back to top
25.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

“O e Bukura More” – Historia e Këngës Shqiptare 600 vjeçare

Gazeta

Grup arbëresh këngësh e vallesh nga San Costandini
Grup arbëresh këngësh e vallesh nga San Costandini

“O e Bukura More”

Historia e Këngës Shqiptare 600 vjeçare

Përgatiti Lirio Nushi

Kënga “O e Bukura More”,
shpreh kujtesën dhe mallin e një atdheu të humbur,
ajo është një toponim i këtij vendi
nga ku u larguan shumica e arbëresheve të sotëm të Italisë.
Eshtë ndoshta kënga më e vjetër shqiptare, prej 600 vjetësh
ajo mbetet e gjallë akoma edhe në ditët tona
e vjen të na rrëfejë nostalgjinë e madhe,
po edhe sekretin historik
të krijimit të komunitetit arbëresh të Italisë.

[youtube]https://youtu.be/MR8SzO3ZK1A[/youtube]

Kjo këngë mërgimi, kaq e njohur dhe e dashur jo vetëm për Arbëreshët, por edhe për Arvanitët e Greqisë dhe Shqiptarët e të gjitha trevave, përmban në vetvete pothuajse gjithë sekretin historik të krijimit të fshatrave të arbërëreshëve të Italisë.
Por shumë pak e dinë se kujt i kushtohet ajo…!
More! – është nji pasthirmë…? A është nji vajzë e bukur…?!
-Jo!
More – është Peloponezi i sotëm i Greqisë! Nji trevë e madhe të cilës grekët i kanë ndryshuar emrin nga More në Peloponez, dhe kënga “O e Bukura More”, memorizon kujtesën dhe mallin e një atdheu të humbur, Ajo është nji toponim i këtij vendi, nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

Valle të etnisë arbëreshe në Itali
Valle të etnisë arbëreshe në Itali

Kjo është ndoshta Kënga Më e Vjetër Shqiptare që mbetet e gjallë akoma edhe në ditët tona, e që vjen të na rrëfejë nostalgjinë e madhe, por dhe sekretin historik të krijimit të komunitetit arbëresh të Italisë.
Dokument i kësaj kënge për herë të parë gjendet në Dorëshkrimin e Kieutit – Botim i vitit 1708, më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tij filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1866. Në këtë lëndë është publikuar teksti i kësaj kënge i shkruajtur në shqip, por me alfabet grek.

[youtube]https://youtu.be/0dZqKAdAVC4[/youtube]

“O e Bukura More”
“O e bukura More/ çë kur të lje (lasçë)
më nigjë të pe/ atje kam unë zotin-tatë
atje kam u mëmëm time/ atje kam u tim vëlla
O e bukura More/ çë kur të lje (lasçë)/ më nigjë të pe.

Ky tekst burimor-popullor me ritëm tresh, është i vetmi version dhe tekst origjinal i këngës “O e Bukura More”. Nuk dihet se kush arbëresh i këndoi për të parën herë këto vargje kaq të thjeshta, por që mbeten gjallë në kujtesë dhe këndohen po me të njëjtën dhimbje edhe sot e kësaj dite.
Botim i këtij libri u realizua në Itali në vitin 1866, nga shtëpia botuese “F. Albergueti E. C.”, libër i cili mban si titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Comparata Sulla Lingua Albanese” përgatitur me shumë kujdes nga filologu i Madh Arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), duke pasur për bazë Dorëshkrimin e Kieutit (1708).

