back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Nëpër faqet e historisë së klerit katolik” – Libri në faqet online të kompanive Amazon, Barnes and Noble

Gazeta

Klajd Kapinova - Nëpër faqet e historisë së Klerit Katolik
Klajd Kapinova – Nëpër faqet e historisë së Klerit Katolik
Nëpër faqet e historisë së klerit katolik”
Libri në faqet online të kompanive Amazon, Barnes and Noble

Vepra modeste, është fryt i një pune shumëvjeçare, qysh nga koha kur autori punonte si redaktor në revistën kulturore fetare dhe popullore shkodrane “Kumbona e së Dielës” (themeluar nga Kardinal Mikel Koliqi në vitin 1942) në Arqipeshkvinë Metropolitane në Serreq, Shkodër, në vitet 1991-2002, së bashku me dy miqët e tij imzot Zef Simoni, Ipeshkev Ndihmës në Arqipeshkvinë Metropolitane dhe studiuesin e shquar shkodran Kolec Çefa, të cilëve u ka kushtuar artikuj nderimi dhe respekti, në faqet e këtij libri. Libri ka 594 faqe dhe shumë foto me ngjyra, që botohen për herë të parë. Literatura e pasur e përdorur për hartimin e librit në fjalë, është në disa gjuhë të huaja dhe ka shumë fusnota dhe dokumente historike, që publikohen për herë të parë. Libri, është shtypur me standarte dhe cilësi bashkëkohore amerikane nga miqtë e tij në New York dhe California.
Për ta porositur librin në Barnes and Noble duhet të klikoni këtu:https://www.barnesandnoble.com/w/book/ 1144464610?ean=9798218330538
Tomë Mrijaj

Klajd Kapinova
Klajd Kapinova

Autori shqiptaro-amerikan Klajd Kapinova në librin e ri: “Nëpër faqet e historisë së klerit katolik”, trajton temat e larmishme historike të krishtërimit ndër shqiptare, si: histori kishe, figurat e klerit katolik ndër vite, hulumtimin dhe analizën e disa prej tyre, reçensione mbi librat e klerikëve katolikë, shkruar ndër vite dhe këndvështrime të reja, në të gjithë veprën e tij të re voluminoze.
Ai e fillon librin me disa momente historike të persekutimit të hierarkisë kishtare, të prelatëve dhe klerit katolik, duke dhënë faqe pas faqeje episode shifra dhe fakte konkrete nga burime historike shqiptare dhe të huaja.
Më pas ai e fillon veprën hulumtuese shumvjeçare, duke e përshkruar nënën humaniste në një këndvështrim të ri historik, sipas burimeve botërore dhe më së shumti amerikane, për shqiptaren etnike Gonxhe Bojanxhi.
Shkrimtari ynë, i shqetësuar nga historitë e pakëndshme që ndodhin shpesh me veprime te turpshme kontradiktore me realitetin në trojet shqiptare mbi figurën, jetën dhe veprën e Shenjtneshes, qysh kur ka lindur në qytetin e Shkupit të Maqedonisë Veriore, është rritur dhe është dorëzuar si murgesh qysh në moshën e adoleshencës (në shërbim të Zotit dhe popullit të Tij), Ajo asnjëherë nuk ka mbajtur burqa, një veshje karakteristike e vendeve sheriatiste ekstreme islame otomane, arabe dhe në rajonin e Lindjes së Mesme.
Autori ynë i prekur nga fakti absurd mbi ngritjen e një statuje turpi, fatkeqsisht realizuar me qëllim ose aksidentalisht nga një “artist” shqipfolës, skulptori e paraqet turpërisht Gonxhen tonë para botës shqiptare dhe mbarë njerëzimit sikur Nënë Tereza nuk është shqiptare etnike, por arabe apo otomane, me etnicitete dhe veshje këto tipike dhe klasike orientale, që s’kanë asnjë histori lidhjeje me zakonet e lashta brenda territorit etnik iliro-arbëror-shqiptar.
Ajo ishte një person i dashtun për të gjithë, sepse ndihma e Saj me përkushtim për të sëmurët, nevojtarët, të pastrehët, hapja e shkollave dhe zhdukja e analfabetizmit, ndikuan që e gjithë bota të njohë shpirtin human të shën Nënë Terezës.
