back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 9 Nëntor, 2024

Pavarësia përkujtohen në kishën katolike Zoja e Shkodrës në New York – nga Klajd Kapinova

Gazeta

Dom Pjetër Popaj në Kremtimin e Festës së 28 Nëntorit në New York
Dom Pjetër Popaj në Kremtimin e Festës së 28 Nëntorit në New York
Pavarësia përkujtohen në kishën katolike Zoja e Shkodrës në New York

nga Klajd Kapinova

Flamurit është ngritur më 6 prill 1911,
në Deçiq të Malësisë dhe ringritja e tij në Vlorë më 28 nëntor 1912,
ndersa Pavarësia e vendit u përkujtua sot
në kishën katolike Zoja e Shkodrës në New York

“Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj,
t’ju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur
përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen,
por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira.
Shqiponja nuk e harron folenë po fluturon gjithnjë lart.”
Papa Françesku I, gjatë vizitës së Tij Apostolike në Tiranë, më 21 shtator 2014

Ngritja e Flamurit me 28 nëntor 2023, në Kishën "Zoja e Shkodrës"
Ngritja e Flamurit me 28 nëntor 2023, në Kishën “Zoja e Shkodrës”

Hartsdale, New York. Përvjetori i 111-të i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar ishte momenti historik, kur disa heronj të përkushtuar kombëtar ngritën me vendosmëri flamurin historik të Gjergj Gjon Kastriotit në Vlorë, u përkujtua si çdo vit edhe në kishën katolike shqiptare, Zoja e Shkodrës.
Mbajtja e meshës solemne, për të përkujtuar Ditën e Pavarësisë dhe ringritjen e flamurit kuqezi më 28 Nëntor 2023 në kumbanoren e kishës katolike shqiptare, është bërë tradicionale, ku fjalët më të mira dhe të përzgjedhura për meritën e madhe të punës së shkëlqyer, i shkojnë kishës së drejtuar me devocion nga meshtari i palodhur për Fe e Atdhe dom Pjetër Popaj, i dalluar për aktivitetet më frymë të thellë atdhetare dhe fetare si dhe mijëra besimtarëve të saj.
Me këto veprimtari komuniteti i madh katolik shqiptar në SHBA, tashmë tregon se është më kompakt e i organizuar shumë mirë prej disa dekadave rreth kishës së vetme katolike shqiptare në New York, SHBA.
Falë kulturës së madhe të klerikëve katolikë, që historikisht kanë drejtuar qysh në fillim këtë kishë, tradicionalisht dhe prej disa dekadave, kisha dhe populli shqiptaro-amerikan këtu, kanë një lidhje të fort mes fesë katolike dhe kombit tonë në vendlindje.
Ky aktivitet në dekadat e fundit vazhdimisht është celebruar në këtë kishë, duke shënuar me mënyra të ndryshme ditëlindjen e Shqipërisë 28 Nëntorin 1912, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, përmes organizimit në mënyrë simbolike të ceremonisë së ringritjes së flamurit kuqezi në pjesën më të lart të kësaj kishe.
Në ditën e sotme mesha e Pavarësisë së Shqipërisë, si zakonisht i është kushtuar të gjithë dëshmorëve të kombit tonë të rënë gjatë të gjithë shekujve.
Gjatë meshës dom Pjetër Popaj, foli mbi ngjarjet kryesore të historisë së popullit shqiptar ndër shekuj, duke evidentuar majat kryesore të historisë së lavdishme të qendrës së pamposhtur të popullit tonë, kundër Perandorisë Otomane, e cila për shumë shekuj u mundua të asimiloje dhe zhduk nga harta trojet shqiptare dhe popullsinë etnike të saj.
Shqiptarët, brenda Perandorisë në fjalë, ndër të tjera dënime ishte se ato nuk kishin të drejtë të mbanin asnjëherë flamurin e tyre kombëtar, mbas kalimit në amshim të Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit më 1468… dhe deri më 28 nëntor 1912, kur zyrtarisht shqiptarët në Vlorë shpallën Pavarësinë e vendit tonë.