Dhimitër Kamarda (1821-1879)
Dhimitër Kamarda (1821-1879)

Por si dhe pse u larguan arbëreshët e sotëm nga trojet e tyre, nga Moreja (Peloponezi sotëm), dhe nga Arbëria, (Shqipëria sotme), si u krijuan katundet arbëreshe në Italinë e Jugut?
Me rënien dhe pushtimin e Koronit (1534), Kala që ndodhet edhe sot e kësaj dite në More (Peloponezi i sotëm), perandori Karli i Tretë, i dha urdhër Kapitenit Andrea Doria që të marri grekë dhe arvanitë-arbërorë nga Moreja, dhe t’i vendosë ata në Italinë e Jugut. Kjo përbën në të vërtetë fillimin e krijimit të fshatrave arbëreshe, por edhe grekëfolse të Italisë së Jugut. Në këto momente të shpërnguljes së tyre arbëreshët kënduan ndoshta për herë të parë këngën: “O e Bukura More” me mall dhe vajtim.
Shqiptarët e parë që vinin nga Arbëria – (Shqipëria e sotme), u vendosën në Kalabri dhe në Siçili, mbas ftesës së Mbretit Alfons i Tretë të Aragonës, bëhet fjalë për luftëtarë shqiptarë të cilët u vendosën përfundimisht dhe me familjet e tyre në Kalabri dhe Siçili për të ndihmuar përforcimin luftarak të Mbretit Alfons në përpjekjen e tij për të mbytur revoltat dhe Lëvizjet e Andegavnonit kundra tij.
Pra krijimi i këtyre fshatrave kishte karakter ushtarak.
Në vitin 1461, vetë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – Kryezot dhe i Plotëfuqishm i Arbërisë (Shqipëria e sotme), me një trupërojë të madhe dhe të fortë luftëtarësh shqiptarë, do të luftonte në përkrahje të Ferdinandit, djalit të mbretit Alfons kundër Andegavnonit të Italisë së Jugut dhe princit të Tarantos, dhe për këtë ndihmë dhe përkrahje ushtarake si shpërblim atij ju dhuruan dy feude në Pulia të Italisë.
Kjo popullatë e pasuroi dhe populloi pjesën e shkretuar të kësaj zone dhe njëkohësisht e rrethoi atë ushtarakisht duke krijuar kështu një pjesë territoriale të mbrojtur.

Festa e Pashkëve te Arbëreshët
Festa e Pashkëve te Arbëreshët

Pak para vdekjes së Skënderbeut (1467), por kryesisht mbas vdekjes së tij (1468) dhe rënies e pushtimit të Krujës nga Turqit (1478), një turmë e madhe shqiptarësh dhe në kushte dramatike do të largoheshin për në Itali. Ata do të vendoseshin në fshatrat tashmë të ngritur shqiptare duke krijuar njëkohësisht edhe fshatra të reja.
Të tjerë shqiptarë u vendosën në Italinë e Jugut me urdhërin dhe bekimin e Skënderbeut si dhe djalit të Joanit (Gjonit) në dy feudet e Pulias që i pat dhuruar Ferdinand në Galatina (1845).
Një pjesë tjetër shqiptarësh ndoqën nga pas Irini Kastriotin, e cila u martua me princin Bisingano në Kalabri.
Numri i kësaj popullate duhet të ketë qenë shumë i madh pasi krijoji një zonë përfundimtare me një fizionomi të vetën gjuhësore, kulturore dhe tradicionale duke krijuar kështu fshatrat e sotëm arbëresh të Italisë.
Shqiptarët Katolikë të ardhur nga Shqipëria e Veriut që u vendosën në Italinë e Jugut, u përshtatën shpejt me gjuhën, kulturën dhe fenë e vendasve italjanë, ndërsa shqiptarët që kishin shkuar nga Shqipëria e Jugut dhe Arvanitët-Arbërorë të Moresë që nuk ishin katolikë po ortodoksë, pavarësisht nga kundërshtimet dhe imponimet e peshkopëve vendas italjanë, ruajtën të veçantat e kulturës dhe të zakoneve të tyre dhe fenë e ritualin ortodoks bizantin, dallim i cili duket akoma edhe sot e kësaj dite. Duke bërë që besimi fetar ortodoks bizantin t’i dallojë ata nga vendasit.
Gjuha e shumicës së Arbëreshëve të Italisë ka shumë ngjyrime dialektale, por si bazë ka dialektin toskë që flitet në Shqipërinë e Jugut dhe me të njëjtën ngjashmëri të gjuhës që flasin Arvanito-Arbërorët e Greqisë.
Prania e fjalëve greke është e ndjeshme dhe kjo ka ndodhur për shkak të kohës së madhe të bashkjetesës së tyre me grekët gjatë Perandorisë Bizantine. Shumë prej këngëve arbëreshe përputhen me Morenë, dhe shumë toponime të tjera në këto zona sikurse Koroni, Nafplio, Korintho… etj.
Sot koha dhe ndryshimet kanë bërë të vetat dhe në mënyrë të pashmangshme hapa të mëdhenj, por nuk kanë mundur të zhdukin apo ta pluhurosin këtë të veçantë që ka ky minoritet shqiptarësh arbëresh, me gjuhën, traditat, kulturën, zakonet, legjendat e tyre, duke përbërë tashmë një pasuri dhe turizëm laografik për këto zona.