Shën Nënë Tereza e Kalkutës, përmes veprave pozitive, edhe njherë u tregoi të gjithëve, që përmes përkrahjes, vullnetit jemi më afër Zotit.
Pikërisht figurës brilante të kombit tonë dhe mbarë njerëzimit me emrin e shenjtë shën Nënë Tereza, autori i librit të ri Kapinova i ka kushtuar edhe një libër me titull: “Engjëll vuatjeje dhe shprese” (2002).
Autori, duke bërë paralelizëm mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ai tregon faktin se Nanë Teresa është “Qytetare Nderi” e SHBA-së dhe ka marrë në Shtëpinë e Bardhë vlerësimin më të lartë, që jep shteti amerikan, me titull: “Medalja e Lirisë” nga Presidenti republikan Ronald Wilson Reagan.
Studiuesi shkruan: “Duke shëtitur me kujdes në disa kisha katolike në Bronx, New York dhe shtete të tjera të SHBA-së, kam parë shumë piktura murale me tematikë shqiptaren e madhe të përmasave botërore, të cilat i kam fiksuar me aparat fotografik dhe ndoshta ka ardhur koha t’i bëj publike, për bashkatdhetarët tanë në vendlindje, lexuesit dhe biografët e shquar të humanistes së famshme shën Nënë Terezës etj.”
Butësia, buzëqeshja, identifikohen me devocion ndaj asaj shtrese më të varfër midis më të varfërve, më të përbuzur, midis të përbuzurve, më të uritur midis të uriturve, njerëzve të braktisur si mbeturina të mbeturinave nga familja, komuniteti, të afërmit e tyre dhe shoqëria në këtë planet.
Ajo, u shtriu dorën e ngrohtë të përjetshme të mirësisë kristiane dhe shpirtit të pastër human. Të varfërit e shumë shteteve të botës së tretë dhe disa vendeve të zhvilluara, të braktisurit përgjithmonë në rrugë prej shumë vitesh, i mori në krahët e saj të ngrohtë human.
Por ajo që është interesante në vepër, është përshkrimi për herë të parë i vizitës së Saj të parë në Shqipëri më 23 gusht 1989, dhe rrëfimi special i ish të persekutuarit politik shkodranit Marçel Hila.
Aty mësojmë se Ajo ku u prit nga e veja e diktatorit ateist diktatorit Enver Hoxhës, Nexhmije, ministri i Jashtëm Reis Malile, Ministri i Shëndetësisë Ahmet Kamberi, Kryetari i Kuvendit Popullor Petro Dode dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e partiakë, duke vendosur më pas një buqetë me lule në varrin e diktatorit Enver Hoxha si dhe vendosi një kurorë në statujën e Nënës Shqipëri, tek vorrezat e deshmorëve të kombit shqiptar.
Shumë shqiptarë dhe shtresa e ish të persekutuarve politikë asokohe protestuan dhe nuk kanë qenë dakord me këtë veprim të humanistes sonë Nënë Tereza.
Arsyeja mësohet se ka qene fakti, se varri i diktatorit Enver Hoxha lëkundej dhe toka dridhej sikur të kishte xhind brenda tij. Kjo shpiegohet me faktin se edhe pse mbrohej nga ushtarë dhe një officer (24/7 për 365 ditë të vitit) të gardës së republikës shqiptare, sërisht varri sikurse tregojnë ushtarët vibronte dhe dukej sikur nxjerrte nga brendësia klithma të frikshme…
Mbas vizitës tronditëse të Nënë Terezës në Shqipëri mbi varrin e diktatorit Hoxha, humanistja ka pësuar një goditje në zemër, e cila e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së Saj.
“Ne kishim frikë se ai ishte spiun”, thotë Hila. Megjithatë, një ditë ushtari i ardhur nga Garda e Republikës i rrëfeu arsyen e vërtetë përse e kishin ulur në gradë.
Poeti Kombëtar Atë Gjergj Fishta o.f.m., është një temë e preferuar e shumë studiuesve shqiptar sot në vendlindje dhe diasporë, sepse ai ishte i pari që hapi klasat qytetëse, duke futur gjuhën shqipe në mësim, në kohën që ishte emëruar drejtor i shkollës fillore françeskane.