Po ashtu shqiptarët etnikë ishin të përjashtuar në përdorimin dhe mësimin në shkolla të gjuhës (shqipe) së tyre amtare për shumë dekada, gjë, që nuk kishte ndodhur historikisht ndër shekuj me asnjë shtet tjëtër të Ballkanit dhe vendet e tjera koloniale të Perandorisë islame asokohe.
Pikërisht, për këto arsye dhe për rezistencën e madhe që Perandoria e kohës hasi për 25 beteja dhe çerek shekulli kundër popullit të Arbërit, otomanët barbare islame morën hak, duke mos lejuar shqiptarët që të formojnë asnjëherë shtetin e tyre.
Dhe kjo ndodhi edhe për faktin se shumë shqiptarë, për arsye të etjes për pushtet dhe para, u shitën tek pushtuesit otoman dhe i shërbyen atyre deri në pozitat më të larta, sikurse është rasti i 39 kryeministrave (vezireve) me origjinë shqiptare dhe mijëra të tjere që shërbyen si deputetë otomane në Parlamentin që kishte nënshtruar me ligje dhe amendamente tokat e Arbërisë… dhe poste të tjera drejtuese dhe ushtarake në shtete koloniale të saj…
Në fund të predikimit të tij special me fjalë të ngrohta atdhedashurie në ditën e Pavarësisë, meshtari ynë shpirtëror, dom Pjetër Popaj uroj të gjithë besimtarët shqiptarë katolikë për shumë mot festën e Pavarësisë dhe mirëqënie dhe përparim të popullit shqiptar në trojet e veta etnike në Ballkan…
Pas meshës para kishës në fjalë të gjithë besimtarët dhe të tjerë të ardhur për të marrë pjesë në përkujtimin e kësaj dite të madh të popullit shqiptar, qendruan atyre kur filloi intepretimi i himneve të flamurit amerikan dhe shqiptar të intepretuar nga këngëtari i shquar maestro Gëzim Nika dhe Donika Uka, të shoqëruar edhe nga pjesëmarrësit e shumtë. Më pas u bë ringritja simbolike e një flamuri të madh mbi kanpanjelin e kishës katolike shqiptare, nga dy të rinj shqiptaro-amerikanë të veshur me kostume popullore shqiptare.
Tubimi i sotshëm u hap nga moderatori, shkrimtari Mhill Velaj, i cili, më pas ia dha fjalën përshëndetëse kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Shkodrës” bisnesmenit Ndrekë Tonaj.
Më pas Grupi Artistik “Rozafat” (që përfaqsohet nga një grup të rinjsh djem dhe vajza, të lindur dhe rritur në SHBA), i drejtuar profesionalisht nga koreografia Angjelina Nika, të veshur të gjithë me kostume shumëngjyrëshe popullore kombëtare të zonave të ndryshme shqiptare intepretuan disa valle të bukura popullore, si: Vallja e Mirditës, vallja e vajzave tropojane etj., dhe valle të tjera nga krahina të ndryshme të trojeve etnike amtare.
Festa e bukur e ngritjes së Flamurit shqiptar kuq e zi, në oborrin e kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, është ndjekur nga shumë besimtarë, sikurse edhe grupi i djemëve dhe vajzave të Grupit Arstistik Rozafat të vallëtarëve të Qendrës Kulturore Shën Nëna Tereza, pranë kësaj kishe.
Në sallën e Qendrës Kulturore “Shën Nëna Tereze”, u recituan disa poezi kombëtare, kushtuar 111-vjetorit të Pavarësisë nga fëmijët shqiptaro-amerikanë të lindur dhe rritur këtu në New York, si: Ronald Syku (me poezinë Shqiponja), Nikolas Hysaj (Flamuri kuq e zi), Henry Dedndrejaj (Gjuha shqipe), të përgatitur nga mesueset: Anila Syku dhe Liza Pllumbi

Prof. Gjon Frani Ivezaj gjatë fjalës së tij...
Prof. Gjon Frani Ivezaj gjatë fjalës së tij…
Dy fjalë për studiuesin Prof. Gjon Frani Ivezaj

