back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Në hulli të historisë Mustafa Merlika – Kruja (1942)

Gazeta

Mustafa Kruja (1887-1958)
Mustafa Kruja (1887-1958)

Në hulli të historisë…

nga Mustafa Merlika – Kruja (1942)

Konferencë e mbajtun më 22 nëntor 1942, në Theatrin Savoja në Tiranë…

Shokë,
Në këtê lokal e bash prej këtij vêndi i kam drejtue fjalën t’eme opinjonit shqiptar para 32 muejsh. Si atëherë ashtu edhe sod qëllimi i fjalës s’eme s’ka qenë e s’âsht tjetër veçse me zhdavaritun do ré të zeza të grumbullueme në qiellin t’onë, në short me na lëshue teposhtë tufane breshnash e rrufésh. Atëherë kishem folun vetëm si nji privat qi për tridhet e kusur vjet rrjesht ka qenë përpjekun me ia vû ndonji gur themelit të ksaj Shqipnije, me bukë e pa bukë, me pêndë e me pushkë, tue lânë në mëshirë të tjetër kuj e ndër kâmbë anmiqsh nânë, babë, grue e fëmij.
Sod flas prap me atë frymë, sadoqi vênd-vênd ka me m’u dashun të shfaq edhe mendimin e Qeverís.

Analizë objektive

Kriza shpirtnore e mendore në të cilën âsht zhytun pjesa intelektuale e shqiptarìs qyshë prej prillit të 1939-s, sod duket se ka mbërrì në kulm. Jam tue thânë thjesht krizë shpirtnore e mendore përgjithsisht, pa dashun të flas për ato shfaqje konvulsive qi kjo krizë ka shkaktue aty-këtu me pak pasoja të përgjakshme. Nuk janë këto konvulsjone, lumtunisht sporadike, qi na trêmbin, por kriza e shpirtnave dhe e mendjeve qi na ka mbulue pothuejse të gjithë sa i thomi vetes intelektualë, tue lânë të paprekun, por gjithmonë në rrezik të të ngjituni, vetëm grumbullin e shëndoshë të popullit.
Këtij pështjellimi të përgjithshëm i duhet gjetun pa tjetër e sa mâ shpejt bari i shërimit po qe se nuk dëshirojmë me fitue mallkimin e përjetshëm të breznive t’ardhëshme. Ata qi t’a kujtojnë veten të paprekun a mâ pak të prekun prej ksaj sëmunde e kanë për detyrë të mblidhen në konsultime, të bâjnë diagnozën qi lypet e të proponojnë pa vonesë kurën. Un do të rrekem të bâj këtu nji analizë objektive qi secili prej jush ka të drejtë t’a fusë në shoshën e mendjes së vet për të mbajtun ça t’i pëlqejë e për të hjedhun atê qi s’i duket e vjyeshme.
Kriza e jonë, mbas mendimit t’em, âsht kriza e atij qi nuk din ça don e nuk din se ç’rrugë të marrë për me mbërri atje ku don. Shkaku i drejtpërdrejtë âsht kalimi i përnjihershëm e i papritun prej nji gjendjeje sendesh, me të cilën ishim mësue qysh prej shumë vjeç, në nji tjetër, krejt të ré për mendjet tona të pastërvituna me bâmë analiza të thella ndodhjesh historike kaq kolosale si këto të soçmet.

