back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Në dy anët e një Liqeni… nga Adriatik Riza Dosti

Gazeta

Ohër - korrik 2017, Adriatik Dosti me miq dhe të afërm
Ohër – korrik 2017, Adriatik Dosti me miq dhe të afërm

Në dy anët e një Liqeni…

nga Adriatik Riza Dosti

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
Lasgush Poradeci

.

Pamje nga Liqeni i Pogradecit
Pamje nga Liqeni i Pogradecit

Pogradecin dhe Ohrin kisha pothuajse 20 vjet që s’i kisha parë… I kisha lënë pas diku nga 1999 qëkur kisha bërë të fundit reportazh televiziv për Tv Koha… ”Me Kampionët buzë liqenit të Ohrit…!”

Dhe i rigjeta tani… pas rikthimit tim në Atdhe, pasi vendosa t’i bëj pushimet e mia të para në Pogradecin e magjishëm të Liqenit, të njerëzve të mirë e të korifejve të letrave shqipe: Kutelit e Poradecit po dhe magjisë së penelit liqenor Mios…
Së bashku me zonjën time Mirën, djalin e saj Sam dhe time motër Bardhën… e nën shoqërinë e këndëshme të një shoferi taksie vendali, me emrin Ceti… Herët në mëngjesin e së premtes marrim rrugën drejt Macedonia-s…
Kalojmë me radha Volorekun piktoresk dhe Tushemishtin e Teto -Ollgës… (ku dikur s’mund të shkelje dot pa lejen e Degës së Brendëshme)… dhe pasi përshëndetemi me tanët këtej kufirit… tregojmë kartat tona të identitetit në barakën – doganare të shtetit fqinj.
Një kokëgdhë… si maqedonasit në përgjithësi… kërkoi me këmbëngulje të vulosë Pasaportën time amerikane… edhe pse e di fare mirë që nuk duhet kurrsesi ta bëjë një veprim të tillë…
.
Pamje nga bregu i Ohrid
Pamje nga bregu i Ohrid

Nejse, nuk këmbëngula fort, pasi ju a njoh mirë injorancën, budallallëkun, por edhe cmirën e dashakeqësinë ndaj shqiptarëve… ndaj i them shoferit të vazhdojmë për më tej… atje ku mezi pres të takoj pas shumë e shumë vitesh një ndër shokët, miqtë, kolegët dhe bashkëqytetarët e mi të hershëm e të mirë Gim Xhafkën… në një takim malli e respekti reciprok përgatitur me aq njerzillëk nga Mira…

E lemë pas Shën Naumin e famshëm në historinë e tallazuar shqiptare mes një psherëtime keqardhjeje… për të shkuarën e padrejtësive të pambarimta historike ndaj kombit tim… dhe futemi në Ohrin shqiptar… ku tashmë nuk gjen as edhe një tabelë të shkruar në shqip(!!) e ku ”vendalinjtë” refuzojnë të të thonë qofte edhe një… mireseerdhe!!
Dalim dhe shetisim pak, por gjithnjë me sytë dhe mendjen nga ana tjetër e liqenit, nga Pogradeci… e vetiu imagjinata e realiteti ndërthuren nën morinë e qindra pyetjeve, të cilave u dihet fare mirë përgjigja… Dhe të vjen plasja, pse pikërisht duhet të jetë kështu…!
I njejti vend, i njejti liqen, njerëz këndej dhe njerëz andej… ujë e tokë këndej nga ne… dhe ujë e tokë edhe andej nga ata… por… ehhhh sa por pa fund e pa mbarim…
Atje ka gjelbërim, rregull, pastërti e mbi të gjitha njerëzit janë mjaft më të përgjegjshëm ndaj vendit dhe shtetit të tyre, ndaj ligjit dhe ndaj komunitetit e ambjentit njerëzor në të cilin jetojnë… Mbi të gjitha aty vjen era Shtet… ajo lloj ere që ne shqiptarëve na ka munguar gjithmonë, të paktën në këto 105 vite të egzistencës sonë si shtet më vete…
.
Pamje nga Valoreka - Pogradec
Pamje nga Valoreka – Pogradec

Dhe kjo është alpha e asaj ”enigme” të deshifruar fare qartë e për të kuptuar atë se… përse jemi ende ketu ku jemi sot, edhe pse ne krahasim me këtë fare Macedonie… që ende nuk di saktë identitetin e saj, gjuhën, flamurin, historinë, himnin e gjithçka tjetër të elementeve shtet-formues a të bazamentit të të qenit Komb… Zoti na ka falur pambarimisht bukuri, pasuri e begati natyrore të rralla e tepër të lakmueshme.

Nuk kam ndërmend të hyjë në analiza e debate për një temë të tillë pasi jam më se i sigurt që konkluzioni i të gjithëve do të jetë i njejtë, nuk bëhemi dot kurrë ne, nuk kemi shtet ne mor vëlla, nuk na pëlqen rregulli, disiplina e ligji në shqipove, etj etj.
Nejse… takohem me mikun e kolegun tim, sigurisht me mall e respekt të veçantë… lot në sy… dhe nis rikthimi pas në memorjen tonë të qindra e qindra kujtimeve e historive të së shkuarës, të cilat kanë lënë pas jo pak gjurmë në jetën tonë të trazuar shoqërore e profesionale…
Derisa për paradokset absurde të jetës shqiptare, ne që dje jetonim në Tiranë, e sot jetojmë në Amerikë… duhet të takoheshim për tu ç’mallur me njeri tjetrin në Ohër të Macedonias…
Drekojmë famijarisht buzë Drinit kryeneç, por edhe të bukur sa me s’ka, në Strugën e shqiptarëve të mirë e fanatikë të rrënjëve të tyre… gjithnjë nën valsin e ëmbël të kujtimeve tona e të humorit brilant… të Xhafkës të ngacmuar herë-herë edhe nga Tasha e Mira…
Dhe gjuha rri e rri e vetë sërisht aty ku dhemb… dhëmbi!
.
Liqeni i Ohrid - Panorame
Liqeni i Ohrid – Panorame

Në kontrastet e dy anëve të një Liqeni… ku ”historia e një tjetër BE” të dikurshme… ka ndarë dy anë të së njejtës tokë në dy shtete… Albania e Macedonia.. …

Ehhhh… mirë more vëllezër, mirë, por të paktën le te hedhim sa më shpejt të jetë e mundur një hap përpara në përqasjen tonë aq të ëndërruar drejt përparimit e zhvillimit, drejt qytetërimit e civilizimit, drejt Europës e të qenit vend e shtet normal i qytetarëve të barabartë mes njeri tjetrit… Le të bëhemi të paktën si fillim… si Macedonia… në ato çka përmenda më lart e jo në të tjerat, pastaj shohim e bëjmë… këtu jemi!
Besoj në atë… nga ç’jemi sot, me siguri, më mirë do të jemi nesër…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.