Gjon Frani Ivezaj (1953), ka lindur më në Këshevë të Grudës të Malësisë së Madhe.
Ai është i biri i Fran Zefit, një familje shumë e njohur në Malësi për bujari, trimëri, fisnikëri tipike shqiptare brez mbas brezi.
Prej kësaj dere kanë dalë shumë burra të njohur, trima të fjalës dhe besës, pushkës dhe bujarisë, mikpritjes dhe urtësisë.
Gjyshi i tij Zef Prel Marashi, ishte shpata e përgjakshme kundër armiqve. Ai kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar kuqezi, në Istikamin e Deçiqit, si luftëtarë në kalanë e Rozafatit të Shkodrës në vitin 1907, në krah të Dedë Nikë Bajraktari të Grudës.
Për këto shërbime në nderim të atdheut, Ai është vlerësuar dhe nderuar me medalje të arta, të cilat ruhen nga trashigimtarët e familjes. Pra, nipat dhe stërnipat e Smajl Martinit të Grudës, Tringës së Smajlit e të tjerë më rradhë janë ndera dhe krenaria shembullore e Malësisë dhe derës Ivezaj.
Profesori, qysh në fëmijëri ka pas një pasion të zjarrtë për historinë e vendit dhe më gjerë, duke mbaruar njeri mbas tjetrit shkollën fillore (Arzë), të mesme dhe të lartë.
Prof. Gjoni e fillon shkollën e mesme në Ulqin dhe e mbaroi me sukses në Klinë të Kosovës.
Studimet e para universitare i bëri në Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe më pas vijon në Shkup, ku dhe diplomohet në vitin 1979-1980.
Në moshë të re fillon të merret me shkrime dhe hulumtime historike. Historia, është pasioni i tij i përhershëm.
Me kureshtje prej studiuesi të palodhur, ai ka hulumtuar në arkivat e shteteve të Europës dhe sidomos në: Athinë, Romë, Vjenë, Raguzë, Dubrovnik, duke qenë i interesuar shumë për njohjen më të thellë të periudhës së Ilirisë dhe para saj.
Prof. Ivezaj, ka shkruar shumë artikuj në disa organe të shtypit, që janë botuar në trojet etnike shqiptare dhe Amerikë.
Tematika e tij e preferuar ka qenë dhe mbetet historia dhe traditat e shquara të malësorëve dhe Malësisë gjatë shekujve.

Grupi Artistik “Rozafat”
Grupi Artistik “Rozafat”

