
Një rrëfim poetik nga Ardita Jatru”
me shënim nga Vlora Ademi!
Nuk kam shkruar ndonjëherë poezi.
Ka qenë një rënie e lirë e qenies,
në mënyrën më të thjeshtë.
Dhe si e tillë, m’u krijua bindja
që çdo gjurmë shprehëse
është po aq poetike
sa një palë sy
në agoni.
Sepse mendja ime
është një hamall transporti,
që nuk kapërcen veten
përtej asaj që i është dhënë.
E pakta më qetësuese
është rendi që vendos
pas kaosit që lënë të ftuarit,
i përzier me doza lumturie,
me sjellje prej ushtari
apo të një qeni të trajnuar mirë.
Nuk kam shkruar ndonjëherë poezi.
Kam vetëm dhuntinë
të zbukuroj të shëmtuarën
kur mbyll sytë.

Vlora Ademi
Poezi thellësisht introspektive që mbart nji ndjeshmëni të rrallë, tipike alla arditajatruiane.
Ti edhe pse thua “nuk kam shkruar ndonjëherë poezi”, vetë teksti asht nji dëshmi e të kundërtës – nji meditim mbi natyrën e krijimtarisë, mendimit dhe ndjesisë.
Ka nji ndjenjë të mbrendshme përplasjeje mes realitetit të ftohtë dhe përpjekjes për me e kuptu apo, si thue ti vetë, me e zbukuru përmes fjalës.
Pra në mënyrë krejt të veçantë e të ndjeshme bie në sy vargu:
“Kam vetëm dhuntinë/ të zbukuroj të shëmtuarën/ kur mbyll sytë.”
– si nji përkufizim i dhimbshëm dhe i bukur i artit, madje edhe si mënyrë për me e përballu botën.
Marrë nga Muri i FB, Ardita Jatru, 29 prill 2025