back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Pak poezi për ata që marrin detin… nga Jozef Radi

Gazeta

Libri Fletorja e Vjeshtës 2011
Libri Fletorja e Vjeshtës – 2011

 Pak poezi për ata që marrin detin…

nga Jozef Radi

Nga libri “Fletorja e Vjeshtës” 2011

Në ciklin e fundit të librit “Fletorja e Vjeshtës”,
tema e emigracionit ze nji vend mjaft delikat…
Para disa ditësh nji miku im që punon kamionist, e që e ka lexuar librin
në fjalë më kallzoi se mban atë, atje në shtratin e kamionit.
Nji dite më telefonoi e ndër të tjera më tha se:
“Kur kam pak kohë të lirë kthehem, e ndalem te libri jot dhe gjej aty diçka ngushlluese…
dhe sidomos asht nji poezi e mrekullueshme… dhe ai filloi me ma recitue, poezinë
“ky qytet asht i pasun prej detit/ po ndjehet i vorfën prej njerzve të krypës…”
Me thanë të drejtën u ndjeva pak në vështërsi, sepse pothuej e kisha harrue…
Ai jo vetëm ma bani të freskët e të gjallë, po shtoi se:
“ksaj poezie ia ke lujtë zotin… asht e mrekullueshme”.
Meqë isha në telefon, e mos me e vazhdue habinë e shkula shpejt librin prej etazheri
dhe u ndala pak ma gjatë te poezia në fjalë, e me at rast rrëshqita edhe ndër poezi tjera…
E falenderova mikun tim… për leximin dhe ai me falenderoj
për at frymë ngushllues që kishte gjetë te vargjet e mia… e kështu u ndamë…
Me librin në dorë, mendova se nja katër pesë poezi të këtij cikli,
të gjitha të lidhuna me emigrimin pse të mos ishin me nji faqe më vete në sit…
edhe sikur nji njeriu të vetëm t’i vinin në ndihmë, quhet misioni i kryem i nji poezie…
Kështu ai ma shtini n’mendje me e lexue edhe të tjerë..
jozef radi, 11 shtator 2013
.
Ancona - Molle Vanvitelliana naten
Ancona – Molle Vanvitelliana naten

***

ne zbritëm ndër qytete me kangë majekrahu
i shkundëm blegërimat ndër xhepe autostradash
e vramë krejt nji pyll n’emën t’nji fyelli
e çka ruejtëm me shekuj, na mjaftoi veç nji ditë…

***

gjithçka shitet e blehet n’merkaton e dimnit;
shiten zogj e peshq dekorativë
blehen lule e gra dekorative
shiten burra të dekoruem
me hallate që u peshojnë ma shumë se hallet.
blehen lojtarë, prostituta, gjela deti
shitet shkumë shampanje me shishe, e mbushen
gota shpirtnash t’zbraztë n’dolli pakuptim,
blehet marramendja e zjarrit të ndrrimviteve,
e dashnitë e mërdhime t’nji kohe t’ikun kahera
riciklohen ekranesh si flakë t’amshueme…

e humba e fillin n’kët rrokopujë shitblemjesh
e humba edhe at pak dashni t’mshehë ndër sqetlla
e s’di, ns’e me pare dalëboje, blehen dashni t’përdorme…

Mali dhe Riviera i Coneros - Ancona
Riviera e Coneros – Ancona

***

ju jeni mbrenda, ne jemi jashtë…
ne afrohemi ngadalë me hy mbrendë,
ju vërtik n’kambë dilni jashtë,
na vështroni njashtu shtrembtë sikur thoni
“prap ju këtu, e ç’dreqin kërkoni!?”

ne hyjmë mbrenda ju mbrenda jeni
as gjuhën e fjalës, as ftesën e uljes s’e gjejmë
atëherë dalim jashtë si të tepërt, si t’huej
ndjekun ngado me heshtje të vranët…

-Kur s’ka vend mbrenda, pse hyni mbrendë,
pse s’rrini jashtë, kur aq mirë jeni jashtë!
E mos na trazoni me dëshira braktisjesh,
na mjaftoni e ju duem veç si “Money gram”

***

pimë or pimë në terr të natës
shishe shprazim n’shpirtin bosh
veç nji zjarr që i friket flakës
na mbledh bashkë e na heq osh,

veç nji kangë e zvargun nate
qan nën qiell pa nji sy drite,
pimë or pimë larg tokës, vatrës
botë e mbytun, qesh ndër shishe…

***

gjithçka ndjej
e vuej
n’nji gjuhë të vetmueme
t’shkrueme tejet vonë,
n’nji gjuhë pa sivllazën pa simotra
n’nji gjuhë shpirtnash rrebelë
e të panënshtruem
deri n’marri…

mendoja se nji dashni e madhe
mund të jetojë n’lumni
edhe n’kët gjuhë të vogël
e të mbulohet me dritën e saj…

ne dolëm prej nji gjuhe të vogël
e hymë të trembun
ndër gjuh’t e mëdha t’kësaj bote
pa përbuzë
pa shpërfillë asgja,
e s’di pse fjal’t tona t’dashnisë
na u banë pak ma t’ambla
ndër gjuhët e gjetuna…

tash e kuptoj
se n’tana gjuhët e botës
të kam dashtë,
pse dreqin m’u desht me t’përçmue
n’dialektin ma t’ashpër
të maleve të mia…

Porto Novo  dhe Conero - Ancona
Porto Novo dhe Conero – Ancona

***

ky qytet asht i pasun prej detit
po ndjehet i vorfën prej njerzve të krypës
që ia grryejnë edhe gurtë e rrugës…

ky qytet bien shpejt e çohet herët
krehet me gishta e rruhet rrallë
e kurrë s’gjen kohë m’u kqyrë n’pasqyrë ,
ky qytet pa mbrapanicë e pi kafen n’kambë,
e n’kambë mrrot tri vaktet
e në kambë si kali flenë
e n’kambë si dhia dhitet
e për gja n’botë s’koritet.

ky qytet majekodre me k’sula guri
kaherë m’u rrin shtrojë lodhjeve,
e sa herë në nevojë i lypi diçka
m’kallzon brrylin…* dhe detin pafund…

(*ancon – në gjuhë dore do te thotë brryl)

***

kthehen peshkatarët të lodhun prej peshkut
 
deti n’sy u ka mbetë, era ndër flokë të shprishun
dhe bregu u fanitet si trup i etun grueje
 
kodrat në muzg si gjinj të Stamirës u duken
peshkatarëve të lodhun kur kthejnë prej peshkut…
 
mos vallë e kanë gjuejtë peshkun me shpirt jo me rrjeta!
 
kthehen peshkatarët të bjerrun prej peshkut
n’muzgun e mbushun me klithma pulbardhash…
(Stamira – hyjneshë shpëtimtare e qytetit me gjinj përjashta)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Jam i një mendjeje me mikun tënd shofer, që poezitë e tua i mban në makinë dhe i shfleton herë pas here.
    Janë vërtet mbresëlënëse, dhe ngacmojnë ndjenjat e gjithsecilit… qe ka ndjenja. Vlerësoj mesazhet që jep, ndërtimin e goditur të vargut me një strukturë të thjeshtë sintaksore si dhe fjalorin e përzgjedhur me fjalë si gurët e rëndë që zenë vend në themelet e ndërtesës që lartësohet.
    Nuk të kisha lexuar më parë poezi kaq të embla, të ndjera e të drejpërdrejta.
    Të vlerësoj për gjithçka që na paraqet si në publicistikë edhe në krijimtari letrare. Vazhdimisht suksese, miku im!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.