I ftuari i nderit profesori i historisë Gjon Frani Ivezaj, mbajti kumtesën interesante me titull kuptimplotë: “Festa e Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë na mblodhi sërisht në Kishën “Zoja e Shkodres” në New York”,për të nderuar këtë ditë të shejtë të kombit tone, kur mbas 500 vjet robëri të sundimit të Perandorisë Islame Otomane, shqiptarët fituan pavarësinë me ringritjen e flamurit në Vlorë në 28 Nëntor 1912, nga ish deputeti i Parlamentit otoman për disa dekada plaku Ismail Bej Qemali me disa ish fuksionarë të tjerë të pushtuesve otomane dhe figurat e tjera origjinale të pavarura dhe të shquara shqiptare, si: Luigj Guarkuqi, dom Nikoll Kaçorri, Isa Boletini, ishte Kosova, Kraja e Ulqini, Plava e Gucia, Presheva, Medvegja, e Bujanovci, Shkupi, Dibra dhe Tetova, Tirana, Korça, Saranda, Shkodra e Çamëria me trimat e vet, ishte i gjithë kombi ynë i përbashkur në fe dhe atdhe për rreth Flamurit Kuqezi.
Prof. Ivezaj në hyrje të kumtesës së tij theksoi se “Kanë kaluar më shumë se një gjysëm shekulli nga dita e themelimit të Kishës katolike “Zoja e Shkodrës” në New York, e cila ka po kaq jetë aktive me veprimtari patriotike e humane me shqiptarët e për shqiptarët.
I tillë ishte edhe aktivitetiti tradicional kushtuar Festës së Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë me datën 28 nëntor 2023, i organizuar nga Këshilli i Kishës, në mesin e të cilëve pata nderin dhe privilegjin të shpreh edhe opinionin tim si dhe të bëj urimet e rastit, jo vetëm për të pranishmit këtu, por edhe për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, pasi sikurse dihet aktiviteti dhe jehona e tij shpërndahet në të gjitha mediat lokale dhe ato shtetërore.”
Në vijim ai u ndal në vetëdijën tonë kombëtare, ku, ne jemi krenar se i përkasim këtij populli, prej të cilit fatosat e lirisë ndër shekuj nuk kursyen as gjakun e tyre, për këtë flamur si simbol kombëtar dhe për ato troje tona të shtrenjta në vendlindje.
“Po kështu, në këtë datë të shënuar historike, përkujtojmë kryeheroin tonë kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin, ku me 28 nëndor të vitit 1443, ngriti për herë të parë në historine e këtij kombi dhe token e Arbërit Flamurin me Shqiponjën e zezë dykrenare në Kalanë historike të Krujës, ku valoi plot 25 vjet. Kryetrimi ynë Gjergji, deri sa kaloi në amshim luftoi me atë Flamur në dorë dhe kurrë nuk pësoi humbje për 25 vjet me radhë përballë Perandorisë më mizore otomane të kohës.
Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet.
Kujtojmë, se nën hijën e këtij Flamurit të kuq e zi Kryeheroi ynë kombëtar udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë asokohe.
Pas vdekjes së Tij (më 1468), pushtuesit otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe e ndaluan me dhunë valimin dhe përdorimin e flamurit, simbolit të identitetit etnik të popullit tonë.
U deshtën edhe 543 vite pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë eksode e zbrazie masive të trojeve të Arbërit.
Që prej asaj kohe trojet tona të lashta iliro-arbnore, asnjëherë nuk e humbën identitetin e tyre, por qendruan dhe luftuan heroisht me shekuj për mbrojtjen e trojeve shqiptare, prej armiqve tanë shumëshekullore, si: turqve, serbëve, grekëve, bullgarëve, malazezve, ku, fatosat e lirisë së Malësisë së Madhe, më 8 Prill të vitit 1911, në istikamin e Deçiqit me në krye heroin tonë kombëtar Ded Gjon Lulin, shpalosi nga gjoksi flamurin kuq e zi, dhe e ngriti për të dytën herë Flamurin e Lirisë, po atë flamur që ngritën mbi re trimat e Arbërisë me Skënderbeun, duke çarë qiellin gri të terrinave turke e më vonë ato serbo-malazeze, që si hije e zezë e kishte mbuluar tokën arbnore.”
Dita e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, është kurorëzimi me sukses i sakrificës së vazhdueshme të më shumë gjeneratave ndër shekuj, me synim krijimin e shtetit shqiptarë në trojet etnike e lashta shqiptare.
Kjo është një ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojmë. Gjithashtu, kjo ditë është dhe do të mbetet simbol i bashkimit dhe formimit të një shteti shqiptar, edhe pse të coptuar në shumë vende, por përsëri kemi një vend të krijuar, ku mund të jetojnë shqiptarët të lirë por jo të bashkuar.
Pavarësia u shpall, për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare. Ajo solli mjaft risi, ku së pari krijimin e një shteti të pavarur, një shteti, që sot njihet si vend i shqiponjave, si vend i burrave krenarë dhe punëtorë.
Ne jemi ndër popujt e rrallë, autoktonë, që jetojmë të copëtuar në shtete rreth e qark shtetit amë, jemi popull shembull, kur bëhet fjalë për tolerancën ndërfetare, jemi gegë e toskë, jemi shqiptarë që na bashkon një gjuhë, një flamur, një gjak.
Në mbyllje të kumtesës së tij prof. Ivezaj tha se: “E pse jo, duke falënderuar veçanërisht meshtarin tonë të nderuar dom Pjetër Popaj, për kontributin e tij, që jep për shqiptarët dhe shqiptaret, ku ai na bashkon të gjithë neve në një familje të madhe shqiptare kombëtare, duke festuar dhe kremtuar festat fetare dhe kombëtare.
Ai si gjithmonë është i palodhshëm për popullin dhe besimtarët shqiptarë këtu, ku në këtë kishë katolike organizon shoqata dhe simpoziume të ndryshme, ku e dhashtë Zoti dhe Perendia, që të jenë sa ma gjatë në kishën tonë, në familjet tona e në komunitetin shqiptar, ku është fatmirësisht personaliteti më i zgjuar, kleriku më i madh, dhe figura më e shtrenjtë në komunitet shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Atmosfera Festive e 28 nëntorit në New York
Atmosfera Festive e 28 nëntorit në New York
Dom Pjetër Popaj bekoi 28 nëntorin,
Festën e Pavarësisë të të gjithë shqiptarëve

