back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Monumentet e Kulturës – nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Monumenti Pavarsisë në Vlorë
Monumenti Pavarsisë në Vlorë

Monumentet e Kulturës

nga Agim Xh. Dëshnica

Një grumbullim i madh njerëzish, si rrallë ndonjëherë, u shfaq zhurmshëm në Qafën e Pazarit, nën hijen e kalasë legjendare. Gazetat jepnin lajmin e rëndësishëm se Gjirokastra ishte përfshirë në listën e monumenteve të kulturës botërore. Në kafenenë e Nikos, përplot me klientë, kishin zënë vend edhe profesor Rexha nga Kosova e inxhinier Bardhi. Biseda e tyre e shtruar sillej rreth qytetit të gurtë.
-Ja, më së fundi, u realizua ëndrra e zgjatur ndër vite si ankth! – tha buzagaz profesori – Mendoj se banesat gjirokastrite janë përmendore të historisë sonë.
-Në këtë arritje një meritë e veçantë ju takon edhe juve, zoti Rexha! – ia ktheu inxhinieri.
-Nuk jam në një mendje me ju, inxhinier! Vetë Gjirokastra ishte vendimtare, sigurisht edhe përpjekja e bijve të saj.
-Megjithatë, – tha Bardhi, – unë dhe kolegët e mi, në ato vite trysnie, nuk mundëm t’i shpëtonim disa objekte fetare me vlera të rralla artistike. Kur punoja në Komitetin Ekzekutiv, na e merrnin kohën shpesh, duke na dërguar në fshat për koçekë e qymeze pulash.
-E di! Ke të drejtë! Fatkeqsisht ashtu ndodhte.
-Jo vetëm kaq, se ne ndjenim një hije të padukshme, që na ndiqte ngado këmba-këmbës!
-Mos pyet! Si në Shqipëri, edhe në Kosovë, e njëjta gjendje ka qenë!
Inxhinier Bardhi, ndër të tjera, tregoi ç’i kishte ndodhur njëherë:
-Mesa më kujtohet, ishte korrik. Unë dhe tekniku Feçor Rrapi shkuam në fshatin Bularat. Udhëtimi zgjati disa orë në këmbë.
-Kam qenë atje. Është vend shkëmbor e i thyer Bularati.
-Po! Ne duhej të shikonim disa ndërtime të kooperativës. Por, qëllimi im i vërtetë qe fotografimi i manastirit sipër në mal. Kështu, si mbaruam punë, muratori i kantierit të atjeshëm, Koço e quanin, na ftoi në shtëpinë e vet, me një mënyrë që dukej sikur lutej: “Na urdhëroni për një kafe, po deshët!” Nuk ia prishëm. Ai, njeri i mirë, por i varfër, na e shtroi me shpirt e me zemër. Pra, hëngrëm drekën te Koçua, pimë edhe nga një kafe dhe u larguam nga fshati. Rrugës hipëm në një makinë të rastit dhe arritëm në Gjirokastër. Të nesërmen, më thirri në zyrë zëvendës-kryetari. Pa ma zgjatur dorën, në prani të shefit të kuadrit, më tha:
“Ulu! Ku ishit dje?”
“Në Bularat, në këshillin e fshatit, për disa çështje koçekësh! – i thashë. – Bëra edhe disa foto të manastirit atje!”
“E përse na hyjnë në punë fotografitë e tua me kisha, xhamira e mure të shembura bejlerësh?”
“Unë i bëj ato fotografi sipas programit shkencor!” – iu përgjigja.
“E kush e paska miratuar atë program?”
“Ata që drejtojnë shkencën në Tiranë!”
“Ashtu!? – Si u mendua pak, tundi kokën dhe vazhdoi: – Mirë! Këtë çështje e lëmë me kaq! Pastaj?”
“Pasi mbaruam, Koço Pani na ftoi në shtëpi për kafe.”
“Dhe ju shkuat?”
“Po, shkuam.”
“A e dini ju, – ndërhyri shefi i kuadrit, – se ai e ka biografinë të keqe?”
“Jo, aspak!”
“Po si i vajtët, kur s’e dinit se ç’është!?”
“Ua thashë njëherë!”
“Më qetë, inxhinier!” – kërceu rëndë zëvendës- kryetari.
“More shok! – e ngriti zërin shefi i kuadrit – I biri i botës ka bërë 15 vjet burg për tentativë arratisje! Thirri mendjes!”
“Çuditem! – ia ktheva. – Po ju nga e morët vesh kaq shpejt, që paskemi qenë tek ai!?”
“Pse kot e marrkemi rrogën ne shokët e zyrës së kuadrit!? Ç’bëhet brenda e jashtë komitetit, të gjitha i dimë!”
-Hajde, hajde, çfarë ndodhte! – tha profesori.
Në ato çaste po vrisja mendjen: kush dreqin të kishte kallzuar? Koço Pani vetë, unë, apo Feçor Rrapi? Tre vetë ishim! E tillë kohë ishte. Edhe në dy njerëz, njëri mund të qe spiun!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.