Jeta dhe teatri i një ish-komunisti… që u persekutua Aktori dhe regjizori Xhemal Broja – nga Elsa Demo

0
11
Xhemal Broja dhe e shoqja Selfixhe Ciu
Xhemal Broja dhe e shoqja Selfixhe Ciu
Xhemal Broja dhe e shoqja Selfixhe Ciu
Xhemal Broja dhe e shoqja Selfixhe Ciu

Jeta dhe teatri i një ish-komunisti… që u persekutua

Aktori dhe regjizori Xhemal Broja

nga Elsa Demo

Gjithë çfarë ruhet në formën e kujtimeve nga Xhemal Broja, ndodhet në një shtëpi të vjetër të vogël në Rrugë të Dibrës, në Tiranë. Nuk janë larg asaj ndërtese që shpeshherë me hipokrizi quhet “tempull” nga njerëz që ngrenë supet t’i pyesësh kush ishte Xhemal Broja për Teatrin. Pas një muaj mbushen plot 20 vjet nga vdekja e një prej krijuesve të Teatrit Popullor, që bashkë me strehën e aktorit ngriti dhe një ngrehinë dijesh mbi teatrin dhe historinë e këtij arti, atëherë kur ¾ e popullsisë ishte analfabete. Është e sigurt se askujt nuk i ka rënë ndërmend të kujtojë bashkë me Brojën edhe një aradhë bashkëkohësish të tij, kjo edhe për një arsye të thjeshtë. Ndërsa në Teatrin tonë Kombëtar ngulet këmbë për një repertor të dramës shqiptare dhe për një identitet më së shumti shqiptar të teatrit, ka vite që himnet u këndohen aktorëve, duke spostuar vëmendjen nga dramaturgët dhe dramaturgjia e vërtetë apo nga ato personalitete që ndihmuan për të pasur praktikisht dhe teorikisht një teatër nacional.
17 shtatori mund të kishte pak orë in memoriam për Xhemal Brojën në një kënd të Teatrit. Për të kujtuar me këtë rast edhe jetën e intelektualit që i ngjante një drame fatkeqësisht të përkryer. Mund të ishte një rast për të kujtuar se janë gjallë dhe me emër të madh në publik disa nga persekutorët e çiftit Broja dhe të ngjashmëve të tyre për nga fati nën diktaturë.
Lazër Radi mes nji grupi shokësh e IV B në Fushë të Shtojit - Shkodër 19 shkurt 1935
Nji grup gjimnazistesh e IV B – Fushë Shtoj – Shkodër 19 shkurt 1935 (Xhemal Broja i pari majtas)
Xhemal Broja u lind më 24 mars 1918, në Shkodër ku ndoqi gjimnazin françeskan në vendlindje dhe më pas studimet për drejtësi në Grenobël të Francës. Aty ndiqte njëherësh kursin e letërsisë dhe dramaturgjisë. Në këtë periudhë aktivizohet në lëvizjen e Partisë Komuniste Franceze. Kur u pushtua Shqipëria më 1939, të rinjtë antifashistë shqiptarë me studime në Francë protestuan bashkë me ata francezë përballë konsullatës italiane.
Aty Xhemal Broja hartoi dhe mbajti fjalimin e rastit. Për arsye financiare ndërpret studimet në Grenobël për t’i vazhduar në Itali përkrah shoqes së tij Selfixhe Broja (Ciu) dhe Qemal Stafës, siç i shohim të tre bashkë në këtë foto të kohës. Edhe këtu vijon angazhimi antifashist sa vendos të ndërpresë studimet dhe të kthehet në Shkodër, ku çifti hap një librari që rrezaton kulturë dhe patriotizëm mes të rinjve.
Mbas demonstratës së 22 shkurtit të vitit 1942, të akuzuar si organizatorët kryesorë, i arrestojnë të shoqen, ndërsa burri kaloi në ilegalitet dhe hidhet në zonën e Postribës ku krijohet një bërthamë partizane e cila më vonë bëhet batalioni “Perlat Rexhepi”.
Në gusht të vitit 1944 e deri në çlirimin e vendit ai drejtoi teknikën e shtypit ilegal. Ndërkohë që ishte anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacional Çlirimtar të Qarkut.
Prirjen për teatër e kishte shfaqur qysh në adoleshencë, sidomos me ardhjen e profesor Skënder Luarasit në gjimnaz. Drama e tij e parë titullohet “Spiuni” dhe u shfaq me sukses në disa qytete të vendit. Drama tjetër “28 nëntori” u pezullua, por siç dëshmon e shoqja në kujtimet, Xhemali ishte një natyrë optimiste dhe nuk dekurajohej lehtë.
Pas luftës u thirr në Tiranë për organizimin e Teatrit Popullor ku punoi për 20 vjet si drejtor e dramaturg dhe njëherësh kontribuoi në organizimin e teatrove të tjerë të Operës e Baletit, Teatrit të Kukullave dhe atyre në rrethe. Nuk mund të lihet mënjanë ndihma e madhe që ai ka dhënë në Institutin e Lartë “Aleksandër Moisiu” për përgatitjen e studentëve në kushtet e mungesës totale të teksteve. Dhe për këtë flet më poshtë një ish student i tij, aktori i njohur Timo Flloko, i cili e kujton si pedagog të Historisë së Teatrit Botëror, dramaturg të njohur në atë kohë, autor i “Majlindës” dhe veprave të tjera, si erudit universal.
Broja arriti të përpilonte tekste si Mjeshtëria e aktorit, Historia e Artit Dramatik, Metodika e artit teatral, Fjalori teatral, Historia e teatrit shqiptar, Historia e Teatrit Botëror, etj.
Si dramaturg shkroi dramat Nën okupacion, Përleshja, Bajram Curri, Majlinda, Rrënjë të thella. Ka përkthyer vepra si Shkolla e burrave, Zëvendësi, Valsi i Titanikut, Qeni i kopshtarit, vepër e përkthyer në bashkëpunim me të shoqen, një pjesë e të cilave kanë mbetur në sirtarët e institucioneve ose në arkivën familjare.
Sashenka Gjergji e bija e Brojave tregon se gjithçka ka mbetur në dorëshkrimin e të atit. Ka marrë disa herë iniciativën për të botuar sidomos tekstet që ai ka hartuar për historinë e teatrit dhe mjeshtërinë e aktorit, por botuesit kërkojnë para.
.
Xhemal Broja, e shoqja, Qemal Stafa
Xhemal Broja, e shoqja, Qemal Stafa
Në këtë kënd të arkivës së Brojës ndodhen skedat e grumbullura për historikun e c të Operës e Baletit, Kinostudios si dhe përmbledhje fjalësh të urta të njerëzve të shquar, anekdota popullore, kujtimet individuale të cilat nuk arriti t’i përfundonte. Në kujtimet e Selfixhe Brojës, një nga gazetaret e para që shkruante me pseudonimin Kolombia, tregohet qartë se si ndodhi që ata, burrë e grua e më vonë dhe me fëmijët, të goditeshin papushim nga regjimi.
Më 23 mars 1946, të dy u përjashtuan nga partia si “armiq” të saj dhe nuk vonoi t’i shpallnin agjentë të misionit amerikan. Vazhdimisht të mbikëqyrur ata vendosën të vetizoloheshin për të evituar ndonjë kurth që nuk mund të ishte i pashmangshëm. Në janar 1947, i internojnë në Kurvelesh. Pas prishjes me jugosllavët iu hoq masa e internimit. I çuan fillimisht në Elbasan dhe më pas në Tiranë, ku shumë të tjerë si ata, të rehabilituar i besonin “kthesës”. I qarkullojnë në Kuçovë. Nuk i kishin harruar armiqtë e vjetër. Në 1966 i internojnë sërish, bashkë me vajzën 15-vjeçare në Sektorin Gradishte të Lushnjes si bujq ku u rropaten baltrave të Myzeqesë.
Selfixhe Broja kujton t’i ketë thënë një ditë Xhemali ndërsa mosha e shtyrë dhe tumori e kishin vënë përfund: “Kam një kallo brenda shpirtit, një brengë që varri s’do të ma tresë. E këtë jo vetëm për zhgënjimin tim e tuajin, por për gjithë shokët e miqtë, për gjithë të persekutuarit nga diktatura, për vendin e për popullin, para të cilit ne ish-komunistët duhet të përulemi e t’i kërkojmë falje, sepse kemi vënë edhe ne një gur në themelet e këtij sistemi skëterror.” Nga ana tjetër Selfixheja sa ç’është dëshmitare e kësaj faljeje që kërkon ish-komunisti, aq edhe dëshmon ku me emra e ku me iniciale informatorët dhe hijenat e persekutimit. Çdo gjë është e qartë. Ata njerëz ishin dhe janë mes nesh, ndonjë syresh i përkiste dhe të afërmeve të qarqeve akademike.
Kjo grua dëshmon se në prag të çlirimit kur Xhemal Broja u pyet nëse do të ndiqte profilin ushtarak apo civil, u përgjigj: “Do të mbetem qytetar i thjeshtë”.
.