Më pas poeti i madh nacionalist Fishta, ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (1908), si dhe themelon dhe drejton deri sa mbylli sytë revistën e njohur kulturore-shkencore “Hylli i Dritës” në Shkodër, në vitin 1913 si dhe hapi Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisën të dalin rregullisht periodikë cilësorë të shtypit fetarë katolikë dhe me përmbatje të mirëfillta kulturore në qytetin e Shkodrës, që asokohe dhe deri më sot mbahet si djepi i kulturës mbarëshqiptare traditë të cilën e ruajti vazhdimisht ndër shekuj, etj.
Kur eshtrat e tij, ishin pajtuar me lumninë e pasosun, ndodhi ai akti absurd më antinjerëzor, kur zhvarroset nga regjimi ateist dhe antishqiptar i Enver Hoxhës, ashtu sikurse kishin vepruar turqit me eshtrat e arqipeshkëvit imzot Pjetër Bogdanit autorit të “Çetës së Profetëve”, serbët me babain e grumbulluesit të zellshëm të kodifikimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit atë Shtjefen Gjeçovit o.f.m. dhe së fundi përsëri komunistët shqipfolës eshtrat e Dedë Gjò Lulit fatosit trim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe (më 6 prill 1911), të cilat mizorisht dhe me përbuzje i hodhën menjëherë në ujërat e ftohta të lumit Drin.
Publicisti ynë bashkëkohor, ka një pasion të veçantë për historinë si disiplinë humane dhe rrëfimin shumë shekullor të zhvendosjes së afreskut mrekullibërës të Zojës së Këshillit të Mirë nga qyteti antik i Shkodrës, në drejtim të dheut latin në Genazzano të Italisë.
Ai shkruan, se: “Historia e saj, është vetë historia e katoliçizmit ndër shqiptarë, e cila, me vdekjen e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit, më 1468, nisi udhën ose kalvarin e mundimeve në kryq. Duke mos parë asnjë rreze shprese nga këta njerëz pushtues barbarë islam otomanë, populli shqiptar iu drejtua qiellit: mbushte tempujt e shenjtë, shumëfishonte lutjet shpirtnore publike, mbante kreshmë të rreptë dhe i lartësonte Hyjit premtime të çdo lloji, që ta ndalte fatkeqësinë e zemërimit të tij.”
Si bashkautorë me autorin e këtij libri në disa libra monografik kushtuar liderit fetar dhe atdhetar të komunitetit tonë shqiptaro-amerikan dom Anton Kçira, sërisht në këtë vepër në disa tema të veçanta rreth kësaj figure, studiuesi e ka zbardhur me detaje gjithë jetën dhe veprën e madhe në shërbim të komunitetit tonë në SHBA të atdhetarit meshtar.
Asokohe mësojmë se familja e tij etnike shqiptare bënte një jetë mesatare ekonomike. Ajo ishte një familje shumë e përparuar katolike gjakovare për kohën, në të cilën gjithmonë kultivohej me traditë dhe krenari dashuria dhe respekti për Atdheun dhe devocioni tradicional fetarë shumëshekullor katolik.

Dom Pjetër Popaj, gjatë fjalës së tij
Dom Pjetër Popaj, gjatë fjalës së tij

Hulumtuesi Kapinova e përshkruan kështu ambentin atdhetar dhe fetar të familjes Kçira: “Edukata atdhetare e fetare, të cilën prindërit i dhanë vazhdimisht Antonit të vogël dhe prirja e tij qysh fëmijë për t’i shërbyer thirrjes së Zotit, bënë që tek ai të lind dëshira e madhe dhe e përjetshme për t’i shërbyer Zotit, gjë e cila u bë realitet shumë vite më vonë… në rininë e tij. Jeta dhe zhvillimi i ngjarjeve historike ecën me shpejtësi edhe për familjen e personazhit të studimit tonë dom Antonit…
Sot, në shekullin XXI, në Kosovë janë më shumë se 100 shtëpi, të cilat mbajnë mbiemrin Kçira. Banorët e saj edhe pse ndodheshin 9 kilometra larg Shqipërisë deri në vitin 1990 kanë qenë të privuar të vizitonin tokat e të parëve të tyre.”