Festa Flamurit nis nga 28 nëntori i vitit 1443, kur i kryetrimi dhe Heroi Kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës, e shkon deri te 28 nëntori i vitit 1912, kur Ismail Qemali ringriti flamurin në Vlorë dhe shpalli zyrtarisht Pavarësinë e Shqipërisë.
Dita e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 dhe Ringritja e Flamurit shqiptar Kuq e Zi, është festë mbarëkombëtare në trojet etnike, që i bashkon shqiptarët anë e mbanë botës rreth idealit dhe vlerave që përbëjnë identitetin e një populli e kombi dhe tregon udhën që kjo datë e rëndësishme e historisë kombëtare ka shenjuar, që nga flamuri i Gjergj Gjon Kastrioti më 1443 e deri te 28 nëntori i vitit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke përuruar kështu rrugëtimin si një shtet më vete, i shkëputur nga Perandoria Otomane.
Sikurse dihet, 28 nëntori nuk është një përvjetor i thjeshtë, është kremtimi i idealeve dhe vlerave themelore të jetës, që përbëjnë identitetin, kulturën e udhën tonë. Është kremtimi i të qenit tonë shqiptarë, pas shumë shekujsh gëzojmë e jetojmë në një shoqëri të pavarur e demokratike.
Kështu, sot më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me mirënjohje, krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria mizore islame otomane.
Për hir të së vërtetës historike, duhet thënë se Pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Xhihadiste Islame Otomane, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, pra, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vende e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme.
Më 28 nëntor tё vitit 1912, në Vlorë, u ringrit Flamuri dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar me 37 delegatë, por u deshën vite të tjera dhe përfaqësi në kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë dhe shtetet e kohës.
Një kontribut domethënës që çoi deri në shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve nga pushtuesi islam otoman, dhanë edhe prelatët dhe katolikët e urdhrave të ndryshme, që asokohe vepronin pa u lodhur dhe përkushtim për binomin Fe e Atdhe, mes grigjës së tyre shqiptare.
Lufta e Parë Ballkanike, ishte një luftë me synime të pastra grabitqare dhe pushtuese e Aleancës Ballkanike ndaj territoreve të popullit shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Greqi. Shqiptarët, sikurse edhe gjithë popujt tjerë të Ballkanit ishin të interesuar për t’u pavarësuar.
Rreziku nga shfarosja otomane islame dhe nevoja për mbijetesë kombëtare, vuri në funksion (aksion) veprimi shqiptarët atdhedashës në të gjitha viset dhe trojet e Shqipërisë etnike, pavarësisht nga shtresa apo niveli shoqërore dhe përkatësia fetare e tyre.
Mjerisht, me shpalljen e Pavarësisë formale, vuajtjet e shqiptarëve nuk morën fund, sepse shqiptarët nuk arritën të bashkohen, si një trup i tërë e i pandarë.
Në ditët tona, në të gjithë trojet etnike shqiptare, shumë shtëpi, rrugët, lagje dhe qytete dhe fshatrat janë mbuluar me flamuj kuqezi dhe drita shumëngjyrëshe, ku atmosfera kudo është festive, ku njerëzit janë të lumtur dhe krenarë kur e vendosin flamurin kuqezi, simbolin trimërisë dhe lirisë së tyre.

Autori i shkrimit Klajd Kapinova ne diten e 28 Nëntorit 2023
Autori i shkrimit Klajd Kapinova ne diten e 28 Nëntorit 2023
Mesazhi përshëndetës

Në fund të tubimit përkujtimor historik, kisha katolike dhe dom Pjetër Popaj shtruan një koktej me meny të pasur shqiptare për pjesëmarrësit e takimit. Gjatë bashkëbisedimit me dom Pjetrin, aktivisti i komunitetit tonë, shkrimtari dhe publicisti Tomë Mrijaj, njëherazi edhe Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë të Prizrenit, i përcolli mesazhin përshëndetës, për ditën e Pavarësisë, që Lidhja Shqiptare e Prizrenit me qendër në New York me kryetar aktivistin e mirënjohur të komunitetit tonë Ismet Sadik Ukë Berisha.
Në mesazhin e kryetarit Ismet Berisha, të cili e përcolli studiuesi Tomë Mrijaj, ndër të tjera thuhet, se: “LSHP përgëzon kishën dhe meshtarin e nderuar dom Pjetër Popaj për përkujtimin e përvitshëm që bën me besimtarët e tij shqiptarë të Ditës së Pavarësië dhe ringritjes së flamurit kombëtar shqiptar për herë të dytë në Vlorë pas atij të ngritur me gjak dhe dëshmor në kodrën e Deçiqit në Malësi, të drejtuar nga fatosi i lirisë trimi i pamposhtur Dedë Gjon Luli me trimat e tij të vendosur për liri dhe pavarësi. Ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë kontributin e madh pararendës të malësorëve tanë trima që e kanë luftuar me armë në dorë taborret e ushtrisë mizore otomane dhe ngritën me krenari për herë të parë në të gjithë historinë e popullit shqiptar pikërisht flamurin e kuq e zit ë kryetrimit të Arbërit Heroit Kombëtar, Gjergj Gjon Kastriotit.”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.