Bibliotekë e gjallë e dijeve nga Timo Flloko

Xhemal Broja për ne ishte një formë e tjetërsuar e secilës prej tragjedive, një sintezë cilësore e tyre, biblioteka e gjallë orale e dijeve, mbase edhe një bashkëkohës i Eskilit, Sofokliut, Euripidit. Jo, sigurisht, s’qe realist i tillë, por pa dyshim për të gjithë brezat e studimeve, ai ishte një model i përkthyer i kulturës, një personalitet i padiskutueshëm. Të gjithë leksionet e tij i kam ndjekur me një interes të veçantë. Ora e leksionit ishte një ekskursion retrospektiv në kohën e botën ku të çonte. Stili dhe dijet e tij rridhnin natyrshëm në një shtrat të gjerë informacioni, ashtu si shtrati i një burri nga vëllimi i madh i prurjeve… Nuk kisha kurrfarë njohje për dramaturgjinë e teatrit. Lënda e letërsisë botërore që kishim bërë në gjimnaz përfshinte shumë pak dramaturgë. Aty nga mesi i vitit, i afrohem dhe i them: “Profesor me Greqinë e lashtë mbarova. I lexova të gjithë autorët”. “Bukur, – më thotë me dashamirësi. -Tani pushto Romën”. Në provimin e qershorit dola mirë dhe ai u kënaq nga përgjigja. “Në kulturë mbetet gjithmonë diça pa thanë…, kështu po të vë nëntë. Je i kënaqur? – më pyet. “Po, profesor, shumë i kënaqur – i them”.
“Dhjeta i takon jetës, Timotheo”.
.
Marrë nga Gazeta “Shekulli” 17 gusht 2006

Related Images:

Artikulli paraprakNji ditë në shtëpinë e Dr. Ymer Dishnicës – nga Dr. Lazër Radi
Artikulli tjetërSi mund t’ia shkulje Frankos kitarën nga duart?! – nga Adriatik Riza Dosti
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.