Patrioti dhe bariu i mirë i grigjës së vet, ka ndihmuar me strehime dhe ushqime, me mijëra të shpëngulur dardanë, gjatë eksodit biblik të vitit 1999 drejt shtetit amë, për t’i shpëtuar makinës ushtarake shfarosëse serbe, ku, autori i këtij libri ka qenë dëshmitar okular, në shumë qendra të sistemit të tyre, pranë kishës katolike, në qytetin e Shkodrës.
Të gjithë ne, që jetojmë dhe punojmë prej shumë vitësh në Amerikë, e dimë se pa inisiativën dhe mbështetjen e pakufishme të këtij meshtari të përkushtuar, për Fe e Atdhe në Detroit, qysh nga viti 1989 dhe deri më 2011, nuk do të ishin bërë shumë mitingje, demostrata, grumbullime fondesh për çeshtjen shqiptare të Dardanisë, ndihmën e pakursyer direkte për Shqipërinë, popullin e masakruar martir dardan në vitin 1999, kur dihet, se ky klerik patriot, shumë kohë më parë ka qenë “persona non grata”, për ish Jugosllavinë titiste, si i përndjekur politik, për ta vrarë dhe zhdukur me gjithë familje.
Një requiem të vonuar për mikun dhe studiuesin e kulturës dhe klerit katolik Kolec Çefën (1937-2021), në shenjë mirënjohje dhe respekti, që i buron nga zemra e tij për njerëzit e kulturës studiesi Kapinova, i ka përkushtuar shkrimin studimor edhe kolegut të tij, i cili dy vjet më parë kaloi në amshim.
Kultura e madhe e studiuesit Kolec në zbardhjen e kontributit të klerit dhe elementit katolik, ishte një dhunti dhe talent, që u fik shpejt nga kalimi i tij para kohe në amshim.
Mons. Zef Simoni Ipeshkëv e kishte Kolecin si një këshilltar të sinqertë, me vizion, kulturë dhe njeri me zemër shumë të mirë, me cilësi dhe virtyte pozitive tipike të një shkodrani etnik shembullor.
Njohja e thellë e historisë, kultura e pasur dhe e thellë, letërsia dhe figurat brilante historike të klerit dhe elementit katolik ndër shekuj, ishin një pasion, që i buronte natyrshëm nga thellësia e pastër e shpirtit fisnik qytetar shkodran.
Personaliteti im i preferuar meshtari dhe lideri i shquar e i paharruar mons. dr. Zef Oroshi, rivjen mbas shumë viteve para komunitetit shqiptaro amerikan, me një libër origjinal të mirëfilltë atdhedashës, me titull kuptimplotë: “Log Kuvendit në trinomin Fe-Atdhe-Perparim” (New York, 2019).
Pikërërisht për këtë autori Kapinova, në librin e tij vlerëson se: “Është e rëndsishme të theksohet, se ndërsa në Shqipëri dhe në vendlindjen e tij Mirditë (Orosh), nuk është shkruar mbas viteve 1990, asnjë libër mbi historinë e tij plot kalvare vuajtjesh, që fillon nga vendlindja e tij dhe deri në diasporë, këtu dhe më saktë në SHBA dhe shtetin e New York-ut, janë shkruar pesë libra, nga aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro amerikanë Tomë Mrijaj, një studiues dhe publicist zemërmirë nga Klina e Kosovës, ku të gjitha i ka shkruar dhe botuar me shpenzimet e veta personale.
Fatmirësisht, sot është ngritur në qytetin historik të Lezhës (e cila sot popullohet nga një komunitetit shumë i madh i ardhur nga krahina e Mirditës) dhe hijeshon krenar busti (përmendore) nderimi dhe respekti për jetën dhe veprimtarinë e bashkatdhetarit të tyre, më të shquar të botës shqiptare në vendlindje dhe diasporën e SHBA-së, i cili pa ndërprerje deri sa kaloi në amshim nuk e hoqi nga mendja, zemra dhe goja vendlindjen e tij të lavdishme dhe dashur të Oroshit, kur dihet se ai është figura më e madhe dhe e rëndësishme e klerit katolik në Mirditën e Derës së famshme të Kapidanëve, shumëshekullor, i cili, me pushkë në dorë iu prini çetave nacionaliste kundër komunizmit në malet e krahinës së tij, asokohe dom Zef Oroshi dhe më vonë prelati i shquar imzot dr. Zef Oroshi, ku ai bëri histori, duke themeluar Kishën e Parë Katolike Shqiptare në Amerikë “Zoja e Këshillit të Mirë” sot “Zoja e Shkodrës”.
