![Nëpër teh t'nji andrre](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2015/11/abbraccio.jpg)
Rrëfim: Shpesh poezinë e shkruej ndër çaste vlimi e mandej përpiqem paksa me e harrue
ose e thanë pak ma ndryshe “e la me u ftofë”!
Dikur i rikthehem dhe rifutem mbrenda shpirtit të saj
dhe përpiqem me e rijetue at çastin e llavës…
Po ndodh që poezia diku më mshehet e s’e gjej ma
o si në kët rast, që m’ka ndodhë te e njejta poezi
të jem ndalë dy herë me e korigjue, n’kohna të ndryshme
me gjendje shpirtnore të ndryshme,
dhe veç tash mbrrij me kuptue që edhe pse thelbi asht i njejtë
ngjyrosjet kanë fitue secila nji të veçantë të vetën
aq sa më vjen keq me i gjykue cila asht ma e mira!
Poezia e maposhtme asht nji trajtë e këtyne rrethanave pune!
Nëpër teh t’nji andrre
Poezi (në dy variante)* nga Jozef Radi
Ia krisa shplakë natës dhe gjumit,
zbathun ndër qiej u lëshova,
me nji frymë që s’di: ishte imja a jo?!
U përbirova n’nji terr të tmerrtë largësie;
shalova do re t’zymta e t’përçuda si dragoj,
veç me iu avitë paksa dritës s’dy syve,
veç me e ledhatue me gishta shikimesh
veç me e çilë paksa at trup të ndrymun andrrash,
e njashtu ambël me e lmue e me rrëshqitë si krue
ndër do flokë të derdhuna shelgjishte…
Iu luta frikës t’mos ma trembë at marri,
dhe andrrës n’gjunjë i rashë si mëkatar
veç me m’u ba strehë për nji natë t’vetme…
Për njat natë, veç për nji natë t’vetme
i kapërceva krejt humnerat qiejve,
me flatra dëshirash të ndezuna n’gjoks
u lshova, me prekë dritën hyjnore t’nji trupi…
S’e di a e ndjeu ndokush ardhjen time,
a mbrritjes sime ndokush i kish besue?
Gjithë dyert e asaj bote të zhytun në terr
i gjeta, peng ndër lloza e dryna t’ndryshkun…
Askush s’më kish pa e askush s’më kish ndje,
kur zbrisja majgishtash n’tempullin e heshtjes
veç fëshfërima e petkave që lëmonin gurët
e do kopsa që u kputën si gjethe vjeshte,
mandej si hanë u shfaq nji siluetë grueje
mbështjellë me mjegull… dehun me natë,
e gjithçka përreth u ba e shurdhtë e verbën…
e njashtu i lëbyrun drite, e kundroja
at trup të dalun andrre. Me sy e preka,
me l’kurë e mollza gishtash e ndjeva t’vërtetë!
S’di i dhashë a i mora ma shumë dritë;
s’di n’se fjalët e mërmërime gjetën kuptim a jo,
s’di nëse ato duer të zgjatuna somnambuli
prekën ndokënd o ndoj statujë lashtësie;
s’di asgja; veç nëpërmendesha se hyja e dilja
prej nji andrre n’nji tjetër si ndër xhepat e mi,
isha gjymtyrue i tani si nji pyll i djegun
që mkambet sa hap e mbyll sytë
i çmendun ndër shina vjeshte…
dhe mbeta n’at përqafje që s’di në ishte a jo,
n’at langzim shpirtnash e trupash që dehen
e digjen nën nji dritë të mekët kristaline…
Kqyrja njat brerore gruaje që dilte prej kutisë magjike,
e derdhesh mbi çorodinë e syve të mi
e rrufiste terrin e natës si t’ishte kafja e dekës!
Përpëlitej kupqiella e krejt nji bote aty
përpëlitej bota e krejt nji nate aty
e na kqyrte si e marrë me sy yjesh,
pa e kuptue as ajo vetë se ç’ka ndodhte…
Dikur s’vonoj e drita nisi me zbardhë.
e fsheha n’at grue gjithçka prej andrre kisha
e gjithçka t’andërrt kishte, e vodha prej saj,
iu msheha nën qepallat e mbylluna dhe fjeta,
e si hajn treta asaj nate, trishtimin e moskthimit
e bana qylym fluturues për ikjen time…
Pa trokitë kisha ardhë e pa lamtumirë po ikja;
kisha jetue natën që s’përsëritet kurrë ma;
natën që jepet pakkujt i jepet, e ndokujt asnji herë,
si provë që n’jetë s’ka asgja të pamundshme:
as hapsina, as kohë dhe as rrugë të pafundme…
ka veç njerëz që s’dinë me e mbrritë njeni tjetri,
edhe kur duhen marrzisht, njashtu si ka plot të tjerë
që e mbrrijnë me aq lehtësi te njeni-tjetri
edhe pse mes tyne jetojnë egërsisht humnerat…
2013-2014-2015
![mbështjellë me mjegull... dehun me natë,](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2015/11/strada-di-notte.jpg)
Nëpër teh t’nji andrre (nji variant i dytë)
Ia krisa shplakë natës dhe gjumit
e zbathun vrik qiejsh u lëshova
me nji frymë që s’di n’ishte imja a jo!
