kampi i Gradishtes 24 Tetor 2015

Po çfarë ndihme konkrete mund të japin tani, shokët tanë të nderuar të facebook-ut, dhe ne të tjerët, që nuk kemi as pushtet dhe as para, për largimin nga ato vendinternime ogurzeza, të atyre pak familjeve fatkeqe dhe për krijimin atyre, të kushteve normale të jetesës? Vetëm dëshira e mirë dhe fjalët e shkrimet, mendoj se nuk mjaftojnë. Këtë do të kishin mundur ta bënin fare mirë vite më parë, disa ish-të internuar, ish-të burgosur e ish-të përndjekur politikë, të cilët ishin pjesëtarë të qeverisjes demokratike, deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, funksionarë të Ministrisë së Punës dhe Emigracionit, drejtues të ish-Komitetit Shtetëror të ish të Përndjekurve Politikë dhe të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Por, ata nuk e bënë!
U kujdesën vetëm për vete e për rrethin e tyre familjar. E kam thënë dhe e përsëris, se nuk i falet ish – të internuarve si Simon Miraka, harresa dhe mosinteresimi për rregullimin e përmirësimin e jetës së atyre bashkëvuajtësve të mbetur ende në vendinternimet e dikurshme, si edhe për të tjerë që po vuajnë nga papunësia, mungesa e strehimit dhe nga varfëria kronike. Përmendim këtë person, sepse ka qenë për më shumë se dhjetë vjet Drejtor i përgjithshëm i Institutit të Integrimit, gjatë qeverisjes demokratike dhe socialiste. Ky institucion qeveritar ka pasur dhe mund të siguronte fonde të mjaftueshme, për të sistemuar me strehim në ndonjë qytet, edhe ato pak familje, që për turpin tonë, vazhdojnë të mbeten përjetësisht “të internuar”. Kur ishte në atë post, zëri i tij dëgjohej nga pushtetarët e çdo ngjyre, më tepër sesa zëri i secilit nga ne. Tani, fjalët dhe shkrimet e tij i merr era.
Ato, më së shumti tingëllojnë si hipokrizi.

(Marre nga muri i fb Tanush Kaso 23 tetor 2015)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.