Vallja arbëreshe e Frasnitës
Vallja arbëreshe e Frasnitës

Mbi 52 fshatra janë të regjistruara dhe të njohura institucionalisht nga shteti italian si minoritete shqiptare dhe dy gjuhëshe. Emrat e këtyre fshatrave sipas vendndodhjes janë: Firmoza në Kalabri, Dandalli në Kalabri, Barilli në Baszilikat, Këmbarini në Molise, Garrafa në Kalabri, Karfici në Kalabri, Kazallveqi në Pulja, Kastërnexhi në Kalabri, Kejverici në Kalabri, Qana në Kalabri, Qefti në Pulja, Çivëti në Kalabri, Kuntisa në Siçili, Purçilli në Kalabri, Fallkunara në Kalabri, Farneta në Kalabri, Ferma në Kalabri, Frasnita në Kalabri (katundi arbëresh ku jeton studjuesi dhe patrioti i madh Antonio Belushi), Zhura në Bazilikat, Katundi në Kampanja, Ungra në Kalabri, Maqi (katundi i De Radës) në Kalabri, Marçidhza në Kalabri, Allimarri në Kalabri, Mashqiti në Bazilikat, Munxhufuni në Molis, Puheriu në Kalabri, Hora e Arbëreshëvet në Siçili, Pllatëni në Kalabri, Porkanuni në Molis, Shën Vasili në Kalabri, Shën Benëdhiti në Kalabri, Strigari (fshati i poetit të madh Arbëresh Zef Serembe) në Kalabri, Shën Konstandini në Bazilikat, Shën Mitri (qendra më e madhe kulturore e Arbëreshëve ku zhvillohet çdo vit festivali i këngës Arbëreshe) në Kalabri, Sënd Japku në Kalabri, Mbuzati në Kalabri, Shën Mërtiri në Kalabri, Shën Marcani në Pulja, Shën Kolli në Kalabri, Shën Pali në Bazilikat, Picilia në Kalabri, Sëndastina në Siçili, Shën Sofia në Kalabri, Spixana në Kalabri, Ruri në Moliz, Vakarici në Kalabri, Vina në Kalabri, Badhesa në Abruzo, Xingarona në Kalabri… etj.
Problematika që ngrihet në ditët e sotme është nëse arbëreshët duhet të ruajnë të folmen e tyre të vjetër apo nji përshtatje me rikodimin e shqipes së sotme? Si, dhe kush mund të ndihmojë për mbrojtjen e këtyre vlerave dhe këtij thesari të pazëvëndësueshëm me origjinë dhe rrënje shqiptare. Pasi këto zona edhe pse gjenden në bashkjetesën e një vendi që ndodhet brenda komunitetit europian sikurse është Italia, vazhdojnë të mbeten zonat më të varfëra të Italisë dhe investimet për mbrojtjen e këtij thesari laografik nga shteti italian janë të papërfillshme.
Kënga, “O moj e bukura More”, mund të bëhet edhe Himn Kombëtar! Ajo përdoret nëpër mjaft në tubimet e mërgimtarëve. Sepse vetëm ajo e tregon thellsisht domethënien e mallit për vendlindje!
http://kosovare.forumotion.com
korrik 2008

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.