Ky libër voluminoz dhe shumë serioz, me shkrime të karakterit historik, kulturor, shkencor, enciklopedik, tradita, zakone, gjuhësor e kulturor etj., u botua në Jubileun e 50-vjetorit të kalimit në amshim.
Një tjetër studim interesant, është paraqitur me shumë kulturë dhe nivel të lartë përshkrimi nga autori në përkujtim të shkrimtarit geg imzot Zef Simoni (1928-2008) Ipeshkëv, që u dha dritë përjetësie vëllezërve të tij në Krishtin, përmes refleksioneve për disa librat në vitrinën e botimeve shqiptare dhe jeta e bariut shpirtëror mes kalvarit të mundimeve.
Monsinjor Zef Simoni Ip., i përket atij brezi klerikësh katolikë, i cili edhe pse vuajti jo pak në burgjet komuniste dhe u torturua në mënyrën më ç’njerëzore, do të gjente forca të mbijetonte dhe pas ardhjes së demokracisë si hierark do të vihej në shërbim të kishës katolike të Shkodrës.
Për më tepër, portreti i tyre plot madhështi e merita konkrete njerëzore e devocioni të vazhdueshëm fetarë zbresin në rreshtat e librit në mënyrë të natyrshëm, përmes pendës së shkrimtarit nga lartësitë qiellore, ku ato pushojnë për të biseduar me grigjën apo popullin e tyre, me brezat, që me dashurinë popullore i mbajtën përherë në gji.
Si mik i hershëm i familjes Simoni në qytetin e Shkodrës, shkrimtari Kapinova, po me këtë dashuri dhe respekt të thellë tregon edhe për vëllain e imzot Zef Simonit Ipeshkëv në jetë dhe Krishtin dom Gjergj Simonin (1933-2022), cili ishte portreti i martirit të fundit të gjallë, duke rrëfyer për herë të parë episode të jetës së tij dhe ofron edhe një vështrim mbi librin me vjersha e poezi “Lule dhe gjak”, mbasi ishte edhe redaktori dhe shkruesi i parathënies së poezive të meshtarit të paharruar.
Dhe autori vlerëson, se: “Frymëzimi apo fryma, që përshkon anë e tej vjershat dhe poezitë e dom Gjergjit, është sa e padukshme dhe aq e pranishme njëherësh, duke u përfshi natyrisht në letërsinë e traditës së shkrimtarëve klerikë katolikë gegë, treve të plleshme, që lëvruan me sukses në shumë gjini artistike shkrimore.”
Me shumë kënaqsi lexuesi mund të kundroj analizën sintetike të autorit mes dy intelektualëve disidentë brilantë shqiptaro amerikanë: Prof. Arshi Pipa dhe mons. dr. Zef Oroshi.
Sikurse dihet këtu në New York, se prof. Arshi Pipa (1920-1997) dhe mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), janë dy intelektualë gegë erudistë cilësorë të kalibrit europian dhe amerikan; njëri nga qyteti antik Shkodra, ndërsa tjetri geg stoik dhe largpamës nga Mirdita zëmadhe e Oroshit, të Kapidanëve shtatëshekullor të Mirditës (1416).
Pipa-Oroshi, ishin miq të ngushtë të idealeve antikomuniste, patriotë konservatorë, për gjuhën, letërsisë të traditës së shkollës dhe kulturës zëmadhe gegë, lëvrues pasionantë të palodhur të gjuhës së ëmbël shqipe geg, që flet me pak ndryshime nën dialektore nga ¾ e popullsisë shqiptare në trojet etnike iliro-dardane.
Duke ndjekur nga afër gjithçka që është shkruar dhe po botohet në anglisht për figurën e Nënë Terezës, autori, në këtë libër ka ofruar dy autorë amerikanë, që kanë shkruar një libër për humanisten e madhe botërore, duke analizuar dhjetë parimet udhëheqëse të Të Lumes Nënë Tereza, në një libër të ri nga Ruma Bose & Lou Faust: “Nënë Tereza CEO” (2011, Berrett-Kohler Publishers, Inc. San Francisco, California), f. 127.