Historija e Rilindjes Shqiptare

Kemi ândrrue nji Shqipní krejt të pavarun, ashtu mbas tipit klasik të shteteve të vogla e të mëdhà qi kemi njohun në kohën t’onë, na brezi ynë, due me thânë brezi i moshës s’eme dhe ai qi na ka primë e frymzuem. Historija e Rilindjes Shqiptare âsht e ré, e shkurtën: s’i kalon dý breza. Tue dashun me krahasue pak natyrën fizike të Vêndit t’onë me atê të Zvicrës – e drejta me nji analogjí tepër të largët e me nji fantazí tepër të zhvillueme – dhe pak numurin e popullsís s’onë me atê të popullsís helvetike, ndoshta edhe prej lakmìs qi i kemi pasun këtij Kombi të lumtun, sa herë kemi këlthitun: “Ah, Shqipnija e jonë kishte m’u bâ nji Zvicër e dytë!”. Kështu nji pakicë patrijotësh ândrratarë. Por kur jemi ulun prej fikut, kur na ka çue puna me i vu kâmbët mbi tokën e thatë, kemi kapun kryet në grusht, kemi shkulun flokët prej mënderës së realitetit aq të largë nga ândrrat t’ona. E kemi konstatue me tëmerë se ndërmjet kështjellave të ngrehun në fantasìn t’onë e të kasollave të Popullit kishte nji ferk sa dita me natë.
Nji grusht njerëz, intelektualë, qi kanë marrë vesht nëpër shkolla e libra në gjuhë të hueja se ç’âsht nji shtet kombtar, kanë trajtue në menden e tyne nji fytyrë të këtij Shteti dhe kanë bâ plane e tentativa kryengritjesh për lirí, kanë derdhë bujarisht mundë, pare e gjak për me realizue ândrrën fisnike të tyne. Por hiq epopén e lindun nga Lidhja e Prizrenit, të gjitha tentativat tjera kanë dështue, pse s’kanë pasun frymë popullore. Nisjatorvet s’u ka shkue kush mbrapa, se i kanë bâ hesapet pa popullin e s’kanë qenë prijsa populli. Ata qi kanë mujtë me i ndjekun verbnisht për miqsì e besim personal, janë shà e përbuzun e nga nji herë mbytun në gjak prej vllazënve të tyne; ose prijsat vetë kanë qenë pengue në qëllimet qi kanë pasun po prej njerëzve të vet qi s’e kanë kuptue lirìn ashtu si âsht dashun t’u imponohej. Poeti kombtar e psikolog i përsosun e ka pamun Shqiptarin autentik tue luftue gjithmonë “për Mbret e troje të veta” dhe jo për ideologjìt e ândrratarvet…

Mustafa Merlika - Kruja student
Mustafa Merlika – Kruja student

Tridhjet vjetët e fundit

Historia tyrko-shqiptare e vjetvet 1908-1912, historija Shqiptare e tridhetë vjetvet të fundit janë deshmí kuptimplote të këtyne pohimeve. Luftimet ndërmjet dý alfabetavet; reakcjoni kundra kryengritjes së Malsís së Madhe; lufta kundra shkollavet shqipe; dështimi i kryengritjes së shkëlqyeshme në Kosovë e gati në tânë Shqipnín, përfunduen me ndërrimin e nji qeverije në Stamboll dhe me 14 pikat qesharake të Shkupit; kundërshtimi i ngrehjes së Qeveris së Përkohëshme t’Ismail Kemalit në Durrës; pengimet e padame të shumë nacjonalistave kundra ksaj Qeverije në Vlonë; ngurrimet kundra shpalljes së pavarsís në shumë vise deri qi ushtrija sërbe s’u kishte mbërrî te porta; qeverija esadjane e Shqipnís së Mesme, përkrahun prej nacjonalistash në zâ kundra Vlonës; reakcjoni antiwidist e antikombëtar i Shqipnís së Mesme e lufta civile ndërvllaznore; grindjet politike ndërmjet nacjonalistave mbas luftës botore të përparshme; diktatura 15 vjeçare e Zogut qi e shkatrroi popullin shqiptar moralisht mâ zi se kurrë, e vorfnoi dhe shtoi në nji masë katastrofale korruptimin e huej në vendin t’onë, rrenoi rinìn e rritun pa pikë ditunije nga historija kombtare, sidomos nga historija e Rilindjes Kombtare, me konsekuencat e mjerueshme qi po shohim sod me sy; grindjet e përçamjet e nacjonalistave në mërgim; dhe mâ në fund shpektakulli i shëmtuet i sotshëm, në të cilin na lëndon zemrën e na tëmeron për avenirin t’onë shoqnuer, drama familjare. Jo mâ qeni të zonë, por s’âsht tue njohun, ndëgjue e nderue fëmija prindën e grueja burrin.
Kur i mban mênd fisi i ynë gjestet e turpshme donkishotjane të nji palë femnave, qi kanë mbathun pantallonat e burrave të tyne dhe lânë në shtëpí fistanet e veta për ta? Shumkuj prej nesh i ka takue me lânë grue, motër e bijë në shtëpí, ku ka vendin, për me dalë me pushkë në mal ose me hy në burg; por kurrë s’na ka shkue mendja se do të vijë nji ditë qi në Shqipnìn t’onë ka me ndodhë e kundërta! Këta janë numrat e pjekunìs s’onë morale, politike e shoqnore, pa zânë me gojë vobeksìn e tëmershme në lâmën kulturore e teknike…