U përbirova n’nji terr të tmerrtë largësie;
shalova do re t’zymta e t’përçuda
veç me iu avitë paksa drit’s dy syve të njelmtë,
me e ledhatue veç me gishta shikimesh
njat trup të lëmuem prej andrrash pafundme,
e njashtu ambël me rrëshqitë si prrue
ndër ata flokë të derdhuna si shelgje…
Iu luta frikës t’mos ma trembë njat marri,
dhe gëzimit i rashë ndër gjunjë si mkatar
me m’u ba strehë veç për nji natë… njat natë…
![Prag nate...](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2015/11/A_Dark_Starry_Night_Wallpaper_by_s3vendays-1024x819.jpg)
Veç për nji natë të vetme, nji natë që t’mos mbaronte kurrë,
shalova qiej të lashtë e humba n’humnera terri,
me flatra dëshirash të flakta fluturova
u lshova n’turravrap dritës hyjnore t’nji trupi…
e s’di n’se e ndjeu ndokush ikjen time,
a mbrritjes sime ndokush i kish besue?
Gjithë dyert e njasaj bote ishin zhytë n’terr
e peng ndër lloza t’ndryshkun e n’dryna kish mbetë…
kërkush s’më kish pà e kërkush s’më kish ndje,
kur ecja majgishtash n’tempullin e heshtjes
veç fëshfërima e petkave që lmonin mermerin
dhe do kopsa që u kputën si gjethe vjeshte,
mandej si hanë u shfaq nji siluetë grueje
me aq mjegull mbështjellë… sa dhe natën e dehu,
gjithçka rrotull u ba shurdhane, e heshtun, e mpakun…
e njashtu i lëbyrun drite kundroja
njat trup të hikun andrrash, me sy ia prekja floktët,
me lëkurë e mollza gishtash e ndjeva t’vërtetë!
S’di, a i dhashë a ma shumë i mora dritë;
s’di nëse fjalët n’mërmërimë patën kuptim a jo,
s’di nëse ato duer të zgjatuna somnambuli
prekën ndokënd të gjallë o ndoj statujë lashtësie;
s’di asgja; veç nëpërmendesha se hyja e dilja
prej nji andrre n’nji tjetër si duert ndër xhepa t’mi.
Isha gjymtyrue i tani, si nji pyll i djegun
që nis mkambet saora hap e mbyll sytë
i çmendun prej shinave t’nji vjeshte t’vdekun…
dhe treta n’at përqafje që s’di në ishte a jo,
n’at langzim shpirtnash e trupash që dehen
e digjen n’nji dritë të mektë kristaline…
Dhe kqyrja njat brerore grueje n’at kuti magjike,
që derdhesh me çorodi ndër sytë e mi
e krejt terrin e zi e rrufiste si t’ish kafja e fundit!
Dhe hana e mbarë nji bote përpëlitej njaty…
e na kqyrte si e marrë gjithkah,
pa e kuptue as ajo vetë çka ndodhte…
Dikur s’vonoj, e drita nisi me zbardhë.
i fala asaj gruaje gjithçka prej andrre kisha
e gjithçka t’andërrt kishte prej saj e mora,
iu msheha nën qepalla të mbylluna dhe fjeta!
E si hajn treta njasaj nate besimhumbun
e qiejt qylym ia shtrova ikjes sime…
Pa trokitë kisha ardhë e pa lamtumirë po shkoja;
kisha jetue natën që s’përsëritet kurrë dy herë;
natën që pakkujt i jepet e pakkush e mbrrin,
njat provë që n’jetë s’ka asgja të pamundun:
as hapsina, as kohë dhe as rrugë të pamunduna…
ka veç njerëz që s’dinë me e mbrritë njeni-tjetrin,
edhe kur marrzia vjen me trajta dashnie, o plot tjerë
që e mbrrijnë me aq lehtësi sho-shoqin
edhe pse mes tyne përjetë jetojnë humnerat…
2013-2014-2015
![Jozef Radi 2015](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2015/09/12041736_10206637185841048_621606687_n.jpg)
Në të dyja trajtat dhe kohët, mbetet një poezi e arrirë, ku shpirti ka folur vetëm me një gjuhë,atë të ndjenjes… E pak rëndësi ka nëse kjo ka ndodhur në ëndërr a është jetuar vërtet. Gjithsesi është përjetuar…