Studiuesi Kapinova shtron pyetjen retorike se: Si e ndërtoi një murgeshë, që kurrë nuk mori ndonjë arsim formal në biznes një organizatë kaq mbresëlënëse globale!!!?
I sinqertë, realist dhe i bazuar në praktikë, stili i udhëheqjes së Nënë Terezës ndihmoi në frymëzimin dhe organizimin e njerëzve në mbarë botën.
Nënë Tereza, mund të ketë qenë një shenjtore, por suksesi i saj spektakolar nuk ishte produkt i Providencës Hyjnore. Gjeniu i Saj ishte në thjeshtësinë e vizionit të Saj dhe përkushtimin e Saj për zbatimin e Tij.
Kjo ishte në mënyrën shumë e mirë, se si Ajo i trajtonte njerëzit e Saj, duke refuzuar të distancohej nga puna e përditshme e një motre tipike të Misionarëve të Bamirësisë.
Autorët amerikanë, vijnë para publikut vendas me një libër shumë serioz dhe cilësor në përmbajtje, për të cilin kanë shkruar artikuj vlerësues gazetat e njohura amerikane Finanacial Times, New York Post, etj.
Sipas studiuesit Kapinova, është rast i vetëm, që një meshtari katolik shqiptar këtu në New York t’i përkushtohet një festival kombëtar tradicional shqiptar.
Dhe këtë histori, për herë të parë e zbardh shumë bukur autori dhe gazetari i palodhur i komunitetit tonë Klajd Kapinova, kur shkruan mbi mons. dr. Zef Oroshin dhe sofrën e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve popullore në New York, duke riktheksuar se prelati ynë Oroshi ishte themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA, duke kontribuar gjithë jetën plot devocion për kishën dhe grigjen e tij shqiptaro-amerikane.
Kisha dhe kleri shqiptar, do ta pësonte më shumë nga gjenocidi komunist dhe kalvarin e mundimeve me persekutime, duke i dhuruar sot kombit tonë mbi 38 martirë elteri të kishës.
Më 31 maj 2023, Qendra Kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në New York, përkujtoi 45-vjetorin e krijimit të grupit të parë artistik Rozafati, në Qendrën Katolike Shqiptare Zoja e Këshillit të Mirë në vitin 1978 në New York.
Dihet se institucionet e hershme të artit dhe kulturës në Shqipëri e kanë pasur zanafillën e tyre nga kisha katolike, gjë që dëshmohet nga burimet e shumta historike ndër shekuj.
Sipas dëshmive historike, del se në diasporën shqiptare në SHBA dhe posaçërisht në shtetin e New York-ut dhe rrethina në këto përgatitje si gjithmonë rol të rëndsishëm kanë luajtur klerikët: mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), imzot Rrok Mirdita (1939-2015), dhe dom Pjetër Popaj sot.
Sofra muzikore dhe koreografike kulturore në vitin 2022, fatmirësisht iu përkushtua bariut shpirtëror brilant mons. dr. Zef Oroshit, që gjithë jetën punoi si misionar i Krishtit, pa u lodhur për komunitetin shqiptaro-amerikan deri sa kaloi në amshim.
Kujtojmë, se ky shkrim me autor studiuesin Klajd Kapinova si editorial, është botuar në librin-broshurë të Festivalit XXX, që u mbajt në vitin 2022 në Bronx, New York, dhe më pas edhe në numërin special të revistës “Jeta Katolike”; kushtuar personalitetit të shquar të diasporës së SHBA-së prelatit katolik mons. dr Zef Oroshit, realizuar nga Shoqata “Trojet e Arbërit” me qendër në Prishtinë në vitin 2022; gjatë Simpoziumit Shkencor Historik, kushtuar figurës së prelatit imzot dr. Zef Oroshit, mbajtur në e qytetin historik të Lezhës në Shqipëri, si dhe në disa gazeta e revista në Kosovë dhe disa shtete dhe website në Europë dhe SHBA.
Për ta porositur librin në Amazon.com duhet të klikoni këtu: https://www.amazon.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.