Mustafa Merlika - Kruja (a. Morina)
Mustafa Merlika – Kruja (a. Morina)

Shkëmbime mendimesh

Besoni se jemi të gabuem? Ejni e na thoni. Besoni se kemi pështymun mbi të gjithë jetën t’onë tue u bâmë vegël e ndokuj për ndonji farë interese? Ejni e na thoni burrnisht.
Nuk ju imtoj të flisni në publik. Ju vê në dispozicjon gjithë mbasditat e mija prej orës 17 e mbrapa, për kshillime vllaznore me të gjithë ju e tjerë qi s’ndodhen këtu, tue fillue që nesër e deri më 20 dhetuer. Urdhnoni e ejani grupe-grupe. Lajmomëni përpara për të ju caktue rradhën. U ap besën e burrit Shqiptar se ferrë në kâmbë nuk ju hyn për mendimet qi do të më shfaqni lealisht. Ju ap besën e burrit Shqiptar se asnji dyshim i jueji, qoftë edhe kundra personës s’eme a të nji shoqi t’em, s’ka për të ju shkaktue kurrfarë dâmi. Do të vdesë tek un e do të jetë për mue nji element vendimi e veprimi për t’ardhmen n’interesë t’Atdheut. E kam vendosun: Ja bâj bashkimin e gjithë patrijotvet Shqiptarë vullnetmirë jase e pres shpresën për hesapin t’em, nga nji shërbim i frytshëm për këtë popull dhe më mbushet mendja qi, sa për mue, âsht e kotë të sakrifikohem tue e bâmë natën ditë për nji qëllim qi s’mund t’a qes në krye. Do të gjindet sigurisht nji tjetër Shqiptar mâ i aftë e mâ i besueshëm se un për këtë misjon të madh. Ja t’organizohemi e të punojmë me shpirt e doradorën të gjithë, jase t’a lâmë fatin e Kombit në rrjedhë të vet.
Besoj, or shokë, se mbas nji thirrjeje kaq leale qi po i bâj opinionit shqiptar për vete edhe për shokët e Qeverìs s’eme, mbas ksaj rruge direkte qi po i hap secilit për me e thânë fjalën e vet për fatin e Atdheut shi atje ku duhet të zânë vend, kurrkush s’ka mâ të drejtë m’u ankue e me pëshpëritun poshtë e përpjetë pa e pasë harxhue kët fjalë e për në qoftë se ka përnjimend vullnet e qëllim të mirë.
Ju siguroj se disa sakrifica, or shokë, janë aq të rânda qi s’ka tituj as miljona në botë qi mund t’i shpërblejnë. Kështu kishte me qenë sakrifikimi i nji jete patrijotike të papërlyeme tridhetepesëvjeçare; kështu âsht sakrifikimi i miqsive të shtrenjta personale; kështu âsht sakrifikimi i përhershëm i âmbëlsìs së jetës familjare. Këto sakrifica mund të përballohen vetëm për nji ideal shumë mâ të naltë qi âsht ai i Atdheut dhe vetëm me shpresë sukcesi.
Zoti na ndriçoftë e na ndihmoftë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.