back to top
20.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Ndahet nga Jeta më moshën 91 vjeçare, Zef Cuk Simoni dhe një kujtim mbi figurën e tij

Gazeta

Zef Cuk Simoni (1933 -2024) - përkthyes
Zef Cuk Simoni (1933 -2024) – përkthyes

Ndahet nga Jeta më moshën 91 vjeçare, Zef Cuk Simoni

Me 19 shkurt 2024, ështe ndarë nga jeta në moshën 91 vjeçare, një nga njerëzit më të rëndësishëm të dijes, të letrave dhe diplomacisë, që ka jetuar në Shqipëri, Zef Cuk Simoni, autor, bashkautor i disa fjalorëve të rëndësishëm, përkthyes i veprave kryesore të letërsisë botërore, editor.
Bir i një prej familjeve më të rëndësishme intelektuale shkodrane, pjesë e një rrethi kulturor që punoi aq shumë për Shqipërinë dhe Shqiptarët, në ndriçimin dhe kthjellimin e udhës. Zef Simoni studioi dhe krijoi me kualitet të lartë shkencor një jetë të tërë në urtësi, me përkushtim shembullor, siç u edukua nga prindët e tij, për t’u dhuruar shqiptarëve vepra që do të mbesin një thesar i rrallë për fondin gjuhësisë dhe të letërsisë së përkthyer në gjuhën shqipe.
Trupi i Tij do të prehet sot pasdreke në Varrezat Katolike të Rrmajit në qytetin e Shkodrës.

Marrë nga faqja e FB, prof. Romeo Gurakuqi, 19 shkurt 2024

Zef Cuk Simoni (1933 -2024)
Zef Cuk Simoni (1933 -2024)
Një kujtim mbi figurën e Zef Cuk Simonit
nga Saimir Kadiu

Mësova nga Profesor Romeo Gurakuqi se ka ndrruar jetë në moshën 91 vjeçare Zef Cuk Simoni, intelektual, përkthyes kryeveprash botërore dhe ndoshta diplomati më poliglot që Shërbimi ynë Diplomatik ka patur ndonjëherë…
Vite më parë një miku im që studjonte në Zvicër, më ka treguar një histori të Zef Simonit në Crans Montana, ku Zef Simoni asokohe (fillimvitet ‘90) ishte diplomat i ambasadës shqiptare në Bernë…
Në takimin vjetor të Crans Montanës, midis figurave të njohura të politikes ishte ftuar edhe kryeministri ukrainas.
Organizatorët në minutat e fundit para fillimit të konferencës kuptuan që kishin bërë një gabim… nuk kishin njoftuar përkthyesin e rusishtes, duke menduar që kryeministri ukrainas do të fliste anglisht…
Moderatori kryesor i konferencës e merr me sportivitet këtë “difekt” dhe kërkon nga audienca një përkthyes të rusishtes në anglisht dhe frëngjisht… me qëllimin që ta bënte konferencën sa më “interaktive”…
Ngrihet një dorë e vogël…
“Urdhëroni zotëri!” – e fton moderatori përkthyesin që “zgjidhi” krizën…
“Perkthyesi” emergjent prezantohet: “Quhem Zef Simoni, dhe jam diplomat shqiptar në Bernë…”
Një ndjenjë habie përfshiu konferencën… por nuk do të ishte e vetmja…
Pas fjalës së kryeministrit ukrainas filluan pyetjet… dhe njëkohësisht përgjigjet që nga rusishtja përktheheshin nga Zefi ynë i madh në anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, serbo-kroatisht, gjermanisht, greqisht… deri edhe në kinezçe…
Moderatori i lumtur në “bingon” e zgjedhjes së tij rastësore e pyeti diplomatin shqiptar nëse do t’i përgjigjej në latinisht përfaqësuesit të Vatikanit…?!
“Do të përpiqem” – i thotë me modesti Zefi…
Përfaqësuesi i Vatikani vetëm buzëqesh dhe i drejtohet paraprakisht audiencës…
“E njoh dhe e kam bërë mik diplomatin shqiptar. Kur e kam pyetur nëse fliste latinisht, ai përsëri më dha përgjigjen e sotshme: “Përpiqem”, por kur filluam të flisnim latinisht, unë u ndjeva i turpëruar përpara tij me latinishten time!”
Kaq u desh dhe audienca shpërtheu në duartrokitje të zjarrta për diplomatin poliglot shqiptar, Zef Simoni.
Ai ishte bërë “pa dashje” ylli i vërtetë i Crans Montanes…
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe…
Zefi ishte djali i Cuk Simonit, përkthyesit të madh të periudhës së paraluftës që kishte bërë të flisnin shqip shumë autorë të mëdhenj… përfshi këtu edhe librin më nostalgjik të çdo fëmije në botë: “Aventurat e Pinokios”.

Marrë nga faqja e FB, Saimir Kadiu, 19 shkurt 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.